Modestia e tij ka bërë që shumë qytetarë moa të dinë për aktivitetin, vuajtjet e tija.Por, Ismail Mehmeti nga Uglari i Gjilanit ka një biografi të pasur atdhetare e kombëtare. Është rritur në frymën familjare të atdhedashurisë, në një frymë kushtrimi e respekti për çdo iniciativë kombëtare.
Sakrifikoi e rrezikoi vetën e familjen për të vetmin qëllim e synim që Kosova sot, gjenerata e reja dhe brezat e rinj të jenë të lirë e të pavarur. Ishte i dënuar me 5 vite burg në vitin 1993 për aktivitetin e tij si Anëtar i Shtabit Komunal të Ferizajt, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës (MMRK).Më 21 Mars1997 del nga Burgu i Dubravës, ku mbajti 3.6 vjet burg.
Ditën kur u arrestua ishte i ftohtë, ditë të cilën Ismaili nuk e harron asnjëherë.
“Nuk e harroj lehtë as datën e arrestimit, e as datën e kthimit në shtëpi. Janë momente dhe emocione të përziera sepse arrestimi ishte shumë vulgar, shqetësoheshin familja, farefisi e miqtë, kurse dalja nga burgu ishte një akt triumfues për mua dhe shokët, që qëndruam në burgje të keqtrajtuar e munduar nga metodat e egra të atij regjimi kriminal” shprehet Ismail Mehmeti.
Mehmeti thotë se këto vite burg ia ndërprenë realisht ëndrrat profesionale dhe zhvillimet tjera, por ka fituar një vlerë të madhe e të rëndësishme, në rrafshin kombëtar sepse koha ishte e tillë dhe kërkonte njerëz me ndërgjegje të pastër kombëtare.
Veprat e tija kanë bërë që Ismail Mehmeti të mbetet figurë e respektuar nga të gjithë qytetarët e Ferizajt ku edhe jeton në fshatin Bibaj, por edhe nga të gjithë që njohin ate. Njerëz si Ismail Mehmeti janë heronjtë të heshtur, të paekspozuar por të respektuar dhe meritorë për lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë sot.