Piro Millona-Minella ka vendosur të bëhet libër

Kultura

Piro Millona-Minella ka vendosur të bëhet libër

Nga: Përparim Hysi Më: 8 tetor 2026 Në ora: 19:51
Përparim Hysi

Piro Millona-Minella e nxori librin e tij të shtatëmbëdhjetë.

Metafora “ka vendosur të bëhet libër” nuk është imja. E mora nga Oskar Uajldi. Ai thotë: “Dua të bëhem libër!”

Analogjia ime është pak e stërmadhe, por kam të drejtë të mbrohem përmes autorit. Për 20 ditë, ka botuar tri libra. Mos kujtoni se librat i ka në xhep dhe i nxjerr e i boton fët e fët. Nuk i ka në xhep, por i ka në kujtesë. Ka një kujtesë perfekte dhe ndaj unë e quaj PIRO KUJTESA.

Është interesant jo vetëm për kujtesën, por edhe për të gjitha shkrimet, që të gjitha janë përjetime. Atyre u jep një ngjyrim lirik, sa nuk lexon prozë, por safi poezi. E ka thënë Sharl Bodleri: “Proza e bukur lirike shijohet si poezi.”

Po t’i shikosh një e nga një këto proza, mbushesh me emocione gëzimi, aq sa shpeshherë ke lexuar një përrallë dhe, për ta mbajtur mend, duhet t’i kthehesh edhe njëherë.

Lexon një pjesë dhe nuk ke si të mos çuditesh: shikon përjetime në kohë të shkuara. Ato fillojnë nga fëmijëria, vazhdojnë me adoleshencën, me vitet në shkollën e mesme, në fakultet dhe deri në gati 40 vjet punë e deri në pension.

Para sysh shfaqen femra e meshkuj me të cilët është lidhur jeta e tij. Ka brenda nostalgji, mall, dashuri, por edhe dhimbje, sepse jeta nuk është përrallë.

Ajo që i rrit karizmën në gjithë përjetimet e tij është se kurrë, në asnjë rast, nuk prek dinjitetin e askujt, duke ruajtur etikën dhe anonimatit.

Piro Millona-Minella ka kohë që ka dalë në pension, por çdo ditë punon.

Duke sjellë përjetimet e tij në gjithë librat që ka shkruar, ai portretizon njerëz me vlera e reputacion, që i kanë dhënë shoqërisë, atdheut dhe popullit, dhe asnjëherë të vetme nuk shkruan për vete.

Sikur njerëzit, bashkëshortët apo mikeshat që ka njohur në kohë dhe secila gjen veten e vet në libra, po ta vlerësonin punën krijuese të këtij “martiri” të shkrimeve, pa dyshim, ky miku i kaq e kaq njerëzve do të qe tepër i lumtur.

Ai të gjithë kontingjentin e librave e ka dhuruar dhe nuk ka marrë si autor asnjë cent.

Në këtë libër, paska dalë një donator dhe Piroja, për të mos u bërë karshillëk atyre të tjerëve, e quan anonim.

Njeriu i ndershëm nuk u bie borive për darovi. Duke darovitur, ai ndjen kënaqësi.

“Të japësh”, thotë Lao Ce, “është dashuri.”

“Mençuria”, thoshte Ezopi, “gjendet në libra.”

Dhe sa përjetime të bukura has te libri i Piros!

Libri, siç e shoh unë pas leximit, më duket si një pavijon në një muze. Sa shikon një panel, mbërrin te tjetri, pastaj te tjetri dhe, kur mbaron, sikur ke lexuar “Një mijë e një net” të Shehrezades për t’ia prishur mendjen sulltanit.

Në atë gjendje dhe nuk e luan topi.

Ndodh kështu, sepse, siç thotë Frojdi: “Përjetimi i secilit rast të bukur më provon se jeta ia vlen të jetohet.”

Po a është e lehtë që të shkruash një libër?

Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje qysh në shekullin XVIII Samuel Xhonson (1709–1784), që thotë: “Të shkruash një libër, duhet të shfletosh një bibliotekë të tërë.”

Pa dyshim, kështu ka ndodhur dhe ndodh me Piro “Kujtesën”, që vazhdimisht rri mbi libra.

Jo më kot Orhan Pamuk, nobelisti turk, ka shkruar: “Lexova një libër dhe jeta ime ndryshoi.”

Librat e Piros janë si copëza të dala jo vetëm nga koka, pra nga kujtesa, por edhe nga shpirti.

Bernard Shou thotë: “Çdo libër që ia vlen të lexohet është shumë shpirtëror.”

I tillë është edhe libri i Piros, i cili po bën tjetrin gati.

Nëse nuk gjen donator, nuk është faji i tij.

Ka vetëm pensionin e tij dhe të bashkëshortes, që për të botuar një libër është një “luks” i vështirë.

Urime dhe me të tjera, Piro “Kujtesa”!

Tiranë, 8 tetor 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat