Besimtari

Kultura

Besimtari

Nga: Agim Vuniqi Më: 4 tetor 2026 Në ora: 18:13
Agim Vuniqi

Në fillim ishte frika; pastaj erdhi pyetja,
një kafshë që dridhej kërkonte shpjegim e mbrojtje.
Kur nata vuloste tokën dhe bubullima tundte qiellin,
njeriu pyeste kush e lëviz botën, kush ia ndërtoi qiellin.

Rrufeja çante kupën; toka nën këmbë dridhej,
vërshimi baltën me ujin nëpër fusha e përziente.
Zjarri ngrihej si diell që nga qielli kishte rënë,
dhe e panjohura fytyrën e një zoti kishte vënë.

Njeriu s’e njihte ligjin që natyra mbante,
prandaj çdo plagë e kthente në vullnet e urdhër hyjnor.
Aty ku dija linte boshllëk, besimi ndizte zjarr,
aty ku frika kërkonte strehë, ngrihej altar.

“Zot ka!”—thirri njeriu dhe ngriti një gur,
gurit i dha një portë, portës i dha një mur.
“I bardhi! I ziu!”—u përplasën zërat në erë,
sikur qielli të ndahej sipas ngjyrës së njerëzve në tokë.

Abrahami ecte nën yje, me sytë plot dritë,
tri udhë pas tij ndiqnin të njëjtën pritë.
Nga dheu ngrihej lutja si tym i hollë,
nga qielli zbriste heshtja, e rëndë si plumb e si mall.

Mes njeriut dhe Zotit mbeti pyetja e vjetër:
a lind besimi nga e vërteta, apo nga frika tjetër?
A kërkon njeriu Zotin që natën ta kuptojë,
apo krijon një Zot që errësira të mos e trembë e sundojë?

Pastaj erdhën vulat, urdhrat, drynat e çelësat:
“Mos pyet! Mos prek! Na beso, përkulu në gjunjë!”
Brunon e bënë pishtar në shesh, nën qiellin e zi,
por mendimi i tij doli nga hiri dhe mësoi terrin të ndriçojë përsëri.

Galileut ia qepën gojën me penj të zinj,
por Toka vazhdoi të rrotullohej nën këmbët e tyre.
Mbyllën një zë, jo rrotën e qiellit në udhëtim;
yjet s’pyetën për burgun, vazhduan zbulimin.

Skëterra s’ishte metaforë në faqet e një libri,
por bodrum me pranga, me dryna për shpirtin e lirë.
Numëronte çdo hije, kontrollonte çdo frymë,
dhe bindjen e quante virtyt, ndërsa stërviste vdekjen në errësirë.

Pastaj erdhën telat, kampet, numrat e ftohtë,
emri njerëzor u tret në makineri pa lot.
Njeriu u bë shifër, jeta u bë rresht,
vdekja veshi uniformë dhe tha: “Rregulli është i drejtë.”

“Darvinist!”—të thirrën kur kërkove rrënjët e jetës,
“Materialist!”—kur preke skeletin e botës së vërtetë.
E shanë mendjen me tym që u ngrihej nga lutja,
pastaj hipën në aeroplanin që ndërtoi ajo dituri.

Mallkuan shkallën që i ngriti mbi re,
pastaj puthën çdo shkallë që u shërbeu atyre.
Si hajdutë që mallkojnë derën duke hyrë në shtëpi,
bekuan drynin pas shpine dhe morën gjithçka aty.

Një pyll flinte i palosur në një farë të vogël,
rrënja kërkonte errësirën, jo kurorë e ar e kotë.
Ç’e shtyn jetën të çajë gurin e të ngrihet në dritë?
Fryti që hapet si dorë, apo thesari që mbyll natën me dry?

Spinoza fliste në një gjethe, pa fron e pa kor:
“E pafundmja s’futet në një fjalë, as në një dorë.”
Oqeani dridhej në pikën e vesës së mëngjesit,
universi mbante frymën në një grimcë të kaltër të qiellit.

Një pikë—sa krenaria e njeriut—dhe prapë mbante stuhi,
brigje, yje, bubullima, çdo formë e çdo fuqi.
Kush e mban krijimin në pëllëmbë me krenari,
kur vetë pëllëmba është pluhur dhe pluhuri është qetësi?

O tregtarë të qiellit, me fatura për përjetësinë,
me parajsën në buzë e arin fshehur nën thua!
Të mjerit ia shisni amshimin me këste të ndritshme,
ia zbrazni sofrën, ia mbushni shpirtin me dëftesa shprese.

Parajsën ia jepni me qira, tokën ia hiqni nën këmbë:
“Durimi është virtyt!”—i thoni nga ballkoni lart.
Sa lehtë i bekojnë të ngopurit urinë e të varfrit,
pastaj lavdërojnë hambarin e mbyllur si shenjë të fatit.

Tokën e mbani për vete, atij i lini ajrin,
pastaj i kërkoni t’ju falë edhe diellin.
Kush është besimtari, kush mëkatari i vërtetë:
ai që ndan bukën, apo ai që pasurinë e bekon vetë?

Egoja ngre fron prej pasqyrash, të lëmuar e të gjerë,
gjunjët prekin tokën, kasafortat shenjtërohen në erë.
Shpirti bëhet slogan, ndërgjegjja bëhet markë,
zemra shitet për fitim nga një dorë e qeshur, pa gjak.

Humanizmi del në shesh me mantel të artë,
me dorë mermeri zgjatur nga një ekran i lartë.
I urituri kërkon bukë; i japin fjalim,
duartrokitja bëhet batanije mbi një stomak bosh në mjerim.

Fjalët bien si monedha mbi gurin e ftohtë,
asnjëra s’bëhet kafshatë, as mish, as lot.
Podiumi mbetet madhështor, retorika hyjnore,
i urituri kthehet në shtëpi me duar bosh e lavdi boshe.

Klerikët e rinj predikojnë me aksione e pjesë,
me puse nafte për altarë, me kontrata për shpresë.
Tokën e çajnë si hajdutë që gjejnë arkë të vjetër,
pastaj plagët ia peshojnë me ar dhe e quajnë përparim të vërtetë.

Çdo pyll që bie bëhet grafik në ekran,
çdo lumë i helmuar bëhet kolonë në bilanc.
Shkretëtirën e quajnë zhvillim, plagën rritje të artë,
dhe errësirës i vënë çmim, pastaj urojnë fat.

Mbi ta dielli derdh lumenj zjarri,
poshtë ata gërmojnë terrin ku fle fitimi.
Në vend që dritën ta mbledhin mbi çatitë e shtëpive,
Tokës ia kullojnë damarët për karburant e pasuri.

Një mendje artificiale mësonte si të ishte vetëm,
fëmijë prej qelqi e qarqesh në fron laboratorik.
Një tjetër peshonte urinë me shifra e tabela,
me llogari të përsosura, pa vesh për zemrën e shkretë.

Një robot ngrinte të sëmurin me kujdes e ngadalë,
një tjetër mbante armën me fytyrë të zbrazët, metal.
Njëri mbante shpresën në krahë, tjetri urdhrin në dorë;
të dy i ndërtoi njeriu, por asnjëri s’e kuptoi dhimbjen.

Dronët shponin qiellin si gjilpëra pa sy,
pa pilot që të dëgjonte fëmijën nën rrënoja duke qarë.
Një fëmijë kërkonte emrin në pluhur e në flakë,
ekrani kërkonte pikën e kuqe, jo emrin që u tret në baltë.

Në ekran: shënjestër. Në tokë: kraharor.
Një klikim larg, një jetë më pak, një urdhër.
Sa pastër vjen vdekja kur largësia fsheh njollën,
kur vrasja paketohet si protokoll dhe rregull.

Trilioneri, në ëndrra prej çeliku e drite,
e shpalli veten Zot me një buton në dorë.
Blerë kishte yjet, heshtjen, qiellin pa kufi,
por një lot i pashitur i mbeti brenda tij.

Lutjet e Abrahamit i vendosi në raftin e tregut:
çdo shpirt u bë klient, çdo brengë u bë projekt.
Parajsa u bë platformë, mëkati abonim,
shpëtimi erdhi me kushte përdorimi, pa fund e pa shpjegim.

S’gërmon më në vetvete, ku terri rrit rrënjë,
por shpon trupin e tjetrit për të nxjerrë fitim.
Makinës i jep mendje, njeriut ia heq zërin,
dhe çdo zinxhir që shkëlqen e quan përparim.

Ç’na duhet të pushtojmë çdo yll e çdo sferë,
kur pranë nesh një zemër fiket si llambë në erë?
Ç’vlerë ka një planet i blerë në ankand,
kur një dorë kërkon bukë dhe mbyllet mbi ajër?

Të lutem apo dyshoj? Të bindem apo të shoh?
A është blasfemi dritarja e pyetjes ta hapësh?
Ndoshta dyshimi është një kandil i vogël, i brishtë, i ndritshëm:
s’e thyen qiellin, por shkallët e natës i ndriçon.

Virtyti s’është stoli mbi jakën e fjalës,
as medalje që ndryshket mbi gjoksin e lavdisë.
Është dora që ndalet para fytit të tjetrit,
është buka që ndahet e ngrohtë, para se të ftohet.

Kur njeriu çalon, arsyeja bëhet bastun,
jo kamxhik për shpinën e të dobëtit në mundim.
Thyeje zinxhirin që të mban të përkulur,
mos farkëto një tjetër për qafën e fqinjit të mjerë.

Edhe kur njeriu emrin e Zotit e harron,
kur tempujt bëhen tregje e e shenjta bëhet mashtrim,
një shkëndijë mbetet nën hi, e fshehur, por zgjuar:
përtej froneve e altarëve, Ai ende te njeriu beson.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat