Tingëllimat e poetit në llavën e dashurisë

Kultura

Tingëllimat e poetit në llavën e dashurisë

Nga: Ejup Ajdini Më: 9 mars 2017 Në ora: 07:16
Ne promovimin e veprave te autorit Besim Xhelilit

Me rastin e promovimit të tri veprave të autorit Besim Xhelilit, më 01.08. 2016 më rastisi që më thellësisht të njihem me veprat e këtij autori, i cili deri më sot ka botuar pesë përmbledhje poetike dhe kohët e fundit edhe një roman. Siç duket autori i përket një grupi të veçantë krijuesish, i cili s’ka të ndalur në fushën e krijimit letrar, veçmas dallohet në lirikën e dashurisë, të cilën e kultivon me pasion të theksuar. Edhe pse mërgimtar me dekada në Austri, Besimi me plot halle prej mërgimtari vazhdon rrugëtimin e tij drejt majave të artit të tij poetik. Për këtë arsye, arti i tij poetik është i mbërthyer me ndjenja dhe tingëllima të zhurmshme shpirtërore, përmes së cilës lufton që ta sfidojë dhembjen  e një ndjenje të thellë të lirikës së tij erotike. Të gjitha këto pasione të thella autori i ngërthen më së miri në përmbledhjen e tij të pestë “BESIMI”, ku, që në fillim, te poezia Afsh ëndrrash duket klithma e tij që kërkon ta nxjerr sheshit dhembjen e një kënaqësie të heshtur, të vuajtur, gati se të pa dukshme, që e shohin veçse përjetimet e poetit,  i cili plasaritet me vetveten si toka nga dielli:

Besoj...unë zura ëndrrën që ecte si hyjneshë

Më erdhi zemërngrohtësi e mbiqiellit,

Robërova ëmbël ndjenjat...

Trazimet ikën me euforinë;

                                    F. 11

Poeti seriozisht përplaset me mallin e dashurisë, me fijet e saja të holla, sikur jeton  në një baladë pakufi, njësoj sikur ushtari besnik kur të plagosurin e mbartë mbi vete deri te një vend i sigurt, të qetë dhe larg rreziqeve të jetës. Po kjo luftë me dashurinë nuk është aq e lehtë sa mundet të na duket neve, pasi edhe vet autori e ndjen këtë peshë sikur damarët që e përcjellin gjakun drejt në zemër. Për këtë, ai te poezia Sy që zhduken shprehet:

 

Dhe biseda mbyllet para kohe, ajo hidhërohet

Heqim mënjanë telefonat për ca minuta,

Mua për fyti një litar më shtrëngohet

                                                                                    F. 40

Ky mëllë i dashurisë, kjo sfidë, këto psherëtima, këto ankthe, sa do të ashpra e të dhembshme të jenë, autorit i japin ende impulse më të mëdha që ta ndjejë më thellësisht dhe në mënyrë më dinjitoze botën e ëndrrave të dashurisë, të cilat i mbërthen me melankolinë e tij poetike. Autori në shumë raste ndjen edhe prehje të veçanta, të cilat sikur ia pasurojnë botën intime të tij. Te poezia Ajo, pikërisht ajo është e dashura, që në këtë litar jetei jep imazhe të thella jete:

Ajo është e bukur gjithherë

Sytë e saj ditën ma bëjnë verë,

                                                F. 41

Vuajtjet dhe kënaqësitë erotike të autorit sikur kanë ndërtuar një shtëpi  të përbashkët, ku herë vijnë dridhmat e acarit, e herë dridhmat e kënaqësive për rrezet e diellit. Kështu, malli dhe etja, vuajtja nga ëndrrat e bukura të jetës dhe drithërimat e dashurisë, autori i bartë fuqishëm në ndërdijen e tij, të cilat në vazhdimësi ia dërmojnë shpirtin, por, aty ka edhe “dërrmime” të bukura që i japin jetë, kënaqësi dhe i shtojnë ëndrra të reja për jetë... Pikërisht kjo i bën mirë autorit në rrugëtimin e tij poetik, ku brenda 85 poezive të kësaj përmbledhje, të gjitha ecin lirshëm dhe pa cikle në këtë botë ndjenjash.

Poezia e besimit është e çiltër, pa dhunë krijuese, pa figura të fshehta, që në tërësi krijojnë pikturën poetike të dhembjes dhe të kënaqësisë. Lexuesi lehtas e pranon këtë poezi dhe lehtas kjo poezi e gjen lexuesin e sajë. Këto imazhe me plot mesazhe poetike janë një gjeografi poetike e veçantë, që lidhen me botën universale të njeriut, që munden t’u ngjajnë edhe shumë hartave të tjera erotike, prandaj pranohet lehtas nga lexuesi i sajë.

Jeta e zhurmshme e kësaj bote për autorin është bërë shoqërim jetësor, edhe pse tenton ta gjejë qetësinë e shpirtit dhe t’i kthehet vetmisë, siç bëjnë shumë autorë të mëdhenj.  Për këtë dhe Prend Buzhala në vlerësimin e tij në këtë libër shkruan:  Gjuha e ARSYES e ka të pamundshme t’i gjejë fjalët, mu ashtu si është edhe vetë lirika e dashurisë, e cila është shprehje e botës së brendshme, shpirtërore. E, kur ballafaqohet me situatën emocionale për ta shprehur atë me anë të fjalës, poeti e pranon këtë fakt:

Truri më ka zënë pluhur

Veten nuk mundem ta gjej,

Më ka humbur fjalë e duhur

                                                F. 92.

Baticat dhe zbaticat e ndjeshmërisë shpirtërore të poetit janë të shpeshta dhe pa ndonjë konstantë kohore. Ai brenda një poezie dridhet edhe nga dashuria edhe nga vuajtjet për atë, të cilat autorit gjithmonë i krijojnë tërmete në jetë dhe vullkane në dashuri. Tërmetet e jetës dhe vullkani i dashurisë, më së miri dhe më së qarti ndjehen te poezia, Oqean kënaqësish, ku autori shpaloset kësisoj:

Në oqeanin e brendshëm të kënaqësive

Fytyra jote thellë më është ngulitur,

Asgjë s‘më tërheq përtej pafundësive

Jetoj me mall n‘zemër, ty duke të pritur.

                                                            F. 89

Nga ana tjetër, menjëherë në vargjet pasuese rrëfen krejt për një botë tjetër ndjenjash, ku duket bota e tij e lodhur, herë-herë e padurueshme, sikur kërkon një fuqi magjike që dikush ta kuptoj këtë realitet të këtij shpirti artistik, kuptohet, gjithmonë përmes vargut të tij letrar e estetik:

Oh, sikur ta dish ditët e mia sa janë t‘vështira

T‘më shohësh kaq në dhimbje çka përjetoj,

E sikur kjo botë nuk ka për mua gjëra të mira

Më janë heshtur gëzimet, o aq të dëshiroj.

                                                            Po aty.

Kjo përmbledhje poetike e Besimit herë-herë duket sa e ngarkuar me shumëllojshmëri ndjenjash brenda përmbajtjes së poezisë, siç thotë edhe recensuesi i këtij librit, Engjëll I. Berisha, ku ndër të tjera thotë: është volum paksa shumë i dendur me shprehje, me shumë reshje mendimesh në një poezi, e që do t’ishte mirë të ketë më shumë dritare, përderisa vetë fjala poezi, ka kuptimin e ndërtimit të ideve, e që i duhet ndërtimi estetik, aq sa i duhet kumbimi... Padyshim se poeti ka pikën e nxehtë të shpirtit që e trazon, apo edhe e tradhton, prandaj vepron kësisoj.

Mbi të gjitha, autorit nuk i interesojnë shumë rregullat teorike, apo format dhe figurat që mund ta rritin teorikisht poezinë e tij, por ai në thelb ka të gjeneroj zërin e arsyes dhe dëlirësinë e tij shpirtërore, duke tërhequr paralelen e luftës midis të bukurës dhe të shëmtuarës, të ulëtës me të madhërishmes dhe ndalet e pushon mbi simpatiken, si kategori e veçantë estetike, aty ku i flejnë  ëndrrat për disa çaste qetësimi dhe mbi të gjitha ai në vazhdimësi gjeneron zërin e arsyes dhe të dëlirësisë shpirtërore.

Sikur keqësohen sytë e kësaj nate të trembur

Tek pi ajo kafen me ato buzë të kuqe, si mjalti,

Kjo bukuri mendjen ma ka shembur

Dhe psherëtimën me magji ma kapi.

Po aty f. 33

Thuajse, gjatë tërë këtij këndimi, autori është treguar i kujdesshëm me një botë të thellë urtësie, edhe pse tërmetet e jetës dhe vullkani i dashurisë e kanë trazuar edhe në mes të natës, edhe në mes të ditës, gjatë punës dhe veçmas ekrani i telefonit ia ka shpejtuar ato, pasi edhe koha dhe teknologjia e bëjnë të veten.

Kjo poezi krijon ngrohtësi shpirtërore e morale, pasi është e mbushur plotë etikë të brendshme dhe me plot vargje të fuqishme dhe të ngritura në nivel të duhur estetik. E veçanta e këtyre lirikave të dashurisë është se të kujton përshtypjen e një poeme idilike, pasi shpesh lexuesi mundet të harliset në pikturimin e ngjarjeve që përjeton ai. Një e veçantë tjetër e kësaj përmbledhjes poetike “ BESA” të autorit Besim Xhelili, është edhe sfidomi i tij ndaj kësaj ndjenje absolute të dashurisë. Autori gjithçka sfidon, përveç fenomenit dashuri, kurse elementet tjera të jetës nuk e ka vështirë që t’i vejë nën hije. Duke menduar kësisoj, gjatë tërë këtij leximi, ky poet, tani më me përvojë poetike dhe jetësore, na bënë përshtypje dhe na jep të kuptojmë se poezia dhe dashuria për poetin janë gjithçka. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat