Rugova, intelektual e diplomat “par excellence”, që e lidhi Kosovën dhe shqiptarët me SHBA-të dhe Evropën

Kultura

Rugova, intelektual e diplomat “par excellence”, që e lidhi Kosovën dhe shqiptarët me SHBA-të dhe Evropën

Melihate Tërmkolli Nga Melihate Tërmkolli Më 2 tetor 2022 Në ora: 07:05
Kopertina e librit

Të shkruash për Rugovën në çfarëdo dimensioni të jetës e veprimtarisë së tij politike kombëtare, është guxim intelektual e politik dhe vlerë në vete, jo sepse Rugova është i “pashkrueshëm” por sepse duke qenë tepër i veçantë në historinë tonë më të re politike kombëtare, pa hyrë në botën e krijimtarisë së tij letrare, imponon një ndjeshmëri shkrimi të veçantë dhe me kujdes maksimal.

Gani Mehmetaj e ka bërë këtë me librin e tij “Rugovën, si e kam njohur”, prandaj lirisht mund të thuhet se ky libër është larg të qenët i rastësishëm ashtu siç nuk është e rastësishme puna dhe lidhja e Gani Mehmetajt me filozofinë politike rugoviane. Në këtë kuptim, nuk ka pasë dhe nuk ka gjë më të natyrshme dhe më të pritshme nga Ganiu se sa të shkruajë për ngjarje, takime e kujtime për Rugovën e me Rugovën dhe për një periudhë ndër më delikatet në historinë tonë, për të bëmat e të pabëmat tona, për një filozofi politike që bëri epokën duke kthyer Kosovën e shqiptarët kah perëndimi, kah rrënjët e veta, dhe nga robëria në liri e pavarësi.

Me një stil të mprehtë e të veçantë por krejt të hapur, në këtë libër përshkruhen ngjarje, takime, intervista, qëndrime e drejtime politike ashtu siç ishte edhe vetë puna, karakteri dhe veprimtaria e Presidentit Rugova, modeste, e thjeshtë, por shumë përmbajtësore, intelektuale, vizionare, e veçantë, unike në natyrën e vet. 

Në këtë vepër shpërfaqet vetëm një pjesë e veprimtarisë politike kombëtare të Presidentit Rugova, ajo që e ka njohur autori, si’ç e thotë edhe vetë në titull, por duke sheshuar në mënyrë brilante atë më thelbësoren për Rugovën si njeri, si politikan i interesave dhe identitetit kombëtar shqiptar, si intelektual e diplomat “par excellence”, si njeriu që e lidhi fuqishëm dhe përjetësisht Kosovën dhe shqiptarët me SHBA-të dhe Evropën.. 

Sigurisht që libri nuk do të ishte i plotë pa shkruar e përshkruar jo vetëm bëmat e Serbisë kriminale e gjenocidale kundër shqiptarëve por edhe kurthat e ndërskamësat e një lukunie shqipfolëse në Shqipëri, në Kosovë e gjetiu, përfshirë rolin e elitës politike dhe një pjese intelektuale të kohës, në përpjekje për t’i dhënë kësaj lëvizje një karakter të pandarë nga idetë komuniste duke harruar se Kosova po luftonte e punonte për vlera perëndimore e për pavarësi dhe jo për reinkarnimin e një sistemi që me mjete e metoda ndër më të veçantat kishte prekë deri në palcë të kombit, një degjenerim e shpërfytyrim kombëtar, ndër më të rrallët. 

Pushtuesit edhe kur shkojnë, gjithnjë lënë prapa jo vetëm shkatërrime materiale e shpirtërore por lënë edhe diçka nga veset më të rënda me idenë e kthimit të sërishëm dhe ngrenë kokën në momente të veçanta të historisë kombëtare, qofshin ato shpërfaqje turko-islamike radikale, qofshin serbe ruse po aq radikale, mësymje që i shohim edhe sot, të hapura apo të kamufluara në tërë hapësirën politike e gjeografike shqiptare.      

Në këtë drejtim, Gani Mehmetaj shfaqet në mbrojtje të pakompromis të ideve dhe vlerave perëndimore tek shqiptarët duke goditur fort çdo shkarje e rrëshqitje të individëve e grupacioneve të caktuara qofshin ato politike, kulturore, fetare apo tjera që u mbollën e po përhapen në anën e kundërt të historisë, andej nga lindja, si politikë dhe kulturë të cilën shqiptarët e kishin vuajtur më shumë se çdo popull, herë si pasojë e balanceve të fuqive të mëdha e herë si pasojë e padijes dhe orekseve të ulëta të atyre shqiptarëve që ishin në gjendje të bënin çdo lloj aleance kundër frymës politike perëndimore. 

Në këtë kuadër, Ganiu, edhe në këtë vepër e sidomos në këtë vepër, nuk ka hezituar në asnjë rast, madje me një guxim të “tepruar” të përshkruajë krejt prapaskenat dhe përpjekjet për përçarje në mes shqiptarëve në momentet më kritike për kombin e Kosovën, nga grupacione të ndryshme të mbetjeve marksiste-leniniste të mbështetuar fort nga politika majtiste komuniste e Shqipërisë dhe të tjerëve “baballarë” të kombit në Kosovë me ide po aq majtiste-komuniste, që më tepër se në gjithçka tjetër ishin fokusuar për të luftuar Rugovën dhe politikën e tij perëndimore.

Shqiptarët, populli e dashti, e respektoi dhe e çmoi pa kushte, liderin e vet historik, Presidentin Rugova, edhe dje edhe sot.  

Hapur, Gani Mehmetaj e thotë, dhe e bën mirë që e thotë se të gjithë ata që e kundërshtuan, që e penguan ose e kritikuan Rugovën dhe Kosovën në orët më të liga të saj, për çfarëdo arsye, u turpëruan, u turpëruan sepse Rugova shihte shumë më larg dhe përtej horizonteve atë që miopët e ngërthyer e të mbërthyer ende në lëvozhgën e komunizmit e disa edhe të sllavizmit, nuk e shihnin çfarë ndodhte as para syve të tyre.

U turpëruan ndërsa turpin vrapuan ta mbulojnë me lavde e përkulje kur ai shkoi në amshim, sepse ai ishte dhe mbeti unikat në historinë politike të shqiptarëve e më gjerë në Evropë si një lider e prijës unikat, apo si ndër të rrallët liderë që “ ishte vetja e tij” si’ç do të thoshte At Zef Pllumi 

Në këtë rrafsh nuk mund të mos e përmendim të madhin Kadare, kolosin e letrave shqipe që në të gjallë të Rugovës, po i kërkonte falje publikisht kolosit të pavarësisë e shtetit të Kosovës, themeltarit të saj. As u zvogëlua Kadare pse kërkoi falje dhe as u rrit më shumë Rugova që e pranoi atë, por shqiptarët u bënë më të fortë.

Më shumë se për të kaluarën, ky libër është një përkujtues për të sotmen e të ardhmen, për të ruajtur e mbrojur një orientim e drejtim të patejkalueshëm për interesat e kombit shqiptar e shtetit të Kosovës- Dardanisë, për çka Presidenti Rugova punoi aq shumë dhe po aq shumë i promovoi te shqiptarët dhe kudo në botë si vlerat më të larta të kombit, të traditës, kulturës dhe modernitetit shqiptar, si vlera perëndimore jo të huajtuara as të grabitura, por vlera me rrënjë ilire- dardane autoktone në tërë hapësirën shqiptare.

Duke e lexuar këtë libër të bëhet se je pjesë e atij realiteti edhe kur je, edhe kur nuk je, të bëhet se e ke Rugovën aty edhe kur tashmë ka shkuar në amshim dhe të bëhet se je më i madh apo më e madhe sepse ke njohur dhe je njohur qoftë edhe me një pjesë të vogël të madhështisë së tij.

Natyrisht se ky libër nuk është krejt çka mund e duhet të thuhet për Presidentin Rugova, nuk është as krejt çka mund të japë Gani Mehmetaj në këtë fushë, por është një vulë kujtese për sot e për nesër për një kohë e një lëvizje, për një lider e një histori e cila përkundër të gjitha pengesave arriti të triumfojë me lirinë e pavarësinë e Kosovës, arritja më e madhe historike e shqiptarëve për më se një shekull në krye me prijësin e pakontestueshëm, prijësin e presidentin historik, dr Ibrahim Rugova, liderin modern të Dardanisë me përmasa botërore bashkë edhe me luftëtarin “vetmitar” si’ç e thotë Ganiu, luftëtarin e madh të lirisë, heroin e kombit, Adem Jasharin.           

Prishtinë, 26 shtator 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat