Martiri lugdrinas, Nue Jakaj një emërndritur në historiografinë tonë kombëtare

Kultura

Martiri lugdrinas, Nue Jakaj një emërndritur në historiografinë tonë kombëtare

Nga: Lekë Mrijaj Më: 7 gusht 2022 Në ora: 09:31
Martiri Nue Jakaj

E kaluara historike e popullit shqiptar nder shekuj ka qenë shumë e ithët. Bazuar në studime dhe gojëdhëna të paraardhësve tanë nder shekuj pra luftërat ishin të vazhdueshme dhe shkatërrimtare, ndër më mesjetare që njeh historiografia jonë kombëtare dhe e vet njerëzimit.

E them edhe me plot përgjegjësi nga këndvështrimi im se trashëgimia e kulturës materiale, kulturore dhe shpirtërore e shqiptarëve në thelb dëshmon lashtësinë e lavdishme historike dhe autoktoninë shqiptare në tërë gjeografinë e tyre etnike përfshirë edhe Kosovën si krahinë (edhe pse e tjetërsuar nga Serbia) e Shqipërisë.

Në historinë tonë të qëndresës e të lavdishme kombëtare, kanë bërë emër shumë heronj, martirë për çlirimin e trojeve të atdheut, duke treguar besnikëri, trimëri të pashoqe kundër forcave paramilitare e militare pushtuese edhe disa luftëtarë të shquar, veprat e të cilëve kanë rënë në heshtje për shkaqe të tjera të paarsyeshme.

Pra, kalojnë vite, kalojnë dekada, ndërsa kujtimi për heronjtë dhe martirët mbetet i freskët në mendjet e familjarëve, farefisit në historinë e kombit tonë. Heronjtë dhe dëshmorët janë celula identitare dhe krenaria e çdo populli. Heroizmi dhe martirizimi i atyre qe u sakrifikuan janë vula kryesore e lirisë. Kujtimi për ta pavarësisht shekujve, dekadave e viteve nuk shuhet dhe nuk zbehet asnjëherë, ata pavarësisht kalimit të stinëve mbetën gjithmonë të gjallë në memoriet e zemrat tona, ashtu siç është fryma e pranishme ndër njerëzit mbi dhe pa të cilën nuk ka jetë.

Një nder të panumërta kujtime është edhe ai për pinjollin e Jak Alisë-Nue Jakaj nga Ranoci i Zllakuqanit të Lugut të Drinit, i cili përmes torturave barbare në burgjet e UDB-së Jugosllave ra heroikisht për kauzë dhe ideal kombëtar e që ka mbetur në mendjet e zemrat e brezave tanë, si lavdia, nderi dhe krenaria e Kosovës dhe Shqipërisë Etnike.

Historia e Nue Jakaj të cilin po e kujton familja (biri i Toma, një atdhetar dhe humanist nga Nju Jorku i Amerikës, të dashurit dhe farefisi i tij) në 126 vjetorin e lindjes është ajo e këtij pinjolli të fisit të Kqirës, emërndritur në historinë e farefisit, kombit që përballoi me dinjitet peshën e rëndë të persekutimit dhe burgosjes nga ana e UDB-së - regjimit totalitar komunist jugosllav.

Ky militant-admirues i Ballit Kombëtar, u lind me 7 gusht 1896, në fshatin Ranoc të Klinës. Rrjedh nga një familje aristokrate të fisme, atdhetare e fetare, më tradita të larta dhe të shquara, fisnikërie e bujarie, rrethuar nga dashuria dhe përkujdesjet e miqve dhe të dashurve të tij, të cilët e mbështetën gjithmonë familjen e Jakajve.

Siç e kanë potencuar edhe shumë studiues të tjerë, Nou, s’bashku me vëllain e tij Pjetrin, mbështetën çetat e Nue Perlleshit, kundrejt çetnikëve të Kollashinit, të Kosta Peçancit (1943-1944). Nou, u angazhua fuqishëm në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij të vogël-Pjeter Jakaj (dhe të tjerëve siç janë Llesh Gjolleshaj nga Zllakuçani, Ukë Zeneli nga Gjurgjeviku, Rexhep dhe Sadri Hoti nga Resniku, Azem Koka nga Shtupeli, me të birin Ibrahimin, Qazim Bojaj nga Kërrnica e Klinës etj.) i cili ishte luftëtar e mbështetës i elitave të “Ballit Kombëtar” pikërisht i Luanit të Dukagjinit Nue Përlleshit që do të thotë se me ndikimin e Ndout (siç dëshmohet edhe nga gojëdhënat, dhe nga disa studiues) e likuiduan kryeçetnikun Radosh Toshiqi nga Koshi i Istogut. Në ç’rast soldateska e zezë e ZKZ-së apo UDB-së Jugosllave, menjëherë e arrestojnë, torturojnë barbarisht nacionalistin e “Ballit Kombëtar” duke e martirizuar Nue Jakajn, i cili më vonë edhe nga torturat e marra ndërron jetë (dinjitetshëm për kauzë kombëtare) më datën 6 shkurt 1948, duke ua lënë brezave nderin, lavdin e pavdekshme dhe idealin për një Shqipëri Etnike.

Jeta e këtij martiri-Nue Jakaj nuk mund të përmblidhet në një artikull të shkurtër. Ai meriton një trajtim dhe një vëmendje dhe një përkushtim me të madh nga studiuesit dhe institucionet tona relevante lokale dhe qendrore.

Me këtë rast, lugdrinasi Tomë Jakaj, nga Nju Jorku veç tjerash tha se pret që shumë shpejt të promovohet një rrugë sipas një vendimi të miratuar nga asambleja komunale në Klinë e muajit maj të vitit 2015) në fshatin Ranoc, e cila do të mbart emrin e martirit, Nue Jakaj njëkohësisht vazhdoi duke thënë se përkujtimi për dëshmorët e martirët e kombit, është një lutje, kujtim e homazh me tepër për sakrificën e tyre të cilët dhanë jetën për atdhe njëkohësisht në vazhdim tha se kjo ditë e sotme e ditëlindjes dhe e përkujtimit të babait tim, është një rreze dritë, ditë lavdie, krenarie dhe dhimbje, jo vetëm për familjen e farefisin por edhe trevën e Lugut të Drinit, Dukagjinit, mërgatën dhe mbarë trojet tona.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e babait- Pushoftë në ombrellën e hyjnisë qiellore!” tha në fund biri i Nue Jakaj-Toma nga Nju Jorku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat