Fat të madh pata në këtë jetë,
ta shoh gjallë nënën time,
që na rriti me mund e sakrificë,
me zemër të madhe e shpirt fisnik.
Nënë e urtë, fisnike e krenare,
bujare në fjalë e në vepra,
e fortë në jetë, e butë në shpirt,
dashuri e pashtershme për fëmijët e saj.
Në moshë të shtyrë, 84-vjeçare,
në duart e mia e përcolla në amshim;
me lot në sy e zemër të thyer,
i dhashë lamtumirën e fundit.
Në atë çast m’u ndal fryma,
m’u duk se u rrëzua bota,
se çdo gjë mbeti e zbrazët,
se jeta humbi kuptim.
Familjarë, miq e shokë
e mbushën atë ditë të rëndë,
e unë me zemër të copëtuar
të thashë: lamtumirë, nënë.
Të lutem, nënë, më fal…
Në tokën e Kosovës të prehesh,
në dheun arbëror – Dardan,
ku do të jetosh përjetësisht në kujtim.