“Mendje Djallëzore”, një shfaqje moderne dhe e guximshme

Kultura

“Mendje Djallëzore”, një shfaqje moderne dhe e guximshme

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 13:27


Premiera e dramës “Mëndje Djallëzore” të autorit Blerim Haxhiaj, është mirëpritur nga publiku dhe kritika teatrore. Shfaqja që dhuroi emocione të forta më 4 korrik në teatrin “Istref Begolli” në Pejë, trajton fatin e individit në një sistem shtetëror ku ka shumë padrejtësi. Regjisori Fadil Hysaj e ka vlerësuar me tone të larta këtë dramë. Ai ka thënë se kjo shfaqje kishte porosi të fuqishme që deri tani i ka munguar teatrit dhe dramaturgjisë shqipe. “Kjo shfaqje trajton në mënyrë të guximshme një tematikë tabu apo të anashkaluar nga dramaturgjia bashkëkohore shqiptare”, ka thënë ai duke theksuar se me këtë lloj dramaturgjie, teatri hyn në një fazë të re, ku problemet e trajtuara në vepër, trajtohen në mënyrë skenike. Hysaj la vlerësuar edhe lojën e aktorëve, sidomos të Mentor Zymberajt dhe konceptin regjisorial. “Regjisorja Elmaze Nura me një ekspresion skenik shumë të fuqishëm e trajtoi këtë tematikë të një dramaturgu të ri dhe ia ka dalë të vërë në balancë në mes tekstit dhe lojës në skenë, që është për çdo lëvdatë”, tha Hysa. Kritiku i teatrit, shkrimtari Reshat Sahitaj është shprehur i befasuar me shfaqjen “Mendje Djallëzore”. “Ka qenë një dramë emocionuese, interpretim i thellë, regjia kreative, muzikë prekëse. Këto lloj dramash i duhen skenës teatrore”, tha Sahitaj, duke veçuar për lojën aktorin Mentor Zymberaj. Regjizorja e shfaqjes Elmaze Nura, thotë se kjo dramë ka qenë një sfidë, si një tekst i pavënë në skenë më parë. “Koncepti regjisorial, muzika, skenografia dhe ndriçimi, kanë krijuar një harmoni skenike dhe një shfaqje vërtet emocionuese”, ka thënë Nura. “Nëse qëllimi i teatrit është arritja e katarsisit dhe kjo shfaqje e arriti këtë te publiku, atëherë mund të themi që kemi mbërritur maksimumin”, është shprehur më tej Nura. Ajo ka falënderuar të gjithë ekipin, aktorët, kompozitorin e muzikës, mjeshtrin e ndriçimit, për përkushtimin e tyre. Aktori protagonist Mentor Zymberaj ka thënë pas premierës, se publikut i është prezantuar një shfaqje me vlera të larta artistike. “Është një tekst i fuqishëm, një koncept regjisorial i shkëlqyer dhe loja ka qenë në nivel të lartë. Besoj se kjo shfaqje do ta ketë jetën e gjatë”, u shpreh Zymberaj.
Autori i dramës, gazetari dhe redaktori Blerim Haxhiaj, thotë se puna që kanë bërë ekipi, regjisorja, aktorët dhe gjithë të tjerët, është e jashtëzakonshme. “Mendoj se është përcjellë në mënyrë artistike, një mesazh i fuqishëm kundër padrejtësive, me të cilat përballemi çdo ditë, kush më shumë e kush më pak. Është një dramë aktuale, universale, që gjatë procesit të provave, me idetë kreative regjisoriale, muzikën e shkëlqyer, skenografinë funksionale, vetëm sa është fuqizuar si përmbajtje por edhe si imazh. Falenderoj natyrisht dy bashkëpunëtorët kryesorë, regjisoren Elmaze Nura dhe aktorin protagonist Mentor Zymberaj, pa të cilët nuk besoj se do të mbërrihej një nivel kaq i lartë artistik. Për mua, kjo hyrje cilësore në skenën e teatrit, në fushën e dramaturgjisë, është motivuese për të vazhduar së shpejti me projekte të reja”, ka thënë Haxhiaj.
Subjekti i dramës, zhvillohet në disa linja dramaturgjike. Vendi degradon, nëpërkëmb vlerat, parimet dhe shoqëria hyn në një krizë të thellë besimi. Frika e dyshimi, i pushtojnë të gjithë. Një grusht njerëzish të veshur me pushtet, nuk qeverisin më. Ata sundojnë. Individi i shkelur, e ngre kokën dhe denoncon krimin që po e errëson të ardhmen e vendit. Ajkuni është një burrë i ndershëm, nëpunës i zoti. Ai nuk e duron padrejtësinë, të keqen, mashtrimin. Një ditë vendos të flasë. Jeta e tij merr një kthesë të tmerrshme. Në Han, askush nuk guxon t’i kundërvihet Shefit. Shteti është në duart e tij, por kjo nuk do të zgjasë shumë. Ai tash nuk jeton më, megjithatë sistemi që ka ushqyer, me urrejtje e tradhti, nënshtrim dhe imoralitet, i ka rrënjët e thella. Në burgun e Hanit, Oresi, një trafikant i afërt më pushtetin, do t’ia prishë vetminë shtetarit të prangosur. Hetuesi do t’ia ofrojë Ajkunit , një “marrëveshje” për pranimin e krimit që nuk e ka bërë. Për të pranuar krimin, si shantazh, futet në lojë edhe zhdukja e vajzës së tij, Leas. Gruaja, Bora, jeton mes ëndrrës së prishur për një jetë të lumtur dhe akuzave të rënda ndaj burrit të saj. I izoluar nga familja, i braktisur nga miqtë, i dëbuar nga puna, Ajkuni, vendos t’i shkojë deri në fund. Pas grilave të burgut, heroi i Hanit, shndërrohet në një antihero!
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Mentor Zymberaj, Flormend Shabaj, Aida Alidemi, Fidan Moni, Agon Balaj, Fisnik Sykaj. Muzikë e ka bërë Memli Kelmendi, skenografia dhe kostumet nga Fatbardha Shala, ndërsa dizajni i Dritave është bërë nga Asllan Hyseni dhe Ali Thaqi. Shfaqja “Mendje djallëzore” është mbështetur nga komuna e Pejës. Repriza jepet të hënën më 6 korrik në orën 19.00 dhe me 27 korrik në “Teatrin Istref Begolli” në Pejë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat