Shqisa e gjashtë

Kultura

Shqisa e gjashtë

Nga: Esmeralda Taçe Shpata Më: 5 korrik 2022 Në ora: 12:36
Esmeralda Taçe Shpata

Unë jam lexuesi i parë i vetes. Nëse "mirësjellja" ime e të shkruarit i përgjigjet, komunikon me lexuesin tim të brendshëm, e kam mbërritur lirinë time në art.

E megjithatë, akti i të shkruarit është një proces kondensimi, ku shiu artistik ka mbledhur mijëra re perceptimesh e ndjesish, thjesht pritet një çast "i paturp" shkreptime ku nënvetëdija e mbajtur peng të gjejë një krisje nga një ngacmues i jashtëm dhe të derdhë të gjithë lëndën e saj. Në këndin tim të të menduarit, kjo dialektikë artistike, e udhëhequr nga parime të padeshifrueshme, mësyn të gjithë trajtën njerëzore dhe shndërrohet në lëndë krijuese. Kërkon hapësira, thyen skema. Ngjason me një akt intim ku ty si krijues të mbetet t'i japësh të gjithë qenien dhe ndjesitë e tua, t’i japësh gjuhën tënde të brendshme për të mbërritur kurbën më të lartë të komunikimit. Në tregimin tim këtë çast dua të mbërrij dhe këtë çast të përçojë te lexuesi.

Liri në fakt po i kërkoj unë frymëzimit, dua ta tërheq njeriun në një skaj të largët të unit dhe ta shoh si bën krijuesja pa mua, pa skemat e mia, pa asgjë që e kanë shpikur të tjerë për të tjerët.

Ka një "shqisë të gjashtë" që kthehet në parim organizues, dua që kjo të përmbysë çdo njohje, të më kthejë në formën time më primitive për të mbërritur te vetja ime më e kulturuar. Këtë quaj liri, këtë quaj çast artistik.

Libri im i radhës vlen të quhet " Tregim i qenies", në qoftë se nuk mbërrin ta zbërthejë "ksomblën", nuk do të ketë as dritën, as kohën e tij, domethënë nuk do të botohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat