Ne duhet ta ruajmë atë çka kemi tonën, pa asnjë kompleks, me krenari dhe me dinjitet maksimal. Pikë!

Kultura

Ne duhet ta ruajmë atë çka kemi tonën, pa asnjë kompleks, me krenari dhe me dinjitet maksimal. Pikë!

Nga: Skënder Sherifi Më: 20 janar 2023 Në ora: 20:12
Intelektuali i shquar francez Claude Lévi-Strauss-i

-Tani kam disa detyrime të tjera, Sherif… e ke një sens analitik të çuditshëm. Bile, kishe mujtur me qenë antropolog i zgjuar, por ke preferuar aventurat… Mundesh për të më përqafuar si mesdhetar, pak me dhunë, se nuk e kam për zakon dhe do shihemi pas 10 dite. Dakord?

-Po, faleminderit, e di miku im. Kam mujtur me qenë shumë gjëra në jetë, por ndoshta kam qenë dikur në një jetë tjetër anteriore, kush e di? Më duhet ta pyes Krishnamurtin dhe Milarepa… e di që lëvizin informatat dhe përcillen diqysh memoriet? Qysh luftohen gjithë toksinat e trurit njerëzor, nevojat e kota artificiale? Kam pas menduar me plaçkitur banka dhe me shëtitur në Hënë, porse e kanë bërë të tjerët, shumë më të talentuar sesa unë. Dhe pos asaj, miku im, ngaqë je referencë planetare e antropologjisë, dije që e kemi një kostumografi fantastike dhe tepër të pasur, e cila e do një studim në vete, po ashtu, një folklor muzikor, që nga rapsodia epike dhe lirike me çifteli dhe sharki, deri te këngët regjionale, me traditat e Korçës, Shkodrës, e tjera vende, pa i harruar Polifonitë shqiptare, të cilat janë specifike dhe tepër të lashta. Do me thënë, që nuk na mungon materiali… Mund të thuash që rapsodia, këngët dhe vallet antike, janë në një farë mënyre gazetaria dhe historia popullore shqiptare, përcjellja e kujtesës identitare kombëtare, e asaj tradite gojore të vjetër mijëvjeçare. Kështu ka kaluar transmetimi dhe trashëgimia, zoti Strauss, e jo përmes arkivave të shkruara, librave apo dokumenteve. Jam dakord, që është mungesë dhe fatkeqësi e madhe për ne, ngaqë nuk na merr askush me seriozitetin e duhur dhe na konsiderojnë si primitivë. Por e kanë gabim, sipas meje. Ngaqë, ndoshta gjysma e botës, së paku e treta, vijnë si ne, nga tradita gojore, transmetimi i memories kolektive, përmes besimeve, miteve, legjendave, folklorit, riteve dhe zakoneve… Nuk janë të gjithë popujt e botës, me një identitet të faktuar përmes shkencës dhe historisë arkivore. Atëherë, a kemi të drejtë morale për t’i konsideruar si nënpopuj të egër dhe të pa vlerë fare? Unë mendoj që jo! A jeni dakord me mua, zoti Lévi-Strauss? Tani, ju vetë, a i keni studiuar fiset indiane? Michel Leirisi, fiset dogone të Afrikës? Pse? Sepse, ju janë dukur interesante? Përndryshe do i kishit studiuar berlinezët dhe londinezët e sodit, apo jo?

A duhet t’i mohojmë fiset indiane dhe afrikane dhe të treten

A duhet që t’i mohojmë, ato fise indiane dhe afrikane dhe me ta, të tretën, mos gjysmën e botës, sepse i kemi shpallur ne si primitivë dhe popuj të pa histori, komplet jashtë idesë, të cilën e kemi ushqyer si referencë absolute mbi civilizimin judeo-kristian. Edhe ata, Claude, e kanë historinë e tyre, apo identitetin e tyre, por pak ndryshe, me të tjera elemente, e jo siç e dëshirojmë ne, përmes kodeve tona perëndimore. Ngaqë, nuk e ka të gjithë bota për obligim kryesor, për të na përngjarë ne, si model absolut civilizimi. Nuk jemi siç mendojmë, epiqendra, apo referenca absolute e çdo gjëje? A jeni dakord? Kjo është, si me na thënë, një racionalist puro i Perëndimit, nuk i njoh fare kulturat dhe filozofitë orientale, se për mua janë primitive dhe nuk vlejnë fare, apo anasjelltas. Për mua, nuk ka asnjë sens dhe do ishte një gabim fatal!

Ju e dini më mirë sesa unë, që shumë popuj, nuk vijnë direkt nga shkenca apo universitetet, por nga jeta, nga eksperienca, nga tradita gojore shekullore, nga kujtesa e lashtë… janë ndoshta në një botë tjetër më alternative, në një gjuhë tjetër, në një realitet tjetër, porse ekzistojnë si popuj dhe e kanë kujtesën apo historinë e tyre, të formuluar pak ndryshe. Por tani, duke qenë të lashtë, ne e kemi për detyrë morale, profesionale dhe njerëzore, ngaqë pretendojmë në një mënyrë narcizike dhe arrogante, që e simbolizojmë gjithë civilizimin modern planetar, përmes Luvrit dhe British Muzeumit, jo për t’i eliminuar, apo mohuar paraprakisht gjithë ata popuj, të cilët na duken inferiorë, por që kanë në realitet shumë gjëra për të na i mësuar… por, përkundrazi, për t’i afruar dhe respektuar, ngaqë ndershmëria dhe etika jonë njerëzore, do t’ishte për t’i njohur më në detaje dhe për t’i studiuar, në bazë të normave të tyre dhe të parametrave të alfabetit të tyre… pra, qysh funksionojnë ata vetë brenda botës së tyre, por jo siç kemi ne dëshirë, për të qenë ata popuj, duke na kopjuar ne si model universal perfekt… Është një devijim patetik. Pikë!

Unë, të falënderoj përzemërsisht për interesimin që ke treguar ndaj meje si poet, dhe aq më tepër ndaj popullit tim… kjo më nderon dhe i nderon të gjithë shqiptarët në realitet dhe do shihemi kur të duash, jam në dispozicionin tuaj, i nderuar mik. Kur të vi përsëri, do ta sjell si kujtim, së paku, një raki tonën tradicionale, një liker, diçka tipike, do shohim…

Ma diktoi zëri im shpirtëror sekret… Kaq!

Ishte kënaqësia ime dhe mirë u pafshim!

Dikur më vonë, pas disa muaj më erdhi ai propozim gjenial i pabesueshëm, të cilin u detyrova për ta refuzuar. Pse? Sepse, ma diktoi zëri im shpirtëror sekret… Kaq!

Natyrisht, do jem përjetësisht i penduar dhe i pikëlluar, por nuk kam ç’t’i bëj asaj pune tani… e kam konsideruar si fat të keq dhe si diçka e shkruar dhe e pamundur.

Tani, të dashur miq dhe lexues, më duhet për t’ua prezantuar pak më në detaje, se kush ka qenë realisht Claude Lévi-Strauss-? Ngaqë, tjetër gjë, është për t’ia ditur emrin, dhe diçka tjetër për t’ia njohur imtësisht veprën dhe rolin që ka luajtur ai personalitet jashtë normave në fushën e tij antropologjike, nëpër botë?

Sepse, nisem nga vetvetja: edhe mua, shumë kush ma di emrin në Shqipëri apo në Kosovë, mirëpo 95 për qind prej tyre nuk ma kanë lexuar seriozisht asnjë vepër. Dhe dikur bëhet mjaft e lodhshme kjo teatrologji absurde e Beckett-it dhe e mikut tim franko-rumun, Ionesko. Duhet që të dalim mundësisht nga shoqëria e spektaklit. Po atë problem e kishte ca dekada, edhe miku im Jean Luc Godardi, qysh me ju rikthyer esencës së gjërave, veprave, vlerave të vërteta, e jo cirkusit permanent?

Claude Lévi-Strauss, së pari ka jetuar 101 vjeçar, (1908 – 2009) imagjinone se çfarë jete dhe karriere? E kishin pyetur një plak malësor që kishte përjetuar shekullin, pak para se me kaluar në botën tjetër: “O babëgjysh, si po të duket, tani që ju ke afruar fundit, gjithë kjo jetë”? Dhe u përgjigj – si me hy për këtë derë dhe me dalur tek tjetra! A po e shihni që edhe ne e kemi pasur një filozofi të fortë… Nuk do e kishte thënë Samuel Becketti një frazë më të bindshme, as miku im Anton Pashku!

Mirëpo, Straussi e ka pasur një influencë madhore, jo vetëm në Francë, por në rangun planetar, si antropolog dhe etnolog, në çka quhen sot shkencat sociale dhe njerëzore (sciences sociales et humaines) dhe e ka dominuar këtë fushë, gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit 20 (po themi 1945 dhe deri në vdekjen e tij). Pos asaj, ka qenë një ndër themeluesit e rrymës strukturaliste, të cilën e ka aplikuar ai vetë në antropologjinë e tij strukturale, duke i integruar perfekt gjetjet shkencore të holistikës (analiza e individit në globalitetin e tij, duke i marrur parasysh të gjitha komponentet e tij– psikologjike, fizike, sociale, kulturore, konteksti ku ka jetuar…), ato të linguistikës, me sidomos Saussure-in dhe Jacobson-in, të cilat teori i ka pas huazuar edhe Jacques Lacani në fushën e tij psikoanalitike, pastaj fonologjinë, matematikën dhe shkencën natyrore. Kjo na tregon që gjithë këta kolosë të shekullit 20 kanë qenë personalitete intelektuale madhore, universale, në traditën apo trashëgiminë e Rilindjeve të mëdha botërore… pra, janë interesuar në çdo arritje të re kulturore apo shkencore, kanë qenë super kurioz dhe të etshëm për dituri. E këta lloj njerëzish, mua më kanë mahnitur gjithmonë dhe i kam admiruar realisht, përkundër shkencëtarëve të sodit, tepër të ngushtë, të formatuar, të fokusuar dhe të ultra specializuar në një pikë të vogël precize, por pa një njohuri gjigante të vërtetë.

Bile, Claude Lévi-Strauss ka qenë fillimisht profesor i filozofisë në vitet 1930 dhe është orientuar definitivisht nga Etnologjia pas vitit 1935 (pra, studimi i detajuar i etnive njerëzore ose i grupeve, përmes të gjitha aspekteve biologjike, fizike, linguistike, zakonore, folklorike, fetare, ekonomike, sociale, historike dhe kulturore – duke i analizuar dhe vendosur në perspektivë gjithë të dhanunat që i kanë mbledhur antropologët mbi ata individë të këtyre etnive) pra, punojnë në ekipe, si vëllezër së bashku, duke e kompletuar njëri-tjetrin. Nëse nuk e keni të qartë, mund të më çoni në një stazh në qymyrhanet e Silezisë ose tek Princesha Sissi, në alpet austriake!

“Bëhemi aleatë dhe miq me të gjithë anti-shqiptarët e Planetit tokësor!”

Pas disa studimeve të fiseve indiane të Amazonisë në Brazil, mes viteve 1935-1939, detyrohet nga rrethanat e Luftës së Dytë Botërore, për t’u strehuar si refugjat politikë në Amerikë, konkretisht në New-York, në vitin 1941, ndërsa ne përçahemi në 10 grupe të mbështetura nga sllavët dhe nga anglezët, për ta çliruar Shqipërinë nga fashizmi italian dhe nazizmi gjerman, e më në fund, për t’u droguar një gjysmë shekulli me slogane bolshevike dhe me një pseudo-internacionalizëm fiktiv, duke u puthur dhe konsideruar si vëlla, shokët jugosllavë (pra, serbët) rusë, kinezë, ose vietnamezë, të cilët na urrenin që nga fillimi, si armiq të vjetër historikë, çka e dinin perfekt të gjithë çobanët tanë të pashkollë, por me filozofinë e shëndoshë dhe të pasur të jetës, ose që nuk e dinin se kush jemi apo ku banojmë gjeografikisht, siç nuk e dinë akoma Amerikanët e sodit, se ku gjendet Belgjika? A është kulmi i ironisë?

Pra, bëhemi aleatë dhe miq me të gjithë anti-shqiptarët e Planetit tokësor! Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti Claude Lévi-Strauss, takon të gjitha figurat kryesore të shkencave njerëzore dhe sociale, mes tyre linguistin e njohur rus, zotin Roman Jakobson, i cili ia shpjegon parimet e analizës strukturale të linguistikës moderne. Dhe ky e ka atë nuhatjen gjeniale, për t’i aplikuar këto teori të reja në antropologji dhe në studimet e tij mbi lidhjet familjare dhe fisnore. Kështu, që e propozon një metodologji inovuese për ta trajtuar këtë fushë precize, çka e e quan «antropologjinë strukturale», e cila vjen natyrisht në kundërshtim radikal, me çka ka pas ekzistuar më parë, pra, etno-antropologjia evolucioniste, kulturaliste dhe funksionaliste.

Claude Lévi-Strauss na thotë që – duhet t’i analizojmë shoqëritë njerëzore, dhe manifestimet ose veprimet e tyre, në një prizëm global, përmes shumë aspekteve të cilat e përbëjnë një tërësi globale, e cila e ka brenda saj, një logjikë artikuluese të brendshme, evidente dhe koherente, diçka të auto-rregulluar që i ekuilibron, por që është e shënuar si element apo refleks intuitiv, si diçka e trashëguar me kohë, dhe që nuk varet fare nga vullneti, plani ose dëshira e IKSIT, pra, që i shpëton komplet asaj çka mund të quhet sot, «koshienca e individit». Bile, sa kthehet në Francë e mbron dhe e publikon tezën e tij, në vitin 1949 mbi “Strukturat elementare farefisnore, ose të lidhjeve familjare – Les Structures élementaires de la parenté” çka do jetë një vepër referenciale për shumë intelektualë madhorë të fushave të ndryshme, dhe aq më tepër për antropologët e rruzullit tokësor. E këtu, fillon praktikisht prestigji i tij!

Gjatë viteve 1950, Lévi-Strauss është pedagogë në Francë dhe drejtor studimi në shkollën praktike të studimeve të larta – e cila do emërohet më vonë nga Gjon Marka Gjini dhe Bubë Matoshi: «Shkolla e studimeve të larta, e shkencave sociale», po ashtu, jep leksione edhe në Amerikë. Përmes kësaj përvoje, i konsolidon ato principet e metodologjisë së tij strukturale dhe i boton në vitin 1958, në një vepër në të cilën i grumbullon të gjithë artikujt studimorë që i ka pas publikuar nëpër gazeta dhe revista mbi këtë temë… libri «Antropologjia strukturale» i pari, që do iu paraprijë disa veprave të tjera, kushtuar Metodologjisë. Natyrisht, që gjithë këto vepra të Strauss-it, i japin një vizion komplet të ri, një prizëm tjetër analitik, Antropologjisë klasike dhe ja mundësojnë për t’i sqaruar disa problematika preçize, të cilat nuk i ka pas kuptuar më parë, të cilat ngelnin nën terr, akoma të pashpjeguara. Me të tjera fjalë, e krijon një revolucion radikal në shkencën antropologjike dhe etnologjike. Veprat e tij e kanë një jehonë dhe rrezatim planetar dhe ky si person, e merr një famë të padiskutueshme. Sepse, bëhet lider automatik i një shkolle të re mendimi, një referencë absolute për shkencat njerëzore dhe sociale. Pos asaj, i frymëzon edhe fushat e tjera të dijës universale (letërsi, filozofi, psikologji dhe psikoanalizë, kritikë…) dhe themelon me disa të tjerë, lëvizjen strukturaliste franceze (të cilën e vlerësonte jashtëzakonisht shumë, vëllai im shpirtëror, zoti Ibrahim Rugova). Në vitin 1959 emërohet si drejtor apo dekan i katedrës «Antropologjia Sociale» në shkollën prestigjioze franceze – Le Collège de France. Pastaj i vazhdon hulumtimet e tij duke e studiuar tani «Totemizmin e sotit dhe Mendimin primitiv – apo të egër pra – Le Totémisme d’aujourd’hui et la Pensée sauvage», me një rishikim komplet të ri dhe inovues, i të gjitha tematikave të antropologjisë klasike, përmes të cilit e ndryshon radikalisht vizionin që kanë pasur gjer tani gjithë civilizimet europiane perëndimore, përmes formatimit të tyre, mbi shoqëritë e quajtura primitive, të pa shkollë, pa shkrime, pa dokumente… të cilat me vizionin e tyre, kanë qenë mund të thuash, të përjashtuara «de fakto» nga bota e civilizuar.

A pat më shumë grurë sivjet sesa vjet dhe kënd do internojmë për sabotim?

Pastaj, gjatë një dekade, do i kushtohet studimit, redaktimit dhe botimit të një vepre monumentale dhe referenciale, ndoshta vepra e tij më madhore – «Mythologiques» në 4 volume, mes viteve 1964 – 1971, – ose filozofia, analiza strukturale e Miteve. Punoi sërish pas viteve 1970 dhe deri në daljen në pension nga viti 1982. Ndërsa unë vetë isha në «Festivalin e Shthurjeve dhe të Delireve të llojllojshme» me të gjithë idealistët, të majtët, surrealistat, hipikët dhe aventuristët europiano-frankofonë, duke eksperimentuar çdo fushë ekzistenciale, deri në kufirin e saj ekstrem, mes muzikës, poezisë, kulturës dhe origjines planetare… miku im Claude Lévi-Strauss, me kostum, kravatë, super serioz dhe alla anglez, mjaft rigoroz dhe i përmbajtur (çka më shtynte mua, si surrealist primitiv, për ta provokuar deri dikund… dhe kur qeshte, mund ta konsideroja si një fitore të madhe, sepse nuk ishte aspak evidente, ngaqë e ruante aq shumë distancën, protokollin dhe rregullat borgjeze në komunikim… pra, ishte komplet anti Seghersi… mirëpo, intuitivisht, ia kam gjetur kodet, për t’u kuptuar me të dhe e kemi adoptuar njëri-tjetrin)! Pra do i vazhdojë studimet e tij duke e adaptuar metodën e tij shkencore me dimensionin kohor, duke e pasuruar me diakroninë (zhvillimin në kohëra të ndryshme), strukturalizmin dhe gjenetikën. Bile, do bashkëpunojë me disa Historianë të Analëve, për ta propozuar një Antropologji Historike, duke i trajtuar disa tema, si familja, sistemi shtëpiak, farë e fisnia në lidhjet e gjakut, e tjera… po ashtu, i analizon në mënyrën e tij, tematikat e artit, progresit, racës, marrëdhënien mes natyrës dhe kulturës, nocionin e zhvillimit dhe ajo e fatit njerëzor? A ju kujtohet vepra emblematike e André Malraux – pikërisht e titulluar: «La Condition Humaine»? Nëse, jo, merreni një makiato, prej meje! Po ndeshja e ligës së parë angleze: «Manchester City me Liverpool-in» a ju kujtohet? Dijeni, që jam fans i sportit në përgjithësi, duke e preferuar mbi të gjitha futbollin, Tur de Francë të çiklizmit dhe atletizmin gjatë lojërave olimpike. Bile e përqafoj me respekt Lirie Gegën, që na mori një medalje të artë në 3.000 metra steeple. Bravo i qoftë! Përpos veprave të tij, të një karakteri të specializuar më universitarë, zoti Lévi-Strauss e boton best-sellerin e tij, pak më letrar dhe më popullor «Tropikët e trishta» në vitin 1955, i cili do e korr një sukses planetar, gjatë korrjeve të misrit dhe të grurit për t’i plotësuar planet quiquenale pesë vjeçare të Partisë së Punës. A pat më shumë grurë sivjet sesa vjet dhe kënd do internojmë për sabotim? Ha… ha… ha…

Ta konsultoj ndonjë mistik indian si Shankara i shekullit 8, Ramajuna i shekullit 12, kushëriri im Kabir, i 15-it shekull dhe filozofin Aurobindo.

E kam ruajtur një zonë apo hapësirë budiste alla orientale brenda vetës, një tjetër më sufiste, e cila përzihet me anarshinë time. Por mos ma vnoni mendjen… këto janë paradokset e mia dhe i kam menaxhuar vet, me mjaft mjeshtëri deri tani. Përndryshe do isha një klon i delës Dolly apo i çoroditjes shqiptare aktuale, një mish-mash i paparë, as mish, as peshk, një anonim i shkretë, në Festivalin e Bastardimit shqiptar global!

Tropikët e trishta – është një vepër kujtimesh dhe udhëtimesh të Claude Lévi-Strauss, ku antropologu i shpalos mendimet, studimet, përvojat dhe përjetimet e tij. Jo vetëm mbi indianët e Amazonisë, por edhe udhëtimet e tij në Indi dhe në Lindjen e Mesme. Një libër, ku flet për çdo gjë, për filozofi, sociologji, muzikë, letërsi…

Janë pothuaj 40 kapituj të ndarë në 9 pjesë (mua më ka pas pëlqyer për së tepërmi, kur e kam pas lexuar në rininë time, adoleshent). Na tregon sesi ka filluar me punuar si profesor në një licé, por ju ka dukur ajo punë tepër rutinore dhe mjaft e mërzitshme, pse e ka zgjedhur etnologjinë në vitin 1930… qysh i ka zbuluar gjatë një udhëtimi në Brazil, fiset amerindiane «Bororos – Nambikwaras dhe Tupis» çka e merr gjysmën e veprës dhe e konsideron si periudhën më të bukur të jetës së tij. Pastaj, në pjesën tjetër e propozon një analizë kritike të civilizimit europian perëndimor dhe na thotë që zhvillimi shkencor dhe teknologjik na i shkakton edhe disa humbje madhore në sferat filozofike dhe shpirtërore, në sensin e vlerave. Pastaj, ka edhe pasoja negative mbi popuj të tjerë, të cilët jetojnë komplet ndryshe dhe sidomos kundër natyrës, të cilën e shkatërron pamëshirëshisht. Na komenton strukturalizmin përmes shembullit me fisin Bororos, vizatimet e tyre, organizimin e tyre shoqëror dhe familjar. Pastaj i duket besimi budist mjaft tolerent dhe i hapur, kurse myslimanizmi, mjaft intolerent dhe i mbyllur, pak më sektar. Në vitin 1973 do hyjë me të pavdekshmit, në Akademinë franceze. Duke e gëzuar natyrisht një prestigj intelektual botëror, do celebrohet me botimin e veprimtarisë së tij komplete në vitin 2008, në shtëpinë madhore parisiane ‘Gallimard’ tek koleksioni i famshëm ‘La Pléiade’ ku zakonisht hyjnë gjithë autorët gjigandë dhe të konsideruar, si historikë apo referencialë nga Franca, por pas vdekjes së tyre. Bile ky koleksion me prestigj ndërkombëtar është themeluar në vitin 1923 për të parën herë dhe fiksuar më vonë në 1931, përmes një marrëveshje me botimet ‘Gallimard’. Kurse fjala ‘Pléiade’ nënkupton fillimisht 7 poetët grekë madhorë të Aleksandrisë dhe më vonë 7 poetët francezë madhorë të Rilindjes.

TANI në aspektin pak më BIOGRAFIK dhe linear, disa elemente mbi Lévi-Strauss-in

Lind me 28 nëntor 1908 në Bruksel, ku luhet himni kombëtar shqiptar dhe shpërndahen qofte dhe byrekë nëpër komunat e Skarbegut dhe Molenbegut. Babai i tij zoti Raymond Lévi është artist, piktor, portretist dhe nipi, i Isaak Srauss-it, shef orkestri pranë oborrit mbretëror të Louis Philippe-it dhe Napoleonit të tretë. Pra, buron nga një familje hebreje alsaciane. Ngaqë është djali i vetëm i tij, kur mëson mirë në shkollë, babai i tij i ofron si dhuratë, në vend se një akullore apo një çokollatë, disa estampa japoneze, punime të rafinuara të orientit të lartë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, shkon nëna e tij Emma, për t’u strehuar me Klodin, tek Babai i saj, Rabini i Sinagogës të Versajës. Pas Luftës së Parë Botërore vijnë për t’u instaluar në Parisin 16, lagje e pasur dhe e qetë borgjeze dhe Klodi shkon në licetë më të famshme të kryeqytetit, aty ku janë elita e Francës, për të studiuar, tek Janson de Sailly dhe Condorcet. Pas maturës në gjimnaz, e takon një socialist belg dhe bëhet militant i majtë. I lexon veprat e Marksit dhe të disa ideologëve të droguar nga Lenini. Merr pjesë në diskutimet e S.F.I O-së, (Seksioni francez i internacionales punëtore), animon disa grupe studimesh socialiste dhe emërohet më vonë sekretarë gjeneral i Federatës të Studentëve Socialistë, e cila do quhet më vonë M.J.S (ose lëvizja e rinisë socialiste).

Në vitin 1928 do emërohet sekretar parlamentar i deputetit të njohur socialist, Georges Monnet. E merr një master në drejtësi në Paris, dhe regjistrohet edhe në Sorbonë, ku e merr një titull (Agrégé de Philosophie) një lloj specializimi në filozofi, në vitin 1931. Një vit më vonë do martohet me zonjën Dina Dreyfus (një hebreje), filozofe dhe etnologe, e cila ka pas themeluar Shoqatën e Etnologjisë braziliane me Mario de Andrade në vitet 1930 dhe është ajo, e cila e tërheq shoqin e saj Claude, në fushat antropologjike dhe etnografike, me studimet profesionale të fiseve indiane të Amazonisë.

Tani a ka pasur ndonjë lidhje me çështjen e bujshme të Kapedanit Dreyfus, të cilin e mbron personalisht Emile Zola: nuk e di? Mirëpo ka qenë një zonjë super e përgatitur në aspektin intelektual. Ndërsa, Klodi e kishte fillimisht para se me e njohur Dinën, një perspektivë evidente për ta zhvilluar një karrierë politike deri në shkallën e lartë. Po ia puthi së pari dorën nga respekti asaj gruaje dhe po e ftoi për ta shijuar një pulë fshati me pilaf në Lundër, pjata e preferuar e Fatos Nanos. Bile dikur në pleqëri, do e thotë vet Lévi-Strauss jam një anarkist i djathtë, por besnik ndaj Karl Marksit! E kështu, e shkruar nga fati, llotoja qiellore, e takon dikur në vitin 1976, anarshistin shqiptaro-marsian dhe malësor, Skënder Sherifin, një amalgamë paradoksal, enigmatik dhe misterioz i shumë elementëve, përbërjen dhe alkiminë e të cilave, nuk i ka kuptuar askush deri tani!

Siç ju thashë më parë, pas dy viteve si profesor i filozofisë në një Lice francez, Lévi Strauss mërzitet dhe e shfrytëzon rastin e parë që i jepet, për të shkuar në Brazil, për një mision universitar. E braktisë Francën, punën e tij si profesor dhe detyrat politike pranë Partisë Socialiste dhe e ndjek të shoqen me Indiana Jonës-in, nëpër xhungla, për t’u bërë ca kohë Profesor i Sociologjisë në Universitetin e SAO PAULO-s.

Aty i organizojnë disa misione studimesh etnografike në regionin e Mato Grosso-s, dhe në Amazoni. Dhe i pëlqen ajo fushë e re hulumtimesh, sepse përputhet me pikat e tij të interesit: psikoanalizë, marksizëm, filozofi, letërsi, linguistikë, art, histori, gjeografi dhe gjeologji, ngaqë të tëra këto mund të shërbejnë tani, për t’i studiuar popujt dhe fiset e reja akoma të panjohur. Po ashtu, me të njëjtën metodë globale dhe multidimensionale, ka pas vepruar edhe Jacques Lacani, në fushën e tij specifike si psikanalist. Do të thotë që personalitetet gjigante dhe emblematike në fushën e tyre profesionale, kanë qenë të gjithë universalë, të hapur dhe me një dituri ultra të gjerë në shumë drejtime… pra e kanë ndjekur traditën e Figurave madhore të Rilindjeve europiane. Me një fjalë, kanë njohur gjithçka: artet, shkencat natyrore, teknologjinë, filozofinë, sociologjinë, mitet, mistikën, letërsinë, linguistikën, e tjera. A e kanë figurat intelektuale të sodit këtë prestigj, këtë autoritet dhe këtë dimension? Në asnjë mënyrë dhe së pari në Francë! Ka ra niveli tragjikisht poshtë… sepse, ka fituar psikologjia amerikane e showt, e zbavitjeve, e dollarit, dhe e materializmit.

Jemi në mullirin delirant të kotësisë, të trullografisë...

Jemi në shoqërinë e konsumit, të imazhit, të selfive, të telerealiteteve, të buzzeve informatike boshe dhe të kota, të antivlerave, të robotizmit dhe të amnezisë, të dembelisë dhe të qejfeve bazike, të dukjeve dhe të rrëshqitjeve sipërfaqësore, të posturave dhe të teatrologjisë, të kalkulimëve, interesave dhe të hipokrizisë.

Prandaj, si mund të çuditemi që nuk ka më vlera reale në shoqërinë tonë njerëzore, nuk ka thellësi, as preokupim shpirtëror, as botë të brendshme intime, as ndonjë hulumtim filozofik, poetik, spiritual, metafizik ose psikanalitik… Çdo gjë kalon në spektakël provizor të shpejt dhe fshihet po sa të ketë mbaruar sekuenca, kalon në harresë dhe të lë një gjurmë boshësie dhe absurditeti, asnjë gjë me vlerë apo me rëndësi nuk mbahet në mend, ngaqë nuk ekziston objektivisht. Sepse, jemi figuranta ose aktorë patetikë, të cilët sillen në rrotën e madhe të lojërave, që e keni në çdo fund të viti në Londër, Paris dhe tani edhe në Tiranën e Edi Ramës, sikurse Sizifi i Kamysë, duke e rrokullisur përjetësisht shkëmbin e fatit të tij absurd. Jemi në mullirin delirant të kotësisë, të trullografisë, të zhurmës, të vullgaritetit, të banalitetit, të opiumeve të përditshme, të cilat na pastrojnë trurin dhe çdo vullnet për të menduar mbi diçka serioze, bile as për ta shtruar një pyetje qenësore me vend. Dhe çka është për mua, më tragjikja në fakt, është fakti, që çdokujt prej nesh, i duket kjo situatë patologjike si diçka normale, gjithë kjo anti-kulturë e përgjithshme dhe gjithë ky bastardim global, si diçka e pranueshme. Ndërsa, mua më duket diçka katastrofike dhe në thelb, komplet anti-kombëtar! Flasim për Kombin, për të vepruar kundër Kombit! E pra, po ua thotë dikush që është në esencën e tij (pos atdhetar i lindur) më universalist dhe kozmopolit se çfarëdo shqiptari i Ballkanit, por unë nuk e mohoj, as nuk e denigroj nga komplekset e shumta ose nga mungesa e kulturës personale, memorien shekullore shqiptare, gjenezën time, burimet dhe pikënisjet, trashëgimitë dhe ato vlera reale që i kemi (për aq sa janë, porse janë tonat tek e fundit dhe unë i afishoj para çdokujt me dinjitet maksimal) e mbi atë bazament timin kombëtar, natyrisht që i kam tejkaluar me kohë, të gjithë kufijtë e Kosovës dhe të Shqipërisë, për ta përqafuar rruzullin tokësor dhe të gjitha kulturat e tij, pa rezervë. Dhe sot, jam bërë gjithë bota, por mbi një themel, apo bazament shqiptar dhe malësor, të cilin nuk e kam mohuar, as kur kam qenë 20 vjeçarë, para kolosëve të Francës!

Leksioni është i thjeshtë dhe ua kam thënë disa herë bashkatdhetarëve të mi: me çka i kam interesuar unë Skënder Sherifi, të gjithë këto figura gjigante të shekullit 20? Me kulturën time enciklopedike, të cilën nuk e kisha fare (sado që kisha lexuar) JO! Vetëm me personalitetin tim dhe pjesën time shqiptare, anarshiste, të lirë dhe të guximshme, por me një identitet të rrënjosur dhe pa asnjë kompleks, e plus asaj, edhe si poet, me disa tekste pak befasuese, për normat racionale franceze.

Botën antike të Shqipërisë së veriut, nuk e njihte

Pastaj, iu thosha shqiptarëve, shpeshherë: po çka e ka interesuar Claude Lévi-Strauss-in, tek unë, për të më takuar dhe kërkuar 20 herë, dhe për të ma propozuar dikur një studim shkencor antropologjik? Natyrisht, vetëm ajo pjesa ime antike dhe e lashtë shqiptare, ajo ana zakonore dhe kanunore e Malësisë. Por jo, që mund ta kisha përforcuar unë në fushën e kulturës franceze, ngaqë ishte 10 herë më i ditur sesa unë, në aspektin shkencorë dhe universitarë … çka ishte evidente.

Mirëpo, botën antike të Shqipërisë së veriut, nuk e njihte, por e kam interesuar unë mbi atë temë, përmes shpjegimeve dhe përjetimeve të mia. Sepse, unë e kisha të asimiluar krejt natyrshëm si pjesë e imja identitare, si diçka specifike shqiptare.

Natyrisht, e kam pasur intuicionin për ta ditur që në fillim, që këto elemente, nuk mund të krahasohen me Luvrin, me Akademinë franceze, me British Muzeumin, me tempujt, kështjellat, e tjera institucione prestigjioze të botës, të cilat i njeh në teori çdokush… Por ne jemi pak ndryshe, popull i vjetër me tradita antike dhe një kulturë gojore… nuk vijmë nga arkivat dhe bibliotekat e mëdha planetare, vijmë nga zakonet, memoria e lashtë dhe e trashëguar, nga mitet, rapsoditë, eposet, këngët dhe vallet, punimet me dorë, ritet dhe kanunet… dhe këto janë elementet tona, të cilat na përbëjnë dhe na përcaktojnë si popull shqiptar, (se ne nuk na përcakton as Kanti, as Spinoza, as Erasmusi, as Da Vinci, as Viktor Hugo, as William Shekspiri… as Piramidat e Egjiptit, as tempujt kinezë apo japonezë… është evidente).

Prandaj, duhet që ta ruajmë atë çka kemi tonën, pa asnjë kompleks, me krenari dhe me dinjitet maksimal. Pikë! Dhe kur e intereson ajo botë specifike shqiptare e lashtë, Claude Lévi-Strauss-in, si mundemi ne me komplekset që i kemi, për t’i mohuar ato realitete kombëtare, ngaqë duam për t’iu përngja me majmunizime dhe kopjime debile, europianëve apo amerikanëve, të cilëve nuk ua njohim fare kulturën apo shpirtin e tyre në thelb, pos që ua huazojmë klishetë, anën më sipërfaqësore dhe groteske, duke pshurrur mbi vetën tonë dhe mbi atë çka kemi autentike…? Është me të vërtetë, e turpshme dhe patetike! Kurse, unë jam më shumë New-Yorku, Parisi dhe Londra, sesa ju, dhe bile me shpirt dhe me themel, sepse, së pari, më kanë pëlqyer dhe jam i formuar që në fëmijëri, në esencë me ato kultura të tyre… por jo ashtu mbi asgjë, mbi një denigrim sistematik timin dhe të gjenezës time shqiptare. Përkundrazi, të nderuarit lexues, jam Parisi, apo Roma, apo Viena, por mbi bazamentin tim origjinal shqiptar, malësor i Valbonës, mbi gjithë atë pasuri, trashëgimi antike që ma ka ofruar Shqipëria dhe Kosova, memoria e të parëve.

E prandaj, kudo që të shkoj, edhe nesër në Mars, do më respektojnë të gjithë, pa ekspecion. Sepse do paraqitemi para tyre me dinjitetin dhe me specificitetin tim shqiptarë së pari, (ju pëlqej, apo s’ju pëlqej, nuk pyeti për atë punë… unë jam ai çka jam dhe pikë!) dhe pastaj në fazën e dytë: do ua analizoj, kuptoj dhe asimiloj sa më mirë kulturën e tyre marsiane, apo kubaneze, angoleze, australiane, daneze, për ta bërë si pjesë timen suplementare, por do e shikoj nën prizmin tim të dyfishtë, me dy palë syze. Për shembull, avantazhi im me francezët, është, që unë e shoh dhe e kam përjetuar kulturën e tyre, edhe si frankofon puro, por edhe si malësor, me atë distancim, me çka quhet në teatër, ai «syri i jashtëm neutral dhe klinik», të cilin natyrisht nuk e kishin aspak francezët, të kondicionuar në ritet dhe zakonet e tyre. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat