Kuratorë të pavijonit shqiptar është 'Beyond Entropy', fitues të Luanit të Artë në edicionin e kaluar. Bienalja organizohet prej 7 Qershor deri më 23 Nëntor 2014
Shqipëria përfaqësohet në edicionin e 14-të të Bienales së Venecias me dy artistët Adrian Paci dhe Edi Hila, me temën “Monumente të Mundshme Ardhmërish të Parealizuara” që kurohet nga 'Beyond Entropy Europe' (përfaqësuar nga Jonida Turani dhe Stefani Rabolli Pansera), ideatorë të pavijonit të Angolës Bienalen e shkuar, që u shpall dhe fitues i “Luanit të Artë” si përfaqësimi më i mirë kombëtar.
Tema e kësaj ekspozite është “Përthithja e Modernitetit 1914 – 2014” përcaktuar nga kuratori i saj, Rem Koolhaas.Nëpërmjet hulumtimit artistik Edi Hila dhe Adrian Paci dhe në përputhje me këtë temë ofrojnë një mënyrë të re të për të lexuar shtigjet e ndërprera të modernitetit në Shqipëri.
“ Pavijoni shqiptar eksploron se si arkitektura është përthithur falë një reflektimi mbi dinamikën socio-kulturore të modernizmit, element ky thelbësor në punën e të dy artistëve. Ardhmëritë e parealizuara janë premtimet e modernitetit, pjesërisht të realizuara, por asnjëherë të përfunduar” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.
Artistët ftojnë vizitorët të ndërthurin referenca reale dhe referenca të ndërtuara, të kaluara dhe të sotme, tregime imagjinare dhe lexime formale të qytetit përtej gjuhës tradicionale të përfaqësimit arkitektonik.
Duke ndalur vështrimin në hapësirat e mbetura, në proceset e ndërtimit dhe të elementeve të papërfunduara, ata ndryshojnë këndvështrimin e arkitekturës tradicionale.
Qëllimi i kësaj ekspozeje është që të zhvillojë një pikë të re të mendimit përsa i përket arkitekturës urbane në qytetet shqiptare.
Adrian Paci prezanton video-instalacionin “Kolona”, një përrallë vizionare që flet për delokalizimin e punës, transformimin e traditave dhe ballafaqimin mes kulturave, një metaforë e fuqishme vizuale dhe bukuri enigmatike.
Edi Hila prezanton “Penthouse” (Shtesë) -cikli I tablove që sjellin një vështrim në urbanistikën “postmoderne” shqiptare. Në veprat e Hilës tregohen pallate të larta, nga ato që kanë mbirë kudo në Tiranë, tarraca e të cilit është kthyer në një apartament. Edi Hila është marrë pikërisht me këto “ndërtime të paligjshme” për t’i sjellë në tablo si krijesa që tregojnë gjithë problematikën sociale me të cilën janë përballur qytetet tona këto vite.
Prezantimi në pavijonin shqiptar realizohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe me mbështetjen e artistëve pjesëmarrës, galerive të tyre dhe koleksionistëve e donatorëve privatë.