Katër shurdhë

Kultura

Katër shurdhë

Nga: Agim Xh. Dëshnica Më: 28 shtator 2022 Në ora: 16:33
Agim Xh. Dëshnica

Në të dalë të fshatit, bariu po ruante dhentë. Ato kullosnin qetësisht te një livadh me bar të dendur. Kur dielli u ngrit lart sa një hosten, bariun e gjorë e griu uria. Në mëngjes, ndërsa po dilte prej shtëpisë, e kishte porositur gruan t’i sillte drekën në kullotë.Mirëpo, megjithëse kaloi një kohë e gjatë, ajo nuk po dukej.

U mendua bariu i gjorë.Po sikur të shkonte në shtëpi?Po dhentë kujt t’ia linte?Hodhi sytë përqark dhe pa bekçiun e fshatit. Shkoi pranë tij e i tha:

- Më bëj një nder, mik i dashur! Shikoma pak tufën e dhenve se mos shpërndahet dhe humbet, sa të vete për drekë në shtëpi! Do të kthehem pa vonesë dhe për shërbimin tënd do të të shpërblej!

Bariu qe i sjellshëm dhe bujar, por kishte një të metë. Ishte aq shurdh sa, sikur të kriste pushka atje pranë, nuk e dëgjonte e nuk e kthente kokën, si t’i kishte të vulosur të dy veshët. Por, e keqja më e madhe ishte se nuk e dinte që po fliste me një shurdh!

Bekçiut as që i hyri gjë në vesh nga tërë ç’i tha bariu.Pandehu se ai donte t’i merrte barin e lopëve.Ia ktheu me zemërim:

- Kush e ka kositur këtë bar, unë, apo ti? Thirri mendjes, mos m’u lut dhe zhdukmu nga sytë! Kaq ta bësh dhëmbin, nuk ta jap! Dashke të m’i ngordhësh lopët nga uria, kurse bagëtinë tënde ta ngopësh për shtatë palë qejfe, hë!? Jo, more! Hajt, shporru, të thashë!

Në fjalë e sipër, bekçiu e shtyu me dorë bariun, por ai kujtoi se i dha fjalën që do të kujdesej për dhentë, ndaj u nis i lehtësuar drejt shtëpisë. Tek ecte me nxitim, e ndau mendjen t’i jepte gruas një mësim të mirë, që të mos harronte më t’ia sillte drekën.

Mbërriti kështu në shtëpi, por ç’të shihte! Gruaja e rrëzuar në prag të derës, qante dhe ankohej.Ajo pati ngrënë natën bezele të paziera. Por ato, edhe pse nga shija në gojë ia kalojnë mjaltit, në bark janë më të rënda se plumbi.

Bariu ynë i mirë e ngriti gruan, e shtriu në shtrat dhe u përpoq t’ia pushonte dhimbjet. Gjeti ilaçet që pati marrë nga xherahu i fshatit dhe ia dha. Ajo u bë më mirë dhe, më në fund, u çua në këmbë. Pas kësaj, bariu u ul të hante.Por koha kaloi. Atij iu kujtua bagëtia dhe u shqetësua. Ç’bëhej me to, vallë?Mos u kishte ndodhur ndonjë gjë? Tha kështu me mend dhe shpejtoi të kthehej. Po, kur arriti, u gëzua sa s’ka, se i pa dhentë, tek kullosnin qetësisht në livadh. Si njeri i kujdesshëm që ishte, i numëroi kokë për kokë.Asnjë nuk mungonte. I lehtësuar pëshpëriti: “Bekçiu qenka burrë i ndershëm! Duhet shpërblyer se s’bën!”

Në tufën e dhenve ai kishte një sheleg, që edhe pse çalonte pak, qe i shëndoshë. E hodhi në sup e iu afrua bekçiut.

- Faleminderit, i nderuar bekçi, për kujdesin tënd! - i tha. - Merre këtë sheleg! E ke hak nga unë, se u shërbeve dhenve të mia si t’i kishe të tuat!

Bekçiu, si shurdh që ishte, nuk dëgjoi asnjë nga fjalët e tij.

- Ç’faj kam, bre, pse çalon shelegu yt!? - ia ktheu.

Bariu, duke mos dëgjuar se ç’i tha, iu përgjigj:

- E, ashtu vërtet, çalon pak, por, sidoqoftë, është sheleg i mirë. Merre, piqe! Haje me miqtë dhe ngrini dolli për shëndetin tim!

- A do të shporresh me të mirë? - bërtiti bekçiu. - Të thashë njëherë, por ti s’marrke vesh! Këmbën e shelegut s’e kam thyer unë! Në grigjën tënde jo vetëm s’kam qenë, por as sytë s’ia hodha, kupton?

Bariu, duke mos dëgjuar asgjë, mbante para bekçiut shelegun dhe e lëvdonte.

Bekçiu e humbi durimin e iu hakërrua me grushte.

Edhe bariu i lodhur nga lutjet, u nxeh, përveshi mëngët e i tregoi grushtet e tij. Për pak do të përlesheshin, por në atë çast atypari kaloi një kalorës. Ata e prenë zënkën, u sulën e i dolën përpara.Duhet t’ju rrëfej, se indianët kur zihen e kanë zakon t’i luten dikujt për të gjykuar.

Kundërshtarët tanë kapën frerin e kalit të kalorësit për ta ndalur, njëri djathtas e tjetri majtas.

- Na bëj një të mirë! - iu lut atij bariu. - Ndalo pak çaste dhe gjyko se cili prej nesh e ka fajin! Këtij njeriu unë po i fal shelegun më të mirë të kopesë, kurse ky kërkon të më qëllojë me grusht.

- Ndalu pak, or kalorës! - tha bekçiu. - Për të gjykuar se kush nga ne ka të drejtë, më dëgjo mua më parë! Ky bari i keq s’po më ndahet! Thotë se shelegun e tij e bëra unë sakat! Çudi e madhe!

Mjerisht, gjyqtari i zgjedhur prej tyre ishte më shurdh se ata! Ai u bëri shenjë me dorë ta dëgjonin dhe foli si i zënë në faj:

- E pranoj se ky kalë që i kam hipur nuk është imi! E gjeta para pragut të shtëpisë sime dhe meqenëse kisha një hall të madh, ia hipa, i graha shpejt dhe u nisa për qytet. Nëse kali është juaji, jua kthej në vend! Merreni! Por, nëse nuk e doni, më lini të shkoj e të mbaroj hallin, se s’mund të qëndroj më gjatë me ju! Koha nuk më pret!

Bariu dhe bekçiu, si shurdhë që ishin, as që morën vesh se ç’u tha! Veç menduan se kalorësi nuk po vendoste të shpallte fajtorin. Ndaj të dy e ngritën zërin dhe e shanë me turlilloj fjalësh!

Në ato çaste panë duke kaluar përbri tyre kryeplakun, brahmanin.Të tre vrapuan pranë tij dhe nisën t’i qanin hallin.

- Ju kuptoj! Ju kuptoj! - iu përgjigj brahamani. - Patjetër ju ka dërguar gruaja ime, që të më të ktheni në shtëpi. Por, jeni lodhur kot! Qysh kur u martova me të, ajo më detyroi të bëja aq mëkate, sa as lumi i shenjtë Gang, s’i lan dot. Më mirë ta kaloj jetën, duke lypur në vende të huaja, se sa të rroj me të! E kam vendosur! Pra, askush nga ju s’arrin të ma ndërrojë mendjen për të jetuar edhe më tej me atë grua të ligë!

U bë sakaq rrëmujë e madhe. Të gjithë ata thërrisnin së bashku me tërë fuqinë, duke mos kuptuar se ç’thoshte njëri e tjetri.Ndërkaq, ai që kishte kalin, pa në largësi disa njerëz tek vraponin. Pandehu se ishin të zotët e kalit, ndaj me shkathtësi kërceu mbi të e ia mbathi me të katra drejt qytetit.

Bariu vuri re se po ngrysej.Tufa qe shpërndarë, ndaj vrapoi të mblidhte dhentë e t’i vinte përpara për në fshat, duke u ankuar se në këtë botë s’ka drejtësi. Atij iu kujtua se në mëngjes, sapo kishte dalë nga shtëpia, i pati prerë rrugën një gjarpër i madh, gjë që, sipas paragjykimit indian, ishte shenjë jo e mirë për atë ditë të prapë.

Bekçiu u kthye në kasollen e barit, pa atje shelegun e pafajshëm, që kishte lënë bariu.Dhe, duke menduar se po hakmerrej ndaj tij, pa e zgjatur, e hodhi mbi sup dhe e çoi në shtëpinë e vet.Kurse brahmani plak u kthye në fshatin e parë që i doli përpara, për të kaluar natën. Uria dhe lodhja ia kishin ulur paksa zemërimin.

Të nesërmen erdhën miq e të afërm dhe e bindën brahmanin e mjerë, të kthehej në shtëpi, duke i premtuar ta qërtonin të shoqen e tij grindavece, që të sillej mirë e të mos e mërziste.

A e dini se ç’do t’ju bjerë ndër mend, pasi të lëçisni këtë përrallë? Ja, se çfarë: në botë ka njerëz të mëdhenj e të vegjël, që megjithëse nuk janë të shurdhër, sado t’u flasësh nuk të dëgjojnë e as të kuptojnë. Dy vetë, sapo takohen, në mes tyre kërcet sherri, pa u marrë vesh pse! Fyejnë ata pa të drejtë njëri - tjetrin. Pastaj ankohen se janë fatkeq, duke e gjetur shkakun te kripa e derdhur përtokë, apo te pasqyra e thyer! Për shembëll, një miku im në shkollë, ulur në bankë si shurdh i vërtetë, nuk dëgjonte se çfarë thoshte mësuesi.

Ç’ndodhi më pas? Kur ai u rrit, ia kaloi edhe budallait. Njerëzit e zgjuar mundohen të dëgjojnë, për të mësuar gjithçka, kurse ai ankohej, se gjoja pati lindur fakeq. Bëhuni të mirë, o miq, e jo shurdhë! Veshët i kemi për të dëgjuar. Një i urtë ka thënë se njeriu ka dy veshë dhe një gjuhë. Pra, është e udhës që më shumë të dëgjojmë sesa të flasim!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat