Arkeologu: 'Veliera' shkatërroi këndin e fundit arkeologjik që i kishte mbetur Durrësit

Kultura

Arkeologu: 'Veliera' shkatërroi këndin e fundit arkeologjik që i kishte mbetur Durrësit

Më: 6 shkurt 2017 Në ora: 08:43
Këndi arkeologjik, Durrës

Arkeologu i njohur Fatos Tartari, i cili mban gradën profesor doktor,  rendit një sërë shkeljesh e abuzimesh që sipas tij janë kryer me punimet që po zhvillohen tek “Veliera”, në dëm të nëntokës sonë, të pasurisë arkeologjike të kësaj zone.   

Pjesëmarës në protestat e shoqërisë civile, kundër shkatërrimit të pasurisë arkologjike e betonizimit të saj, Prof. Dr. Tartari thotë se “Rrënimi i Velierës ka nisur prej ditësh, dhe shoqëria civile duhej të ishte organizuar më herët me protesta për parandalimin e betonizimit të saj”.  

Kemi patur raste të tilla shkatërrimtare saqë tani nuk mund të flitet më për arkeologji. Prej 25 vjetësh në Durrës ka nisur fushata shkatërrimtare. Durrësi duhej të mbështetej tek e shkuara në vlerat  që i ka përcjellë historia tek trashëgimia e tij e madhe, për të zhvilluar turizmin arkeologjik, tani ka mbetur të prezantohet me betonin.

Edhe këndi i fundit që kishte mbetur e lidhej me historinë e vjetër durrsake, me detarinë dhe historinë e lashtë e mesjetare të qytetit u prish dhe u transformua, pësoi metamorfozë të pariparueshme e të tjetërsueshme.

Këndi përbëhej nga një pjesë e ruajtur e sistemit të mrekullueshëm e unikal në sistemin e fortifikimit ballkanik në periudhën e Anastasit. Vetë Anastasi që u mor me sistemet e fortifikimit  është me origjinë nga Durrësi, ai i dha Durrësit këtë fortifikim madhështor që i ka mbijetuar kohërave. E dyta kemi këto në përshtatje me format e luftimit të mëvonshëm siç është Torra Veneciane, këtu pranë portit në kuotën 59 metra,  për në Kodër Vilën ose Rezidencën e Mbretit ku gjendet kulla e dytë veneciane.

Kemi ndërtesa me rëndësi historike, siç është shtëpia e një prej regjentëve të  qeverisë së Durrësit Zef Bumçit, pak më tutje rezidenca e mbretit të parë në Shqipëri Princ Vidit, në 1913- 1914, që është pikërisht në themelet e kullës së madhe 15 katëshe që është përballë Torrës, pastaj ndërtime të ndryshme qytetare që janë brenda mureve rrethues të qytetit. Ndërtimet më të reja përmendim katet ku të gjthë detarët sapo të vinin këtu para se të takonin me familjarët kishin qejf të pinin një kafe, ishin intime e të vogla shumë të bukura e domethënëse për jetën e qytetit të Durrësit.  Kjo është shkatërruar në mënyrë të plotë për betonin.  

Mësohet se dy muaj pasi projekti "Veliera" në Durrës ka nisur nga zbatimi, Bashkia e Durrësit nënshkroi një kontratë për monitorimin e punimeve nga Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shpëtimit Arkeologjik, por ndërkohë shumica e punimeve nëntokësore për projektin e kushtueshëm kanë përfunduar.

Bashkia e Durrësit nënshkroi së fundmi një kontratë për monitorimin e punimeve me dy institucionet përgjegjëse për ruajtjen e vlerave arkeologjike të vendit, Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik, në bazë të së cilës këto dy institucione do të monitorojnë punimet për projektin e njohur si “Veliera”, për të cilin qeveria po shpenzon 6 milionë euro për zbukurimin e një zone pranë portit të Durrësit.

Ndërkaq, përfaqësues të disa shoqatave dhe forcave politike denoncuan betonizimin e fragmentit të murit mesjetar, pjesë të të cilit shihen prej vitesh në afërsi të Torrës Veneciane dhe pranë kompleksit “Fly”. Ata deklaruan se kanë paraqitur dy padi penale dhe civile për kryebashkiakun Vangjush Dako, që sipas tyre është fajtor për shkatërrimin e vlerave arkeologjike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat