Profesor Hazir Shala veprimtar dhe kontribues i çështjes kombëtare

Kultura

Profesor Hazir Shala veprimtar dhe kontribues i çështjes kombëtare

Nga: Ahmet Pllana Më: 31 gusht 2016 Në ora: 14:02
Foto arkiv

Pikërisht më 1 shtator 2016 u bën dy vjet nga ndërrimi i jetës së Profesor Hazir Shalës, veprimtar kombëtar, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Me respekt të lartë dhe pietet sot shënohet 2 Vjetori i ndërrimit të jetës së Profesor Hazir Shalës, atdhetarit me nam, njërit ndër ideatorët dhe themeluesit e LRBSH-së, shumë vite i burgosur politik, i ndjekur dhe i persekutuar, veprimtar i çështjes kombëtare dhe shumë vite kryetar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me një Akademi Përkujtimore që do të mbahet sot në orën 12 në Bibliotekën Kombëtare „Pjetër Bogdani“ në Prishtinë.

Trim dhe hero është ai që lufton me armë në dorë për çlirimin e Atdheut, por trim dhe hero është edhe ai që tërë jetën ia ka kushtuar çështjes së Atdheut e Kombit. I tillë është edhe profesor Hazir Shala, i cili mbi 60 vjet zhvilloi veprimtari aktive kombëtare, pa u ndalur për asnjë çast. Ai për veprimtari kombëtare u ndoq nga regjimi jugosllav, u arrestua dhe u burgos disa herë. Profesor Hazir Shala për veprimtari kombëtare u dënua nga Gjykatat jugosllave komuniste dhe u dënua me 17 vite burg. Ai edhe si i burgosur ka qene i maltretuar në format më çnjerëzore. Pasojat e burgosjes së tij të gjatë i ka vuajtur familja e tij, (gruaja pa burrë dhe fëmijët pa baba). Andaj, e kemi obligim që sot të shkruajmë dhe ta kujtojmë veprimtarinë e tij kombëtare.

Ai ishte 18 vjeç kur qante hallin për shqiptarët e bashkuar, për Shqipërinë e Bashkuar. Hazir Shala ishte më se tri dekada kryetar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me seli fillimisht në Tiranë në vitet e -9o-ta, ku e themeloi, e regjistroi dhe zhvilloi aktivitet kombëtar dhe atdhetar anë e kënd Shqipërisë. Ai gjithashtu edhe pas luftës së fundit që u zhvillua në Kosovë në vitet 1998 e 1999, me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, profesor Hazir Shala erdhi në Prishtinë dhe e hapi Zyrën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku zhvilloi aktivitet të ngjeshur deri në ndërrimin e jetës së tij në shtator të vitit 2014. Me çlirimin e Kosovës, profesor Haziri menjëherë e filloi aktivitetin e tij kombëtar.

Një ndër aktivitetet e mëdha të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vlen të përmenden ishte edhe organizimi dhe mbajtja e Konferencës, përkatësisht Simpoziumit Shkencor në Prizren në vitin 2001 me temë Lidhja e Dytë e Prizrenit, ku morën pjesë shumë profesorë dhe atdhetarë me kumtesat e tyre nga të gjitha trojet etnike. Vlen të përmendet edhe organizimi dhe mbajtja e Tribunës Kombëtare Publike me temë „Ri-Bashkimi Kombëtar Shqpitar“ që u mbajt në organizim të Lëvizjes në Hotelin Grand në Prishtinë në vitin 2010, ku me kumtesat dhe diskutimet e tyre morën pjesë shumë atdhedashës. Kjo tribunë u përcoll nga mediat dhe ishte mjaft e sukseshme. Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe të gjitha subjektet kombëtare shprehin mirënjohje dhe konsiderata të larta për veprimtarinë kombëtare shumvjeçare të Profesor Hazir Shalës, i cili ishte udhëheqës i LKSH-së dhe një veprimtar i palodhshëm për asnjë çast.

Kush ishte Prof.Hazir Shala?

Profesor Hazir Shala ka lindur në fshatin Barilevë të komunës së Prishtinës më 28 gusht të vitit 1934, kurse ka ndërruar jetë më 1 shtator të vitit 2014 në Prishtinë. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm, kurse Shkollën Normale e ka mbaruar në Prishtinë në vitin 1959. Profesor Haziri më pas u emërua mësues në Shkollën Fillore në Pestovë të Vushtrrisë, kurse më vonë ka vazhduar të punojë si mësues dhe njëherit edhe drejtor i Shkollës Fillore „Naim Frashëri“ në Breznicë të komunës së Obiliqit. Profesor Hazir Shala ka vazhduar studimet në Universitetin e Beogradit në vitin 1954/55, përkatësisht në Fakultetin Filozofik, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Pas mbarimit të fakultetit, profesor Haziri ka vazhduar të punojë si profesor në Shkollën Normale në Prishtinë në vitin shkollor 1959/60 ku punoi disa vjet.

Profesor Hazir Shala që në rininë e hershme, thuaja se gati si fëmijë, prej moshës 17 vjeçare, ka filluar të merret me veprimtari patriotike, atdhetare dhe kombëtare. Çdoherë atij i interesonte çështja e kombit dhe gjendja në të cilën gjendej populli i tij, përkatësisht kombi shqiptar, i ndarë në gjashtë shtete. Ai preokupim kryesor e kishte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet unik dhe të natyrshëm, ashtu siç është edhe gjeografikisht, ashtu siç thoshte edhe ai vet „ashtu si e ka krijuar Zoti“!  Ndonëse ishte i ri, Haziri ishte i edukuar në frymën patriotike e atdhetare, e cila u kuptua heret nga profesorët dhe shokët e tij.

Gjatë punës arsimore i kishte shokë patriotët e njohur, pos dajës së vetë Beqir Krasniqit, edhe Mustafë Venharin, Latif Berishën, Metush Krasniqin, Kadri Osmanin e shumë të tjerë. Me gjithë rreziqet e mëdha që ishin në atë kohë kur profesor Haziri zhvillonte veprimtari kombëtare, ai aktivitetin e tij e zgjëroi edhe më shumë dhe ishte njëri ndër ideatorët dhe themeluesit e parë të LRBSH-së bashkë me disa shokë të tij atdhetarë. Prandaj, për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare, më 8 qershor të vitit 1964, UDB-ja jugosllave filloi arrestimin dhe burgosjen e anëtarëve të LRBSH-së.

Burgoset një numër i veprimtarëve që ishin anëtarë të LRBSH-së, veçanërisht disa udhëheqës dhe organizatorë të dalluar e të njohur të LRBSH-së, në mesin e tyre u burgos edhe Profesor Hazir Shala, si njëri ndër ideologët, themeluesit dhe organizatorët e veprimtarisë së LRBSH-së. Emërtimi i organizatës LRBSH dhe programi i tij ishin tepër befasuese dhe tepër të guximshme dhe me shumë rrezik për atë kohë kur UDB-ja për asgjë likuidonte fizikisht shqiptarët. Për Beogradin themelimi i LRBSH-së ishte befasi tepër tronditëse, ngase Programi i LRBSH-së ishte dokument i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes gjithëkombëtare në Ballkan. Profesor Hazir Shala, në vitin 1962 kur njëri prej kryekriminelëve të shqiptarëve, Dushan Mugosha, trumbetonte se „kosovarishtja e dibranishtja nuk kanë lidhje me gjuhën e Shipnisë‘‘(!!!) profesor Hazir Shala shkroi artikullin me titull ‘‘GJUHA SHQIPE KA NJË TRUNG, NJË ORTOGRAFI‘‘, i cili u botua në gazetën e atëhershme „Rilindja“ e cila ishte gazeta e vetme ditore në gjuhën shqipe që botohej në Kosovë.

Ky artikull shumë i guximshëm për atë kohë u botua në gazetën „Rilindja“ dhjetë vjet para Kongresit të Drejtëshkimit që u mbajt në Tiranë në vitin 1972. Profesori i nderuar Hazir Shala e meriton Mirënjohjen publike në 2 Vjetorin e ndarjes fizike nga ne, pra pikërisht në ditën e sotme, më 1 shtator 2016. Mirëpo, Profesor Hazir Shala gjithmonë do të jetojë me ne dhe do të kujtohet me pietet të lartë si veprimtar i çështjes kombëtare. Me ne do të jetojë përherë ideali i tij për ri-bashkim kombëtar deri në realizimin e tij. Profesor i nderuar Hazir Shala ishte gjithmonë me popullin e shumëvuajtur shqiptar, frymoi bashk me dhimbjet e popullit dhe vuajti me shpirt për këtë popull. Biografia e Profesor Hazir Shalës është e lidhur me shumë veprimtari dhe zhvillime kombëtare, duke filluar qysh në moshë të re, kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme, në Shkollën Normale në Prishtinë, kur u themelua Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH),  të cilës u bashkangjitën shumë shokë të tij.

Profesor Hazir Shala bashkë me shokë e kanë themeluar, emërtuar dhe hartuar Programin e LRBSH-së në vitin 1957. Këtë vit Haziri me disa shokë kanë vendosur flamujë kombëtarë kuq e zi me shqiponjën dykrenare nëpër shtyllat elektrike e drunj skaj rrugëve dhe objekte të ndryshme në Prishtinë, në kohën kur flamuri ishte rreptësisht i ndaluar nga ish regjimi komunist jugosllav, gjenocidal, diktatorial, kriminal, fashist. Prof.Hazir Shala në këtë kohë është burgosur dhe është terrorizuar fizikisht e psiqikisht. Ai gjatë jetës së tij nuk është burgosur vetëm një herë, por është burgosur disa herë.

Ai gjithashtu u burgos edhe në vitin 1981. Është dënuar 17 vjet burg dhe i ka mbajtur 14 vjet burg. Prof.Hazir Shala, në vitin 1958 ka shkruar artikullin shumë të guximshëm „Një gjuhë, një ortografi“ në gazetën „Rilindja“, përmes të cilit shkrim ka dashur të thotë se ne shqiptarët kudo që jemi, jemi një. Prof.Haziri gjithmonë thoshte: Ne kemi një rrënjë, një gjak, një gjuhë, një komb, një flamur, një gjenealogji, një histori, një gjeografi...! Maksima e tij në çdo çast, me këdo që takohej ishte „NJË PERËNDI - NJË SHQIPËRI“!  Kjo përherë ishte fjala e parë e tij, kudo që vente, kudo që gjendej.

Fjalët e tij „Një Perëndi - Një Shqipëri“ japin të nënkuptohet se shqiptarët patjetër duhet të bashkohen në një shtet. Bashkimin kombëtar e kishte në zemër dhe në shpirt. Për bashkim kombëtar ai angazhohej gjithmonë dhe ishte në gjendje të flijohej për bashkimin, gjegjësisht ribashkimin kombëtar! Lavdi veprës kombëtare të Profesor Hazir Shalës! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës- Dardanisë-Shqipërisë! Ne të gjallët dhe gjeneratat e reja duhet të ecim rrugës së Hazir Shalës, drejt realizimit të amanetit të tij, drejt Bashkimit Kombëtar si thoshte ai apo thënë më mirë drejt ribashkimit kombëtar, siç do të thoshin drejtuesit e subjekteve kombëtare!

(Autori është gazetar dhe ish koordinator për komunikim me media i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat