Roja e patrullës shqiptare në Kajro

Kultura

Roja e patrullës shqiptare në Kajro

Nga: Dorian Koçi Më: 20 shtator 2022 Në ora: 14:20
Tabloja “Roja e patrullës shqiptare”, 1860, e Charles Bargue

Charles Bargue (1826/1827 – 6 prill, 1883) është një piktor dhe litograf francez i njohur dhe për hartimin e një kursi të rëndësishëm vizatimi. Ai e hartoi këtë kurs vizatimi së bashku me piktorin tjetër të njohur, mjeshtrin e njohur Leon Gerome. Ky kurs u botua nga viti 1866-1871, i përbërë nga 197 litografi të printuara si fletë të veçanta. Litografitë e tij u përdorën si modele të realizmit klasik. Duke qenë mik i ngushtë i Leon Gereome, i njohur si piktor që realizoi disa tablo nga jeta e shqiptarëve në Egjipt gjatë mbretërimit të Khedivit, edhe Bargue realizoi disa tablo të për shqiptarët apo arnautët si thërriteshin në Egjipt. Egjipti u qeveris për më se 147 vjet nga familja shqiptare që e kish origjinën nga Mehmet Ali Pasha dhe pasardhësit e tij.

Dy nga tablotë e Barger janë shumë interesante, pikërisht nga koha e qeverisjes së Egjiptit nga Khedivët shqiptarë, të titulluara “Roja e patrullës shqiptare”, 1860, dhe 1870, ku shquajnë një shqiptar me qylaf në kokë, ndoshta nga Shqipëria e jugut dhe një tjetër i veshur me fustanellë. Bie në sy veshja shqiptare si tipar i pandarë i shqiptarëve dhe në Afrikën e Veriut. Fustanella në këtë kohë jo vetëm ishte e përhapur në Kajro, Aleksandri dhe Ismailia, por edhe në provincat më të largëta të Egjiptit të poshtëm, Sudanit e burimeve të Nilit ku kishte shkelur ushtria e Khedivëve shqiptarë.

Udhëtari anglez Georg Schweinfurth, një natyralist i njohur dhe që njihte gjuhët e afrikanëve, në kohën e sundimit të Ismail Pashës kishte udhëtuar drejt Khartumit dhe Nilit të Bardhë dhe pastaj ishte kthyer drejt liqeneve të Çadit, mespërmes kanibalëve të Kongos. Siç shkruan ai për udhëtimet e tij (1868-1875) mes të tjerash ai kishte takuar atje “pigmenjtë” dhe mbretin e tribusë Mambutos, i cili ndiqej nga një rresht vajzash që ishin gratë e tij si dhe shoqëruesi Abd es Semate. Ky i fundit sikurse e përshkruan Schweinfurth, “mbante uniformën e bukur të një prijësi të trupave shqiptare”( -Rama, L (2006). Arnauti Mehmet Ali Pasha “Napoloni Mysliman” parathënie e librit Gilber Sinoue “Faraoni i fundit” Globus R.: Tiranë, faqe 12).

Ushtria dhe policia e Khedivëve përbëheshin kryesisht prej mercenarëve shqiptarë që vinin nga vendi i tyre për të shërbyer në Egjipt. Barger ashtu si dhe Gerome u ndikuan shumë nga Orientalizmi dhe miti i orientit në tablotë e tyre duke pasqyruar një botë joshëse, gjithë ngjyra, por edhe ideale. Larshmëria e kostumeve dhe ngjyrat e ambientit janë në kombinim me idealin e bukurisë antike mashkullore ku roja e patrullës shqiptare ngjan si një model i stilit të Davidit të Mikelanxhelos që pozon për Barger. E gjithë atmosfera në pamje paqësore e një përhumbje shikimi të ushtarëve të rinj shqiptarë është e ngarkuar me armët e ndryshme të ngjeshura në brez që dëshmojnë për një tipar që të kujton poemat bajroniane dhe ilustrimet e Delacroix të këtyre poemave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat