Qepja e atdheut nga struke në gunë të zezë

Kultura

Qepja e atdheut nga struke në gunë të zezë

Nga: Kalosh Çeliku Më: 22 dhjetor 2016 Në ora: 12:25
Kalosh Çeliku

Imzot, Shkupi historik i shqiptarëve antik
Jo, s’ka mëkate. Faj ka Dudumi “kuqezi”,
“Shehit”, që pi gji Njerke si qëngji butë

Me atë, thënjen e popullit:
Qëngji butë i thithë dy nana.
Matanë, t’i bie not Vardarit për Dje.
Edhe, mbytet në hurdhë shiu. Kënetë.
Megjithatë, i pavdekshëm kotet brigjeve
Rrëzë Kalasë Dardane. Pasmesnate
Zëra: O burra shqiptar, thërret Atdheu!

Ballë u bëri nëpër shekuj pushtuesve
Mëkat, që ulem te këmbët e Olimbisë
Nuse pa koçi me fëmijë në gji e prehër.
Dexhalli mbi Urë,  e kërkon për Nuse!
Luftë u kam shpallur shtambave me verë
Përinat të Rrufjanit,  e Njerkës azgane.

Buçat, pjellin kopila, na i lënë pas porte
Bythekrye dehen me çaj rusi në Bit - Pazar.
Valle  heqin me Dexhallin, bien “shehitë”.

Matanë Urës Gurit, Aleksandri Madh
I ka hipur kalit. Shpatën e ka nxjerrë për luftë.
Filipi Maqedonisë, grushtin si xhaxhi Enver
Ndalë: këtu është kufiri shqiptaro - shqiptar!
Para Kishës Shën Dhimitri bëhet luftë fetare:
Mitropolitë Beogradi, kryqin e Biblën në dorë
Shejtanarapët, nateditë e shurdhojnë qiellin
Besimtarët, e  harruan Zotin, lartë mes reve.

Skënderbeu në Shkup, moti i ka hipur Kalit
Dorën lartë, herë nga Perëndimi e herë nga Lindja.
Shpatën në brez për paqe: Ndaluni, o burra!
Car Dushani, sot nuk rrëzohet me çekiç druri.
Po, me tokmak vathe. Bythekrye, në Vardar.

“Komandantët” pa ushtarë  i kemi në xhami
Dehen me çaj rusi në çajtore, deri në “sabah”.
Natën mbajnë “Ramazan”
E ditën e kalojnë në gjumë:
Me tespihe kuqezi. Dhe, ilahi në shtratë
Tymeflakë e “vrasin” Shejtanin...

(Njerka krihet para pasqyrës e Shkupi digjet)

Vite e vite i prita nën Rrap dudumët
Mes dy shtambave me verë.
Dhe, Mikes Di: kokë më kokë.
Vapë. Nën hije, në Bit - Pazar
Shqiptarët të dalin në protesta për Liri:
Jo me flamuj turko - arab
Po, me flamurin kuqezi shqiptar.
Grupe - grupe përpara Qeverisë:
Ne, nuk e duam këtë Njerkë
Që vretë. Rrasë në burg “terroristë”.
E duam Mëmëdheun. Dhe, Atdheun!

Vërtetë, sot më vjen keq si Poet
Shqiptarët nuk dinë çka duan Nesër:
“Vëllazërim-bashkim”. Shqipëri Etnike
Apo, xhami?! Robërinë shekullore.

Dudumë, dilni në protesta “paqësore”
Dhe, puthni Njerkën në të dyja faqet!
Ndoshta e shpëtoni “vëllazërim-bashkimin”.

Njerkën e rrejshme të Dudumit Melez
Që, nateditë me trumbeta përdridhet në Shkup:
Këmbën me miell, na rrëfen si Nënë Shqiptare
Derën t’ia hapim, fusim si mike në Shtëpi...

(Kaçakët e Qytetit të Qyqeve)

Vite më vonë, e takoj Miken Di. Poete
Ende unë pa e hapur gojën, më thotë:
Posa kalova Urën e Gurit mbi Vardar,
Mendja më shkoi tek Ti, o Ujku Plak.

Qesha. Dhe, i them pas kaq viteve larg:
Asgjë sot nuk kam. As grua, as dashnore
Nuk e them dot, se: nuk kam edhe një Mike.
Përmëkeq,  dje e as sot një Parti politike.
Nateditë flej, zgjohem me Poezinë rebele.
“Bombat” politike, që ma prishin gjumin
Luftën për pushtet. Nuk i zbresin gomarit.
Përgjime hedhin në Vardar para kamerave
Me cilën Poezi e përcolla Natën. Prita Agimin.

E pamundur, më përgjigjet. Ec pas meje,
Punemadhe, mua më ke në çetë. Poezinë.
Bombë  artistike. “Kashikarë” raki rrushi
Sonte dalim kaçakë, matanë Vardarit
Unë si Shotë Galica. E, ti si Azem Bejta.

Fytas rrokemi me haxhuxhe te “Skënderbeu”
Nën Rrap rrokullisim disa shtambaverë.
Vitet e ikura Dje. Dhe, Sot në Qytetin e qyqeve.
Vargun azgan e shaloj për Liri në Bit – Pazar...

(Vulë në ballë)

Skëndrebeu im, herët po më del gjumi
Dexhalli merr nuse me koçi, në Shkup!
Valle heq nën Rrap, ma tremb poezinë
Miken me dy shtamba verë nën hije
Nuse, ma përcjellë pas shtatë maleve.

Përmidis Shkupit i bie me trumbeta e valle
Tri ditë para Përmbytjes Madhe (Kiametit).
“Sehirxhive” ua vë nga një vulë në ballë…

(Lugati)

Ditën, gërhet keq në gjumë. Ëndërr
Sëpatën e Nuses fsheh nën setre.
Shelgje sharron, cungje në Livadh.
Lisat e Babait. Çerdhet e lejlekëve
Datja, që i mbolli për Dimrin e Madh:
Zjarrin ta ndezim flakë, Nesër në oxhak.
E, harron se: natën kusitë m’i rrokullise në çardak.
Pasmesmate zgjohet lugati, ecën nëpër Shtëpi
Kusi rrokullisë nëpër dhomë. Tepsi
Derën me reze, përplas para Agimit Madh.
Dielli, zbret pa frikë nga Baba Tomorri
Poezia ime zgjohet jerm, në Libër.
Vargu im, tymeflakë shkrep “nagantin”.
E qëllon me një varg mu në lule të ballit…

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup
Lëmën na e mbushe plot me kopila!
Gjumi, si nuk të mori për “pushtet” argati
Gji pi me kusi, te pragu i Derës madhe.
Ditënatë duke u përkundur në djep druri
Vëllai - vëllanë ta vrasë natën në gjumë.

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup
Burrë, si nuk u gjetë për ty deri më sot?!
“Nagantin” nxjerrë nga brezi, në shtrat
E të të palojë kulaç në mes të Odës. Oxhakut.
Nusen e Dexhallit ta zbresë nga koçia…

(Rrakashtrake Çarshie)

Mikja ime Di, vjen me dy shtamba verë
Nateditë. Ehu, më mbyti nën hije Rrapi!
Thotë: pi, o burrë! Vardari nuk ka ujë
Vargun shkrepe ditën! Natën në Shkup!
Dexhalli, ende delë sokakut me trumbeta
Valle heq halldupi, bën dasëm t’madhe
Xhadinë në Shkup me koçi merr nuse.

Rrapin e kam Tyrbe. Miken Di, poezi azgane
Gji më jep me dy shtamba, ngritem nga varri.
Nesër, ti nën Rrap vetëm një rrakashtrake
Kotnasikoti përpiqesh të më vësh në gjumë.
Rrakashtrake Çarshie… Lodër Dudumi…

(Ujku ende kërkon Kësulkuqe Te shqiptarët)

Thyeni qafën! Dudumë trusakatë në Lëmë
Dimri, sot me këmbën me miell troket te porta.
Dru lisi nuk kemi në vatër. Zjarr
Matanë mureve, te Lumi: ulëron Ujku.

Kësulkuqe ende kërkon te shqiptarët
Derën t’ia hapim si “mik”, strehojmë në Shtëpi.
Gjyshen e sëmurë, rrasë në bark.
Edhe, atë: Gjuetar kur nuk kemi në mal
Ujkut shqyej barkun. Gjyshen e Kësulkuqes
Heroinën ta nxjerrë te pragu i Shtëpisë…

(Qeni im besnik jerm leh pas Hënës)

Zonjës Vdekje me dy shami lidhur për brezi
Që, më së shumti i kam besuar në jetë:
Sot nuk i trembem. Është grua besnike.
Po, u trembem Partive Politike Shqiptare
Përçudi, shumë lirë na shesin te “vëllezërit”
Për një banesë. Post politik, në Qeveri.

Dudumë. Që në krye m’i nxjerrin gomarët
Nesër, të më prinë rrugës për në Liri.
Jo, nuk u trembem. Marrëzisht e dua Ujkun
Qengjin, që e gjykoi te Lumi, se:
Babai i tij, vitin e kaluar ia turbulloi ujin.

Jo, kurrë nuk i trembem Zonjës Vdekje
Po, i trembem Iriqit në Kopësht.
Qenit tim besnik, kur jerm leh pas Hënës…

Qepja e Atdheut nga struke në Gunë të Zezë

Imzot, më vrisni mes dy shtambave me verë
Guxim, më japin për Liri, në prehërin e Mikes Di.
Gji kreshnikësh mes maleve. Fuqi për luftë
Përmes Çarshisë me dy “kashikara” raki rrushi
Në çantë mbi tavolinë. Përkarshi Skënderbeut.
Jo, si dikur Isë Boletini në Londër me dy kobure
Plumbat, e të cilit ishin patriotik: dum - dum.
Armët e mia nuk vrasin, po ringjallin në jetë
Përpara këmbëve të Olimbisë ngrejnë dolli.

Zogkeqin e ndjek, mu si dikur im Atë me pushkë
Pasmesnate, kur na këndon vdekje mbi Çati:
Bir, kënga e tij ndjellë kob, ndiqeni me armë
Matanë maleve të Çelëvjollcës, në errësirë!

Arma ime, është sot: Pena në brez me dy tyta
Rrapin marr nën sjetull, e dal kaçak malit!
Gëlasa politike para kamerave televizive
Dudumët na hedhin për të ardhë në pushtet!

Luftë në Bit-Pazar nuk bëhet me gota çai rusi
E, as me këmbët dhe trutë nateditë në legen.
Vera, kur rrjedhë lumë në Baba-Tomorr. Drini
Lumëbardhë e i Zi, maleve arnojnë Atdheun:
Strukes ia qepin mëngët. Gunë për Dimër
Zogkeqi me gëlasa, ende na këndon mbi Çati.

Imzot, e pi gjakun e Isu Krishtit (Azreti Isait)?!
Lotët e Shën Mërisë Virgjër (Azreti Fatimes)
Punemadhe. Nesër, do ta shuaj zjarrin e Ferrit…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat