Laureta Rexha, një pete që zbërthen komplekset e jetës në dimensione të ndryshme

Kultura

Laureta Rexha, një pete që zbërthen komplekset e jetës në dimensione të ndryshme

Nga: Tahir Bezhani Më: 8 prill 2025 Në ora: 09:12
Kopertina

Para disa ditësh autorja me dhuroi librin “Verë me diell të djegur” me dedikim, të cilin e pranova me kënaqësi dhe dëshirë për lexim. Këto ditë, sipas një “rregulli” të leximit me radhë të librave të miqve dhe mikeshave, krijues-e të artit poetik, lexova librin me një kënaqësi të veçantë, me që përafërsisht, njihja talentin e kësaj poeteje të re e me entuziazëm prej krijueseje me talent të spikatur.

Shkrimtari i madh Kolen thotë: “Njeriu përbëhet nga gjërat që kanë kaluar, para se të arrijë aty”. Në këtë kuptim, dua të them se e njihja që moti familjen e poetes, prindërit intelektualë, gjyshi ishte një gojëtar me autoritet odash, i fjalës së mirëfilltë, me brumin e traditës dhe edukatës familjare. Prandaj, edhe kjo bimë nga trungu i traditës sonë kombëtare, do mbetet një vazhdimësi me të gjitha mirësitë trashëguese e respekt, jo vetëm në Rekën e Keqe, por në mbarë vendin.

Kush është Laureta Rexha?!

E lindur me 1993 në fshatin Dobrosh të Gjakovës, e brumosur me dije universitare, ka mbaruar Bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e “Hasan Prishtina” ,dega në Gjakovë, ku ka vazhduar me Master në letërsi Angleze . Merret me përkthim të poezive dhe hulumtimeve të ndryshme letrare e shkencore. Autore e katër veprave letrare me poezi.

Libri poetik “Verë me diell të djegur,” botuar në vitin e kaluar, është një libër poetik me vlera të veçanta, ku vargjet e poetes të drejtojnë në shumësinë e këndvështrimeve jetësore. Nga ku jeta ka burimin në rrjedhat e normale, pastaj teksa degëzohen përplasjet e valëve të jetës, në shtratin me shumë dredha e me sakrifica për ekzistencë

Intuita e poetes depërton deri në thellësi shpirti, atje ku syri shikon thellësitë dhe zemra dëgjon dhimbjet, duke gjurmuar e shijuar gjithë koloritin e jetës, atë plazmë dedikuese ku përplasen emocionet e brendshme njerëzore, për të mësuar e kalitur strategjinë e një rrugëtimi me plot sfida.

Laureta Rexha, autorja e librit “Verë me diell të djegur”

Autorja e librit, Laureta Rexha që në poezinë e parë, ”Rrethimi”, plas cipën e durimit mbërthyer me vargje alternative, mes dashurisë për vendin, ”ku me lule jam rrethuar” dhe pakënaqësisë së ecurive jetësore, ”nën këmishë të gjatë, të zezë/vetja ime ka zënë vend thellë diku në mua,” dhe guximit për të arritur atje ku synon imagjinata e saj, në emancipimin e kuptimplotë të femrës shqiptare si domosdoshmëri kohe.

Prandaj e mbyll mendimin me vargjet “ Dhe në një udhëtim të shkurtër/ Një premtim shumë kohë më parë asaj ja pata dhënë/Prandaj vetja ime asnjëherë nuk më ka lënë!”

Guximi, durimi e vetëdija janë tipare që mbartin kohën në vargjet e poetes Laureta Rexha. Këtë qëndrim autorja e mban edhe në poezinë “Aromë Lulesh”, duke u përpjekur që ta korrigjojë veten në rrugëtimin e saj, shkruan: ”Kalimi nëpër stinë të jetës/athua më kishte pjekur a venitur!..”

Një tjetër poezi nga libri “Vargje me diell të djegur,” ku poetja i rikthehet të kaluarës së saj me nostalgji , plot krenari për arritjen në dyert e dijes universitare, në atë metropol të universit të dijes . Këtë emocion nostalgjik e lexojmë në poezinë mjaft të ndjeshme, ”Vajza me xhaketë të kuqe ”,ku pos tjerash vargëzon:

“ Do të jam prapë ajo/vajza me xhaketë të kuqe/që vrapon stacionesh/që ëndërron për jetën/ajo vajzë nuk ka frikë për asgjë.”

Padyshim, një guxim dhe vetëbesim në vetveten, për femrën shqiptare, për kohën e re dhe emancipimin e gjinisë femërore në vendin tonë. Një guxim në ecje përpara si shoqëri njerëzore, për t’u futur në rrjedhat e botës përparimtare .

E ngjashme, akoma më brilante është poezia “Këto vajza” përmes së cilës nxjerr krahasimet kohore dikur dhe sot, kur emancipimi i femrës ka arritur kulmin e përparimit njerëzorë.

“Toka ime,” një poezi e denjë ku vargjet rrjedhin spontanisht si një “betim” imanent ndaj vendit, ndaj atdheut posaçërisht në vargjet e fundit:

”Do të shkruaj në tokën time/Në atë vetëdije/Derisa me Tokë të bëhem një”.

Përcaktimi i saj ideor për atdheun e kombin, ka vlerën e padiskutueshme për autoren Laureta Rexha, është çelësi i çdo lëvizje hapësinore, gjë që poeten dhe poezitë e saj e bëjnë të qëndrueshme e të respektuar.

Duke hedhur mendimin vështrues në gjitha poezitë e librit “Verë me diell të djegur” të autores Laureta Rexha, nuk mund të kalohet pa dhënë mendimin personal mbi përcaktimet filozofike të ngjeshura brenda botësisë personale të autores; ose çfarë i paraprin asaj në synimet e saja jetësore.

Megjithëse autorja është në hapat e parë të krijimtarisë poetiko-letrare e kjo nuk do të thotë se nuk do ndryshojë qëndrimet, vlerësimet mbi jetën e tjera gjëra që imponohen me kohën, dua të cek se në këtë libër, por edhe në dy të mëparshmet, temë bosht e qëndrimit e drejtimit të filozofisë jetësore është besimi në Zot. Qëndrimi ndaj shpirtit dhe qëndrimi ndaj materies janë tema të filozofisë së kahershme dhe e drejtë e secilit njeri në rruzullin tokësor.

Në poezinë mjaft përmbajtësore, “Përse nuk e kam të vështirë të jem e fortë,” poetja shpreh gjithë egon e saj ndaj botës që e rrethon nga brenda e jashtë vetes. Vetëm tek ai besim autorja gjen çerdhen e qetësisë se saj shpirtërore. Sa e qetë ndihet shpirtërisht me vargjet e saja kur shkruan:

” Jam mësuar me qetësinë/ Me paqen brenda vetës/ Dhe me një mbretëri shpirtërore/ Që ngritët e forcohet vazhdimisht /Nuk ka qenë çdoherë kështu/ Që stinët që ndryshojnë/ dalëngadalë u bëra gur? As dhimbja shumë nuk më dhemb /Nga ajo ditë /Të jem e fortë nuk e kam problem”.

Mendoj se një portretizim ndaj besimit në Zot paraqet atë plebishitin personal se çeshtja e materies është shpenzuese, ndërsa aspekti shpirtëror si i pavdekshëm.Në këtë prizëm i kuptoj dhe vlerësoj disa poezi të autores nga libri në fjalë.

Libri poetik “Verë me diell të djegur” i autores Laureta Rexha, ka vlerat e padiskutueshme në çdo aspekt letrar, duke u nisur nga gjuha, stili, komponimi i vargnimit, stili si individualiteti përcaktues e autorial e shumë elemente tjera të qëndrueshme. Pra, ky libër është edhe një pasuri në sfondin poetik të poezisë shqipe, një pasuri në bibliotekat tona.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat