Ansambli Shqiptar me koncert dinjitoz e gjithpërfshirës përjetësoi Ditën e Flamurit

Kultura

Ansambli Shqiptar me koncert dinjitoz e gjithpërfshirës përjetësoi Ditën e Flamurit

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 19:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Historik ngelet fakti që për herë të parë idea e drejtorit Tolaj që krahas profesionistëve të bashkangjiten shoqëritë kulturore vendase u realizua dhe pati sukses duke e shëndërruar kështu ansamblin në një “shkollë-akademi” ku të rinjë e të reja motivohen dhe shohin perspektivën.  Mbi 1200 spektatorë, një pjesë e të cilëve kishin mbushur edhe shkallët e Tetarit të Operës dhe Baletit në Shkup festuan 28 Nëntorin, bashkë me 110 artistë.

Me një atmosferë të jashtëzakonshme e impozante u festua 28 nëntori në sallën e Operës dhe Baletit në Shkup. Dalja e aktorit Pajazit Murtishi me fragmente nga nëntori i dytë riktheu në  kujtesën e spektatorit 1443 dhe lavdinë e Senderbeut por dhe 1912 dhe historinë e bujshme të bërjes së shtetit shqiptar. Më pas me tingujt e motivit kryesor të vallës “Festë të madhe ka Shqipnia” u kujtua kryevepra e Tish Daisë dhe Pajanot Kanaçit sjellur nga 110 artistët që simbolizonin 110 vite shtet. Në ndërkohë që në skenë ishin të vendosura plisat-dhuratë për spektatorët nga fabrika e familjes Gjurgjiali nga Prizreni, pas intonimit të himnit në prezencën dhe ngrohtësinë e 1200 spektatorëve, me duartrokitje të fuqishme përcillej çdo artist.

Si pika kulminante ishte interpretimi i këngës së jugut “Janinës ç’i panë sytë” nga grupi i solistëve, vallet premierike e Dervenit dhe Dibrës dhe dueti i dy artistëve Shkodran Tolaj e Jetmir Rexhepi që sollën në mënyrë krejt të veçantë “Ç’po i bjen era retë e zeza”. Historik ngelet fakti  që për herë të parë idea e drejtorit Tolaj që krahas profesionistëve të bashkangjiten shoqëritë kulturore vendase u realizua dhe pati sukses duke e shëndërruar kështu ansamblin në një “shkollë-akademi” ku të rinjë e të reja motivohen dhe shohin perspektivën. Vallja e Kërcovës dhe Prej Tetove deri në Dibër dhe Malësorja e punuar kohë më parë nga koreografi Artan Ibershimi, vallja e jugut punuar nga Genc Kastrati, vallja e Karadakut punuar nga Dilaver Kryeziu, u rivendosën në skenë nga pesë shoqëritë kulturore-artistike “Duflla”, “Drita e Dervenit”, “Shqiponjat”, “Karshiaka”, “Ilirida”.

Artistët -vallëtarë të ansamblit shkëlqyen në tre prezantimet e tyre. Pikërsht tek Vallja e Prespës, vallja e re e Dervenit punuar nga Artan Ibershimi dhe Vallja e Dibrës punuar nga Gjergj Prevazi. Këto koncerte të nëntorit e sollën ansamblin më në formë se asnjëherë dhe kjo tregon se përgjegjësia dhe barra artistike pas çmimeve të para ndërkombëtare, posaqërisht pas atij të Turqisë u dëshmua se është shumë e madhe. “Para artit….heshtin dhe zotërat” citoi thënien filozofike moderatori Avni Qahili dhe vërtetë mbrëmë foli puna, diciplina, përkushtimi. Mbrëmja e 28 nëntorit komentohet si ngjarje e rrallë e ardhur pas kaq kohësh në Shkup që është vështirë të përsëritet.

Perveç valleve ishin këngët ato që begatuan programin. Agron Kalisi interpretoi “Brahim Keta“, Era Azemi “Sazet e Ohrit”, Zekiija  Lamallari “Tetovare”, Kastriot Latifi “ Shqiptaria”, Salajdin Miftari e Zëkirija Lamallari “More djalo i mejdanit” mbi të gjitha këngët acapella të interpretuara nga solistët e ansamblit si “Cili je ti more burrë”, “Bjen lodra”, “Janinës ç’i panë sytë“ Jetmir Rexhepi, “Bijë çobanësh” Besarta Murtezani. Pra këngët më të bukura nga veriu deri në jug ishin pjesë e mbrëmjes si sinonim se muzika shqiptare është një dhe e pandashme sikurse shqiptarëtt

Tradicionalisht Ansambli Shtetëror ndan MEDALJEN E ARTË TË ANSAMBLIT për personalitete të shquara të kulturës sonë dhe kësaj radhe ndau dy medalje postmortum për Ramadan Demirin e Syreja Imamin të cilët një jetë ia dedikuan arsimit dhe jetës muzikore. Ky koncert u mbajt në kuadër të aktiviteteve të nëntorit dhe përkujdesit të veçantë të Ministrisë për Sistem politik e Mardhënie në mes Bashkësive, pjesë e programit vjetor financuar nga Ministria e Kulurës në RMV ndërkaq u transmetua drejt për drejtë në të gjitha rrjetet tokësore e satelitore në Televizionin e Maqedonisë dhe Televizioni shqiptar. Mbyllja e spektaklit u bë në mënyrë madhështore më daljen në skenë të të gjithë artistëve të cilët dëshmuan dashuri e profesionalizëm për artin duke nisur nga vallëtarët, solistët e orkestra! Për gjithë këtë sukses dhe realizim të përkryer si në aspektin teknik ashtu edhe artistik meritat i takojnë çdo të punësuari e bashkëpunëtori, stafi të jashtëm e të brendshmëm në prapa skenë, administratës dhe drejtorit të ansamblit që ëndërrat e brezave të tërë për një ansambël shqiptar në RMV që do i bëjë krenarë shqiptarët çdo ditë e më tepër janë realitet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat