​U përurua libri ‘Halit Barani përjetë në udhën e artit dhe lirisë’ i autorit Hysni Syla

Kultura

​U përurua libri ‘Halit Barani përjetë në udhën e artit dhe lirisë’ i autorit Hysni Syla

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Në shënim të 70 vjetorit të lindjes dhe 50 vjetorit të veprimtarisë së Halit Baranit, sot në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, në Mitrovicë, u përurua libri i gazetarit, profesorit dhe veprimtarit të ndjerë, Hysni Syla, ‘Halit Barani përjetë në udhën e artit dhe lirisë’.

‘Halit Barani’, i njohur jo vetëm në Mitrovicë, Kosovë e Shqipëri, por kudo në botë ku jetojnë shqiptarët, me veprimtarinë e tij të shumanshme gjysmë shekullore, ka lënë gjurmë të pashlyeshme’. 

Kështu u tha mes tjerash gjatë përurimit të këtij libri, ku autori Hysni Syla lëndën e ka strukturuar në shtatë kapituj, ‘Telegrame urimi’, ‘Miqtë për të përjetshmin Halit Barani’, ‘Mendime, vlerësime, mirënjohje’, ‘Thërrmija kujtimesh’, ‘Dymbëdhjetë vjet punë për dy ditë dëshmi në Hagë’, ‘Mbretëria e Talas’ dhe ‘Album fotografish’.

Profesori Miftar Kurti, recenzent i librit, tha se autori i këtij libri, gazetari dhe veprimtari i palodhshëm Hysni Syla, nuk është rastësi që ka vendosur të shkruaj për Halitin, sepse e ka njohur mirë.

Kurti: Autori ka bashkëvepruar me protagonistin

‘Dhënia e idesë për shënimin e këtyre dy jubileve dhe përgatitja e këtij libri nga Hysni Syla, për mua nuk përbënë befasi, sepse autori e ka njohur mirë protagonistin, e ka pasur mik, shpesh e ka shoqëruar dhe ka bashkëvepruar me të’, ka thënë Kurti.

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, pasi u shpreh i nderuar për prezencën e tij në këtë përurim, theksoi se gjatë viteve të 90-ta, Haliti së bashku me Hysniun ishin burim i pashtershëm i informimit dhe i pasqyrimit të situatës së rëndë në Kosovë.

Spahiu: Haliti e Hysniu janë meritorë që e vërteta për Kosovën mori përmasa më të gjera

‘Më kujtohet gjatë viteve të 90-ta kur ne punonim në kushte shumë të rënda, Haliti ishte një burim i pashtershëm i informimit për dhunën që ushtrohej mbi popullin e Kosovës, po ashtu edhe Hysniu për shkrimet e veta. Ata janë meritorë që e vërteta për Kosovën mori përmasa më të gjera, madje edhe botërore’, tha ai.

Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Suedi, tha se edhe pse Hysni Syla nuk jeton më, veprat e tij flasin shumë.

Ibrahimi: Veprat e Halitit sot flasin më shumë se gjithçka’

‘Hysni Syla nuk gjendet më fizikisht në mesin tonë, por veprat e tij sot flasin më shumë se gjithçka’, potencoi Ibrahimi.

Ndërkaq, ish kryetari I Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke folur për autorin e librit, tha se ai ka qenë punëtor i shkëlqyeshëm dhe i palodhshëm.

Bahtiri: Ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme

‘Bacin Hys siç e quanim ne e kam pasur shtatë vite në kabinetin tim, dhe ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme, cilësore dhe njerëzore, pa u lodhur asnjëherë’, u shpreh Bahtiri

Prend Buzhala, tha se autori i librit, Hysni Syla, si dhe protagonisti Halit Barani, janë kronikë e gjallë e qytetit të Mitrovicës.

Buzhala: Halit Baranit dhe Hysni Sylës janë kronikë e gjallë e qytetit të Mitrovicës

‘Një Mitrovicë pa emrin e Halit Baranit dhe Hysni Sylës ku do të ishte…Që të dy këta njerëz, njëri që është në përjetësi dhe tjetri që është këtu i pranishëm, janë kronikë e gjallë e qytetit të Mitrovicës’, tha ai.

Në emër të familjarëve të autorit të këtij libri, ka folur Gazmend Syla, i cili evokoi kujtime nga e kaluara, Ai ka përmendur punën e palodhshme ndër vite të axhës së tij, në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Syla: E kam pyetur vetën 1 milionë herë se ku e gjenë atë vullnet 

‘E kam pyetur veten një milion herë ku e ka gjetur tërë atë vullnet dhe kohë me punu për njerëz pa pasur ndonjë përfitim’, tha ai.

Në anën tjetër, emocione të forta e kanë përshkuar vetë protagonistin e librit, Halit Barani, i cili tha se përulet përjetësisht para veprave të Hysni Sylës.

Barani: I përulem veprës së Hysni Syla

‘E falënderoj përjetësisht dhe i përulem..Hysni Syla nuk është vetëm fizikisht me ne, por ai është në mesin tonë kudo’, u shpreh Barani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat