Mëngjeset në Kafe Rostand

Kultura

Mëngjeset në Kafe Rostand

Nga: Liridona Kajtazaj Më: 5 qershor 2015 Në ora: 09:46

Kadare si gjithnjë në shkrimet e tij sjell artin letrar të krijuar, me një stil të veçantë dhe të vlefshëm jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare. Autori edhe në këtë libër nuk e mënjanon historinë dhe kulturën shekullore shqiptare, duke trajtuar aspektet e jetës politike dhe asaj shoqërore. Ismail Kadare me librin “Mëngjeset në kafe Rostand” rrëfen mbi eksperiencat e tij në Paris. Lidhja që ka autori me Parisin është njëherësh një sfidë e madhe për të. Nuk është thjesht një libër për kryeqytetin e Francës, siç e mendojnë dhe e imagjinojnë të tjerët me shprehjen që përdor autori “Ah sikur të shkoja në Paris”. Brenda librit hasim se Parisi i Francës, është edhe Paris Tiranë dhe Paris botë. Përmes titullit të kësaj vepre autori sjell ndërlidhjen e kafeneve, pasi që kafenetë nuk janë thjesht ambiente për të pirë kafe, por pika takimi të artit, kulturës, letërsisë dhe çështje të ndryshme të përditshmërisë. Autori na sjell dy Parise: atë të kohës së komunizmit dhe tjetrin, të parakohshmin, secili nga njëzet vjet. Ky libër është një përmbledhje kujtimesh, letrash që shkrimtari i ka shkruar në vetën e parë, prandaj mund të themi që është një libër autobiografik.
Ashtu sikur shkrimtarët e tjerë që kanë shkruar për Parisin, edhe Kadare është një ndër ta, mirëpo në një trajtë krejtësisht tjetër, autori sjell në vitrinat tona një Paris të thurur me ngjyrime shqiptare.
Edhe pse gjatë krijimit të kësaj vepre Kadare sodiste në natyrën parisiane, mendja e tij udhëtonte në fushat e lëndinat shqiptare.
Ismail Kadare brenda këtij libri të shkruar në formë të eseve trajton momente të rëndësishme duke kujtuar me mallëngjim vendlindjen e tij, Gjirokastrën, shtëpinë e madhe të Kadarenjëve ku ende dëgjon kërcitjen e drurëve.
Ismail Kadare është më i afërt ndaj disa problemeve që gjithnjë e kanë shoqëruar historinë botërore e që autori këto probleme na i shpalos të eseja “Zonjat e letërsisë shqipe”.
Autori në këtë ese fillon të flasë për ato zonjat e shquara në letërsinë ndërkombëtare si dhe atë shqiptare duke na sjellë edhe një rrëfim të shkurtër mbi sakrificat që ato ndërmorën, që sot të jenë aty ku janë. Emri i tyre rrallë shihet në faqet e shtypit, edhe pse do të duhej që më tepër t'u jepej atyre vëmendje. Këto shkrimtare që shkruajnë libra në gjuhë të ndryshme të botës, Kadare i përmend me një respekt të madh si dhe me plot krenari: Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Ani Wilms, Luljeta Lleshanaku, Besa Myftiu, Lindita Arapi, Ledia Dushi, Jonila Godole, me një renditje që kurrsesi s’mund të jetë shteruese. Më tej autori zhytet në historinë shqiptare duke vlerësuar rëndësinë e gruas shqiptare në letërsi, si dhe në jetën shoqërore.
Kadare pohon se fjala grua në bazë të dëshmive të poetëve, përmendet në një nga vjershat e Lekë Matrëngës që njihet si fillim i letërsisë artistike shqipe, pastaj autori tjetër Pjetër Budi që po ashtu shkruan për zonjat shqiptare për portretizimin e hijeshisë femërore. Gruaja në letërsinë shqiptare ka qenë një ndër protagonistet kryesore, në shumë vepra të shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë njashtu edhe botërorë. Ndër ta edhe Naim Frashëri shtjellon në veprat e tij ndikimin e gruas dhe integrimin e saj, por edhe kufizimin e të drejtave që nga sundimi osman. Ismail Kadare shpjegon rolin e femrës në pozitën e kohës së komunizmit dhe kohës evropiane.
Përveç kësaj eseje me vlerë të veçantë, Kadare na sjell në librin e tij të fundit edhe një përshkrim të përjetimeve të tij për “Makbethin” e Shekspirit. Kadare ishte një adhurues i madh i “Makbethit”. Pëlqente që të krahasonte versione të ndryshme të përkthimit në gjuhë të ndryshme të Makbethit. Përkthimi i parë që i ra në dorë ishte ai në gjuhën ruse, në kohën kur ai ishte në gjimnaz dhe po këtë libër ia solli mësuesja ruse. Mirëpo, autori në çdo version të përkthyer të ‘Makbethit’ gjen nga një mospërputhje. Dhe kjo ishe e vërtetw, ngase me të vërtetë neologjizmat dhe gjuha e të shprehurit e Shekspirit vështirë tingëllonte mirë në gjuhë të tjera, më e afrueshme ishte gjuha gjermane. Autori këtu përmend edhe përkthimin Fan Nolit, dhe arsyeton dhe shpjegon përkthimin e tij.
Ismail Kadare na jep edhe disa momente të rëndësishme për poetin e njohur Frederik Reshpjen, na sjell një rrëfim të jetës së tij, duke e përshkruar atë si një yll në ngritje, por për shkak të rrethanave komuniste ishte i rrezikuar dhe i braktisur; çdo qasje e tij në letërsinë shqipe ishte me vonesë. Ismail Kadare ka bërë një skulpturë të Frederik Reshpjes duke na sjellë një portretizim nga një bashkëkohës i tij. E përshkruan me një përshkrim fizik, i veshur bukur, me kostum të shtrenjtë, kapele republike, këpucë të modës së fundit. Këto ishin disa nga esetë e trajtuara në librin më të ri të Kadaresë, të cilat ngacmojnë lexuesin për një rrëfim më të gjerë të jetës së tij. Të gjitha temat e këtyre eseve Kadare i lëviz në disa drejtime, gjatë rrëfimit temat e tyre në thelb ndryshojnë, por assesi nuk i largohet çështjes shqiptare. Autori në këtë libër ka përmbledhur disa kujtime që i ka lënë pas dore, dhe i ka qëndisur në mënyre të mrekullueshme, me një stil të arrirë dhe të përkryer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat