Kur kritika letrare gatuhet në ëmbëltore!

Kultura

Kur kritika letrare gatuhet në ëmbëltore!

Nga: Hejza Art Më: 16 gusht 2022 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Kritika letrare që moti është në krizë dhe rreth kësaj çështje pothuaj të gjithë (ata që vakacion kanë letërsinë) pajtohem. Kemi arritur në një stad sa që disa “kalemexhinj” as vetë nuk e kuptojnë atë që e shkruajnë e që pretendojnë se është kritikë. Poetja Valdete Dulahi me të drejtë konstaton se kritika ka mbetur te promovimet e librave, te recensionet, te ndonjë shkrim miku për mikun. E kur miku shkruan për mikun, atëherë lexojmë edhe këso fjali: “poezi plot ëmbëlsi, origjinalitet, thjeshtësi dhe emocion”.

Ose: “Dashuria, problemet sociale, grindjet, pabesitë, dyfytyrësitë, arritjet, zhgënjimet, janë pjesë e poezive ku autorja përcjell shumë bukur ëndrrat e njerëzve, që shumë herë mbeten ëndrra pa arritur të gjendet lumturia e vërtetë”.

Mbase edhe fjali të këtilla: “Lexuesi krijon përshtypjen se është një libër i mirë e praktik, dhe kur e lexon sërish, të duket edhe më i mirë. Dhe gjithë kjo ngjanë ngase autori nuk provon të jetë i pakuptimtë. Ai i zgjedh shprehjet dhe formulimet e kuptueshme. Nuk shkruan vetëm për të kënaqur shijen e tij. Shkruan për lexuesin dhe i analizon motivet, idenë, tematikën… I bën vështrim gjuhës së zgjedhur, simbolikës, metaforës, harmonisë krijuese”.

Kur i lexojmë këto fjali, atëherë detyrimisht na imponohet edhe pyetja: po ç’kishte ndërmend të thotë miku për mikun!? Kur miku shkruan për mikun, atëherë të duket se kritika jonë gatuhet nëpër ëmbëltore, sepse zgjidhen vetëm fjalë të ëmbla, pavarësisht se ato nuk kanë të bëjnë asgjë me librin për të cilin miku thur lavde të atilla sa do t’ua kishin lakmi edhe nobelistët. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se kritika letrare nuk shërben për lajka, për qejfe, për ta gënjyer vetveten e kështu me radhë. Pikërisht kjo qasje ka bërë që sot kritikën ta kemi në nivelin e një karikature të shëmtuar. Sidomos kësaj dukshëm i kontribuojnë promovimet e shumta, në të cilat, së paku deri tani, asnjëherë nuk u tha qoftë edhe një vërejtje e vockël, përkundrazi në çdo promovim jemi dëshmitarë të budallallëqeve të shumta, të cilat fatkeqësisht, për arsye të shumta, përfshi edhe ato të dyfytyrësisë, kalojnë në heshtje.

/HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat