Figurë e kompletuar artistike

Kultura

Figurë e kompletuar artistike

Nga: Nga Akil Koci Më: 24 korrik 2010 Në ora: 15:33

I devotshëm në krijimtari, në jetë dhe në marrëdhënie me njerëzit, Musa Piperku la një trashëgimi muzikore të denjë për ta respektuar. Për një kohë të shkurtër ai ishte kompozitori ynë më i dalluar i këngës shqiptare dhe hyn në radhët e kompozitorëve të parë të Kosovës. Shfaqja e tij në skenën tonë muzikore nga fillimi i viteve `70, (krahas Severin Kajtazit, Tomor Berishës, Krist Lekaj, Akil Kocit, Muharrem Qenës, Qazim Dushkut, Fahri Beqirit, Esat Rizvanollit, Gjergj Kaçinarit etj.), lidhet me punën që bëri si bashkëpunëtor dhe redaktor në Radio Prishtinën, për të ndjekur një rrugë, që tashmë ishte përvijuar qartë nga një fond i konsiderueshëm i krijimeve muzikore në gjininë e muzikës zbavitëse te ne. Ai u bashkëngjit në këtë rrugë me plot sukses dhe shpejt u bë ndër më të dalluarit e kësaj fushe. Kompozitori lindi më 1 gusht të vitit 1945 në Dibër, ku kreu shkollën fillore, për të vazhduar shkollën e mesme muzikore në Prizren e më pas edhe Akademinë Muzikore në Beograd. Pas diplomimit u kthye në vendlindje, ku punoi si profesor në Gjimnazin e Dibrës dhe aty zhvilloi veprimtari të dendur dhe, ndër të tjera, menjëherë formoi orkestrën e mandolinave dhe korin e shkollës. I gjerë ka qenë edhe aktiviteti që zhvilloi në gji të shoqërisë artistike “Liman Kaba” të Dibrës. Gjatë viteve `71-`72 e shohim si bashkëpunëtor i muzikës të Radio Shkupit, kurse në vitin 1973 erdhi në Radio Prishtina. Musa Piperku ka marrë pjesë në shumë edicione të “Akordeve muzikore të Kosovës” dhe ka fituar shtatë “Okarina”, dy “Lyra të argjendta” si dhe dy “ Plaketa të arta”, siç emërtoheshin atëherë çmimet e këtij festivali. Gjatë asaj periudhe mori pjesë edhe në mjaft festivale të tjera, siç ishin ato të Opatisë, Shkodrës, Prizrenit, Sarajevës, Tetovës dhe Gjakovës. Ka lënë mbi 600 këngë të zhanreve të ndryshme dhe librin “Tingujt gazmorë” për shkollën fillore (në bashkëpunim me Gjorgje Smokvarskin).

Musa Piperku u nda nga jeta më 14 qershor 2005.

Kënga si sintezë e frymëzim

Musa Piperku ishte njeri i përkushtuar, i qetë, i matur dhe i këndshëm, po temperamenti i tij krijues gufonte me një dinamikë të brendshme, plot veçanti dhe energji krijuese.

Brenda një kohe të shkurtër u bë kompozitori më i dalluar i këngës shqiptare në të tre zhanret: në këngën zbavitëse, në muzikën me frymë popullore dhe në këngën për fëmijë.

Sidoqë muzika argëtuese nuk konsiderohej “elitiste” Musa bëri që edhe ky lloj i muzikës të ngrihej në një shkallë më të lartë artistike dhe të respektohej njëlloj si të tjerët. Me këngët që kompozoi, ai u bë aq popullor, saqë shumë këngëtarë, grupe dhe shoqëri, mezi prisnin t`i interpretonin me ëndje krijimet e tij. Këngët e Musait dhe tërë puna e tij krijuese paraqesin një sintezë të gjerë frymëzimi. Për dëgjuesin këngët e Musa Piperkut ishin melodi të freskëta, gjithnjë të reja, sepse kompozoi me shije, duke integruar mjeshtërisht folklorin tonë të pasur. Kjo veçori e krijimeve të Musa Piperkut përbënte një “modus vikendi” ngaqë këngët e tij kanë qenë të kapshme, të ngrohta, realiste, me ideale të sinqerta. Objekti i këngës së tij ka qenë gjithnjë në shërbim të së bukurës në art, i orientuar nga realiteti, pra pasqyronte me besnikëri jetën tonë të përditshme me të gjitha sfidat e saj. Opusi jashtëzakonisht i pasur e i larmishëm i Musa Piperkut në muzikën argëtuese, popullore dhe për fëmijë, të cilave iu përkushtua tërë jetën, na bën ta quajmë me plot të drejtë “Mohikan i fundit” i një muzike “të perëndua” që, mjerisht, tashmë shumë pak ose aspak kompozohet në Kosovë, duke u zëvendësuar me një “muzikë e re”, që na vjen përmes mjeteve elektroakustike. Të vetëquajturit kompozitorë, pa ditur asnjë notë, sajojnë këngë "të reja", duke përdorur blloqe të tëra ritmesh dhe orkestrimesh të llojllojshme, duke filluar që nga ritmet orientale e deri te ato latino-amerikane që nuk kanë asgjë të përbashkët me këngën e mirëfilltë, sikurse e pranojnë tani kritikët muzikorë.

Pra, Musa Piperku ishte klasiku i fundit i një kënge që mbijetoi mbi 50 vjet në hapësirën tonë muzikore, duke u bërë ballë të gjitha sfidave që e kanë përcjellë gjatë tërë kohën këtë krijimtari..

Figurë e kompletuar artistike

Musai ka krijuar rreth 600 këngë, por emblema e këngës zbavitëse shqipe pa dyshim është “Prandvera në Prishtinë” që tashmë ka hyrë në antologjinë e këngëve argëtuese shqiptare të tipit klasik. Po e quaj “klasik” sepse ky më duket se është përkufizimi më i saktë i krijimtarisë së këtij kompozitori. Ai Sa më shumë i dëgjoj këngët e tij, me nostalgji i kujtoj ato ditë që i kemi kaluar së bashku në punë dhe në festivale dhe gjithnjë mendoj se sa humbje të madhe kemi përjetuar të gjithë me vdekjen e tij, sepse kemi humbur një krijues të pazakontë, që aq shumë e donte dhe e ndjente muzikën shqiptare.

Tani që ai nuk është më, e ndjejmë më shumë mungesën e tij, sepse mjedisi ynë muzikor dhe ai kulturor në përgjithësi, kishte nevojë të madhe për këtë krijues dhe për krijimtarinë e tij, sidomos në këtë kohë, kur po kalojmë nëpër një krizë serioze të identitetit tonë kulturor, krizë të vlerave dhe një krizë shumë më të madhe pikërisht në atë fushë, që me aq përkushtim e lëvroi Musa Piperku. Prandaj, mendoj se, në shenjë të kujtimi dhe nderimi për ketë krijues të shquar, do të ishte mirë që komuna e vendlindjes, Dibra, sikundër edhe Prishtina, ku dha kontributin më të madh dhe kaloi vitet më të mira krijuese, emrin e Musa Piperkut ta mbajë ndonjë rrugë ose institucion, sepse ai e ka merituar plotësisht këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat