Sot, dita e shtatë e DokuFest-it

Kultura

Sot, dita e shtatë e DokuFest-it

Më: 11 gusht 2016 Në ora: 15:10
Dokufest

Në ditën e shtatë të festivalit DokuFest, drejtori artistik, Veton Nurkollari, mbajti një konferencë për media, në të cilën u uroi mirëseardhje një grupi regjisorësh.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se për të prezantuar filmat e tyre, të pranishëm ishin regjisorët Kirsten Johnson, Ognjen Glavonic, Fisnik Maxhuni dhe Issa Touma.

Në mesin e më shumë se dyzet filmave sot, dy filma nga regjisorja Johnson, “The Above” dhe “Cameraperson” do të shfaqen në Kino Klubi nga ora 16:00.

“Unë mendoj që të bërit filma është krijim i marrëdhënieve, jam shumë e lumtur që të dy filmat e mi do të shfaqen, bashkë me shumë filma të tjerë sepse flasin më njëri tjetrin në ekranin e njëjtë”, tha Johnson.

Derisa NATO po bombardonte Serbinë, një kamion me 53 trupa të vdekur zhytet në Danub, pranë kufirit me Rumaninë.

“Depth two”, një film i regjisorit serb Ognjen Glavonic, sjell një këndvështrim tjetër nga lufta e vitit 1999.

 “Ideja e këtij filmi është të flasim ndryshe për viktimat, në vendin tim dhe në rajon në përgjithësi, politikanët shfrytëzojnë viktimat për poena politike, dhe unë e urrej këtë”, tha Glavonic.

Një e mbijetuar nga lufta, e cila e kisha parë filmin kishte thënë se më anë të këtij filmi ‘sot e di që nuk është e harruar’ nga të tjerët. Grupi që ka realizuar filmin, janë një grup i vogël njerëzish dhe kanë vështirësi për ta shfaqur filmin e tyre në Serbi, për shkak të temës së ndjeshme.

“Duhet të bësh teatër për fashistë e rinj”, tha Glavonic duke cituar Pasolinin, për të bërë thirrje që të luftohet fashizmi dhe ngritja e nacionalizmit në rajon.

Teksa flasin për problemet mes Kosovës dhe Serbisë, me probleme të ngjashme është ballafaquar edhe regjisori shqiptar me bazë në Zvicër, Fisnik Maxhuni.

Derisa ai po xhironte filmin e tij “Lost Exile” që përshkruan punën e një trafikanti njerëzish mes Serbisë dhe Hungarisë, tha se atij nuk i ishte lejuar të xhironte në Serbi.

Filmi është xhiruar në Kosovë nga një produksion zviceran dhe duket të jetë më shumë eksperimental.

“Unë jam munduar të jem sa më eksperimental në xhirimin e filmit, jam më shumë i fokusuar tek imazhet” tha Maxhuni. Sa i përket temës së filmit, Maxhuni u shpreh shumë i shqetësuar me faktin që edhe pas 23 vitesh, situata politike s’ka ndryshuar.

Filmi i fundit i cili u prezantua nga regjisori Issa Touma po ashtu trajton një temë të ndjeshme, atë të luftës në Siri.

9 Days – from my window in Aleppo” janë vetëm disa ditë nga lufta e vazhdueshme në Siri, te cilat regjisori Touma është munduar t’i sjellë nga këndvështrimi i një qytetari të thjeshtë sirian.

“Jam përpjekur të sjell një këndvështrim të një qytetari, i cili përbën pjesën dërrmuese të popullsisë siriane. në Siri ose duhet të përkrahësh qeverinë ose opozitën, por zërat e qytetarëve që përbëjnë shumicën nuk dëgjohen”, tha Touma.

Touma vazhdon të jetë shumë i përkushtuar për të mbajtur gjallë jetën kulturore në Siri, duke mbajtur hapur galerinë e tij dhe duke organizuar festivale të ndryshme. Edhe pse i rrezikuar nga bombardimet, Touma beson që galeria e tij u jep njerëzve emër.

 Siç duket artistët, duke përmendur edhe detyrën që ekipi i DokuFest-it i ka vënë vetes përpara, bëjnë punën më të mirë për të mbajtur gjallë jetën kulturore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat