Përshëndetje mistikës patriotike të Dervish Luzhës

Kultura

Përshëndetje mistikës patriotike të Dervish Luzhës

Nga: Hasan SELIMI Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 12:01
Foto nga vendi ngjarjes

Më ka ardhur në mendje disa herë që të shkruaj për Dervishin. Të shkruaj për të, si një nga ata që nuk përshkruhet lehtë. Bile nganjëherë flasin se është e pamundur të bësh shënime mbi të. Shënimet e kujtdo që bën mbi figurën e tij, për veprimtarinë e tij, për fshehtësinë e tij, për aftësinë e tij, që të shikoj përtej fshehtësisë, që rradha e tij në kohë e hapësirë la një emër me gjurmën më të madhe në historinë e Sufive deri aty, sa u ba mit, vetëm pasuron diçka, se jo kurrë e kompleton figurën e Tij.
 
E në këtë analizë të parë dhe të fundit më detyron marrëdhënia dhe obligimi që kam për një sufi, si Dervish Luzha, një nga më të spikaturit. E nisur nga kjo duhet të nxjerrim edhe disa të dhëna, që i nevojiten në të ardhmen studiusve të filozofisë, mistikës dhe historisë. Flasim si mistik i shkollës, i sakrificës dhe i praktikës pa frikë.
 
Të shtunën e 29 tetorit 2016 u mblodhën në Luzhë të Tropojës për të nderuar një nga njerëzit e vendit tonë, një nga ata që meriton jo vetëm nderim, por edhe përkushtim dhe qenësi të përhershme. Një nga ata njerëz, që mund t`i thuash tokësor, bile edhe mund t`i thuash se nuk ishte tokësor. Fjala ose togfjalëshi është, apo nuk është tokësor, ka shumë shpjegime dhe jo shpjegime enigmatike. Ti thuash një personi enigmatik, merr trajta të ndryshme, bile aq larg përçon ngatërrimin me këtë fjalë sa mundesh ta përziesh edhe me qëllimkeqin. Personaliteti që na mblodhi në kë të datë, në këtë ditë, ishte mistiku, sufisti, halvetiu Dervish Luzha. Ky lloj shpjegimi i ka rrënjët në mistiken e këtij njeriu, që ne e kemi njohur Dervishi i Luzhës. Mistika e Dervishit ka përcjellë në vetvete elementin bazë, atë të patriotizmit. Një nga figurat, që e ka mishëruar masëmiri togfjalëshin “ Fe e Atdhe” të përcjellur nga eruditi i Rrefaive Shejh Ahmet Shkodra. Me mistiken e tij, Dervishi pasqyroj gjenizmin e fesë Islame dhe të Doktrinës Sufiste.
 
Garancia e një personi, apo një kombasi, të cilitdo komb të jetë, është koshienca dhe vlerësimi i ardhmërisë. Dervish Luzha ka patur edhe koshiencën edhe vlerësimin patriotik. Këtë e ka praktikuar gjatë gjithë jetës së tij. Për këtë kanë sjellë lloj-lloj tregimesh nga njerëz të ndryshëm, që e kanë njohur e jetuar me praktikat e tij mistike. Të vijnë një njeri i një kombi, krahine, fisi, apo të një fshat-shtëpie duhen njëqind vjet. E kjo pa hezitim mund të quhet orë e këtij kombi, i cilit do të jetë ai i krahinës, fisit ,apo i fshatit-shtëpisë. Sa vjet iu deshën fshatit Luzhë të vijnë ky Dervish, kjo Orë, që i sherbeu kujtdo. Shumëkush e dinë se sa e vjetër është Luzha si fshat. Por e dinë edhe sa është Gashi në tërësi. E kjo u kurorëzue me lindjen e Dervishit. Me “Orën çue” si e thotë legjenda urbane për mitet dhe të panjohurën e tyre.
 
Këtë individ të Gashit të Gurit, në fshatin e Luzhës e mbajtën dy shtylla të fuqishme. Njëra ishte Patriotizmi dhe tjetra Mistika, besimi në mistikë. Këtu kemi të bëjmë edhe ne. Pa pikë dyshimi mund t’i quajmë të lidhura bashkë këto shtylla që e mbajnë Tarikatin ose, siç quhet në shqip Rruga e Drejtë. E para është Sekreti. E dyta është Sakrifica. Si të parën edhe të dytën Dervishi i mori mbi supet e veta me koshiencë që në voglinë e tij. Ai e përdorte Sekretin si një mjet për të zhdërvjelltësuar mendimin njerëzor. Në hamendësimet e tij gjëje jo hipoteza, por zhvillim të mendimit filozofik të mistikës. Nga sekretet e dërguara, ose të ardhura në materien e tij, Ai shpesh i ndante me njerëzit. Këtë ndarje njoftimi nga Krijuesi dhe materia e vet, ai e bënte që t’i orientonte njerëzit për kah e mbara si: puna, shkollimi, jetesa, largimi nga e liga, apo vesi. Në vitin 1240 u përcaktue nga sufistët shkollar se, Përendia gjithmonë e tejkalon krijimin, por me ndërmjetësimin e njeriut, bota e krijuar i rikthehet unitetit të saj fillestar. Me këtë dhe me shumë veprime të tjera në fushën e Sufizmit, Dervishit i përshtatet më shumë me zhvillimin shpirtëror, që kalon përtej fshehtësisë se sa zhvillimit natyror të ngjarjes.
 
Në përgjithësi eremitët, asketët, kanë një kod fjale. Dervish Luzha kishte një kod fjale, që duhej një njohje e përsosur për ta dëshifruar. Kjo vinte për disa arsye. E para, Dervishit të Luzhës i duhej të ruante sekretin mistik. E dyta, kishte raste se fjala e ardhur për t’u shpreh i vinte me shkëputje, që zor e merrte tokësori. Ashtu siç e merrte populli mit, ashtu e merrte Dervishi i Luzhës, tani i kthyer në mit. E treta, vet Krijuesi ia jepte në rrokje dhe me shkëputje kohore, që ta vinte në vështirësi vet Dervishin e Luzhës përpara se ta ndante me të tjerët. Kur Dervishi ose në përgjithësi eremitët lidhjen e kanë direkt me Zotin e Madhnueshëm e kanë shumë më të thjeshtë përceptimin e ngjarjes dërguar. Ndërsa, kur dervishi ose vetë të gjithë eremitët (Harabatit) kanë lidhjen me tokësorët e zgjedhur, për të përcjellë si ndërmjetës të një njoftimi, e kanë ma të vështirë. Vetëkuptohet se tokësorët kanë pak nga të gjitha. Supozimet për enigmatikët nuk janë krejt të përshtatshme në këtë vështrim.   Duke parë në këtë këndvështrim Dervishi i Luzhës mori përsipër nga bashkësufistët të jetë Ai, që t’i dalë për zot mbrojtjes së rrugës drejt Sufizmit. Kjo solli kushte që të mos falet askush, që nëpërkëmbë sufin, Dervish Luzha, apo sufitë në tërësi. Jemi në dispozicionin tënd, por jo dy herë për të njëjtën çështje. Kështu u vendos dhe kështu vazhdoi. E Dervishi u ba qendra e vëmendjes të mirit dhe të keqit e ky i fundit e pësoi.
 
Ne kemi ba përpjekje edhe disa herë të tjera të flasim diçka për fushën e mistikës, për mitet, siç i thonë telepatin, apo parashikimet e të ardhmes. Në këtë shënim më duhet të jem paksa konçiz për vet faktin, se ka njerëz që e njohin vet Dervishin e Luzhës, por nuk njohin Rrugën nga e cila është nis Ai, të sjellë në vëmendjen tonë të fshehtën, që Atij i ka ardhur. Duke qënë sa ma objektiv në të pamundurën mistikë, njerëzit e sotëm sa futen në një institucion fetar dalin ëngjuj me shpalljen e vetvetes. E kjo është mundësia e paktë, që të lenë vend për objektivizëm.
 
Nga shpjegimet përtej fshehtësisë, ose përtej Tij, siç iu pëlqen studiuesve të mistikës, duhet një njohje e afërt me Dervishin e Luzhës. Dervishi lindi i dekretuar Dervish. Ai mbante vulën e Krijuesit. Por a duhej një përcjellje tokësore? Po patjetër se po. Përcjelljen hyjnore e bashkoi në Teqen e Çajës, tek Shejh Rexhepi. Si ia dha dhe si e këshilloj të fluturoj me ëngjujt ky Shejh, Dervishin e Tij, kjo don shumë kohë dhe shumë njohuri në Rrugën e Drejtë.
Si fenomen i llojit të Tij, ky tokësori Rexhep Tarçuku u fut në Teqen e Çajës si Rexhep dhe doli Dervishi i Luzhës. E në fakt Shejhi nuk e kurorëzoi si Dervish të një fshati, por E mori emrin dhe mbiemrin nga dy vendlindjet e Tij. Edhe emrin nga Shejh  atë biblik, edhe mbiemrin nga ku ka lind Luzha atë tokësor.
 
Të gjithë njerëzit në vetvete janë materie në zhvillim. Dervishi i Luzhës edhe pse i përkiste një besimi fetar, nuk ishte Dogëm. Ai rilexoj vetën dhe zhvillimin në proçesion të pandalshëm. Në asnjëherë, jo vetëm Ai, por të gjithë ata, që besojnë dhe marrin me vetëdije premtimin sistemor të dijeve, janë në proçesion edhe në zhvillim edhe përultësi. Këta e quajnë vetën njerëzisht tokësor dhe të barabartë.
 
Dëgjimi, perceptimi, shpeshherë edhe shikimi, por kur asimilimi nëpërmes prekjes herë janë kode, herë janë mundësi momenti për t’i përvetësue nga dhënia deri tek përpunimi. Thonë se Dervishi ynë,  ka patur fjalët e shkurtra e të ndara në rrokje. Pranohet, duhet ta pranojmë. Po duhet ta pranojmë, se cilido nga ata të Rrugës së Drejtë, që përballet me lloj-lloj  problemesh e faktesh të pamundura për njerëzit tokësor, që nuk i nxori fati t’i shikojnë, t’i dëgjojnë, apo t’i prekin, e ka të vështirë t’i argumentojë në çast. Kjo nga superngarkesa, jo vetëm nga Hyj, por edhe nga të tjera ngarkesa anësore që nuk i shohim. Kësisoj duket se po i merret goja, flet fjalë që s’kanë kuptim për ne, i lënë ato të paplotësuara dhe në vazhdën e kohës në zhvillim. Këto kush i kupton, kush iu kërkon shpjegim klerikëve sufi, kush i tregon e kush nuk i flet. Por një gjë është, se ajo fjalë rrokje shpërndahet dhe me siguri zbërthehet. Tek Dervishi, kjo ka gjetur shpjegim në çdo rast.
 
Lidhet njeriu me dikënd dhe  e quan “Orë”, e quan Mit. Ka i herë e quan edhe Zot, por padrejtësisht. Në Anët Tona mitet janë të pafundme. Mendoj edhe në krejt Ballkanin. Mitet vijnë si rezultat i vështirësive, të pozitës gjeografike, të nevojës së çastit dhe të nevojës së përhershme. Por ka nga Anët Tona, që qyshse në Eposin e Kreshnikëve kemi dëgjuar, që njerëzit kanë folur me Orët, me Zanat e Maleve. Pasqyrim i një irealiteti jo krejt objektiv. Në vende e kohë të ndryshme kjo ka ardhë nga mosnjohja, jo vetëm e jetës, por edhe e shkencës së mistikës. Të flasësh me orët dhe të bahesh mit, duhet të jesh i lindur dhe i përgatitur nga tokësorët edhe këta të lidhun me Hyjn. Mit i  kemi malet, mit i  kemi lumenjët, mit e kemi edhe ndonjë lis, pishë, ah, apo ndonjë diçka, që lidhet me jetën tonë. Kjo që ne t’i shohim si shpëtimtarë.  Ka ndodhur, ndodhë edhe do të ndodhë, se nga krijimi i këtyre miteve njerëzit kanë gjetur shpëtim. Kjo është e vërtetuar tërësisht nga përtej të panjohures, ose nga nënmendimi materie, truni i njeriut. Zotit i qofshim falë nga respekti dhe dhimbja, që ka për njeriun vendosi, kur e nxori si përfaqësues, ose shembëlltyrë të vetën në tokë ta ndihmojë me praninë e Tij, kudo. E kështu Zoti e shikon njeriun në hall, në nevojë dhe futet vet aty, ku njeriu ka krijuar mitin. Ashtu i vjen në ndihmë dhe njeriu gjen zgjidhjen, e miti i tij merr përmasa të pallogaritshme. Kështu janë malet tona të larta, kështu janë gjanat, që ne na kanë ndihmuar. Në jetë, në shekuj krejt ndryshe është me Dervishin. Ai u lind mit. U kurorëzue nga tokësorja mit.
 
Nuk është rast i panjohur që me rite dhe me poezitë e kënduara, me vullnet të pa shoq në sakrificë, ai arriti të mishërohet, ose të jetë gjithmonë në brendinë e Perëndisë. Përulja dhe nënshtrimi ndaj Hyjt qe motoja e shenjës së lavdisë për cilindo Dervish të njohur në Malësi. Si asket dhe eremit në kuptimin e plotë të fjalës, si në kohët e lashta, tek ky njeri, Dervishi i gjetëm kapërcimin e individualitetit, asgjësoj krejt unin, iu dorëzue krejt Allahut, iu dha krejt Perëndisë, ku gjithë aksionet e dashurisë i drejtoi tek Allahu.
 
Si një nga edukatorët ma të spikatur të zonës dhe i njohur në shumë krahina të vendit, Ai, Dervishi i Luzhës balanconte punën e tij me të të  tjerëve  si në rrafshin kulturor e njerëzor, por edhe në atë  patriotik. Në kulmin e luftës për çlirim  kundër Nazi-Fashizmit, Dervishi i Luzhës u rreshtue partizan në Brigadën e XXV- Sulmuese. Shumë herë e kam dëgjuar dhe kam heshtur, kur thuhej se Dervishi ka shkuar në luftë pa armë. Pa armë, si pushkë, kobure, granata e fishekë. Qeshi shpesh me këtë arsyetim. Asnjë nuk e kupton se si armatosen sufistët në Luftën e Drejtë dhe Rrugën e Drejtë. Dervishi i Luzhës nuk ishte lektor i edukatës. Ai me punën, me prakticizmin e tij të pa shoq, i  ftonte njerëzit për kah e mbara. Në disa luftëra Muhametin e pyetën, pse Ju nuk keni shpatë, apo singi. Ai qeshte dhe iu thoshte, se arma ime është besimi në një Zot. E megjithëse pa armë Dervishi i Luzhës  fitoi me armën e mistikës së dhënë nga Zoti.

Për sa më sipër më duhet të analizojë një nga komponentet e Rrugës së Drejtë. Në tërë historinë e besimit, ose të shfaqjes së këtij lloj besimi nën çadrën Sufiste, njerëzit që kanë përqafuar këtë teori praktike nuk kanë mbajtur as përdorë armë, si pushkë, kobure e fishekë. Këta lloj të aderuarish janë të armatosur me armën mistike. Atë armë, që ua ka dhënë Shejh në Natën e Kurorëzimit, në natën e pranimit të koshiencës, në natën e betimit për një Shejh dhe në një Zot. Në natën në të dalë drita, që ne i themi Ditë e Re dhe Fat i Ri. Në atë natë-ditë, që merr përsipër të mësosh pa u lodhur të dhënat e Shejh tënd. Që Shejh yt të jetë erudit, siç ishte Shejh i Dervishit të Luzhës.
 
Shejh Rexhepi i Çajës së Lumës ishte burrë i ditun, zotëronte disa gjuhë të huaja, i shkolluar më së miri për teologji dhe mistikën sufiste. Ajo Teqe dhe Ai Shejh mbanin detyrën e marrun me koshiencë të Halvetive në një kohë para më shumë se treqind vjetëve. E, ja çka u vërtetue që nga ajo Derë, për tre vjet u shkollue, u burrërue, u afirmue për një ose më shumë beteja të reja, Dervishi i Malësisë, Dervish Luzha. E them unë,  mund ta thonë me plot gojë kushdo, që ka marrë sadopak njohuri për figurën e Dervishit të Luzhës, e ky njeri me përmasa profetike në kohë e në hapësirë, gjithçka e ka të dhuruar nga një frymë e padukshme..

Image

 
Dervish Luzha, ose siç i thirri nana e vet Rexhep Tarçuku, u shkollue në Çaje të Lumës nga Shejh Rexhepi me mistikën e Teqes së Halvetive. Siç tha një nga shehlerët e asaj Teqeje: “Dervish Luzha erdhi Dervish dhe shumë i naltë. Ne, si Teqe, e konfirmuam atë Gjeni”. Ai mësoi për tre vjet shkollën e mistikës dhe të panjohurat përtej fshehtësisë sikur njohim, ose sikur marrim njohuri të gjithë ne në shkollat tona teknike të disiplinave të ndryshme. Ne si sot edhe në të kaluarën, për një periudhë tre vjeçare, një njeri mëson çfarëdo lloj prefesioni nga mësues e deri në cilin do profesion tjetër. Dervishi ynë Dervish Luzha mësoi profesionin e mistikës dhe fshehtësinë nga Shejh i tij, Rexhepi, për tre vjet. Atë shkollim e pasqyroj me mjeshtëri, trimëri, ndershmëri dhe kompetencë gjatë gjithë  jetës për tetëdhjetë e një vite.
 
Ai e dinte Kuranin përmendësh. Ai dinte esma e  selavatë,  si dhe çdo ajet Kurani,  përmendësh. Jo vetëm i njihte e i këndonte përmendësh, por i dinte edhe për çfarë arsye e nevoje duhen lexuar ato, në favor të njerëzve në nevojë. E si mos t’i thuash këtij njeriu edukator, në këto pozita kulture që i mbante në tërë qënien e veprimtarinë e tij.
 
Në shumë analiza që kanë bërë dhe po bahen, dhe në rrëfime të shkurtra mes një apo më shumë njerëzish, del se Dervish Luzha ka patur simbolet e veta. Këto simbole qenë Kazma, Teberi, apo Singia, (lloj shigjete) dhe Lahuta. Më kanë thënë njerëz, që e kanë patur edhe shumë dashamir Dervishin se, Ai nuk e ndante kurrë Flamurin Kombëtar Shqiptar. Dervishi flamurin e çonte kudo, kur ishte data e flamurit. Me çfarëdo lloj ngjarje në Kosovë e kjo para se të ndodhte. Simbolet e Dervishit kishin jo vetëm një domethënie.
 
Të gjitha këto simbole janë pjesë e një kallzimi vepror, ose praktik i Dervishit të Luzhës në sytë e njerëzve. Në Malësi, vendi ku e shtrinte aktivitetin e tij Dervishi i Luzhës qe një skamje e pa shoqe. Me reshje në dimër dhe shumë pak reshje në verë. Bereqetet, ose buka sigurohej për pak muaj të vitit. Situatat politike po ndërrohen e po zëvendësojnë njëra-tjetrën. Popullit i duhej punë dhe kjo puna është nevojë, është nënshtrim i qënies. Nga lufta në punë dhe punë për jetën. Ai, Dervishi parashikonte gjithçka duhej dhe do të bahej në shërbim të Malësorëve. Kazma e tij ishte, siç thonë, vendimi i koshiencës lëshuar me esma, dua, dalë nga Kurani. Teberi, simboli i armës për mbrojtje, një nga ato mjetet e përcaktuara nga Shejh, që t’i ketë me vete gjithmonë. Ky lloj shigjeti, ishte simbol i mbrojtjes. Ky përcakton fuqinë njerëzore ndaj hekurit si vet prodhues. Lahuta e Dervish Luzhës. Kjo lloj vegle muzikore e ka shoqëruar folklorin e tij  për gjatë tërë jetës. Me Lahutë iu ka kënduar sukseseve, që janë dhe do të vijnë u ka kënduar ngjarjeve, që do të vijnë, u ka kënduar jetës dhe bukurisë së saj. Më kanë thënë se, në fshatin Markaj në shtëpinë e Dervish Syl Rexhepit shkuan si mysafirë Dervish Luzha dhe Rexhep Beli e këndonin si këngëtarët më me përvojë të kohës. Këndonin, i binin lahutës, çiftelisë dhe fyellit. 
 
Kush më mirë se ky Dervish i Malësisë, i  respektonin ngjarjet e Sufistëve. Ata çdo ngjarje e mbanin mirë në mendje dhe në kohën e duhur mblidheshin aty. Një nga ngjarjet e mëdha ishte Shkëlzeni, që nga vitet 1220 deri në vitet 1240 aty udhëtoi Sari Salltyk Baba, ose siç njihet Shejh Mehmeti. Qysh nga ajo ditë, nga ajo datë dhe deri tani 7 Gushti është Festë Bashkimi për Dervishët, në maje të malit të shndritshëm, Shkëlzen. Aty, këta burra, kanë paralajmëruar për gjithçka i duhej atdheut e njerëzimit. Aty lexonin nëntëdhjetë e nëntë emrat e Zotit, aty i janë falë Ismit, pra të fshehtës dhe ideales, janë bërë një me të, duke u larguar nga materialja. Aty janë dalë nga realiteti objektiv dhe janë bërë njësh me Zotin.
 
Dervishi Luzha ka lindur me datën 15 korrik 1904 nga martesa mes Tarçuk Sefës dhe Fate Hysenit e cila ishte nga Geghyseni,  motra e dy burrave ma me emër në këtë zonë: Bajram e Halil Hyseni. Ai ka kalue ( vdekur) me 03 nëntor 1985. Dervish Luzha ka hy’ përfundimisht në shtëpinë e Halit Balës, në pranverën e vitit 1982. Këtij personi i ka shërbyer me devotshmëri Bardhe Tanja. Bardhja është e datëlindjes 1927, grue shtëpie e Halitit. Në Tyrben e Dervishit shërben përveç Bardhes edhe myhybi, Neki Bala. Nga viti 1985, vit kur nuk lejohej të ndërtohej Tyrbe, i shërbeu Bardhja, kjo grue lezhjane, me një veneracion dhe korrektësi maksimale.
 
Fill pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Dervish Luzhës iu ndërtue Tyrbja nga Azem Hajdari, që njihet nga mbarë shqiptarët, kudo ku janë, si një njeri shumëplanësh dhe me merita të pakrahasueshme. Mendoj se nuk është vendi dhe as koha që të flasim ma shumë fjalë për Azemin nga sa i thashë këtu.
 
Ja tani, sivjet, më 2016 erdhi një moment historik për vlerësim juridik të Dervish Luzhës. Pushteti Shtetëror, i kryesuar nga shefi i Unitetit të Kombit arriti në atë pikë të lartë, ku vendosi të dekoroj këtë personalitet shumë të çmuar. E, me datën 29 tetor 2016, në fshatin e lindjes dhe të prehjes së Dervishit, në Luzhë, aty tek Tyrbja u ndërtue ngjarja: Dekorata me Dekret, nr. 9774 datë 27.10.2016. I jepet Rexhep Tarçuk Balaj (Dervishi i Luzhës) pas kalimit në jetën tjetër, me këtë motivacion: “ Në vlerësim e nderim të veprimtarisë së tij, të veçuar atdhetare si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste, veçanërisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si klerik i shquar, bamirës zëmërgjërë dhe edukues, duke mëkuar plot durim e përkushtim banorët e Tropojës, Malësisë së Gjakovës e më gjërë me vlerat  e virtytet më të spikatura kombëtare”
 
Po ishte nderi që i dha Presidenti, Zotni Bujar , njëherë  juridikisht edhe zot i Shqiptarve të Shqipërisë shtetërore. Pas këtij akti duartrokitje, urime për Presidentin, urime për organizatorët, për sponsorët, për të gjithë ata që e deshtën dhe e vlerësuan Dervishin e Luzhës në të gjallët e tij. Nga të gjithë, kjo fjalë edhe për çka dëgjoja, mendja fluturonte aq larg sa më dukej se po flas me eremitin në malet, fushat e kodrat e Malësisë. Më dilte përpara një takim që pata me Dervishin e Luzhës në pranverën e vitin 1983. Më erdhën në mendje si shirit i një magnetofoni të kohës që ishin me pakicë. Ai iu tha atë ditë, në atë odë, njerëzve, se të gjithë do të vijnë tek unë. Do të më kujtojnë, do të  di dhe do kem mundësinë t’i ndajë edhe në të mirë, edhe në të këqinj. Dervishi i Luzhës me politikën ishte shumë i lidhun. Ai e përcillte nëpërmes mistikës së tij të gjitha ngjarjet kombëtare dhe globale. Dervishi me eksponentë dhe funksionarë të caktuar të  kohës nuk pajtohej, si në planin kulturor edhe në planin traditor. Në shumë raste ka patur probleme me këta funksionarë, që nuk e njihnin patriotizmin mistik të Dervishit. E, për pasojë, Dervishi  shihte tek ata pasoja të pariparueshme. Kjo i vinte nga planmbështetja, që kishte ky Dervish se për një problem ka vetëm një herë mbledhje.
 
Ah, i thashë vetes, sa spekulante është jeta dhe vet materja njeri. A pranonte Dervishi spekulim? Jo,- iu përgjigja vetes. Kjo nuk do të ndodhte. Në moment si ka nevojë njeriu të ndajë  diçka me dikënd, ju drejtova një Shejh dhe i thashë, se politika dhe pasunikët spekullojnë me fenë, por a pranohet nga sufitë. Këta kanë punën e vet dhe ne kemi punën tonë. Mos u shqetëso. Mendojnë se e kalojnë klasën, por ka nota nga njëshi deri tek dhjeta. Qesha me përgjigjen dhe analizën e shpejt të bashkëbiseduesit.  
Malësorët e Malësisë ngado që janë nuk kanë nevojë për Ftesë për tek Dervishi ynë në bokat e Luzhës. Edhe Dervish Rexhep, po të ishte tani fizikisht do ta shikoni, se si mërzitet e fort i idhnuem me konceptin Ftesë. Këtu jemi në fshatin Luzhë të Gashit dhe nuk na pengon asnjë forcë në Botë të jemi këtu. Ne dhe ju bashkë kemi ardhur këtu tek Dervishi si klerikë Halveti në kushtet e terrorit psikologjik. Na ka ndihmue vet, Ai dhe shumë faktorë të tjerë prej projektit fillestar të Kriuesit, që të mos kemi asnjë problem.

Për të nderuar Dervishin erdhën nga të katër anët e Shqipërisë. Kishin ardhur nga Janina e Mitrovica, nga Vlora e Drenica, nga Plavë-Gucia e Korça, nga Mokra e Mallakastra, nga Kuçi e Gostivari, nga Shkupi e Shkodra, nga Dibra e Durrësi. Të gjithë, në respekt të Dervishit të Luzhës.
Në trevën e Malësisë së Gjakovës kemi dhe do të kemi personalitete si në çdo fushë tjetër edhe në Tarikat (Rrugë e Drejtë). Ne nuk mund të flasim për një nga tarikatet, apo individ të veçantë pa i kujtue edhe të gjithë të tjerët. Rrefait, Saditë, Kadritë, Halvetitë e tjerë.
 
Dervish Luzha është pa dyshim një nga personalitetet nga më të rëndësishmet të klerit të mistikës sufiste. Ai në botëkuptimin e tij atdhetar mori përsipër të marrin armët e tij mistike e të rreshtohet në luftë për çlirimin e vendit. Ai dhe vetëm Ai mori përsipër të dalë në mbrojtje të kauzës së tij e të mistikës dhe fesë në përgjithësi.
 
Në kushtet e kohës së egër Ai dhe vetëm Ai mori përsipër të mbajë dhe të mbrojë në këmbë besimin tek një Zot. Ai foli dhe nuk e përseriti dhe vendim-kërkesa e tij nuk u rigjykua kurrë. Kjo edhe nëse është edhe e babës, djalit, nënës, vajzës e axhës e kujdo tjetër. Kështu qe kushti dhe kështu veproi i shumëvuajturi eremit Dervish Luzha, për gjatë gjithë kohës nga 1966 deri sa jetoi.
 
Në rrugëtimin e gjatë të mos praktikimit të besimit të çfarëdo lloi të jetë,  ne kemi humbur shumë, që e kemi fort të vështirë të plotësojmë atë kohë boshe.

Vjen tha Dervishi  një klerikë Sadi këtu nw Malësi dhe atëherë ngushtohet koha e hiqet gardhi. Ne, Malësia e Gjakovës kemi dhe do të kemi gjithmonë sytë nga Gjakova. Të gjithë furnizimin shpirtëror e morëm dhe e kemi marrë e do ta marrim nga Teqet e Gjakovës të Prizrenit. Një nga furrnizuesja më e madhe dhe me emër ma të ndritun është Teqja e Sadive në Gjakovë. Kjo ka një veçori nga të gjitha Teqet e tjera. Është kleriku i parë dhe i vetëm shqiptar, Sulejman Bushatllia, Haxhi Za Baba, që vet organizoi Pirin Sani në Rumeli. Deri atëherë klerikët ishin import nga vende të ish Perandorisë së Kohës.

Për këtë edhe për shumë të tjera duhet të pranojmë se ka klerikë, që ka grada, dekorata, tituj e lëvdata nga njeriu, siç ka nga ata që këto grada, dekorata, tituj, lëvdata i ka të stampuara në mishin e tij. Ka nga ata që këto i ka të stampuara në kockën e tij. Ky është Dervish Luzha.

Uroj të kemi sa më shumë si Dervishin tonë, që të njohin filozofinë, mistikën, njerëzoren, dhe marrëdhënien ndërnjerëzore me përultësinë që i takon. Ka nga ata që mendojnë se me emrin e Tij dhe me të ashtuquajturin përkushtim ndaj Tij do të gjejë një spekullim që i nevojitet për çastin. Jo, kjo nuk ka rrugë të hapur.

Tropoja nuk është as abetare, as libër. Tropoja është mal, apo oqean, që nga fshehtësia e saj nxjerrë gjithçka, që i nevojitet Njerëzisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat