Doli nga shtypi libri më i ri i autorit Enver Bytyçi, “Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore”!

Kultura

Doli nga shtypi libri më i ri i autorit Enver Bytyçi, “Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore”!

Më: 22 maj 2023 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Për të shkruar këtë libër ideja më ka lindur kur isha emigrant politik në Gjermani, gjatë kohës kur ndodhën ngjarjet në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, provinca këto të Gjeorgjisë, të cilat asokohe (2008) iu shkëputën asaj me forcë nga ana e Rusisë dhe kryeministrit të saj, Vladimir Putin. Pas ngjarjeve në Gjeorgji të vitit 2008 erdhën ato në Ukrainë në shkurt-mars 2014, kur Moska aneksoi Krimenë, si dhe nisi kryengritjen e ashtuquajtur të “separatistëve” të Donbasit për shkëputje nga Ukraina. Në këtë moment u binda plotësisht se duhej ta shkruaja këtë libër.

Prandaj nisa të mbaj shënime e të përzgjedh literatutë. Krijova gjithashtu një arkiv të përditësuar të zhvillimit të ngjarjeve në Ukrainë dhe Krime sidomos nga mediat në gjuhën gjermane. E ndërkohë krijova bazën e literaturës dhe të dhënave sa i përket edhe aspekteve të tjera që do të duheshin trajtuar në këtë libër. Nuk e përfundova në kohë këtë studim për dy arsye: Së pari dhe kryesore, sepse më tërhiqte zhvillimi i ngjarjeve të reja dhe doja që arkiva të pasurohej me to. Sapo doja t’i jepja fund shkrimit më lindnin ide dhe mendime të reja si rezultat i zhvillimeve që po ndodhnin rishtazi. Mund ta përfundoja p.sh nga fillimi i këtij viti, por ndodhën ngjarjet e paralajmëruara që në janar dhe sulmet ushtarake të Rusisë të 24 shkurtit 2022 kundër Ukrainës.

Dhe së dyti, sepse gjatë kësaj periudhe m'u desh të shkruaj dy libra tjerë, librin monografi "Sistemet dhe institucionet e krahasuara të qeverisjes" (2017) dhe librin tjetër monografik e periodik "Kosova e rrezikuar nga Serbia e Madhe" (2019 në shqip dhe 2020 në anglisht). M'u desh gjithashtu të përgatisja për botim në anglisht librin tjetër "In the Shadoës of Albania-China Relations (1960-1978), i cili u botua nga Cambridge Scholars Publishing në Londër në shkurt të vitit 2022. Më në fund ky libër, "Gjeopolitika ruse në Europën Lindore dhe Juglindore", gjeti më në fund rrugën e botimit. Shpresoj që të bëhet edhe pjesë e bibliotekave të vendeve të ndryshme në botë, veçmas atyre evropiane dhe amerikane, me qëllim që të shërbejë për studiuesit e huaj, si burim të dhënash, faktesh dhe provash të argumentuara për këtë temë. Sigurisht që për këtë do të duhet përkthimi në gjuhën angleze dhe bashkëpunimi me Cambridge Scholars Publishing të Lindrës.

Me Cambridge Scholars Publishing kam tashmë kam një histori suksesi pas botimit të dy librave të tjerë të mitë" "Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo" dhe "In the Shadoës of Albania-China Relations (1960-1978). Teza që unë mbroj në këtë libër lidhet me impaktin e influencës dhe ndikimit rus në rajonin e Europës Lindore e Juglindore. Në një farë mënyre përpiqem të provoj se kjo prezencë është edhe burimi i konflikteve të shumta në gati dy shekujt e fundit, sidomos në Ballkan, por edhe në pjesë të tjera të këtij rajoni. Teza ime ka të bëjë me atë se faktori rus në Europë ishte dhe mbetet një faktor destabilizues dhe dezintegrues për të. Se raportet e Moskës me Europën Lindore dhe Juglindore kanë qenë dhe mbeten ende raporte interesash të kundërta në vlera dhe në qasje me ato të Europës Perendimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe se raporti I Rusisë me këtë pjesë të kontinentit europian është raport kryesisht diktati dhe imponimi, përjashtuar ndonjë vendi, si Serbia, e cila me dëshirën e saj vazhdon të mbetet e ankruar në anijen ruse. Në elaborimin e kësaj teze nisem nga parimi i të drejtës së popujve dhe shteteve për të përcaktuar vetë ato e me vullnet të lirë përkatësinë, aleancat, lidhjet, marrëdhëniet dhe strategjitë e tyre të zhvillimit, pa cënuar në asnjë rast finjin e tyre. Rusia është një vend që nuk i qaset këtij parimi. Ajo bën presion dhe diversion të vazhdueshëm, sidomos ndaj fqinjëve të saj, që të rikthejë atë që Brezhnjevi e quante "sovranitet i kufizuar", kur u referohej aleatëve të tij në vendet lindore komuniste.

Pikërisht në këtë aspekt zhvillohet e gjithë lënda e këtij libri, duke analizuar ngjarjet, fenomenet, konfliktet, përplasjet politike e diplomatike, shkaqet dhe njëkohësisht duke ritheksuar pozicionin që duhet mbrojtur nga vendet dhe kombet e lira të rajonit europiano - lindor e juglindor. Principet nga jam nisur për të elaboruar tezën timë në këtë monografi janë disa: Së pari, i kam kushtuar vëmendje përmbajtjes, logjikës në argumente dhe në ilustrimin me të dhëna e me fakte. Racionaliteti dhe logjika janë elementët themelorë të çdo punimi serioz monografik. Por kjo nuk do të thotë se unë jam ose do të duhej të isha i paanshëm. Paanshmëria në konceptin tim është utopi, është thirrje për të paralizuar mendimin kritik dhe të pavarur. Paanshmëria është gjithashtu konformizëm.

Dhe konformizmi nuk çon asnjëherë te e vërteta. E vërteta dhe konformizmi nuk shkojnë bashkë. Ndërkaq, njëanshmëria ime në këtë trajtesë buron nga bindjet e mira. Pra nuk buron nga asnjë lloj ndikimi subjektiv i jashtëm. Eshtë diçka e brendëshme, një ndjenjë, të cilën nuk ma ka injektuar askush, përveçse ndërgjegja ime, madje e ngjizur në koshencën dhe nënkoshiencën time jo vetëm nga leximi, por edhe nga përvoja. Kjo do të thotë se trajtesa në këtë monografi është e vërteta ime, të cilën përpiqem ta dëshmoj dhe provoj me sa më shumë fakte, të dhëna, argumente logjike, citime, krahasime dhe përqasje ngjarjesh, fenomenesh, shifrash e personazhe! Së dyti, në shkrimet e mira, përfshirë dhe këtë monografi, nisem nga parimi që të mund t’i shkoj deri në fund argumentit dhe arsyetimit të tij. Në këtë rast përpiqem të kombinoj përvojën me teoritë, literaturën me idetë. Madje edhe me ligjin e së drejtës njerëzore, shtetërore e ndërkombëtare! Në këtë aspekt kur shkruaj lirohem nga autocensura.

Që të realizohej kjo duhej të skedoja shumë fakte nga eksperienca ime, por edhe nga literature e shumëllojshme. Së treti, një monografi cilësore nuk mjafton të shkruhet sipas logjikës së vet e në mënyrë racionale. Kjo është njëra anë. Ajo që ka shumë rëndësi për lexuesin, lidhet me mënyrën se si shkruan. Unë përpiqem të shkruaj kuptueshëm. Këtë kam tentuar ta bëj edhe në këtë monografi. U urrej tjerrjet dhe fjalitë e pakuptueshme, me dy ose shumë kuptime, me metafora dhe batuta të interpretueshme. Metodikisht nuk më pëlqen që lexuesi të shpërqëndrohet në pyetjen; Çfarë ka dashur të thotë autori me këtë?! Sepse monografia nuk është letërsi, abstragim, fantashkencë. Eshtë shkencë gati e krahasuar me shkencat ekzakte. Së katërti, gjuha e shprehjes shkon në hamoni me strukturën e monografisë, të kapitujve, temave brenda kapitujve dhe deri me frazat, fjalinë dhe fonetikën. Të vendosësh në vendin e vet çdo pjesë të kësaj strukture është art më vete. Por në të gjithë këtë harmoni strukturale, për mua merr peshë fjala në fjali. Një fjali e shkurtër, e lidhur gjithashtu me para dhe pasfjalinë tjetër, është kusht i domozdoshëm që të jesh i kuptueshëm për lexuesin. Dhe të jesh i kuptueshëm për përdoruesin e librit tënd, do të thotë t’i japësh atij mundësi që të të kundërshtojë në ide, argument dhe në formën e të shkruarit. Kritika në Shqipëri është e pazhvilluar. Ne përballemi me një lloj kritike të njëanshme.

Ose përmes kritikës bëhet reklamë për librin, çfarëdolloji të jetë ai, ose marrim dhe e nxijmë atë. Dhe ka raste, kur kritikë quajmë atë punim që merret me autorin dhe jo me produktin e autorit. Për ta parandaluar këtë fenomen më është dashur të bëj shumë kujdes që mendimi të jetë logjik, i ndërvarur, i arsyetuar, logjik dhe vlerësimi i ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve të bazohet në sa më shumë alternativa. Koncepti estetik i paraqitjes së fjalës në monografi dhe i monografisë si një tërësi ka shumë rëndësi. Ndaj dhe në këtë aspekt kam bërë kujdes të veçantë. Etika në të shkruar dhe estetika në formulimin e fjalës së shkruar për mua përbëjnë një korrelacion të pazgjidhshëm. Pa këta dy elementë nuk do të kishte një studim të mirëfilltë dhe aq më pak të provohej teza, së cilës unë i përkushtohem në këtë monografi. Sigurisht që lexuesi ballafaqohet me një lloj konflikti mendimi dhe arsyetimi kur lexon një monografi si kjo mbi gjeopolitikën ruse në Europën Lindore dhe Juglindore.

Kjo ndodh, sepse jo çdo lexues është i informuar hollësisht për të shkuarën dhe të sotmen e zhvillimeve në këtë fushë e posaçërisht për këtë hapësirë, për të cilën bëhet fjalë në libër. Ka lexues, të cilët janë ballafaquar me një literaturë të pashfrytëzuar në këtë libër. Ka nga ata, ndonëse besoj se janë të paktë, të cilët kanë krijuar steriotipet e tyre kur bëhet fjalë për këtë temë dhe për këtë rol të Rusisë si Fuqi e Madhe! Por në fund të fundit, në këtë monografi secili do të gjejë diçka origjinale. Do të gjejë lidhjen midis asaj çfarë ka ndodhur në histori e deri te ngjarjet e personazhet e sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat