Bota është aty ku kam lindur unë…

Kultura

Bota është aty ku kam lindur unë…

Nga: Ndue Dedaj Më: 12 prill 2017 Në ora: 09:18
Ilustrim

Kishte qenë një fëmijë inteligjent dhe mjaft i dhënë pas mësimeve, sa kishte marrë dy klasë për një vit, në fillore, në fshatine tij Tarazh, Mirditë, me mësues Prengë Zef Pepën, që më pas do të bëhej kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit e do të punonte së bashku me ish-nxënësin e tij, tashmë jo për të bërë detyrat e klasës apo të shtëpisë, por ato të ekonomisë, realizimin e planit të bakrit dhe piritit në minierin e Spaçit, ku nxënësi i dikurshëm shembullor do të ishte drejtor. Ylli i tij ishte ngjitur shpejt dhe me siguri do të shkonte dhe më lart, por kjo nuk do të pëlqehej nga ndonjë klan partiak i rrethit. Dhe atë që nuk ta bënin galeritë e thella të minierës gjithë lagështirë e pasiguri ta bënin labirinthet partiake të kohës…

Jeta e tij kishte nisur si një roman. Mbas shkollës fillore do të kryente uniken (7-vjeçaren) në Rrëshën, gjithnjë me rezultate shumë të mira. Treva e tij kishte nevoja për mësues, ndaj ai dërgohet bashkë me disa nxënës të tjerë mirditorë, lezhiane, pukjanë etj. në pedagogjiken “Shejnaze Juka” të Shkodrës. Por Pjetri e kishte ndier erën e bakrit dhe të minierave të vendlindjes së tij dhe nuk donte të bëhej mësues, por inxhinier, ndaj i shkruan letër ministrit të Arsimit që ta kalonin në gjimnaz, por merr përgjigje negative.

Iu troket në derë dhe dy zëvendëskryetarëve të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, që ishin mirditorë, por dhe ata i kujtojnë se rrethi i tij kishte shumë nëvojë për mësues. Atëherë ai i shkruan Enver Hoxhës dhe pas një viti si pedagogjikas hidhet në vitin e dytë në gjimnazin e Shkodrës. Ishte viti 1953. Me vete kishte marrë shllimin e Aritmetikës Racionale të pedagogjikes, që do t’i duhej gjithë jetën për të bërë kalkulime inxhinierike të pagabueshme. Nuk është e rastit që dhe në gjimanz ai kujton të parin profesorin e matematikës Tomor Dani.

Nuk i kishte bërë 18 vjeç, në vitin 1957, kur nis studimet për inxhinieri në Akademinë e Minierave në Moskë. Nga fshati i tij i vogël, me 70 shtëpi, në Moskën me 7 milionë banorë. A thua kjo të ishte ëndrra e njeriut? Qëndron katër vite atje dhe kthehet me 1961 si shumë studentë të tjerë pa i përfunduar studimet, për t’u diplomuar më pas në Tiranë. Në Rusi kishte njohur dhe të tjerë studentë shqiptarë si Frrok Pjetër Gega e Niko Shuli për inxhinieri mekanike, Hamit Boriçi për gazetari, Sabri Zaganjori për fizikë bërthamore etj.

Pa e kuptuar Pjetri rinor ishte bërë “personazh” i romanit “Dimri i Madh” të Kadaresë. Ditën që delegacioni shqiptar (pas mbledhjes së bujshme te 81 partive komuniste në Moskë, ku udhëheqësi shqiptar i kishte “çjerrë maskën” Hrushovit), po nisej me tren si i padëshiruar, në stacion qenë mbledhur shumë shqiptarë, veçanërisht studentë dhe shkrimtari shkruan se njëri sosh e kishte ndjekur trenin nëpër platformën e betontë dhe pak metra mbasi ishte nisur. Kishte qenë studenti eklselent Pjetër Tarazhi. E kishte bërë për atdhetarizëm atë gjest, dhe jo për ndonjë afri me politikën, ndoshta dhe si një “borxh” moral karshi njeriut që ia kishte përmbushur ëndrrën e shkollimit aty ku deshi.

Diplomohet në vitin 1963 në Tiranë si inxhinier minierash dhe në shtëpi i mbërrin telegrami nga Ministria e Industrisë dhe Minierave: “Paraqituni për të filluar punë pranë minierës së bakrit Kurbnesh”. Pjetri tregon se “diplomën e kisha marrë në Universitet, por inxhinier më bani mjeshtri i galerive Gjok Bib Gjoni, një minator i shquar ng a Proseku, pasi më mësoi praktikën e profesionit dhe të punës në minierë, qysh ditën e parë. Dhe pa shumë shkencë. “Më bëri gati kandilin e karbitit, duke i futur dhe ujë dhe ma dha në dorë e u të dy bashkë u nisëm drejt frontit të galerisë. Ndize! më tha. Unë u përpoqa, por nuk ndizej. Provo kandilin tim, tha minatori, por as ai nuk ndizej, ishte një “kleçkë” e vockël, unë nuk kisha hapur rubinetin e ujit, pa të cilin nuk çlirohej acetileni, gazi djegës… Duket e thjeshtë, por ishte e domosdoshme, pasi kandili ishte i vetmi fanar në errësirën e pafundme të nëntokës”. Ai tregon se në Kurbnesh gjeti dhe të tjerë zotër të nëntokës, si përgjegjësin e sektorit Bardhok Buraku, me te cilin punoi për dy vite.

Atë mes vitesh ’60 në Mirditë po përparonte dita-ditës dhe një minierë tjetër relativisht e madhe, ajo e Spaçit. “Isha vetëm 26 vjeç kur u thirra për të qenë kryeinxhinier i saj, kurse drejtor ishte Pal Marka Deda, një njeri energjik, me përvojë dhe nga miniera e Bulqizës, që më pas do të pësonte një kalvar të rëndë si i burgosur politik në Burrel. Spaçi kishte një veçori, ne do të prodhonim piritin, për herë të parë në një minierë shqiptare, kështu që unë u dërgova për specializim në Kinë për tre muaj, ku qëndrova në minierën e Manshanit, afër Nankinit. Atje kam parë minierë që kishte 11 mijë punëtorë dhe 100 inxhinierë. Kinezët projektin e shfrytëzimit të piritit e kishin marrë nga japonezët.

Pas tre vitesh si kryeinxhinier do të emërohesha në postin e drejtorit të minierës së Spaçit, ku punohej kryesisht me të dënuar politikë. Aty qendrova pesë vite dhe rasti e solli që të kisha epror në pushtetin lokal ish-mësuesin tim të fillores, Prengë Pepën. Ishte shumë i madh presioni për planin atëherë, por unë përpiqesha të udhëhiqësha nga logjika ekonomike dhe jo nga “plani për plan”, çka nuk ishte kredo e të gjithëve asokohe në Komitet e Ministri, ku plani ishte “ligj”, pavarësisht mundësive dhe kushteve teknike. Në 73-in Pjetrin e heqin si drejtor dhe i propozojnë të rrinte aty inxhinier, me të dënuarit, por ai duke ditur se një ditë do të përfundonte si ata, nuk pranoi të punonte më në Spaç, por shkoi në një minierë tjetër, atë të Dervenit, ku qendroi dy vite.

Është e habitshme se si minerat e Mirditës ishin kthyer në vatra të goditjes politike, ku do të dënoheshin për agjitacion e propagandë apo sabotim në ekonomi: drejtori legjendar Pal Marka Deda, inxhinieri vlonjat i minierës së Kaçinarit Devi Radhima, minatori kurajoz Nikollë Përlesi etj. Ndoshta për t’iu kallur frikën punëtorëve dhe kuadrove të minierave që të mos ngrinin krye për shfrytëzimin që iu bëhej… Në këto rrethana Inxhinieri i zot Pjetër Tarazhi lë vendlindjen, Mirditën, ku mund të kishte bërë karrierë, dhe me 1975 me dëshirën e tij dërgohet për njëzet vite në minierën e dolomiteve në Dukat të Vlorës.

Kantieri i prodhimit të dolomiteve ishte në varësi të minierës së Bitumit në Selenicë. Pjetri e gjeti sektorin një “gurore” me dhjetë punëtorë dhe e çoi deri në 50 e më shumë, pasi ishte rritur kapiciteti i prodhimit. Dolomiti përdorej në Metalurgjikun e Elbasanit për prodhimin e tullave zjarrduruese, ndaj dhe sektori që ai drejtonte ishte kyç për ekonominë. Por Pjetri i urtë, i qeshur, i mirësjellshëm, elitar, ishte “kokëfortë” me të gjitha llojet e burokracive si në Veri ashtu dhe në Jug. Mund të jetë ndër të rrallët kuadro që kur e lëvizin nga puna në Dukat, për t’i lëshuar vendin dikujt tjetër, e fitoi vendin e punës me gjyq, duke qenë në anën tjetër në prapaskenë një sekretar i Komitetit të Partisë së Vlorës. Ky është fati i një specialisti të shquar që mund të ishte bërë dhe ministër i minierave dhe industrisë për nga kualifikimet brenda dhe jashtë vendit, por njeriu që përpunonte mineralet nuk ishte vetë i “përpunueshëm” para burokracisë, një “çelik” që nuk shkrinte asnjëherë para dredhive të pushtetarëve. Letrat e “vendlindjes” e ndiqnin nga pas dhe në Vlorë, si e si ta godisnin, dhe pse ai ishte anëtar i Partisë së Punës. Mbeti gjithë jetën mes pluhurit të mineralit dhe punëtorëve të thjeshtë, i dekoruar në vitin 1986 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Për punë të shquan në miniera dhe gjeologji”.

Me 1995 e larguan nga miniera, dhe për dy vite pa dalë në pension, por ai nuk e la punën. Nuk ndoqi më udhët e nëndheshme, por ato të turizmit. Prej shumë vitesh ka krijuar në Sofie të Bullgarisë firmën e tij turistike “Mirdita”, me të cilën lëviz turistë në të gjitha vendet e rajonit. Autobusë plot me vizitorë shqiptarë e të tjerë, me këtë ciceron të admirueshëm enciklopedist që s’e lëshon mikrofonin nga dora, ndjekin intenerare të ndryshme. Ai na tregon për rrugëtimin e pritshëm: Tiranë, Selanik, Stamboll, Sofie, Shkup, Strugë dhe kthim në Tiranë. Për të qenë sa më i integruar në “zanatin” e ri ka mësuar bullgarishten kur ishte në pesnion. Duke shëtitur në vende të ndryshme të Ballkanit ka marrë diçka dhe nga gjuhët e tyre, si serbisht, italisht, turqisht. Ka kryer dhe fakultetin ekonomik në moshë të “shtyrë”. Shkurt, një njeri i paepur që ka ditur ta gjejë veten në tollovinë e tranzicionit.

Inxhinier Pjetri sa ç’është qytetar i të botës, një përsonazh i veçantë, disi i padukshëm, aq është i lidhur pas gurit të caranit, Tarazhit, që e mban dhe si mbiemër bashkë me dy vajzat e tij, Besa Tarazhi dhe Nora Tarazhi, që rrojnë e punojnë familjarisht në Amerikë. Pjetri ka shkuar dy herë në Amerikë dhe me të qeshur thotë se nuk i mbetet merak që nuk ka qenë dhe në Afrikë e Australi. Ashtu si atëherë, në statcionin e trenit në Moskë, Pjetri ka mbetur një atdhetar i kulluar dhe sot e kësaj dite, rrugëve të qyteteve europiane, si shoqërues i udhëtarëve të kombësive të ndryshme.

Kujton një detaj të pakëndshëm në Selanik me një greke, e cila kishte thënë se qyteti i saj kishte qenë i qetë derisa kishin ardhur ata, “banditët shqiptarë”, duke e ditur për bullgar shoqëruesin e grupit. Pjetri, duke qenë i informuar për gjendjen e emigrantëve shqiptarë në tërësi dhe atë të tyre në burgjet e greke, e kishte zën mat atë zonjën, me fakte dhe argumente, aq sa ajo ishte shtrënguar të ulej nga autobusi!... Një njeri erudit, që njeh gjithçka nga historia dhe monumentet kulturore të vendeve të rajonit. Aleatët e tij më të mirë janë librat, guidat, fjalorët. Në bibliotekën e tij të tërheq vëmendjen sidomos një kolanë me lidhje speciale, enciklopedia e madhe sovjetike, që ai e ka blerë në Sofje pas 90-s.

78-vjeçari, Pjetër Tarazhi, shkon e vjen shtigjeve të botës, e prapë kthehet te dheu i lindjes, kulla në Tarazh, nga nisi rrugëtimi i tij nëpër botë 60 vite më parë.

Ai thotë frazën profetike: “Bota është aty ku kam lindur unë, ku dhe do të vdes...”

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat