Lirikë e shpresës dhe refuzimit estetik

Kultura

Lirikë e shpresës dhe refuzimit estetik

Nga: Bota sot Më: 21 janar 2023 Në ora: 15:53
Kopertina e librit me poezi “Ëndrra pa qiell” me autor ma.sc. Mexhid Havollin

Poeti Mexhid Havolli duke shtrirë temat në rrafshin poetik, krijon lidhshmëri mes cikleve, të cilat kanë nëntituj të vet librit. Ciklet poetike: Autoportret guri, Letërnjoftim, Në fund të ditës, Shi zhurmues, Hapma derën, janë në komunikim të thellë si nga temat po ashtu edhe nga emocioni i përbashkët. Se kanë një lidhshmëri funksionale dhe lirizëm të përbashkët, e dëshmon vet emërtimi i tyre në funksion të ideve dhe ecjes së tyre në poezi, të këtij lirizmi që nga fillimi deri në poezinë e fundit.

Autori përpiqet që në funksion të ideve poetike dhe në funksion të demaskimit të vërtetësisë, këtë lirizëm ta përafroj te lexuesi në mënyrën më të mirë të mundshme, me tema të cilat kanë emërues të përbashkët, si koncept unifikues, shpresën.

Kjo metaforë përdoret në përgjithësi, për të zgjuar idetë ekzistenciale brenda poezisë, që frymon duke luftuar me disa modele të dilemave, që marrin funksion tjetër, atë të refuzimit poetik. Këtë ndjesi poetike e vërejmë që nga poezia e parë e ciklit të parë Autoportret guri. Në këtë poezi, me pak vargje arrihet të pasqyrohet një element shumë i rëndësishëm, simbioza e njeriut me gurin. Ky element flet shumë, pasqyron një lidhshmëri poetike mes lumit, viteve dhe gurit. Janë këto tri elemente qenësore të ekzistencës, qëndresës nëpër kohë. Në funksion të këtij pasqyrimi poetik, janë edhe poezitë: Pritje, Gurgullimë, duke kaluar në hapësirën poetike të poezisë Dilemë me Diademë, që krijon një lloj refuzimi të brendshëm dhe gjithherë në shërbim të lirizmit shpresëdhënës edhe pse kjo poezi përfundon me një kohë që të përlotë. Autori e përdor këtë me mjeshtri, dhe qëllimisht në funksion të plotësimit të hartës poetike në përgjithësi. Gjatë udhëtimit në tekst, ai zotëron këtë afinitet, duke i dhënë secilit varg vlerë letrare dhe duke shpërfaqë afërsi me vlerat humane.

Fatin e personazhit lirik, autori e paraqet më së miri në poezinë e ciklit të dytë me të njëjtin titull, Letërnoftimi. Kjo poezi nëpërmes vetës së parë, përçon porosi estetike të fatit kolektiv. Në funksion të këtij mendimi poetik, është edhe poezia Liria, e cila ka një veçanti lirike. Ka diçka që, lirisë i këndohet në mënyrë tjetër. Dialogohet me të dhe nxirret përfundimi ekzistencial. Autori përdor një lojë të veçantë letrare, për të arritur qëllimin e vet në shpërfaqjen e lirisë apo të mungesës së saj. Këtë e dëshmon edhe poezia Beteja e ditëve të shkuara, e cila ruan sakrificën për të arritur tek qëllimi. Më do Hana, është një poezi e ngrohtë, dhe shfaq një dashuri, e cila paraqitet me një lojë poetike.

Cikli Nga dritarja ime, është i karakterit refuzues estetik. Nekrolog për një dashuri, Ngjyra ëndrrash, Një ditë proteste, Plani urbanistik, flasin me një gjuhë të përbashkët, me një përjetim të përbashkët dhe fat të përbashkët. Dallon poezia Pikërisht atë ditë, si dhe Dilemë e vjetër, ku idetë poetike kalojnë në hapësirën e pikëpyetjeve të mëdha.

I njëjtë është edhe përjetimi estetik në ciklin Shi zhurmues. Do të ndalesha vetëm te poezia Teoremë për ne, e cila ka një botë specifike të lirizmit. Ajo flet për një trekëndësh jashtë të cilit vështirë të dilet. Jetohet si jetohet brenda tij por, ka në brendësi kundërshtimin e një situate të tillë shekullore, një jetë refuzuese brenda kësaj pamundësie.

Hapma derën, është cikli i fundit ku fillon me poezinë me të njëjtin titull. Është kërkesë për ndryshim të brendshëm, për një shpresë të re. Vazhdon me poezinë Ëndrra pa qiell, që është edhe titulli i librit ku autori paraqet ëndrrat e përbashkëta në funksion të dhimbjes, dashurisë, kërkesave dhe dëshirave të parealizuara.

Në rrafshin horizontal temat kanë një lidhshmëri organike, krejt kjo në funksion të porosisë letrare. Një libër që dëshmon një pjekuri të lart letrare. Poeti Mexhid Havolli, tashmë ka krijuar emrin e tij në poezinë shqipe, dhe me këtë libër dëshmon, veçantitë dhe origjinalitetin poetik dhe krijues.

Ps. Nga recensioni për librin e sapo botuar “Ëndrra pa qiell”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat