ISEAL promovoi 3 botime të reja dhe organizoi Simpoziumin Shkencor “Shëndeti mendor, sfidë e shëndetit publik”

Kultura

ISEAL promovoi 3 botime të reja dhe organizoi Simpoziumin Shkencor “Shëndeti mendor, sfidë e shëndetit publik”

Nga: Arbesë Hoxha Më: 31 maj 2017 Në ora: 12:35
Pamje nga promovimi i librave

Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare ISEAL, më 25 dhe 26 maj, në Prishtinë zhvilloi aktivitetet e radhës, ne kuadër të projektit “Diaspora - Urë e Shkëmbimit të Njohurive”.

Të enjten, më 25 maj 2017, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare bëri paraqitjen e 3 botimeve të tij më të reja, në gjuhën shqipe.

Botimet qenë:

“Imazhi i shqiptarëve në mediet zvicerane” (Studim në Zvicër) nga Alain Maillard dhe Kujtim Shabani. Parathëniet e këtij libri janë bërë nga Dr. Olivier Meuwly dhe Dr. Laurent Matthey.

“Dallime identike” (Ese mbi përkthimin) nga Driton Kajtazi, njëherësh edhe Drejtor i ISEAL-it.

“Ringritja nga Skizofrenia” (Libër mjekësor) nga grup autorësh, ndër ta Jérôme Favrod dhe Shyhrete Rexhaj.

Këto botime u mirëpritën dhe u vlerësuan lart nga të pranishmit.

Dy botime e para qenë promovuar në nëntor 2016, në gjuhët frënge dhe gjermane.

Drejtori i ISEAL-it, z. Driton Kajtazi, falënderoi veçanërisht përkthyesit e këtyre librave, Prof. dr. Nerimane Kamberin dhe Z. Belgzim Kamberin, Z. Sulejman Dërmakun, për redaktimin gjuhësor të librave dhe vështrimin kritik, Prof. dr. Naim Jerliun, për leximin profesional dhe këshillat e domosdoshme për jetësimin në gjuhën shqipe të këtyre librave, si dhe Znj. Arbesë Hoxha, për lexime dhe Z. Labinot Hasani, për faqosje e mbarëvajtje të librave.

Autorët dhe Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare u përgëzuan nga Ministri i Diasporës, Z. Valon Murati. Ministri Murati theksoi, ndër të tjera, se ISEAL-i po bën ‘një punë të mrekullueshme’ për shkëmbime të njohurive në mes të Diasporës dhe Kosovës.

Në aktivitetin përmbyllës, ISEAL-i, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publike të Kosovës, sot mbajti një simpozium shkencor në fushën e shëndetësisë, titulluar “SHËNDETI MENDOR, SFIDË E SHËNDETIT PUBLIK”, ku mblodhi mbi 300 pjesëmarrës profesionistë mjekësorë, kryesisht të fushës së psikiatrisë dhe infermierisë dhe të interesuar për shkëmbime njohurish në mes të Zvicrës dhe Kosovës, nga personalitete të shquara, të cilët  ISEAL-in e cilësuan si urë lidhëse të njohurive. Numri tejet i madh i pjesëmarrësve dëshmon për vlerësimin që personeli mjekësor i dha këtij Simpoziumi.

Simpoziumi filloi nga ora 10.00 deri në orën 14.00, i cili  u mbajt në mjediset e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në Simpozium morën pjesë përgjegjësi i Njësisë në Departamentin e Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare të Lozanës, Dr. Régis Marion Veyron, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Prof. dr. Naser Ramadani, Drejtori i Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare, Driton Kajtazi, Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, JérômeFavrod, profesor, specialist në Infermierinë Psikiatrike, Haute École de la Santé (HES) La Source, Dr. Gëzim Dushi, specialist në Kirurgjinë Pediatrike, Lozanë, Prof. Shyhrete Rexhaj, mësimdhënëse në Shkollën e Infermierisë, La Source, Lozanë, Visar Qusaj, specialiste në Infermierinë Psikiatrike, drejtore e kurimeve dhe menaxhere e institucioneve mjekësore në Gjenevë dhe pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm të fushës së shëndetësisë.

Ky projekt u bë me përkrahjen e Zyrës Zvicerane për Zhvillim, që përkrahu ardhjen në Kosovë të oratorëve në fjalë.

Profesionistëve shëndetësorë, pjesëmarrës të simpoziumit, organizuar nga ISEAL-i në bashkëpunim me IKSHPK-në, dhe në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, iu dhanë certifikata të pjesëmarrjes, të cilëve u njihen pikët ECTS (të kredisë) nga BEVM, sipas programit të Bolonjës.

ISEAL dhe IKSHPK dëshmuan një bashkëpunim të mirëfilltë profesional, shembull i kristalizimit të veprimeve të përbashkëta institucionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat