Themelohet Kosovo Film Commission - Bota Sot
Themelohet Kosovo Film Commission

Kultura

Themelohet Kosovo Film Commission

Më: 29 janar 2016 Në ora: 17:39

Në Kosovë, para pak kohësh, nga një grup profesionistësh të artit kinematografik është themeluar Kosovo Film Commission, drejtor i së cilës është zgjedhur dramaturgu dhe skenaristi Ag Apolloni.

"Kosovo Film Commission (KFC) është një ent që ka për qëllim furnizimin e të gjitha informacioneve të kërkuara nga prodhuesit audiovizivë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për realizimin e produktit audioviziv. Projekti i Kosovo Film Commission lindi si nevojë e këtij vendi për ta promovuar dhe për të tërhequr produksionet kinematografike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kosovo Film Commission do të shërbejë si një interface mes administratës së qytetit të Prishtinës (dhe të qyteteve të tjera) dhe industrisë kinematografike, në veçanti për marrjen e lejeve për xhirimin e filmave. Qëllimi i KFC-së është të ndihmojë shoqëritë e produksionit në kërkimin e vendeve të duhura për filmime dhe për shërbime të tjera në këtë sektor.

Po ashtu, Kosovo Film Commission do të shërbejë për promovimin e qyteteve të Kosovës në të gjithë botën si lokacione kinematografike dhe për të ndihmuar në njohjen e kinematografisë kombëtare jashtë vendit.

Prishtina, si nyje qëndrore për kompanitë e sektorit audioviziv, do të jetë edhe qendër e Kosovo Film Commission. Përmes Prishtinës, si vend që mund të ofrojë shërbimet e duhura në këtë sektor, do të kalohet në komunat e tjera. Duke i prezantuar botës resurset e Kosovës dhe duke i ofruar mbështetje teknike dhe lokacionet e duhura për realizimin e filmave, ne njëkohësisht sjellim fitime për vendin dhe shpërndajmë kulturën dhe resurset tona. Pra, promovimi i vendit dhe i kinematografisë janë dy pikat themelore të KFC-së.

Një ndër objektivat e KFC-së është tërheqja e të gjithë regjisorëve nga Kosova për të xhiruar në Kosovë, duke i mbështetur ekonomikisht për filmat e tyre. Mungesa e një kulture kinematografike (regjisorë, skenaristë, kameramanë, teknikë etj) dhe në shumë raste edhe mosmbështetja financiare ka bërë që produktet filmike të Kosovës të jenë të një niveli të ulët, me përjashtim të disa rasteve. Në këtë mënyrë, ne i mbështesim ekonomikisht, i ndihmojmë me trajnime të shumta me profesionistë të huaj dhe u hapim rrugën përmes promovimit për të konkurruar në festivale të ndryshme ndërkombëtare. ", thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test