Mullinjtë dhe Valanica dikur ishin zeje fitimprurëse në Opojë e Gorë

Kultura

Mullinjtë dhe Valanica dikur ishin zeje fitimprurëse në Opojë e Gorë

Nga: Valent Qafleshi/Historian Më: 28 maj 2023 Në ora: 17:58
Foto ilustrim

Mullinjtë në Opojë e Gorë Ujërat e bollshëm e të rrëmbyeshëm favorizonin ndërtimin e funksionimin e mullinjve. Dikur mullinjtë në Opojë e Gorë kanë qenë pjesë e ekonomisë familjare dhe përbërës të peizazhit dhe arkitekturës rurale. Mullinjtë janë ndërtuar në ambientet natyrorë, pranë burimit dhe lumenjve. Secili fshat i kësaj komune ka pasur një e më shumë objekte të tilla, në një natyrë shumë të bukur. Në mullinj janë bluar drithërat e korrur nëpër arat e fshatrave opojane e gorane, për të bërë më pas miell për bukë, që ka qenë ushqimi kryesor për popullatën e kësaj ane. Mullisi i zbardhur kokë e këmbë nga mielli, ka pasur një pamje mbresëlënëse. Që të bënte punën e tij, mullisi duhej të ishte i fortë, pasi tërë ata thasë me miell duhej ngritur dhe transportuar gjatë gjithë jetës. Zeja e mullisit është po aq lashtë sa edhe bujqësia. Po ashtu kjo zeje ishte një profesion që respektohej dhe zakonisht trashëgohej nga babai tek i biri.

Mullinxhinjtë, për drithin e bluar kanë marrë një pjesë të drithit që është quajtur “ujem”, me të cilën kanë siguruar kafshatën e gojës për familjet e tyre. Mulliri në të hyrë të qytezës së Dragashit Konstruksioni i mullirit Mullinjtë viheshin në funksion me anë të ujit, ngase uji ishte burimi më ekonomik dhe më i sigurt i energjisë për të vënë në punë gurët e mullinjve. Nga lumenjtë që kalonin afër fshatrave janë ndërtuar sisteme kanalesh që quheshin “Jaz”, që shërbenin për të drejtuar dhe rregulluar sasinë e ujit që shkonte deri të lugu i mullinjve. Disa jaze ishin 20 metra të gjata e deri në një kilometër dhe furnizonin me ujë disa mullinj të vendosur përgjatë tyre. Ndërtesat e mullinjve kishin çati dhe mure të forta guri. Uji lëshohet nëpër lug druri i ndërtuar enkas për këtë veprimtari, i cili e vë në lëvizje qarkun me lopata druri, ky çark e vënë në lëvizje çarkun e dytë që e lëvizë gurin e sipërm të mullirit.

Mekanizmi i mullirit Janë dy gurë, një gur i sipërm, dhe një gur i poshtëm. Guri i poshtëm ishte i palëvizshëm, ndërsa guri i sipërm rrotullohej për të bluar grurin kur ai kalonte midis tyre. Rrota më dhëmbëza është i ndërtuar nga druri shumë i fortë. Të bëje rrota me dhëmbëza ishte një punë e vështirë, jo vetëm për shkak të formave të ndërlikuara, por edhe sepse dhëmbëzat duhej të ngërtheheshin plotësisht me njëra - tjetrën. Struktura e këtyre rrotave bëri që pjesët e tjera të makinës bluese të rrotulloheshin më shpejt. Trokitja ritmike e këtyre rrotave me dhëmbëza u jepte mullinjve atë zhurmën e tyre karakteristike. Trokitja ritmike e tërrklimave me dhëmbëza të mullinjve mund të dëgjohej nëpër të gjithë shtëpitë për rreth mullinjve. Në vend që të prishte qetësinë, zhurma dukej se ia shtonte bukurinë fshatrave piktoreske në Opojë dhe Gorë. Mulliri zinte një pjesë të rëndësishme në jetën ekonomike të banorëve të kësaj komune. Në ato ditë, për gruan e mullisit ishte zakon të piqte një bukë erëmirë menjëherë sapo mielli bluhej. Mullinjtë sot Me kalimin e kohës, zanati i mullisit nuk ushtrohej më në Opojë dhe Gorë. Mullinjtë u modernizuan dhe mekanizmat blues që viheshin në lëvizje nga uji, ua lanë vendin motorëve elektrikë. Disa mullisë u përpoqën ta ruanin me çdo kusht mënyrën tradicionale të jetesës, por bluajnë vetëm ushqim për kafshë, jarmë dhe krunde e herë - herë edhe misër për gatimin e bukës së misrit dhe ëmbëlsirës tradicionale opojane, tatlisë.

Valanica (Valavica) në Bellobrad të Opojës

Valanica (Valavica) e vetme në fshatin Bellobrad Valanica e Bellobradit apo Valavica siç quhet në të folmen e Opojës, gjendet në pjesën juglindore të fshatit Bellobrad, në breg të jazit të lumit të Opojës, i cili kalon në afërsi të këtij fshati. Kjo valanicë është ndërtuar para vitit 1800.

Ndërtuesi i parë i kësaj valanice, e cila edhe sot e kësaj dite është në funksion, ishin paraardhësit e familjes së Shefikëve, të cilët atëbotë të vetmin burim të ekzistencës e kishin pasur mullirin dhe Valanicën.

Nga fitimet që merrnin nga kjo Valanicë, kjo familje, ishte njëra ndër familjet më të pasura në Opojë. Me shtypjen e zhgunës që bënte kjo valanicë, deri në vitet shtatëdhjeta atëherë edhe kur filloi migrimi në botën e jashtme, furnizoheshin të gjithë fshatrat e trevës së Opojës, Gorës, Vërrinit, Dukagjinit (Podrimjës) dhe një pjesë e fshatrave të Tetovës dhe Gostivarit.

Uji nga lugu e vë në lëvizje çarkun e çarku tërë mekanizmin e valanicës Objekti dhe konstruksioni Valanices Muret e jashtme të vetë objektit, janë 10 m X 7 m, ato janë të ndërtuara nga guri dhe lloçi (baltë e përzier me byk e ujë), gjurmët e të cilëve shihen edhe sot e kësaj dite. Pullazi në vazhdimësi ka qenë i mbuluar me kashtë të thekrës, pasi që nuk kishte mundësi tjera. Vitet e fundit ka filluar të përdorët edhe llamarina si mjet për mbulimin e kësaj Valavice.

I tërë konstruksioni i Valavicës, është i ndërtuar prej drurit të ahut, i cili jo vetëm që gjendët me bollëk në këto anë, por edhe është më i përshtatshmi për t’i rezistuar ujit. Kjo Valanicë është e përbërë prej çarkut të ndërtuar prej pjesës së poshtme të trungut të ahut. Në të janë të vendosura 24 fletë me dimensione 25 cm X 20 cm. Në këtë çark bie uji nga lugu, i cili edhe e vë në lëvizje të tërë valanicën. Mullari ose boshti, i cili kapet me çarkun dhe përcillet tek trumbetat, që duke u sjell në katër faqe, hapin “pirajkën” së bashku me çekanin, e vënë në funksion punën e valanicës. Çekanët janë dy me dimensione: me gjatësi 1 metër e 20 cm, gjerësi 40 cm dhe lartësi 40 cm. Pesha e një çekani është afro 90 kg. Bishti i çekanit. është me gjatësi 3 metër e 50 cm, trashësi 12 cm X 10 cm. Çekanët, në pjesën e brendshme janë të dhëmbëzuar dhe bëjnë kapjen e zhgunit për të bërë rrotullimin e tij dhe shtypjen apo ngjeshjen nga të gjitha anët një lloj. Çekanët përforcohen për shpinën e valavicës, e cila është e gjatë mbi katër metra. Zhguni që ngjeshët, duhet së paku të jetë i gjatësisë 120 kuti (një kuti është i përafërt me 80 cm) dhe paraprakisht para se të vendosët në arkë të lagët dhe e tërë sasia të qepet në formë të katrorit. Arka është e gjerë 90 cm.

I tërë dimensioni i valavicës është 6m x 6m, duke e përjashtuar pjesën e jashtme, e cila është me gjerësi prej tri metrash dhe shërben për të sjell ujin brenda në Valanicë. Pengesë për punën normale të valanicës paraqesin vetëm kohërat me acar dhe me akull të madh. Sasia e ujit, e cila e venë në funksion valanicën duhet të jetë sa e dy mullinjve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat