“Ose po të plaçkiti diçka si pirat, ose po të përqafoj si mik dhe si poet”?

Kultura

“Ose po të plaçkiti diçka si pirat, ose po të përqafoj si mik dhe si poet”?

Nga: Skënder Sherifi Më: 21 janar 2023 Në ora: 14:58
Autori Skënder Sherifi

Po ashtu, i kam përjetuar, shikuar, analizuar shqiptarët (vëllezërit e mi) edhe si shqiptarë, me shpirtin kombëtar, me dashurinë ndaj tyre, por edhe si francez, pak më neutral, me syrin e distancuar të Bertold Brecht-it, në dramaturgji, ose me atë racionalizmin e René Descartes-it, me atë sens ultra kritik, të cilën e kam trashëguar pikërisht nga shkolla intelektuale franceze dhe që e ruaj me shumë kujdes. Sepse ne na mungon shumë në Shqipëri, po ashtu edhe kapaciteti për ta vendosur veten dhe shtetin tonë në pyetje. Ngaqë, lidhje dhe pa lidhje dhe me asnjë argument serioz apo profesionalë që qëndron, neve si Shqiptarë, pranojmë çdo gjë, deri edhe në më absurden, pajtohemi lehtë me çdo gjë, lavdërojmë ose denigrojmë absolutisht çdo gjë, arbitrarisht si refleks për qejfin tonë, jashtë çdo logjike shkencore serioze, dhe barazojmë çdo gjë, nivelizojmë çdo gjë, banalizojmë çdo gjë, mbi asnjë metodologji rigoroze universitare, apo një pasqyrim kritik profesional. Kështu, që duke e kultivuar në një mënyrë gjysmë të qëllimshme apo subkoshiente gjithë këtë mjegull dhe konfuzion të globalizuar në çdo fushë të jetës tonë shoqërore… natyrisht, që jemi aty ku jemi, në një shoqëri, e cila prodhon vetëm çorodi dhe absurditete, ngaqë e ka eliminuar me kohë çdo kriter serioz besueshmërie dhe kredibiliteti. Kështu, që në një moment, duhet që ta ngrehim urgjentisht sinjalin e alarmit! A jeni dakord me mua?

Profesor dhe i angazhuar për liri

Tani, le të rikthehemi me Aston Martin-in, e James Bond-it 007, tek miku im zoti Lévi-Strauss. Pra, shkon në një ekspeditë të dytë në vitin 1938, për t’i studiuar fiset indiane Caduveo dhe Bororo, në kushte mjaft të vështira (ju mund ta imagjinoni sesi janë xhunglat e Amazonisë dhe jemi në vitet ’30-tw) dhe e zbulon një fis tjetër, të quajtur Nambikwara, të cilin e dokumenton me shkrim dhe me 200 foto. Duke marrur një pjesë e madhe e ekipit të antropologëve dhe etnologëve infektime të ndryshme, ndër ta edhe shoqja e tij Dina, e ndërpresin atë mision eksplorativ. Por Klodi, kokë fortë, e vazhdon me disa vullnetarë dhe i takon disa fise të tjera sikurse «Mundé dhe Tapi Kawahib» në regjionin Rondônia. Kur kthehet në Francë, do e mobilizojnë në vitet 1939-40, ngaqë jemi në Luftën e Dytë Botërore. Do jetë për pak kohë profesor në një licé të Montpellier-së, por do e përjashtojnë si hebre, me ligjet anti-çifute hitleriane, të cilat i aplikonin bashkëpunëtorët e tyre francezë të Regjimit të VICHY-së, pro Mareshal Pétain e natyrisht anti De Gaulle. Pastaj, më vonë, ju e dini, apo e keni pa në ca filma, që ua kanë vendosur Yllin e jeshilltë në pallto apo në xhaketa, dhe dikur, depërtuar në kampet naziste si në Aushwitz, Treblinka, e tjera, për t’i çfarosur komplet. Ua rikujtoj këtu disa filma interesant mbi këtë temë: “Aurevoir les Enfants” – e regjisorit Louis Mallë, në vitin 1987, por edhe Lacombe Lucien, i vitit 1974 – “La Rafle” e regjisores Roselyne Bosch në 2010, – “La vie est belle” e regjisorit komik italian Roberto Benigni, në 1998 – “Lista Schindler” e Steven Spielberg, në vitin 1994, – “Pianisti” i Roman Polanskit, në vitin 2002, “Le Fils de Saul” i regjisorit hungarez, Lazlo Nemes, në vitin 2015, “Le journal de Anna Frank”, e regjisorit amerikan Georges Stevens, në vitin 1959, “Au nom de tous les miens” – Në emrin e të mijve i regjisorit francez Robert Enrico, në vitin 1983…

Në këtë atmosferë të rëndë dhe të qelbur, Claude Lévi-Strauss ndahet nga shoqja e tij Dina, ikën nga Franca dhe shkon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mbërri në New-York, në vitin 1941. E gjen atje, një atmosferë kulturore mjaft të gjallë dhe të pasur, ngaqë shumë intelektualë francezë, por edhe gjermanë anti-nazistë apo europianë anti-totalitarë të majtë apo të djathtë gjenden në atë kryeqytet, ku çdo aventurë, ju duket e mundshme. E emërojnë profesor i Sociologjisë bashkëkohore latino-amerikane në «New School for Social Research». Por në vitin 1942, vjen për t’iu bashkuar forcave të Charles de Gaulle «La France libre», organizata e rezistencës së jashtme dhe punon si spiker në «Zyrën e informatave ushtarake». E takon linguistin e njohur Roman Jakobson-in, i cili do ketë disa ndikime në formimin e tij intelektual, ngaqë do huazojë disa elemente nga linguistika strukturale, për ta pasuruar tezën e tij, mbi lidhjet fisnore dhe familjare. Punon mjaft intensivisht në redaktimin e studimeve të tij, përmes të gjitha materialeve, me shkrime, objekte dhe fotografi që i ka mbledhur në Brazil, por paralelisht angazhohet me forcat franceze të lira, të cilat i japin drejtimin e një misioni shkencorë në Amerikë. Kështu që në vitin 1942 themelon me kolegët e tij Henri Focillon, Jacques Maritain, Jean Perrin e ca të tjerë, «Shkollën e lirë të Studimeve të larta të New-Yorkut».

Bashkë me Sami Repishtin në burgun e Shkodrës

Në vitin 1945, do e emërojnë si këshilltarë kulturor i Ambasadës së Francës në Amerikë dhe e shfrytëzon atë post dhe përmes bibliotekave gjigande dhe ultra të pasura amerikane, për të punuar në veprën dhe tezën e tij etnologjike, mbi ato lidhjet familjare. Tani do martohet me Rose-Marie Ullmo (1913-1985) në vitin 1946 dhe një vit pas, do e kenë një djalë i emëruar Laurent. Ndërsa, babai im, shefi i Odave, në Mërgatën e Qyqeve, përfundon në qelinë numër 9, të burgut të Shkodrës me zotin Profesor Doktor i frëngjishtes, i titulluar në Sorbonë të Parisit – Mister Sami Repishti dhe më vonë në Porto Palermo (emër, i cili ta rikujton gjuhën e Dantes dhe çuditërisht gjithë historinë e mafies italo-siciliane dhe italo-amerikane në filmat e Francis Ford Coppolës dhe Martin Scorcesës). Tani, miku jonë Klodi është çliruar dhe e ka përfunduar tezën e tij mbi lidhjet e gjakut, të fiseve dhe të familjeve «Les Structures élémentaires de la Parenté» dhe vjen përsëri në Francë në vitin 1948, ndërsa Presidenti Tito, guxon për ta kundërshtuar Stalinin, shpëton nga invadimi rus me mbështetjet amerikane dhe europiane dhe e merr pavarësinë e tij, në drejtimin e Federatës Jugosllave. Kurse Enver Hoxha e pushkaton Koçi Xoxen, si tradhtar pro titist dhe përqafohet me Stalinin duke na thënë: e kemi vëlla, kurse Milovan Gjilasi dëshmon në një libër të tij, që gjatë një takimi me diktatorin rus, i thotë qartë «po pse nuk e përbini atë minishtet që është Shqipëria, si një kafshatë bukë”? Kjo e tregon aftësinë tonë për t’i zgjedhur miqtë dhe aleatët e duhur në momentet kyçe! Gjatë vitit 1949, Claude Lévi-Straussi mbron dhe e publikon tezën e tij me sukses, sepse do ngelet si referencë antropologjike dhe etnologjike dhe emërohet zëvendës drejtor, në «Musée de l’Homme» në Paris (i themeluar në vitin 1937, tek Palais de Chaillot) dhe Drejtor studimesh tek shkolla e famshme «Ecole pratique des hautes études». Në vitin 1954, kur çel sytë në këtë botë, në një fshat plot lloç të Vitisë, një farë Skënder Sherifi i thotë vetes: «më riktheni aty ku isha, çka dreqin jam ka bëj këtu nën drita të verbra, tym duhani dhe zhurma debile… po pse më nxorët nga akuariumi im, ku isha rehat si peshk”? Ndërsa, Klodi martohet për të tretën herë me Monique Roman, me të cilën do e ketë një djalë të dytë, zotin Mathieu, i cili nuk ka pas zbritur nga Ungjilli i dikurshëm, as nga filmi i Pier Paolo Pasolini-t. («Ungjilli sipas Shen-Matjiusë« – 1964). Nuk kam qenë i abonuar në Kinematekat e Parisit, dhe të Brukselit krejt kot, o miq! Diçka më ka ngelur, duke i pa nga 2 filma në ditë gjatë disa dekadave, i shoqëruar me ca miq dhe ca muza të papara. Në vitin 1955, e boton tek shtëpia Plon në Paris, veprën e tij të famshme, përmes të cilës e njeh publiku i gjerë «Tropikët e Trishta» – gjysmë autobiografik intim, gjysmë meditim filozofik dhe dëshmi etnografiko-antropologjike. Të gjithë intelektualët e asaj kohë e përshëndesin me lëvdata atë vepër… në mes të tyre, zoti Raymond Aron, Maurice Blanchot, Georges Bataille dhe Michel Leiris. Sepse, siç ua kam thënë më sipër, e thyen komplet traditën e librave rigorozë universitarë të antropologjisë.

Pastaj, me veprën tjetër, botuar në vitin 1958 «Antropologjia strukturale» i fikson bazat e tij teorike, për t’i studiuar sipas një filozofie dhe metodologjie precize, Popujt apo fiset primitive dhe mitet e tyre. Në 1959, do emërohet profesor në shkollën elitare të famshme «Collège de France» në Katedrën e Antropologjisë Sociale dhe një vit më pas, e krijon një «Laborator studimesh të Antropologjisë Sociale» në shërbim dhe për t’i lidhur të dy shkollat së bashku, pra: (L’école pratique des Hautes Études – Shkolla praktike e studimeve të larta – dhe – Le Collgège de France).

Pensionimi

Në 1961, me disa shokë si Emile Benveniste dhe Pierre Gourou, e themelon revistën «Njeriu» e cila i boton studimet dhe hulumtimet e reja në fushat antropologjike dhe etnologjike dhe e stimulon bashkëpunimin inter-disiplinarë, do me thënë, një dialog i hapur mes fushave të ndryshme të studimeve, në sferën e shkencave njerëzore apo sociale. Për një dekadë të mirë (nga viti 1960 deri në fillimet e viteve 1970) i studion thellësisht Mitet, sidomos në fiset amerindiane të Brazilit, dhe të Amazonisë. Rezultatet e këtyre studimeve, janë të botuara në disa volume, në veprën e tij profesionale madhore: “Les Mythologiques” ose “Mythologjitë” dhe i pari prej tyre do jetë i titulluar: “Le cru et le cuit … ose e pjekura dhe e pa pjekura”, botuar në vitin 1964. Claude Lévi-Straussi-i, është një ndër të parët që ka folur me baza shkencore mbi temat ekologjike, sot në modë dhe të rikuperuara në të gjitha partitë politike, për arsye puro oportunizmi. Mirëpo, ai e ka pas përshkruar me argumente serioze dhe klinike neutrale, vlerën, funksionin e rëndësishëm të natyrës, në ekuilibrin e jetës njerëzore dhe e ka rehabilituar çka mund të quhet "Mendimi apo Filozofia Primitive – në librin e tij – La Pensée sauvage”. Kështu, që duhet t’ua rikujtojmë sot gjithë këto punime, po ashtu edhe diagnozat e zotit René Dumont, në ato vite 1960-70, të gjitha Partive Ekologjike aktuale, të cilat meritojnë nganjëherë për t’i skanuar në detaje dhe për t’ua paraqitur kontradiktat themelore. Për mua, mbrojtja e natyrës dhe e ekosistemëve, u takon të gjithëve, sepse është çështje dominante dhe prioritare për mbarë njerëzimin e sotit. Nuk mund të jetë ekologjia në shërbim të lojërave politike të përditshme, të shaheve oportuniste, apo të aleancave të pista apo hipokrite. Sepse, vjen në pyetje: cilin planet tokësor do ua lëmë në trashëgimi fëmijëve tanë dhe gjeneratave tona të ardhshme? Një tokë të mjeruar dhe të sakatuar në agoni, ku mezi do merret frymë me pak oksigjen, plot viruse toksike, me 70 për qind të bimëve, të kafshëve, të peshqve dhe të zogjve të zhdukur, me luhatjet klimatologjike, ngjitja e ujërave, shkrirja e akujve, zhvillimi i shkretëtirave, problematika e ujit të pijshëm? Sinqerisht, është e turpshme dhe e pafalshme për ne dhe e kanë me të drejtë për të na kërkuar fëmijët apo nipat tanë dikur llogari! Ne jemi duke e pa përditë rezultatin praktik të gjithë këtyre çrregullimeve dhe absurditeteve tona me sy…

Në vitin 1973, do zgjidhet në të famshmen Akademi Franceze (e krijuar në vitin 1635 nga Kardinali i njohur Richelieu) ku i ke 40 anëtarë të quajtur simbolikisht të pavdekshmit. I vazhdon punimet e tij dhe e merr zyrtarisht pensionin (jo 150 euro në muaj si tek ne, pas 40 vite punë) në vitin 1982, pasi që François Mitterrandi e kishte hapur si akt dadaist dhe surrealist «Ministrinë e Kohës së lirë – Ministère du temps libre"- pse jo Ministria e Hajgareve” dhe e kuptoi Klodi, që duhet me e lënë punën! E vendos si trashëgimtare në vendin e tij, zonjën Françoise Héritier, një emër i predestinuar, e cila ka bashkëpunuar disa vite pranë tij. Por, prapë vjen nga një herë në javë tek Laboratoriumi i tij, për t’i takuar hulumtuesit e rinj dhe për të diskutuar mbi punimet e tyre, vetëm për qejf. Pas vitit 1994 i ngadalëson aktivitetet e tij profesionale, por e boton ndonjë shkrim tek revista e tij «L’Homme – Njeriu”. Me rastin e 90-vjetorit, revista ‘Kritika’ ia kushton një numër special, të cilin e ka pas drejtuar zoti Marc Augé dhe i ofrojnë një recepcion nderi në Collège de France, ku ka pas punuar. Aty, ju thotë Klodi gjithë miqve dhe kolegëve: «Faleminderit për gjithë këtë respekt… por tani po e shihni që jam i plakur dhe i lodhur. Jam i dyzuar dhe në dialog permanent mes UNIT tim real dhe UNIT tim virtual… është marrëdhënie e vështirë dhe komplekse”!

Në vitin 2005, në një intervistë te televizioni francez deklaron: “Më vjen tepër keq për të gjitha këto shkatërrime aktuale të shumta, zhdukja permanente e specieve të gjalla vegjetale dhe animale (kafshë dhe bimë) dhe fakti që njeriu vazhdon duke e auto-sabotuar dhe helmuar vetveten me plot qëllim, me pretekstin e zhvillimit ekonomik dhe industrial, pra realisht të përfitimit maksimal. Kur e mendoj kohën e tashme dhe të ardhshme, këtë tokë, në të cilin po e përfundoj jetën time, mund t’iu them lirisht se kjo që po e shoh dhe po e konstatoj tani, nuk është një botë, të cilën e dua shumë”! Në vitin 2008, do botohet vepra e tij komplete tek ‘Plejada’.

Nderime pafund për Strausin

Me 28 nëntor 2008, me rastin e 100-vjetorit të tij, tek Muzeu i Jacques Chirak-ut, kushtuar popujve primitivë dhe arteve burimore apo parësore (sepse ka qenë fans absolut i tyre dhe i ka kuptuar perfekt) i organizojnë një ditë nderi Lévi-Strauss-it, gjatë të cilës, shumë personalitete të shkencës dhe të arteve vijnë për t’i lexuar në publik disa nga shkrimet e tij. Një kopil belg anarkist, Nowl Godin, që e gjeni në youtube apo facebook me disa Buzze të popullarizuara, më tha – "A t’ia ngjuaj për 100-vjetorin, një ëmbëlsirë në fytyrë, me një krem të shijshëm, që do e blej tek një pastiçeri e shtrenjtë borgjeze”? I thashë – «Jo, e të marroftë zoti… po si ta gjuajmë me torta babagjyshin e gjithë dynjasë? Ma jep fjalën që do e harrosh atë palaver”!

Na len atë punë ne, për 100-vjetorin e Kombit, tek sheshi Skënderbeg! Ha, ha, ha! Gjithë ashtu Biblioteka Kombëtare e Francës ia kushton një ditë nderimi me një ekspozitë personale. Presidenti i Republikës, zoti Nicolas Sarkozy shkon i shoqëruar me Hélène Carrère d’Encause, për një vizitë private tek shtëpia e tij, aty ku jam takuar unë vetë disa herë me të, në Parisin 16, tek bulevardi i gështenjave. Ministria e Arsimit zonja Valérie Pécresse krijon një çmim special Claude Lévi-Strauss, si shenjë nderimi natyrisht, me një shumë prej 100.000 eurosh, për ta shpërblyer për çdo vit, hulumtuesin më interesant të Francës në fushat e historisë, antropologjisë, shkencave sociale ose arkeologjisë. Një shqiptar marksist, që kishte vjedhur ikona në Berat për t’i shitur këndej në muzeumet e Perëndimit më tha: “A mos ke ndonjë mik, për ta korruptuar, që t’i marrim neve ato 100.000 euro”?

– Po pse, i thashë, mos e ke bërë ndonjë studim antropologjik inovues, në plaçkitjen e thesareve kombëtare shqiptare? Më fal, por kam ngelur përfundimisht atdhetar.

Në vitin 2009, vdes antropologu dhe etnologu më i famshmi i planetit tokësor në banesën e tij, në moshën 101-vjeçare.

Na ka mësuar që çdo kulturë e botës e ka brenda saj të njëjtën forcë, të njëjtin dinjitet dhe e meriton nga ne të njëjtin respekt, sepse në çdo kulturë primitive apo të qytetëruar me 100 shkolla, realizime, dhe referenca bibliografike, ka besime, rite, zakone, trashëgimi të vjetra, elemente krijues, poetikë, muzikorë, apo mitikë, çka do të thotë, që e kanë dikund një bazament të përbashkët për të gjithë njerëzimin. Mund të jam anglez, portugez, danez, porse më flet dikund në thellësinë time, ose në subkoshiencë, edhe dogoni, pigmeu, peuhli ose masai afrikanë, indiani bororo… se ka diçka të përbashkët me trashëgiminë time shekullore si njeri tokësor. Sado që mund të na duket një kulturë e largët, komplet ndryshe me tonën, në realitet është më e afërt sesa mendojmë dhe është pjesë intime përbërëse, e asaj universales njerëzore. A ua shpjegova siç duhet, nga odat e Brukselit, se po shkoj tani, për ta marrur një gotë me verë të kuqe Bordeau, me pak djathë.

Unë isha komplet antiteza, e kundërta e tij… por alkimia i ka sekretet e veta

Pra, sipas mikut tim antropolog alzacian, specialist i Rieslingut dhe i Tokajt të bardhë, sado që jemi të ndryshëm, strukturat mendore na funksionojnë në thelb njësoj. Për t’ju thënë sinqerisht, me pak kënd në Francë, jam protokolluar aq shumë, me përjashtim të Lévi-Strauss-it, i cili ishte super i kodifikuar dhe ultra serioz, me atë shikim të ftohtë analitik dhe klinik. I kam marrur disa liri personale, por prapë të matura, për ta nxjerrur pak nga lëkura e tij, për ta befasuar, për ta bërë me qesh dhe sa herë që ka funksionuar, jam gëzuar realisht, si me e pas fituar një loto apo një çmim. Ka qenë personalitet mjaft impresionant, mjaft i ngrirë, çdoherë në auto kontroll strikt të vetvetes. Bile, nganjëherë, edhe sot çuditemi për mirë, sesi më ka funksionuar dialogu me këtë njeri, me kërkesa aq të larta, si me qenë para një rreshti me gjeneralë të ushtrisë duke e kaluar një provim special. Më lente për t’ia marrur dorën, me disa vërejtje anësore, për ta puthur ndonjë herë… dhe kur më thoshte pse i ke ato sjellje zoti Sherifi? Iu përgjigjja intuitivisht kështu: «A vi edhe unë që jam para teje, nga primitivizmi gojor antik dhe tradita shekullore iliro-shqiptare? Ti, kur i ke studiuar popujt dhe fiset amazoniane, a i ke respektuar dhe a i ke aplikuar tek ata ritet dhe zakonet e tyre…? Po! A ke dalur me zor, deshe apo nuk deshe, prej asaj ngrirjes veriore dhe gjermanike, për t’iu përshtatur fiseve indiane të Brazilit, ose të shkonte kryet dhe përfundoje i zier në një kazan!"

Qeshte dhe më shikonte me kuriozitet duke i thënë vetës: «waouw, çfarë guximi ka ky albanezi, porse e ka me të drejtë”! “Pra, miku im Strauss, më konsidero edhe mua, si një pirat ilirian ose një fis Bororo dhe lem t’i shprehi zakonet e mia jugore dhe mesdhetare, sepse përfaqësoj këtu Malësinë e vjetër shqiptare dhe 800 shtëpi të fisit Krasniqe… dhe tek ne përshëndetemi si burrat, duke u shtrënguar, përqafuar, me një energji pozitive, e jo si kufoma të gjalla! Nuk mund të bëhemi tani finlandezë apo norvegjezë, vetëm me ta mbaruar ty qejfin. Ose po të plaçkiti diçka si pirat, ose po të përqafoj si mik dhe si poet”? Ah, më tha… "kjo nuk më ka ndodhur kurrë në Pari, dhe ti ke një programim dhe komponim gjenetik krejt ndryshe… ku me e ditur se çka ke trashëguar, por po m’intereson shumë, sepse e ke një dimension arkaik dhe poetik modern. Ke lejen time për të qenë vetvetja tek unë, por brenda disa kufijve, dhe unë, do mundohem me të ndjekur ty, por me disa rezerva… a jemi dakord, zoti Sherifi”?

Po! Po e firmosim me vulën e Kombeve të Bashkuara… a ke diçka për të pirë me ndonjë meze, për ta festuar këtë marrëveshje veri-jug? Ha… ha… ha… qeshte!

Nuk mund ta faktoj, por e kam përshtypjen intime, se me askënd nuk i ka ndodhur çka i ka ndodhur me mua, në aspektin human, sepse kishte qejf për të më takuar. E pra, unë isha komplet antiteza, e kundërta e tij… por alkimia i ka sekretet e veta.

Në jetën e tij, i ka pasur ikonat e veta kulturore, me disa referenca bazë dhe shpeshherë gjatë diskutimeve tona, m’i citonte si shembuj, veprimtarinë e Michel de Montaigne, filozof francez i vitit 1533 – 1592, Jean Jacques Rousseau (filozofi i viteve 1712 – 1778) të cilin e konsideronte si themeluesin e shkencave humane-njerëzore, Georges Dumézil (filologun, historianin e feve dhe antropologun francez: 1898 – 1986), i cili sipas tij ishte një ndër iniciatorët kryesorë të metodës strukturale. Ai e ka pas studiuar seriozisht edhe sanskritishten dhe më kujtohet nga fundi i jetës së tij, kur ishte i ftuar në emisionin e famshëm letrar të animuar nga Bernard Pivot, në kanalin e dytë publik francez, kur e pyeti gazetari, a i ka ngelur diçka prioritare për ta studiuar dhe të cilën e konsideron si mungesë të tij, për çka mund të pendohet? Foli për fushën e linguistikës, i përmendi gjuhët kaukaziane dhe deklaroi: “Më vjen keq që nuk e kam pasur kohën për ta mësuar imtësisht gjuhën shqipe, sepse e kam idenë, apo më mirë intuicionin, që është një gjuhë, jo vetëm e vjetër, por edhe gjuhë lidhëse, referenciale, formuese… mirëpo, nuk mund të argumentohet seriozisht, në aspektin profesional, pa e studiuar hollësisht”. Dhe mua, më pat bërë përshtypje!

Sepse, nuk vinte ajo deklaratë, nga kafexhia i lagjes, apo shitësi i perimeve. Pastaj, Lévi-Strauss-i, kur ishte si emigrant në Amerikë (1941-1944) i ka zbuluar dhe është frymëzuar nga shkolla gjermano-austriake, e antropologëve, trashëgimtarë të shkollës historike gjermane, e cila na ka sqaruar se kush jemi neve si Shqiptarë. Mund të citohen Robert Lowie, Alfred Kroeber dhe Franz Boas, po ashtu, e donte shumë sinologun (specialistin e gjuhës dhe të civilizimit kinez) zotin Marcel Granet (1884 – 1940) dhe etnologun Marcel Mauss, të cilit ja ka pas ofruar një parathënie.

Figurë dominante e skenës kulturore franceze

Ndërsa, siç ua kam shpjeguar, ka qenë figurë aq dominante e skenës kulturore franceze, gati figura qendrore e strukturalizmit, kështu, që ka influencuar pozitivisht apo lënë gjurma tek shumë intelektualë të njohur të egzagonit, një pjesë prej të cilëve i kam takuar unë vet rregullisht gjatë atyre 15 viteve që kam kaluar nëpër Paris apo jugun e Francës, pranë Pierre Seghersit. Pra, gjithë këta njerëz të cilët do i citoj tani, kanë huazuar direkt apo indirekt, diçka nga veprimtaria e Claude Lévi-Straus-it.

Si për shembull: Louis Althusseri, Roland Barthes, Jean Baudrillard, Pierre Bourdieu, filozofi të cilit i referohet rregullisht sot Presidenti francez Emmanuel Macron, Gilles Deleuze, Jacques Derrida, Michel Foucault, Françoise Héritier, Jacques Lacan, Jean Piaget, Lucien Sebag …

mund të citohen edhe Nezir Spahia, Brahim Bami, Hajrie Rama, Ajshe Sadria dhe Ali Brahimi i Bytyçit, nga fshati Zherkë, që kanë qenë të frymëzuar nga miku im antropologë, por nuk e kanë ditur!

Në veprat e tij kryesore referenciale për lexuesin e Dibrës, Lumës, Hasit, Tropojës, Mirditës, Nikaj e Mërturit, Rugovës, Drenicës, Malësisë së Madhe, dhe të qyteteve tona nëpër Shqipëri dhe Kosovë, ua rekomandoj personalisht, me një kafe ekspres dhe një kroasan francez, këto libra esenciale që janë:

Les Structures élementaires de la parenté – 1949 – ajo teza e doktoratës mbi lidhjet e gjakut, familjare dhe fistare … vepra e tij bazë në realitet, pikënisja, themeli.

Race et Histoire: 1952

Tristes Tropiques: 1955

Antropologie structurale: 1958

Le Totémisme aujourd’hui: 1962

La Pensée Sauvage: 1962

Les Mythologies (seriali mbi studimet): 1964 – 1971 – çdo të enjte, në TV.KLAN.

Claude Lévi-Strauss-i, ka qenë i nderuar dhe i respektuar jashtë mase. Besoj që pak figura, për mos me thënë askush në Francë nuk ka pas mbledhur aq shumë tituj, dekorata dhe çmime honorifike, për t’ia respektuar vlerat e tij. Tani, për t’ua cituar të gjitha, as Pisha e madhe, e vendosur për Krishtlindje, në oborrin e Pallatin të Elizesë, ose të Shtëpisë së Bardhë në Washington, nuk mund t’i përballon, dhe asnjë Gjeneral apo Admiral i ish Bashkimit Sovjetik, nuk do gjen vend për t’i vendosur në uniformën e tij, gjatë parakalimit zyrtarë tradicional, të 1 majit në Kremlin.

Por, dijeni që është emëruar me një ceremonial protokollar nderi, Doktor Honoris Causa i së paku 20 universiteteve botërore, mes të cilave, i Oksfordit, i Harvardit, i Yale, në ULB të Brukselit, të Chicagos, Sao Paulos, i Montrealit dhe i Columbias në New-York. Ka fituar etapën e 8-t, të Tur de Francës, që kalonte nëpër bjeshkët e VOSGES, të Alzacit, para Frederiko Bahamontes dhe Jacques Anquetil. Huxley Memorial Medal – në vitin 1965.

Medalja e artë e C.N.R.S – në 1967 – Qendra Kombëtare e Hulumtimeve Shkencore.

Çmimi internacional ERASMUS – në vitin 1973

Commandeur des Arts et Lettres – në 1981

Çmimi ndërkombëtarë i Katalunjës (Spanjë) në 2005

Ordre du mérite culturel – në 2007

Commandeur des Palmes académiques

Commandeur de l’Ordre de la Couronne

Grand Croix de l’Ordre du mérite scientifique

Grand Croix de la Légion d’Honneur

Membre de la British Academy, po ashtu i akademive norvegjeze, apo amerikane.

Nuk do hy në asnjë lëkurë të huaj, kaq!

Natyrisht, ka lënë një gjurmë të madhe edhe tek unë si Person, si Shqiptarë dhe si Poet, një kujtim të paharrueshëm. Mund t’ju them që është bërë me kohën, si gjithë të tjerët, pjesë e jetës time shpirtërore dhe intelektuale intime. Sepse, unë jetoj me të gjallët, por edhe me të vdekurit, të cilët më shoqërojnë me veprat, këshillat apo me kujtimet e tyre në jetë. Më vjen keq, që nuk kemi mundur për ta realizuar atë ëndërr dhe atë projekt të përbashkët, për t’i studiuar thellësisht ritet dhe zakonet antike malësore, folkloret dhe kanunet, trashëgimitë gojore, mitet dhe legjendat e Shqipërisë veriore. Do jetë fatkeqësisht, një rast unik i humbur përgjithmonë!

Do na mbeten disa përshkrime në letërsinë tonë shqiptare, eposet dhe rapsoditë, polifonitë, fjalët e pleqve dhe plakave, vallet tradicionale, kostumet, përrallat e vjetra me shpresë që të gjitha këto, janë të dokumentuara dhe të arkivuara dikund në Shqipëri dhe në Kosovë. Ju kam thënë me kohë bashkatdhetarëve të mi shqiptarë: – Mos gaboni për t’u krahasuar me askënd në botë apo në Europë. Se nuk qëndron ajo punë dhe do fundoseni në depresion debil dhe në auto-denigrim të vetvetes, pa nevojë dhe pa logjikë, do jetoni me atë kompleks permanent gjithë jetën e juaj. Nisuni nga ideja krejt normale, që neve nuk do jemi kurrë Franca, me 2000 vite kulturë, art, shkencë, institucione, arkiva, biblioteka, akademi, universitete, katedrale, manastire, tempuj, gjurmë arkeologjike antike, muzeume, me 7.000 kështjella më marramendëse njëra sesa tjetra… harrojeni, o vëllezër dhe motra! As nuk do jemi kurrë Anglia, as Gjermania, as Austria, as Spanja, as Holanda, as Italia… Okay?

Është diçka evidente, porse na duhet për ta pranuar dhe për ta asimiluar si një realitet i joni, që në fillim. E pastaj, kemi për detyrë njerëzore dhe morale, për të qenë ata Shqiptarë që jemi, me ato vlera dhe gjurma që i kemi dhe me i bajtur kryelartë si burrat, me i afishuar krejt natyrshëm, pa komplekse dhe me dinjitet. Me i vlerësuar të gjitha ato që i kemi, dhe që me siguri, të tjerët nuk i kanë!

Gjithçka na dallon ne dhe na identifikon si shqiptar, e jo si kinez, turk, suedez, apo ruandez… gjithçka mund të jetë e jona specifike dhe origjinale, diçka unike, dhe e pakopjuar tek të tjerët. MADE IN ALBANIA, e jo in China apo Bangladesh!

Sepse, aty mund të jemi interesantë për të tjerët, në prezantimin tonë të parë. Dhe natyrisht mbi atë bazament identitarë shqiptarë, të asimiluar siç duhet dhe të afishuar pa komplekse idiote dhe të panevojshme (ashtu, siç kam vepruar unë vetë gjithmonë spontanisht dhe krejt natyrshëm, aty ku kam qenë, para mbretit apo dreqit, para amerikanit, anglezit, gjermanit apo francezit… punë e madhe, se jam nisur me idenë, që unë jam ky që jam dhe pikë, dhe nuk do hy në asnjë lëkurë të huaj, kaq!… Jam ai që jam, dhe nuk do e ndryshoj bazën time për askënd mbi këtë botë! Ky ka qenë për mua principi parimorë, baza fillestare, në çdo takim me popujt e tjerë, me personalitetet europiane apo amerikane) e pastaj, mbi ato elemente të mirë fiksuara: në etapën e dytë, na duhet të gjithëve si shqiptarë, për t’i zotëruar në maksimum gjuhët, dituritë, përvojat dhe kulturat e gjithë të tjerëve, në Planetin tokësorë, sepse ja vlen për ne, së pari, sa për t’u kultivuar dhe për t’u pasuruar në maksimum, për t’ia mbaruar vetës qejfin dhe për ta ndier vetën të konsoliduar me diçka interesante. Por edhe ndaj të tjerëve, ja vlen, sepse do respektohemi direkt dhe pa diskutim fare, për çka jemi (pra si shqiptarë)… E pse, sipas jush, kur e kanë një imazh paraprakisht aq negative mbi ne? Pikërisht, sepse tek ju, do e shohin menjëherë, një njeri të edukuar, një personalitet të kultivuar dhe të rafinuar, i cili i njeh perfekt kulturat europiane, metropolet, ritet e zakonet franceze, angleze, italiane, spanjolle, por paralelisht, një person që qëndron mbi bazat e tij dhe që nuk e mohon kurrë veten, për t’ua mbaruar qejfin të tjerëve, nga komplekset që i ka. Pra, francezi apo anglezi dojnë me pa para tyre, dikënd të konsoliduar që është vetvetja, që ka rrënjë, identitet, baza të forta autentike, që nuk luhatet si fleta këndej dhe andej, që dinë për t’u pozicionuar me drejtësi, aty ku duhet, dhe i cili e ka nivelin e kulturës së tyre europiane. Prandaj, detyrimisht, deshi apo nuk deshi: do ju pranon dhe do ju respekton, se nuk ka alternativë tjetër. Pse, sipas jush e kanë respektuar dhe dashur Faik Konicën në Paris, apo Fan Nolin në Amerikë? Sepse, i kanë pasur pikërisht këto kualitete, e nuk janë prezantuar për çka nuk janë.

Edhe unë, do e respektoj një afrikanë apo aziatik, që vjen me një bazë të tij autentike para meje, por edhe që ma njeh mua kulturën time evropiane paralelisht… por, jo një majmun afrikanë apo aziatik, i cili më paraqitet si imitues banal i Europës apo i Amerikës. Prandaj, i kam dashur autorët afrikanë si Leopold Senghorin, Aimé Cézaire, Alain Mabamkou, apo krijuesit aziatik si Kurosawa, Ozu, Mizogushi, Oshima.

Kopja, apo imitimi, nuk mund të jenë kurrë origjinali… a jemi dakord?

Nderime dhe respekt zoti STRAUSS, aty ku je dhe faleminderit për çdo gjë! /Fund

Bruksel, me datën 12 janar 2023

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat