E ashtuquajtura “Murtaja e Justinianit”

Kultura

E ashtuquajtura “Murtaja e Justinianit”

Nga: Autor Niko Ferro Më: 16 maj 2015 Në ora: 21:53

Ç’thuhet për këtë epidemi ? A ka burime të shkruara për këtë sëmundje vdekjeprurëse? A janë të sakta shifrat e cituara nga Prokopi i Çezaresë? Po për vetë Justiniani çfarë shkruhet ?

Në vitin 527 e. s në fronin e Perandorisë Romake të Lindjes, u ngjit Flavius, Petrus, Sabbatius, Justinianus, i njohur shkurtimisht Justiniani I. Nëpërmjet burimeve të autorëve antike, mësojmë se Justiniani , lindi në maj të vitit 482 e. s. Sakaq aty thuhet se ai ishte me origjinë ilire, nga fshati dardan i Taurisiumit. Afërsisht në moshën 13 vjeçare, Justiniani së bashku me të ëmën, shkuan në Kostandinopojë. Këtu ai u shkollua dhe u edukua sipas kulturës, traditës dhe stilit romak të jetesës. Në vitin 520, Perandori Justin, e birësoi si djalin e vetë. Një vit më vonë, Justiniani I u emërua konsull.

Gjatë kohës që ai mbante titullin e konsullit, Justiniani u njoh me një aktore teatri, të quajtur Teodora. Mund të themi se “bukuria dhe zgjuarsia e saj e magjepsën aq shumë Konsullin, sa shpejt lidhën kurorë”. Por jo të gjithë ishin dakord me këtë lidhje, kundër martesës së Justinianit me Teodorën, u shpreh edhe e ëma e vetë konsullit, Vegjelenca. Madje këtë lidhje e kundërshtoi edhe vetë ungji i tij, Perandori Justin. Vlen të përmendet se për Teodorën, thuheshin “njëmijë të zeza”. Por përkundër këtyre pretendimeve, Justiniani dhe Teodora u martuan në vitin 525 e. s . Më vonë autorët antik nuk nguruan ta cilësonin Teodorën “një grua të pabesë” “të pamëshirshme” “një grua që bënte gjithçka për të arritur ambiciet e saja ”. Shkurtimisht Teodora pati një ndikim të madh në vendimmarrjet e Justinianit. Ata u martuan përsëri në vitin 527 e. s , pikërisht në kohën kur Justiniani u emërua Perandor.


Fig. 1 Justiniani I

Me të ardhur në fron, Justiniani ndërmori një sërë masash të cilat synonin konsolidimin e Perandorisë, pra, në fushën administrative , në legjislacion (corpus juris civilis), dhe në fortifikimin e shumë qyteteve të Perandorisë.

Në vija të përgjithshme, mund të themi se politika e ndjekur nga Justiniani ishte restaurimi i Perandorisë Romake. Pikërisht ajo ishte shprehja më madhështore e kësaj aspirate. Rifitimi i trashëgimisë së Romës, pra një e drejtë e perandorit romak, një mision i shenjt i tij, çlirimi i territorit romak nga zgjedha e barbarëve të huaj dhe heretikëve arianë, për t’i kthyer kufijtë e dikurshëm perandorisë, një e pandarë dhe e krishterë.

Në vitin 533 e. s , Justiniani korri suksesin e tij të parë. Me një ushtri e cila numëronte 18.000 vetë dhe me në krye komandantin më të mirë, Belisauri u bë e mundur asgjësimi i mbretërisë vandale. Disa muaj më vonë, ai ndërmori një tjetër fushatë luftarake kundër perandorisë ostrogote. Edhe kjo luftë ngjau me një marshim triumfues. Ndërkohë një tjetër armatë e tij depërtoi në tokat Dalmate, për të luftuar kundër barbarëve të cilët sulmonin dhe plaçkitnin qytetet dhe fshatrat ilire. Të tjera armata ju drejtuan gadishullit Apenine, këtu të gjitha qytetet njëra pas tjetrës, Bari, Napoli, Roma [ju bashkëngjitën perandorisë bizantine]. Në fund u pushtua edhe Ravena, kryeqendra e mbretit ostrogotë Vitixhe, ndërsa vetë mbretin e dërguan të lidhur në Kostandinopojë në vitin 540 e. s

Me pushtimin e Italisë dhe me rivendosjen e pushtetit bizantin u bë i mundur rikthimi i marrëdhënieve të vjetra shoqërore dhe ekonomike. Aristokracia latifondistë rifitoi pronat dhe privilegjet. Pushtimet e mëdha u mbyllën me luftën kundër vizigotëve në Spanjë. Italia, një pjesë e madhe e Afrikës veriore, pjesërisht Spanja dhe ishujt e Mesdheut u ishin shkëputur gjermanikëve dhe ishin vënë nën skeptrin e perandorit romak të Kostandinopojës. Mesdheu u kthye kështu, në një liqen të Perandorisë.

Megjithatë kufiri më i rrezikuar i Perandorisë, ishte veriu i Ilirisë. Më saktë rrjedha e Danubit duke filluar nga grykëderdhja në Detin e Zi për t’u ngjitur deri në grykëderdhjen të dikuesit të tij , të djathtë, Savës. Por kjo nuk do të thotë se kufijtë e tjerë të Perandorisë ishin më të sigurt, kërcënim i vazhdueshëm ishin vizigotët, ostrogotët, avarët persianët, e të tjerë.


Fig 2. Perandoria Romake e Lindjes, gjatë sundimit të Justinianit I

Pikërisht në këtë moment delikatë, kur Perandoria Romake e Lindjes po kërcënohej gjithmonë e më shumë nga dyndjet e shpeshta të popujve barbarë, në tetor të vitit 541 e. s në portin egjiptian të Peliusiumit, u shfaq krejt papritur epidemia e murtajës. Pas Egjiptit kjo epidemi goditi qytetet e Palestinës. Ndërkaq në pranverë të vitit 542, u regjistrua edhe në Kostandinopojë. Disa muaj më vonë u përhap edhe në Siri. (Procopius, History II.22.6.)

Epidemia e murtajës, u përhap rrufeshëm në tërë Perandorinë. Ajo bëri kërdi në shtresat më të rrezikuara të popullatës, fëmijët, pleqtë, të varfrit, të uriturit duke shpopulluar krahina të tëra. (Për sa i përket Gadishullit Arabik, dhe vendeve të Evropës Veri-Lindore, nuk ka të dhëna burimore për përhapjen e kësaj epidemie.). Po duket se këtë moment dobësie dhe çorientimi në të cilën ndodhej Perandoria Romake e Lindjes, u shfrytëzua nga ushtritë persiane për të kryer ndonjë ekspeditë plaçkitëse në territoret kufitare me to. I menjëhershëm ishte reagimi i Justinianit, ai dërgoi menjëherë trupa në kufijtë e perandorisë për të mbajtur në vëzhgim lëvizjet e ushtrive persiane. Sakaq në Kostandinopojë ishte përhapur fjala se edhe vetë persianët ishin goditur nga kjo epidemi.

Ndërkaq situate e brendshme e perandorisë paraqitej e vështirë. Me shfaqjen e murtajës çmimet shënuan një rritje rekord e cila ndikoi shumë keq në thesarin perandorak. Njerëzit dhe tregtarët humbën pothuajse të gjithë pasurinë e tyre. Ndërkaq personat që paraqisnin shenja të kësaj sëmundje, ekzekutoheshin menjëherë, jeta në qytet u bë e padurueshme. Pjesa më e madhe e popullsisë preferoi të largohej nga qytetet dhe të strehohej në pyje apo në vende të thella.

Sipas Prokopit të Çezaresë “vetëm në Kostandinopojë në një ditë vdisnin rreth 5000 deri 10000 veta” , Problem madhorë ishte mungesa e hapësirave publike për të varrosur trupat. Pjesa më e madhe e tyre hidhej në det ose lihej në vend të hapur. Sakaq në vitin 543 e. s “një tjetër vdekje në masë u shënua në Itali, në Orient dhe në Ilirikun e dobësuar..”,

Në fund Prokopi jep një përmbledhje, “Murtaja që dëmtoi rëndë Perandorinë, nuk i mori të gjithë njerëzit, gjysma e tyre shpëtoi ose u ruajt.

Po atëherë nga erdhi kjo epidemi ?

Arkeologu David Patrick Keys, është i mendimit se aty rreth gjysmës së parë të shek VI e. sonë, pati një ndryshim të menjëhershme të klimës me pasoja të mëdha në ekosistem. Kërkimet ai i bazon gjithashtu në burimet historike të autorëve antik. Keys beson se kjo kataklizëm u shkaktua nga shpërthimi i fuqishëm i një vullkani të madhe. Pra këtë ndryshim klimatik ai e lidh me incidentin e ndodhur në vitin 535 e. s, për shkak të shpërthimit të vullkanit të Krakatoa-s në Indonezi). Si rezultat i këtyre çrregullime të motit, mund të ketë sjellë minj të egër [që ishin njëkohësisht mbartës të sëmundjes bubonike] tek minjtë shtëpiakë duke gjetur vend në magazinimet e drithërave ose pranë porteve. Dhe nëpërmjet insekteve bëhej dhe kontakti me njeriun. Keys lokalizon Etiopinë si vendin e origjinës të përhapjes së sëmundjes.

Palaeo-ekologia Eva Panagiotakopulo. ne lidhje me vend origjinën e përhapjes së sëmundjes së murtajës, nëpërmjet një studimi të bërë në gjetjet arkeologjike, përcakton Egjiptin.[si vendi ku shpërtheu kjo epidemi] Këtë zbulim ajo e bazon në gjurmët e gjetura tek insektet përhapës të epidemisë së murtajës. Të cilat rastësisht u zbuluan në sitin arkeologjik të Amarnës në Egjipt. 3)-

Ndërsa mikrobiologu Dr Joseph Hinnebusch në Montana Sh.B.A, mendon se origjina e murtajës duhet kërkuar në Afrikën Veriore, [por vetë autori nuk jep faktet pse kjo epidemi duhet kërkuar në Afrikën Veriore?]

Për t’iu kthyer edhe një herë argumentit: A mund të jenë i saktë, numri i viktimave të dhëna nga Prokopi ? Murtaja e vitit 541 me padyshim erdhi si goditje e papritur për Perandorinë Romake të Lindjes, e cila është përgjegjëse për shfarosjen 1/3 të popullsisë së Mesdheut. Ka mundësi që shifrat e dhëna nga Prokopi i Çezaresë të jenë pak të fryra. Ndoshta ai ka dashur të tregojë se sëmundja e murtajës ishte shkaktarja e vetme e çdo lloj ligësie të rënë në perandorinë Bizantine. [Ndoshta për të treguar Perandorin Justinian, një njeri të paaftë dhe që nuk mund t’i përballonte pasojat e saj?] Ku e bazojmë këtë ? Në një tjetër rresht të shkruar po nga Prokopi, zbulojmë se “Justiniani dhe Teodora ishin përgjegjës për shkatërrimin e Perandorisë”. Dhe se “Justiniani ishte në vetvete si një murtajë e dërguar nga qielli”. Por nuk duhet të harrojmë se ishte Justiniani, ai që fortifikoi dhe rindërtoi krejt nga e para pjesën e brendshme të Ilirisë e më gjerë. Dukë kthyer kështu sigurinë e humbur.

Ndoshta sëmundja e murtajës nuk mund të ketë influencuar dukshëm jetën sociale dhe ekonomike të Perandorisë. Sakaq gjetjet arkeologjike tregojnë të kundërtën ato japin një vazhdimësi të trafiqeve tregtare. Të cilat qëndruan të paprekura dhe vazhduan aktivitetin e tyre në të gjitha qendrat e perandorisë. Gjithashtu në mesin e krizës, Justiniani preu një monedhë ari të quajtur “solid”. Përsëri fill pas kalimit të sëmundjes perandori preu një tjetër monedhë. Megjithatë ajo që vlen të theksohet se efektet e kësaj sëmundje janë është t’i paraqesësh me tregues sasior dhe të përcillen arkeologjikishtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat