Malësia kurrë nuk ka pasur një shkollë të muzikës e baletit. Themelimi i një institucioni të tillë shihet si shumë urgjent. Ka vite që çështja e themelimit të kësaj shkollë ka mbetur pezull sepse institucionet ende nuk kanë realizuar këtë dëshirë të shumë brezave tonë të mëparshëm. Të rinjtë nuk kanë ku ta shprehin talentin e tyre. Sipas ekspertëve të kësaj fushë , ndërtimi i saj do të ishte dashtë të përfundonte moti. Por, më mirë vonë se kurrë, thotë populli ynë. Nëse këtë ëndërr nuk e realizuam ne, e as brezat para nesh, le ta realizojnë fëmijët tanë. Ëndrra të bëhesh artist (muzikant a balerin) të ndanë nga çdo lojë fëmijënore.
Fatmirësisht para disa ditësh Ministria e Arsimit solli vendimin për hapjen e shkollës së muzikës dhe baleitit në Tuz. Këtë lajm të gëzueshëm dhe të rëndësishëm për Malësinë e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë në Ministrinë e Arsimit të Malit të Zi, Marash Dukaj. “Për hirë të kapaciteve infrastrukturore dhe kadrovike, shkolla fillimisht do të funksionojë si paralele e shpërndarë e Shkollës Artistike për Muzikë dhe Balet “Vasa Paviq” të Podgoricës. Këtë model fillimisht e kishte praktikuar edhe Ulqini, kur hapi shkollën e muzikës, ku për një kohë funksionojë si pjesë e shkollës së Tivarit, e më vonë u pavarësua. Procesi mësimor do të realizohet fillimisht në lokalet e shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz”, ka thënë Dukaj. Ai këtë projekt e kishte paralajmëruar më parë, duke e konsideruar të rëndësishëm për mbarë Malësinë, pasi që, sipas tij, kërkesat ishin të shumta nga prindërit dhe nxënësit e këtyre trevave.
Duke iu referuar kësaj deklarate premtuese për një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja të nacionalitetit shqiptar erdhi koha që institucionet tona shtetërore ta kuptojnë rëndësinë e kësaj fushë për kombin tonë, i cili aspiron zhvillim krahas popujve tjerë të Europës dhe Botës. Të besojmë në këto institucione dhe në ata që trokasin në dyert e tyre se pa zhvillimin e shkollave artistike, pa ndërtimin e sallave koncertale, pa ndërtimin e shtëpisë operistike, të mos mendojnë se dikush na çmon aq sa duhet, si popull e si shtet!
Themelimi i kësaj shkollë do të jetë një hap i guximshëm, sa edhe i mirëpritur për qytetarët e Malësisë me rrethinë e më gjerë në kërkim të shtigjeve të reja të shprehjes skeniko-muzikore. Ajo pritet të jetë një çerdhe entuzistësh, të drejtuar nga pedagogë profesionistë, të përkushtuar në artin e bukur të muzikës dhe kërcimit , të cilët do të japin çdo gjë nga vetja vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e caktuar , të zhvillimit dhe të krijimit të artit të mirëfilltë të muzikës dhe baletit në Malësi, si dhe ta përhapin atë në masat e gjera.