Përjetime...

Kultura

Përjetime...

Nga: Fatmira Beqja Veseli Më: 14 gusht 2022 Në ora: 13:40
Fatmira Beqja Veseli

Mbylla librin dhe shikimi im u përplas mbi faqen e bardhë të murit. Doja të qetësohesha apo të shkarkoja atë barrë të rëndë që mora nga leximi i novelës “Çmimi i Dualizmit”, të autores vlonjate Vilhelme Vrana-Haxhiraj, shkurt “Vivra”. Një novelë e vogël, por me ngarkesë dhe kohështrirje sa vetë bota njerëzore. Faqe të mbushura me shkrim pa emra vendndodhjeje, pa gjeografi, pa data e histori. Një libër që të lëndon, të shtang dhe njëherazi të godet e te vret, duke hapur varre dhe zgjatur litarë, ku shkrepen armë e derdhet gjak. Një rrëfim, që brez pas brezi i ngarkon njerëzit me plagë që s’ mbyllen dhe, që nuk pranon mësimet, aq më pak harresën.

Në qendër, një vajzë apo grua. Grua……! Thjesht një grua pa emër, pa kombësi, pa rreth familjar, as e bardhë, as e zezë, as e kuqe apo e verdhë, pa racë e ngjyrë, por që nëna dhe perëndia i ka dhuruar një bukuri të rrallë, për t’u krahasuar me hënën, yjet, vesën e mëngjesit mbi petalet e trëndafilit, aq sa frymëzimi nuk di ku të degdis e të përkund. Me një fjalë, bukuri për t’u admiruar, që s’e qas mëshirën, sepse të çmend në hiret e bukurisë femërore, për t’u ngjitur në botën e hijeshisë e bukurisë, por që mbart një mister, një shpirt që ndjell e mbjell tragjedi, e cila shpaloset ngadalë, lehtë-lehtë, fare natyrshëm, me uri dhe etje mashkullore, njëkohësisht edhe cmirë e xhelozi mes femrash, duke pushtuar ndjesitë e gjithë sojit njerëzor.

Nuk flas si e nisi Ana Karenina, apo znj. Bovari, që mbeten modele të historisë femërore, por si miliona e miliona vajza e gra, që e nisin dhe bitisin udhën e mbijetesës, mbase si fillim për provë dhe për qejf, duke kërkuar shtigje të lehtë për luks e mirëqenie, pa u menduar gjatë për pasojat dhe plagët, dhimbjet e vuajtjet, helmin e sheqerosur, mashtrimin, poshtërimin dhe nënshtrimin ndaj parasë dhe veseve, që çuditërisht shoqërojnë dhe vrasin jetën e “Heroinave” pa heroizëm.

I gjithë rrëfimi të shtyn të përjetosh thyerje ekstreme të dy botëve, të burrit dhe gruas, të lidhur e të zgjidhur përjetësisht, aq sa majat dhe humnerat e tronditin mendimin e shëndoshë, duke mbyllur shtegun për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që nuk shteren dhe nuk marrin përgjigje. Bie fjala: Kush mund ta fitojë betejën e pa shpallur, por të pranuar në heshtje, mes bukurisë së femrës dhe pushtetit të parasë, të futur në çark, që nuk njeh ligj e moral njerëzor dhe, nuk e prek fundin e tmerrshëm të pusit, që thellohet pak nga pak?

Autorja e kursyer në personazhe, një grua dhe dy burra, tërësisht të ndryshëm me njëri-tjetrin, si në paraqitje, moshë, ashtu edhe në parime. Njëri e shijon bukurinë, por në fund ndjen neveri, duke parashikuar edhe fundin e kësaj drame tronditëse, që të mban lidhur deri në fjalën fundit. Ndërsa tjetri ka epsh, por s’ka forcë, ka uri por s’ka dhëmbë, ka dëshirë por i janë mpirë ndjenjat, ka pasuri sa të blejë trupin e por nuk mund të blejë dashurinë dhe kënaqësinë e botës së gjallë. Aq e fortë është ndjesia, që ngacmon kjo novelë, sa shkrimtari Kadri Tarelli i kushton një shkrim, botuar në librin, “Kur lexoj një libër”. Faqe: 167, ku që në titull shprehet kështu: “Nuk i heq dot tapën, lëpin dhe thyen shishen”. Ndërsa unë po i shtoj edh dy-tri fjalë, që po m’i sjell çasti: - “Jo se është dehur, por se nuk mund të pijë lëngun jetëdhënës”.

Të tilla ngjarje, në dukje të rralla, janë pjesë e botës njerëzore, ku pesha e dramës dhe konfliktit në skenën e teatrit pa spektatorë, arrin kulmin. Aty përplasen dëshira dhe ëndrra, e bukura dhe e shëmtuara, mundësia dhe pamundësia, shtrëngim nofullash e kërcitje dhëmbësh, adhurimi, mallkimi dhe shpërfytyrimi, si një kontratë e heshtur, firmosur e vulosur nën koren e gurtë të tokës, pa zë, pa kujë e bujë.

Ndërkohë përballë është një grua, një shpirt që shtrydhet, nëpërkëmbet, poshtërohet, thahet, këputet e shkelet si gjethe vjeshte. E pse? Sepse është e bukur, plotësisht e bindur në armën e vet “bukurinë”. Krenare që e do jetën. Skenat e vogla nuk e turbullojnë, i krijon dhe i pranon pa mëdyshje, sikur botën e ka nën këmbët e saj. Në këtë luftë të heshtur, nuk mungojnë edhe viktimat. Duket sikur e ndjen humbjen, sepse nuk ka fuqi të luftojë e të fitojë mbi pushtetin e parasë, në dramën që duket sikur e ka shkruar vetë e për. Ajo me bëmat e saj, sikur ka ftuar të gjithë filozofët e botës për ta zgjidhur këtë ngërç, të thjeshtë në dukje.

Autorja znj. Vivra, gjatë gjithë novelës bisedon me veten, me mua, me lexuesin dhe me të gjitha kohërat. Edhe pse novela si zhanër i prozës së shkruar ka kufizimet e veta në hollësi e saktësi, ajo, si mjeshtre e fjalës dhe kompozicionit, e gjen forcën për të kapërcyer boshllëkun, duke e bërë këndonjsin, të pa interesuar për vogëlsira. Dialogu dhe sidomos përdorimi mjeshtëror i pyetjeve retorike dhe jo retorike, e ngre novelën në përsosmëri artistike e filozofike.

Në ftohtësi gjykoj, se pa dashje arrihen disa qëllime:

Si fillim, tërheq dhe drejton vëmendjen e lexuesit, duke e bërë pjesë të dramës, nëpërmjet rrëfimit grisës e ngacmues, pse jo edhe parashikues ndaj asaj që do të ndodhë. Një lloj përgatitje shpirtërore, që të përjetojë çka do të vijë në të ardhmen.

Më pas, çdo bisedë e le shtegun hapur për të paralajmëruar tragjedinë, nuk ka rëndësi forma dhe përmasat.

Më tutje, ngre tensionin e dramës. Lexuesi ndalon frymën: Bobo çfarë do të ndodhë?!

Në këtë hulli mendimi: Shkallëzon shpalosjen e konfliktit, duke më shtyrë të pyes: - A ka konflikt të mirëfilltë që shpërfaqet para nesh? Cilat janë forcat që përleshen dhe heronjtë e tyre? Kush mund ta ndalë dorën gjakatare?

Të them të drejtën, unë dhe lexuesi, në dukje ndjehemi të qetë, sepse konflikti mbetet i padukshëm, preket por nuk shfaqet, duket dhe fshihet në eter, si me magji. Gjithçka shkëlqen së jashtmi, brenda ca rregullave të pranuara butësisht mes aktorëve. Ndërsa më duhet të mbaj frymën pezull, me të vetmin merak: ç’do të ngjasë pas gjithë atyre ndodhive, shpesh si rastësore, por të hidhura e të pa imagjinuara? Sepse konflikti përfshin botën shpirtërore të dy qenieve të ndryshme, të huaja për njëra-tjetrën, mishëruar në shpirtin dhe vetëdijen e protagonistëve tanë. Dy botë, si përfaqësues të atyre mijëra e mijëra viktimave që kanë mbetur mjerane cepave të errët të kohës, pa zë, pa emër, pa ëndrra, pa dëshira, të përbuzura, të zhgënjyera, shpesh të mbuluara me gjak.

Oh sa lodhje, sa dhimbje, sa trishtim përcillet në ato pak faqe letre, por që mbeten pa u dëgjuar, vuajtur e ngushëlluar. Është një e vërtetë e hidhur, që shpesh e harrojmë, por që duhet pranuar se është ulur këmbë-kryq mes nesh, shpërfaqur si konflikt i neveritshëm individësh, por që fsheh një plagë shoqërore, për fat të keq edhe aty ku liria dhe ligji zbatohet rreptësisht.

Ndaj kërkoj dhe pres një përgjigje nga vetja: Vallë, ka forcë që e ndalon pushtetin e parasë dhe veset që lindin prej saj, që shpesh të çon deri në marrësi e në krim? Nuk e di ç’do të thoshte Frojdi, sepse historia jonë dhe e botës mesjetare është e mbushur me marrëzi të mbështetura edhe në ligje e kanune fisesh.

Autore Vivra, me pak fjalë, por me shumë art, i bën autopsi mendësive dhe karaktereve të heronjve të dramës, si të thuash i nxjerr lakuriq para pasqyrës së jetës. Ngjarja që u nis si udhë parajse, nuk vazhdoi gjatë dhe nuk mund t’i qëndrojë kohës. Vjen një çast që edhe shkëlqimi të neveritet, dehja ia le vendin trazimit dhe zhgënjimit, aqsa ligjet e zhvillimit të natyrës përputhen me ligjet e shoqërisë njerëzore.

Unë pajtohem me autoren, që nëpërmjet ngjarjeve të novelës, kërkon me zë të lartë gjetjen dhe rritjen e pozitës shoqërore të gruas, e cila në emër të qenies, mbartjes së jetës dhe vazhdimësisë, meriton më shumë vëmendje, mbrojtje dhe kujdes te veçantë, përballë brutalitetit, egoizmit, shpesh të pa kontrolluar të burrave. E gjitha e shprehur urtësisht, si në jetën e zakonshme ashtu edhe në drejtim dhe organizim shoqëror e shtetëror. E thënë shqip, shumë të drejta të gruas, janë arritur vetëm me rritje të vetvetes, me luftë e përpjekje shekullore. Mbetet edhe shumë për të bërë në barazi gjinore.

Nuk dua të hyj në analizë të librit, por ndjesitë që përftohen nga ndodhitë, shumë herë të shëmtuara e të fëlliqura, që nuk i pranon mendja normale e një njeriu, më shoqërojnë gjatë. Janë ndodhi, sa reale ashtu edhe të stisura e të ujdisura artistikisht, që të shtyjnë të ndalosh, të kafshosh buzën që dridhet nga inati, më pas të mendohesh thellë, jo për të gjetur fajtorin fizik, por marrëdhëniet shoqërore, herë-herë të ndërtuara keq apo të shtrembëruara pa dashje.

Emrin s’ia ve dot. E ndjej se gjaku më bëhet ujë nga trishtimi, duart i kam akull nga zemërimi, ku përfytyroj atë grumbull njerëzish që shikonin kufomën, ku prej damarëve të saj, shkapërderdhej jeta e një gruaje, që hyri në lojë të gabuar, por guxoi të ngrihet mbi vetveten duke përbuzur luksin dhe mirëqenien e një “kukulle”. Më në fund ajo kërkon lirinë e humbur, për të jetuar si ata, thjesht, mbase edhe në varfëri, por me liri, ku të dashurojë e të dashurohet si njeri.

Gjykoj se ky është edhe mesazhi më i qenësishëm, më i vyer dhe më i dobishëm, për brezin e vajzave që janë në prag të fillimit të jetës së pavarur. Ato të jenë të vetëdijshme për të zgjedhur, jo udhët lehta, që s’të çojnë gjëkundi dhe nuk të nxjerrin në dritë, jo lëmoshën dhe mëshirën, por udhën e punës, lodhjes, mundimit, studimit e djersitjes. Pa shumë fjalë, të jenë vetvetja, duke ngulmuar në rritjen e synimit për një jetë të merituar, me dije, aftësi e kulturë. Jeta është një mësues i rreptë, të ndëshkon kur gabon.

Nuk e kam as dëshirën dhe as luksin që shfrytëzoj rastin të jap mësime për jetën. Ato i gjen gjithkush në faqete kësaj novele të mrekullueshme. Vetë jeta është mësim, ku edhe mund të rrezohesh, për t’u ringritur më i fuqishëm, më i fortë dhe më i sigurt. Nuk jam unë e para që e them. Dijetarët dhe përvoja na thotë, se jeta, vërtet ka shumë shtigje, mund të them të gjitha të shkelura nga brezat e shkuar, por duhen zgjedhur me kujdes. Lum ai apo ajo, që ka mend të nxjerrë mësime. Po ka edhe metër e kandarë të ndryshëm, së pari, për të matur e peshuar vetveten, më pas për të ndarë, matur, peshuar e pëlqyer, të mirën dhe të keqen, të bukurën e të shëmtuarën, të ëmblën, të hidhurën e të thartën, të dobishmen dhe të padobishmen. Thjesht të gjejë e të ndajë vlerat nga antivlerat, për të qenë njeri, i pranuar në shoqëri vlerash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat