Dy shenjtër dhe martirë dardanë janë të pranishëm në traditën gojore

Kultura

Dy shenjtër dhe martirë dardanë janë të pranishëm në traditën gojore

Nga: Don Lush Gjergji Më: 18 gusht 2022 Në ora: 14:11
Portretet e dy shnjtorëve dardan, Shën Flori dhe Shën Lauri

Këta dy shenjtër dhe martirë dardanë janë të pranishëm në traditën gojore, por edhe në historiografinë dhe martirologjinë perëndimore dhe lindore, sidomos në “Martirologjinë Romake”, ku gjendet elementet bazë të jetës dhe veprimtarisë së tyre, si dhe vdekja heroike dhe martire për Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës, Kishën Katolike.

Kjo traditë kishtare ka prodhuar edhe përshpirtëri të ndryshme popullore me lloj-lloj lutje, këngë, tregime, ndërsa në artin e shenjtë, piktura dh ikonografi të shumta, aq sa gati janë shndërruar në mitologji popullore dhe në frymëzime letrare.

Fatkeqësisht ne, pasardhësit shpirtëror të tyre, gjatë historisë së lashtë gati dymijë vjeçare, por edhe sot, kemi pak të dhëna, shkrime, shqyrtime, studime, botime rreth jetës dhe veprës së tyre, martirizimit në Dardani, në Ulpianë, ku është djepi i krishterimit tonë, rrënjët e së kaluarës së vështirë, shpesh edhe martire, pa të cilat s’mund të jemi vetvetja, sot dhe në të ardhmen.

Për ta plotësuar këtë mangësi dhe zbrazëti për shumë aspekte të pakuptueshme, të pafalshme, vite të tëra këtë argument e kam në mend dhe në zemër. Në vizita të shpeshta në Ulpianë, “shoqërohem” me Shën Florin dhe Laurin, lutëm, u kërkoj ndihmë dhe përkrahje për jetën dhe shërbimin tim meshtarak. Shpesh iu kam kërkuar edhe falje për këtë qëndrim tonë të “harresës” dhe mospërfilljes. E di, së pari Zoti, pastaj pa dyshim edhe Shën Flori dhe Lauri, kanë kuptim për baticat dhe zbaticat tona të pandërprera, për shekujt nën robëri dhe sundim të të huajve, për luftën tonë për mbijetesë… Sot, se paku tash, kur jemi të lirë, pse nuk kemi dëshirë, fuqi, frymëzim, vendim, qëndrim: T’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës!

Mirëpo për ne të krishterët, por edhe të tjerët, ka pak të dhëna të sakta dhe të vërtetuara mbi prejardhjen e tyre, jetën e mëparshme në Bizant, familjen e tyre, prindërit, edukimin familjar dhe shoqëror. Dihet shumë pak rreth origjinës së tyre, jetës familjare, rrethit dhe ambientit të rritjes dhe zhvillimit, të formimit fetar, kulturor, shoqëror, gjithënjerëzor.

Një gjë dihet saktësisht, Shën Flori dhe Lauri ishin nxënësit e dy mjeshtërve dhe skulptorëve të mëdhenj dhe të njohur në Bizant, Prokulit dhe Maksimit, të cilët ishin vrarë gjatë përndjekjeve të Publio Elio Traiano Hadrianit, që kishte lindur në vitin 76, ndërsa ishte Perandor i Romës gjatë viteve 113-138.

Flori dhe Lauri, si të krishterë të njohur botërisht dhe me ndikim të madh në rrethin dhe kohën e tyre, ishin një lloj rreziku për paganizëm, që mbështetet nga Perandoria Romake. Edhe më tepër, ata ishin nxënësit e guximshëm dhe besnikë të Jezu Krishtit, bijtë e përndritur të Kishës katolike në Dardaninë tonë, në Ulpianë.

Shi për këtë Flori dhe Lauri kishin braktisur Bizantin dhe kishin ardhur në Dardani, në Ulpianë, asokohe pjesë e Gadishullit Ballkanit, e formuar para Krishtit, ndërsa provincë romake që nga viti 27 para Krishtit, ku kishin vazhduar jetën dhe krijimtarinë e tyre në ndërtimtari dhe në skulpturë.

Mirëpo planet e Zotit ishin për një jetë, dëshmi dhe veprimtari tjetër, që nëpërmjet arkitekturës dhe skulpturës, ata ta zbulonin dhe dëshmonin botërisht “artin e jetës”, fenë e krishterë, vetë Jezu Krishtin, dashurinë e mishëruar të Zotit për njeriun dhe njerëzimin.

Ishin larguar prej Bizantit, për t’i ikur martirizimit, pa menduar fare që ky “fat” apo hir do t’i priste më vonë në Dardani, saktësisht në Ulpianë. Kjo dëshmon edhe një herë si planet e Zotit nuk përputhen me planet tona njerëzore dhe tokësore.

Këto mangësi dhe zbrazëti rreth prejardhjes së tyre, jetës familjare dhe shoqërore, edukimit dhe formimit njerëzor dhe të krishterë, janë shumë të dukshme dhe nuk është lehtë tash, pas 1800 viteve, të saktësohen dhe plotësohen. Megjithatë ia kemi borxh së pari atyre, pastaj dëshmisë së tyre martire, të shkruar me gjak, të vulosur me fe dhe dashuri, brezit tonë dhe pasardhësve, ata t’i ndriçojmë, jetën dhe martirizimin e tyre ta çmojmë, dëshminë e jetës së tyre ta jetësojmë.

Nga historiografia dhe “Martirologjia Romake” mund t’i cekim dhe përmbledhim këto elemente të sakta dhe të sigurta që janë shënuar dhe trashëguar:

Pika e parë dhe e rëndësishme është shënimi i tyre në kalendarin liturgjik të Kishës katolike ndër ne, por edhe në mbarë botën, më 18 gusht, ndërsa në kalendarin liturgjik ortodoks festohet më 31 gusht, kur përkujtohet dhe kremtohet martirizimi i tyre në Ulpianë. Kjo traditë liturgjike është e pranishme edhe në Kishën ortodokse tek ne dhe në botë, sidomos në Greqi, Rusi, në Italinë jugore. Pra, ata nderohen dhe luten edhe në kremtime liturgjike si shenjtë, model jete dhe shenjtëri, ndërmjetësues mes Zotit dhe njerëzimit.

Pika e dytë është begatia e madhe dhe e çmueshme e leximeve të gjata liturgjike dhe shpirtërore lindore, ortodokse, që lexoheshin gjatë drekës apo darkës së përbashkët nëpër manastire dhe kuvende të rregulltarëve apo rregulltarëve, si dhe në mëngjes, para lutjes së psalmeve apo mëngjesores. “Liturgjia e Orëve” është pjesë përbërëse dhe zyrtare e liturgjisë së shenjtë, dëshmon rëndësinë dhe domethënien e madhe fetare dhe liturgjike.

Etimologjia e emrave të tyre është po ashtu me shumë kuptime dhe domethënie. Prejardhja e lashtë e emrit Flor-i, është nga hyjnesha pagane “Flora”, mbrojtëse e luleve dhe perimeve, si dhe pajtore e pranverës. Prejardhje nga latinishtja flos-floris, që në gjuhën shqipe ka trajta të ndryshme mashkullore dhe femërore: Lul, Lulash, Flor, Lule, Flora, Flori, Floriana, Florinda, që është i pranishëm ndër shqiptarë pa dallime të përkatësisë fetare, të krishterë apo myslimane.

Emri Lauri apo Laura, Laureta, është po ashtu me prejardhje latine dhe ka kuptimin, i zbukuruar dhe kurorëzuar me dafinë, si bimë e shenjtë, burim lavdie dhe urtie. Kur dikush vinte fitimtar nga lufta, garat sportive, bënte ndonjë gjest të lavdishëm, për t’u nderuar, kryet i zbukurohej apo lulëzohej, rrethohej me dafinë, si shenjë nderime, urimi dhe falënderimi.

që i bartin këta emra të shenjtë, të bukur dhe të lashtë, si mbrojtës dhe pajtorë e kanë Shën Florin dhe Laurin, martirët e dashur të Dardanisë, Ulpianës, që festohen çdo vit më 18 gusht.

Shën Flori dhe Lauri ishin me prejardhje nga Bizanti, vëllezër binjakë. Kishin vijuar dhe përfunduar me sukses shkollën e artit, gur-gdhendjen, siç thuhej atëherë, ishin skulptorë, siç themi ne sot, te mjeshtrit e njohur Prokuli dhe Maksimi. Pasi që dhe ishin dëshmuar si ndërtimtarë dhe arkitektë të mirë, fama dhe nami i tyre përhapej gjithnjë dhe kudo në Perandorinë Romake. Siç duket, ky dëshirë i madh për të punuar si ndërtimtarë, arkitektë dhe skulptorë, i solli ata në Dardani, saktësisht në qendrën e njohur dhe të afirmuar që quhej Ulpiana. Aty ishte kryetar, gjykatës, prokuror dhe përfaqësues i Perandorisë Romake Lykoni (diku shkruhet Lykoni apo edhe Likoni, vr. ime), i famshëm, artdashës dhe ndërmarrës i shumë veprimtarive kulturore dhe administrative.

Pas disa viteve të jetës dhe të veprimtarisë në Dardani, sidomos në Ulpianë, vëllezërit Flori dhe Lauri, tashmë ishin afirmuar si mjeshtër të dalluar dhe skulptorë të spikatur, me vepra që binin në sy dhe i bënin ata gjithnjë më të kërkuar dhe të popullarizuar.

Kjo gjë i kishte ra në sy edhe Lykonit, i cili kërkonte ndonjë mundësi të mirë që të afirmohej personalisht para Perandorisë së Romës. Ai ishte gjykatës dhe konsull romak në Dardani, me seli në Ulpiana. Rast i mirë për këtë i dukej bashkëpunimi me vëllezërit Flori dhe Lauri dhe me Romën në ndërtimtari dhe në art, në skulpturë.

Pasi që Lykoni ishte në marrëdhënie të mira me birin e perandoreshës Elpidia, që quhej Licini, kishte ra në ujdi me të, si dhe me vëllezërit Flori dhe Lauri, për ta ndërtuar një qendër të madhe dhe të rëndësishme, një lloj tempulli apo faltore në nderim të hyjnive pagane në Ulpianë. Licini kishte mjete të mëdha financiare, prandaj si i tillë pati mundësi të premtonte edhe shpërblime dhe dhurata të konsiderueshme, me një kusht: nëse ndërtimi do të ishte i shpejtë dhe i mirë, të ishte i pëlqyeshëm nga të gjithë, sidomos për parinë e Romës dhe të Dardanisë. Kjo gjë i pëlqente shumë gruas së Perandorit Romak, Elpidisë, si dhe vetë Perandorit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe prokurorit Lykonit.

Rrethanat, pra, ishin të volitshme, njerëzit ishin të përshtatshëm, rasti për një gjë të tillë, ndërtim dhe afirmim nuk duhej të humbej apo lëshohej dore, mundësitë ishin të mëdha dhe çdo gjë ishte e favorshme.

Ky ishte një rast i jashtëzakonshëm për afirmimin e Lykonit, si dhe për Licinin, të cilët, siç duket, kishin gjetur një gjuhë të përbashkët në këto projekte, si rast dhe shkas miqësie dhe bashkëpunimi. Në një letër Licini i shkruante Lykonit kështu: “Fort të përndritshmit Lykone, tërësisht besnik mbretërve, shumë i dashur prej nesh, tejet i dashur nga hyjnitë, Licini dërgon përshëndetje. Më duket i nevojshëm ndërtimi i tempullit për hyjnitë tona në këtë fushë… Është e vërtetë që hyjnitë janë të hidhëruara, sepse pak njerëz i vizitojnë. Prandaj kërkoj që shkëlqimi yt t’i dërgojë punëtorë për ndërtimin e tempullit për hyjtë e pamposhtur. Mirë u pashim”. (Antonio Bresi, I santi Floro e Lauro, Edizioni, 1998, f. 28).

Ky ndërtim iu kishte besuar vëllezërve Flori dhe Lauri, të cilët Lykoni i kishte dërguar te Licini, i cili i kishte përgëzuar për besimin që e kishin fituar te Lykoni dhe iu kishte dëshiruar sukses.

Vëllezërit Flori dhe Lauri së shpejti i bënë të gjitha përgatitjet paraprake, projektin, truallin, formuan një ekip të madhe të punëtorëve të profileve të ndryshme dhe ia filluan punës.

Ndërtimi rritej dhe përparonte për mrekulli dita-ditës, me një ritëm dhe shpejtësi të jashtëzakonshme dhe përpikëri. Bukuria e këtij ndërtimi ishte në spikamë. Ata gjatë tërë ditës punon gati pa asnjë ndërprerje apo pushim, ndërsa natën tërhiqeshin në uratë, lexime, meditime dhe adhurime, si dhe për pak pushim, aq sa ishte e nevojshme dhe e domosdoshme.

Jeta dhe puna e tyre shembullore gjatë tërë ditës, si dhe tërheqja në uratë gjatë natës, ishte stili i tyre që tashmë e kishin njohur qytetarët e Ulpianës dhe të rrethit. Thënia e Shën Benediktit “Ora et labora” ishte parim jetësor edhe për Florin dhe Laurin.

Flori dhe Lauri ishin dyfishë të frymëzuar, si të krishterë, të dashuruar në Jezu Krishtin dhe në Kishën e tij, për rastin dhe mundësinë që kishin për të jetuar si të krishterë në një rreth të ri dhe të panjohur dhe pagan; dhe si skulptorë dhe mjeshtër në art, si mjet dhe mundësi për ta dëshmuar, treguar dhe shpallur dashurinë për Zotin dhe për njeriun. Shi për këtë ishin shumë të lumtur dhe të palodhshëm në jetë dhe në punë.

Veprimi kryesor i Florit dhe Laurit, ishte mbikëqyrja e punëve, marrëdhëniet sa më të mira me punëtorë dhe me popullatë, kujdesi për çdo detaj dhe hollësi në ndërtimtari.

Mirëpo ata e dinin fare mirë se pa ndihmën dhe përkrahjen e Zotit s’mund të bënin asgjë të mirë. Shi për këtë tërë ditën punonin, ndërsa një pjesë të natës, përpos pushimit dhe fjetjes së domosdoshme, ia kushtonin uratës, si parakusht për jetën dhe dëshminë e krishterë shembullore.

Qëndrimi dhe veprimi i drejtë i tyre, përpos punës dhe uratës, ishte dhënia e ndihmës dhe lëmoshës të varfërve, por edhe punëtorëve të tyre, pra, bamirësia, jeta e krishterë si forma më e mirë për ta dëshmuar dhe shpallur Jezu Krishtin në mesin e botës pagane.

Kjo gjë i preku ndërgjegjen dhe zemrat e popullatës, e cila pyetej vazhdimisht: kush qenkan këta dy vëllezër dhe përse sillen kështu? Paguajnë punëtorët edhe më shumë se janë marrë vesh, pjesën dërmuese të fitimit e ndajnë me të varfër, sillen aq mirë me të gjithë, nuk ngatërrohen me askënd, çdo njeri çmojnë dhe nderojnë, bile edhe e duan dhe ndihmojnë.

Sjellja dhe veprimi i tillë i Florit dhe Laurit tashmë ishte e njohur për të gjithë, “ngacmonte” ndërgjegjen e qytetarëve të Ulpianës dhe të rrethit.

Përgjigja e vetme e tyre ishte kjo: Ne jemi të krishterë dhe Zoti ynë Jezu Krishti na mëson dhe urdhëron që t’i duam të gjithë, si vëllezër dhe motra, pa asnjë dallim dhe përjashtim, deri edhe kundërshtarët dhe armiqtë.

Ky shembull i mirë dhe kjo dëshmi konkrete dhe tejet prekëse dhe shumë bindëse, bëri që një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të tyre të kërkonin pagëzimin, të bëheshin të krishterë.

Jeta e tyre shembullore, zbatimi i virtyteve të krishtera, fesë, shpresës dhe dashurisë, bamirësia, marrëdhëniet ndër-njerëzore me nderim dhe përkushtim, puna e zellshme gjatë ditës, ndërsa urata gjatë natës, ishin risi dhe befasi për mbarë popullatën. Kështu Florin dhe Laurin ishin gjithnjë e më shumë jo vetëm mjeshtër të mirë, skulptorë të njohur, por edhe njerëz të çmuar dhe të nderuar në Ulpianë dhe në rrethinë, aq sa zëri i tyre i mirë, fama, përhapej dhe rritej dita-ditës. Ishin me jetë dhe me shembull vërtet të krishterë, nxënësit e Jezu Krishtit.

Popullata vendore, por edhe rrethi, më vëmendje dhe interesim të madh përcjellin punimet, çmonin dhe admironin mjeshtërinë e artin e Florit dhe Laurit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, mbi të gjitha përshpirtërinë, jetën dhe dëshminë e krishterë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat