Me një ka zgjedhe nuk lërohet ara e babait

Kultura

Me një ka zgjedhe nuk lërohet ara e babait

Nga: Kalosh Çeliku Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 09:01
Autori Kalosh Çeliku

Unë, nuk ika. U arratisa në Shkup

Pas grave. E, as pas partive politike:

U dalldisa librave. Poezisë. Lirisë

Dëllinjave, strukur te “Parku i grave.

Unë, nuk u arratisa: as në Prishtinë

Pas Grave besnike. Vendeve punës:

Po, pas librave. Poezisë. Dashurisë.

Unë, nuk u arratisa pas grave. Xhadive

Po, pas librave. Dijes. Armëve historike...

(Burri grave)

E di, do të thoni: shumë gra besnike

Dhe, sa pak burra. Mike. Poezi.

Po. Dihet, pata edhe xhadi në jetë

Shterpa, që nuk lindin dot poezi.

Por vetëm: Urrejtje. Thashetheme.

Vërtetë, sa shumë gra besnike. Xhadi

E, sa pak burra mejdani. Mike. Poezi.

Nuk e përplas më kokën për muri

Nuk i trembem Koronavirusit.

Pandemisë me pashterkë të kuqe

Aqmëpak, Vaksinës politike rusit...

(Derrat e egër)

Deti më sulet me dallgë

Unë, dal në breg. Diell.

Edhe, shtrihem në rërë

Gratë fshehin bereqetin:

Derrat e egër mos i hanë.

Dardhat, presin Vjeshtën

Unë, gati për Dimër.

Dardhat e egra. Buta:

I ha me raki rrushi. Verë.

Eh, Lumi. Deti. Oqeani

Sikur, të ishin raki rrushi.

Shkaku, se: nuk më ngiu:

Lumi. Deti. As, Oqeani...

(Gjuhë gjumi)

Politikanët dalin në ekran

Dhe, flasin gjuhën e gjumit.

Nuk shohin ëndrra. Lule

Natën flasin jerm Xhindet.

I hudhin karrige më karrige

Pak para agimit. Diellit:

I strukin nëpër kabinete.

Dhe, shohin ëndërr Lirinë

Qafë për qafe me Xhadinë...

(Hutini)

E la çerdhen majë lisi. Qytetin

Dhe, iku nga Katundi:

Larg rrëmujës. Rrëmetit.

Pulat e pritën me duartrokitje

Gjelat hipën mbi gardh.

Gjeli, përderisa këndon këngë

Hutini heq valle me pulat...

(Shuhen e ndizen)

Një llambë tavoline. Drite

Përnatë, shuhet. Dhe, ndizet.

Pasmesnate, i delë gjumi

Lugat. Që, rrokullis kusi

Dhe, hanë tinarët me tlynë.

Ah, sikur të ishte Nana gjallë

Vërtetë, do përmbyste tinarë.

Vetëmse: Unë, nuk kam lopë

Dhenë. Kusi, ti mjel nën hije

Dardha gorrice.”Përrua Thane”...

(Ehë – ehë)

Ehë. Ehë, mbeta fillkat vetëm

Me Kryengritësin. Raki Rrushin:

Dhe, Poezinë. Ikën gratë. Miket

U dalldisën librave, në bibliotekë.

Kutadi, Unë. Ndoshta gjetën burra

U martuan me lexuesit e mi besnik:

Gratë besnike, që ikën nga Poeti...

(Me një ka zgjedhe nuk

lërohet ara e Babait)

Im Bir vjen. Dhe, do të më qerasë

E di, ai: Unë, moti rri nën Rrap:

Hije. Mike me Dy shtama verë

Matanë, tavolinës një i marrë.

Im Bir, thotë: porosite një teke

Jo! Ara, nuk lërohet me një ka:

Po, dy qe zgjedhe. Para, një kalë.

Arat e Babait, nuk lërohen me një ka

Po, me dy qe zgjedhe. Dhe, një kalë...

(Në bregdet përcjell e pres anije)

Në bregdet përcjell udhëtarë

E pres anije nga Larg. Larg.

Mëkat. Nuk zbret Ti Mike

Deti me dallgë. Unë, gjallë.

Anija mes Deti. Unë, në breg

Larg. Larg. Ditë. Muaj. Vite.

Nuk zbret Ti. I bie not Detit...

(Stolisje me bukuri)

Mike, Ti po plakesh përditë

Përnatë. Veten sheh në pasqyrë.

E pyet me zë si te Epërhitura:

Pasqyrë, kush është më e bukura?

E, ajo të përgjigjet: Laydi Di

Zemrohesh. E thyen copë-copë.

Mike, nuk ka faj pasqyra

As, Laydi Di. Po, ne të Dy.

Plakemi. Stolisemi me Bukuri...

(Tomi i Riu)

Dalldiset. Kërcen nëpër dhomë

Luan me top. Dhe, gris librat.

Lapsat m’i derdh nëpër dhomë

Kakë. Cil, edhe shtratin tim.

Tom, i them: Rri, në Kopësht

Kakës, je. Cilko. Rrugaç:

Qanë, pas dere: E hap, hynë.

Shshsht! Jashtë, erdhi Daci Zi...

(Hajdutja Di)

Vite e vite ma vodhi Dashurinë

Lirë e shita Veten. Poezinë

Librave, në Bibliotekë. Librari:

Dy shtama verë. Dy qe. Një kalë.

Arat e Babait lëroj. Mbjell farë.

E mashtruam njëri – tjetrin

Me poezi. Libra. Dashuri:

Bregliqe. Det. Dhe, male.

Përderisa, nuk the: Muzë jeTi

E Unë, Poezi Nate me Hënë...

(Poezia xheloze)

Barkas më hyri në dhomë

E, u struk në shtrat. Natën.

Tha: Sonte, flej me Mike!

Jo! Poezia është xheloze

Qeshi. Po, unë jam Poezia.

Atëherë, nuk ka problem

Zhvishu! Hiqi simbolet:

Alegorinë. Ironinë. Stilin.

Lakuriq e shtriva mbi tavolinë...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat