Principata e arbërit – shteti i parë i shqiptarëve, kishte orientim e veprimtarim perëndimor - Bota Sot
Principata e arbërit – shteti i parë i shqiptarëve, kishte orientim e veprimtarim perëndimor

Kultura

Principata e arbërit – shteti i parë i shqiptarëve, kishte orientim e veprimtarim perëndimor

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 27 dhjetor 2015 Në ora: 23:30

1.

Doktoranti mirditor e kryeqytetas, Nikollë Loka, ndër vite pune të frytshme, me kumtimet e mongrafitë e tij shkencore, ia ka mbrri të ketë jo vetëm profilin e vet, por edhe formatin e tij, si një studiues i mirënjohur i historisë prej nga i hershmi antikitet ilir deri në kohët e sotme moderne, çka e ridëshmon dhe tek vepra ma e re “Principata e Arbërit – Shteti i parë i shqiptarëve”(Tiranë, 2015).

Kjo vepër, e këtij lloji, me këtë frymë, prej kaherit i mungonte ditës së sodit, po kësaj vepre i mungonte dhe një studiues me shpirt si Nikollë Loka, trojenik i trevës së Mirditës, ku Principata e Arbërit pati shtrat e shtat historik, që e vno në dukje, e skanon, e skalit me gjurmë e brumin e fakteve, në sofrën e realitetit.

Nikollë Loka, me ashtin e palcën e vet studimore, me mendjen e penën e tij hulumtuese e krijuese, ka në skedarin e kohës e të historisë disa vepra me interes e vlera kombëtare si “Genivs Illvrici –Dyzet e dy perandorët ilirë të Romës”, “Dinastitë iliro-shqiptare me famë botërore”, “Iliria Biblike, Shejtorët iliro-shqiptarë – nga Konstandini i Madh te Nënë Tereza (me bashkautor, av. Gjet Kola), “Arnautomania – 44 kryevizorë dhe 170 vjet qeverisje shqiptare në Perandorinë Osmane”, “Preng Bibë Doda i Mirditës” (dritëhijet e një burrështetasi kandidat për fronin mbretëror të Shqipërisë dhe dy herë zv/kryeministër e dy herë ministër), “Imzot Nikollë Kaçorri – burrështetas shqiptar në altarin e Atdheut” (me bashkautor, prof. Angjelin Shtjefni), “Llesh Zef Doçi i Lurës – Forca e mendjes, pesha e fjalës”, “Kuvendi i Fanit dhe Pamundësia e Piemontit Shqiptar”, “Bajraktar Prengë Mark Prenga – Flamurtari i Mirditës”, “Dera e Parë e Fanit”, “Studime historike, recensione, publicistikë” (Vëll. I), etj. Titujt e këtyre botimeve të tij monografike shkencore flasin vet për historianin Nikollë Loka, ashtu sikurse vet Nikollë Loka e ka thanë fjalën e tij në lartësim për historinë e trevës së Mirditës e të truallit kombëtar shqiptar.

Nikollë Loka është dhe poet e, për ma shumë e ma mirë dhe një poet antologjik në rreth dhjetë botime të tilla në Itali, është dhe publicist me vargni shkrimesh në mediat shqiptare (print e elektronike) të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Amerikës, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Kanada, etj. Dhe në veprat e tij studimore e gjejmë poetin dhe publicistin, e takojmë Nikollë Lokën historian.

E thashë kryefjalë, se Nikollë Loka është doktorant, pasi i vazhdon studimet e thelluara për historinë e arsimit shqiptar e, në këtë lami e ka në përmbyllje tezën e doktoraturës së tij. Ai ka kumtuar dhe në veprimtari shkencore tribunale si në konferencën shkencore mbajtur në prag të Vizitës të Atit të Shenjtë – Papa Francesku në Shqipëri me kumtesë për kontributin e Vatikanit në themelimin e arsimit shqip (e botuar dhe në veprën “Vatikani dhe Arbëria”); në konferencën shkencore kushtuar 800-Vjetorit të Shtetit të Arbërit kumtoi në Tiranë për zhvillimin e arsimit në Arbërinë Mesjetare; në konferencën shkencore kushtuar Betejës së Dytë të Kosovës të vitit 1448 kumtoi në Prishtinë për arsimin në Kosovë në dy shekujt e parë të sundimit osman, etj.

2.
Vepra “Principata e Arbërit – Shteti i Parë i Shqiptarëve” i historianit Nikollë Loka e ripohon Orientimin Perëndimor të Shqiptarëve. Edhe përkundrejt faktit historik se pushtimet e huaja janë përpjekur gjithqysh për ta çvendos drejt Lindjes ka ndodh tjetra: shqiptarët kanë ecur drejt Perëndimit.

Në këtë vepër kemi të pasqyruar vërtetësisht e lartësisht proçesin e identifikimit të aristokracisë shqiptare. Në se ma para ajo ishte pothuaj e shkrirë deri përtej administratës zyrtare me klasën sunduese byzantine dhe kishte dukshëm prirje kozmopolite, me Principatën e Arbërit bujaria vendase, aristokracia arbnore, del si përfaqësuese e shqiptarëve. E, prej kësaj kohe, shqiptarët patën princat e tyre. Njëherash dhe shqiptarët u orientuan për rreth tyre. Ky ishte modeli ma i mirë i bashkimit të shqiptarëve me princat e vet në të gjitha trojet arbnore, çka u krye madhnisht në kohën e Skënderbeut, me Kuvendin e Beslidhjes të Lezhës, etj.

Pa mëdyshje historike, Principata e Arbërit lindi në territorin në mes Shkumbinit e Drinit, por shumë shpejt u zgjerue vertikalisht e horizontalisht edhe jashtë kësaj hapësire gjeo-politike. Madje, si arbër u identifikuan të gjitha trevat shqipfolëse që ndodheshin në një hapësirë etno-historike e gjeografike mbi dy-tre herë ma të madhe se vet Principata e Arbërit. Këtë na e thotë qartë dhe vepra në fjalë e studiuesit kontributiv Nikollë Loka.

3.
Sigurisht, kryeqyteti i Principatës së Arbërit ishte Kruja një qytet me madhështi që e ka lanë emnin e vet në historinë mesjetare shqiptare, por ndoshta për vet veçoritë e këtij qyteti elitar, proçesi i pavarësimit filloi në periferi të Principatës. Historiani Nikollë Loka argumenton se krahas Peshkopatës Ortodokse të Krujës krijohet dhe Ipeshkvnia Katolike e Arbërit me qendër në Ndërfanë të Mirditës, duke qënë emblema e parë katolike në brendësi të trojeve etnike shqiptare.

Enklava tjetër katolike Tivar-Ulqin-Diokle ishte nën ndikimin e princave serbë e për rrjedhojë nuk i shërbente proçesit të shtetformimit të shqiptarëve. Ajo çka përveçon autori ka të bajnë me faktin se me Ipeshkvninë Katolike të Arbërit pjesa e popullatës së Arbërit u largue dhe fetarisht nga feja ortodokse duke krijue një identitet të vetin.

Letra e princ Dhimitrit për Papën për t’u kthye ai dhe bujarët e tjerë edhe populli në besimin katolik, pavarësisht se nuk ishte një qëndrim mirëfilli politik, ndikoi dhe ma vonë, ndër dekada e shekuj, që dhe Peshkopata Ortodokse e Krujës të bahet katolike.

Natyrisht duke qënë në kufi në mes dy botëve ortodokse dhe katolike patjetër që treva e madhe e Arbërit ka marrë e dhanë me këto dy botë, por për interest e veta Abati ka nxitë dhe mbështet formimin e shtetësisë tek shqiptarët duke e parë këtë si zgjerim të vetin në Ballkanin ortodoks.

4.
E, në fund, diçka për autorin e parathanies së veprës shkencore “Principata e Arbërit – Shteti i parë i Shqiptarëve”, për avokat Alfred Duka, studiues, një personalitet i ri i trevës së madhe të Mirditës, pasardhës dinjitar i njëres nga dyert e mëdha arbnore-shqiptare, nga Dera fisnike e Perlatit (Duka). Kjo derë e madhe, e moçme, e njohur, Duka, e ka prejardhjen e gjenezës së vet nga një prej degëve princore të Dukagjinëve (Duka-Gjini).

Në Shtetin e Skënderbeut ka pasë një atdhetar të shquar kombëtar. Pjetër Përlati i thoshin. Përndryshe dhe Pjetër Duka. E, albanologët Franc baron Nopça, Milan Shuflaj e At Giuseppe Valentini, akademiku Kristo Frashëri, etj. ia skalitin emrin e veprat Pjetër Perlatit (Duka) si abat i Manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë, si komandant i forcave arbnore në mbrojtjen e Kështjellës së Stefigradit, etj. E tradita e kontributeve kombëtare ecën dhe në genet e breznive të sodit, pasi jo vetëm avokati e studiuesi Alfred Duka, por edhe djali i tij, Geraldi, ndonëse në moshë studentore, ka botue dy libra për historinë diplomatike e politike të shqiptarëve: “Habsburgët, Austro-Hungaria dhe Shqipëria” (2014) dhe “Kongresi i Berlinit dhe Shqiptarët” (2015).

5.
Doktorant Nikollë Loka, personalitet publik, letrar e shkencor i mirënjohur si poet, si publicist, si historian, si veprimtar shoqëror, prej këtij viti, 2015, është dhe një personalitet me status juridik, është një institucion shkencor e civil. Ai është president i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli”. Edhe Gazulli, edhe Loka, te dy, janë rrënjas nga Mirdita e Madhe e Historisë Kombëtare. E, kësisoj lidhen brezat e kohët ndërveti: Gazulli i shek. XV e Loka i shek. XXI. Te dy rrënjas nga treva amësore e Principatës së Arbërit – Shtetit të parë të Shqiptarëve.

Pasi ia kemi mbyll dhe të fundit faqe veprës shkencore për Principatën e Arbërit të historianit mirditor e kryeqytetas, Nikollë Loka, shohim në retrospektivë e në perspektiv, se me Shtetin e Arbërit proçesi i shtetformimit tek shqiptarët pati një proces të pandalshëm, por asnjëherë nuk mundëm të krijonim një shtet kombëtar në të gjitha territoret etnike shqiptare. Ky proçes, me sa po duket, edhe pas shpërbërjes gjeo-politike të ish Jugosllavisë së Krajlëve, të Titos e të Millosheviqit, prapë se prapë po iu mbetet detyrë misionare kombëtare brezave etnik shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...