Më 1 korrik 2024 u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqipe dhe një nga figurat më të njohura të penës në mbarë botën.
Sot, një vit më pas, emri i tij vijon të jetojë jo vetëm në librat që la pas, por edhe në kujtesën kulturore të një kombi që ai e përfaqësoi me dinjitet dhe forcë në çdo rresht të shkruar.
Kadare ndërroi jetë në Tiranë, si pasojë e një arresti kardiak, mëngjesin e 1 korrikut. Lajmi tronditi botën e letrave dhe u pasua me homazhe të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë. Autoritetet shqiptare shpallën ditë zie kombëtare, ndërsa nderimet zyrtare u zhvilluan në Pallatin e Kongreseve.
Romani i përkthyer në mbi 45 gjuhë, ishte i pari shqiptar që u nderua me çmimin “Man Booker International” në vitin 2005, ndërsa për dekada me radhë u përfol si pretendent për çmimin “Nobel në Letërsi”.
Veprat e tij si Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Pallati i ëndrrave e dhjetëra romane e ese të tjera, e vendosën Kadarenë si një zë të veçantë në letërsinë botërore, një zë që fliste për absurditetin e diktaturës, dramën e ekzistencës dhe kompleksitetin e historisë shqiptare.
Pas vdekjes, trupi i tij u përcoll për në Varrezat e Dëshmorëve, me një ceremoni që mblodhi personalitete nga bota e politikës, artit dhe letërsisë.
Një vit më vonë, biblioteka shqiptare ndjehet më e pasur falë trashëgimisë së tij, por edhe më e vetmuar pa zërin që i dha formë ndërgjegjes kulturore shqiptare për më shumë se gjysmë shekulli.