Hapja e portave të shpresës dhe të zgjimit

Kultura

Hapja e portave të shpresës dhe të zgjimit

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 16 korrik 2017 Në ora: 10:11
Ballina e librit të të shkrimtarit dhe publicistiti Sejdi Berishes

Sejdi Berisha ka qenë dhe është personazh i botës së shkrimit dhe të artit tash më shumë se 60 vjet, një publicist i thekur, një polemit  fisnik, një poet i ndjesive të rralla, një detajit i paparë në prozën e tij e tregoi fytyra e tij paqësore, portretin e tij filozofik, buzëqeshjen e sinqertë , boten e pasur të syve të tij dhe flokët e rrallë prej ngjyrë gruri…

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, në kuadër të shënimit të 70-vjetorit të lindjes dhe 50-vjetorit të krijimtarisë, këto ditë botoi librin me poezi me titullin “Varrtarët  kush do t’i varrosë’, është vepra e tridhjetë e shtatë e këtij krijuesi dhe libri i gjashtëmbëdhjetë me poezi. Ky krijues, librin me titull shumë provokues, e nis me këto vargje:“...Në mëngjes/Një ëndërr e llahtarshme më zgjoi/Sa shumë kohë kishte kaluar/Sa shumë gjëra kishin ndërruar/Sa shumë njerëz kishin ikur...”, që sikur josh dhe zgjon interesimin se çfarë ka dhe çfarë ndodhë përbrenda këtij libri.

Pesha e vizioni lirik për personifikimin  e dashurisë dhe të jetës

Studiuesi dhe kritiku e shkrimtari, Prend Buzhala, përkitazi me krijimin e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, në mes tjerash thotë:”...Ai gjendet gjithnjë në kërkim të zgjimit dhe të çelësit për t'i hapur portat e rënda të shpresës dhe zgjimit. Zgjimi dhe poeti janë një. Mëngjesi dhe poeti identifikohen njënjëshëm me krijimin. Madje, është poeti që i paraprin zgjimit, mëngjesit dhe agut. Poeti nuk e pranon humbjen, si një e keqe që na pllakos e na zhyt thellë në situata mjegullimi, prandaj ai gjendet në lëvizje. Ai me mëngjesin ndien dritën e lumturisë, bukuria e mëngjesit i ngjason ëndrrës ("Si ëndërr më duket mëngjesi").

Kjo ecje, lëvizje e përjetim, e shënjon përafrimin e poetit, sidomos ndaj realitetit përreth, ndaj botës, si një mundësi e krijimit të komunikimit të vërtetë me njerëzit dhe njerëzoren.

Kjo formë e komunikimit vjen si lajm i gëzuar që sjell madhështinë e bukurisë së lindjes. Poetikisht, ai metaforizon kthjelltësinë e vizionit lirik, duke e rikrijuar edhe mitin e dikurshëm antik të Dritës së mëngjesit, si një personifikim të situatave të dashurisë dhe jetës...

Poeti, i gjendur gjithnjë në lëvizje, në rrugëtim, në gjallërim. e ka libër leximin e vetë të dashurisë dhe të madhështisë krijuese.”, thotë në mes tjerash, redaktori i librit “Varrtarët kush do t’i varrosë” të Sejdi Berishës.

Image
Publicisti Sedi Berisha, autor librit me te ri me titullin “ Varrtarët kush do t’i varrosë”

Krijues i pikantes e i ndjesive të rralla dhe publicist i thekur...

Për vlerat krijuese dhe veprimtarinë letrare dhe kulturore, shkrimtari i dalluar nga  Shqipëria, nga Bajramcurri, Lulzim Logu, veç tjerash ka vlerësuar: “Sejdi Berisha është njeriu që urtëson dhe gjallëron kuvende dhe debate, njeriu që prin kah atdheu dhe vendlindja me bujari dhe palodhshmëri, njeriu që e lartëson kulturën, vlerat shpirtërore, madhështinë e popullit dhe nderon dëshmorët, njeriun... 

Krijimtaria e tij erëmon tema psikologjike, ato të njerëzores dhe të traditës, ndërsa, satira dhe ironia janë “armë” që godasin saktësisht dukuritë negative të kohës që kalojmë, duke u bërë njësh me opinionin, me lexuesin, duke menduar dhe reflektuar bashkë me të, me të gjitha kategoritë e lexuesve, të çdo brezi, të çdo moshe...

...Për të jetuar

Shpeshherë vdes

Sepse ta vrasin unin…

(Nga libri “Freskia e pluhurit”)

Sejdi Berisha ka qenë dhe është personazh i botës së shkrimit dhe të artit tash më shumë se 60 vjet, një publicist i thekur, një polemist fisnik, një poet i ndjesive të rralla, një detajist i paparë në prozën e tij. Këtë begati e thesar të rrallë njeriu, ta tregon fytyra e tij paqësore, portreti i tij filozofik, buzëqeshja e sinqertë , bota e pasur e syve të tij dhe flokët e rrallë prej ngjyrë gruri…

Ta reflekton etja e tij për udhëtime të gjata, motivet poetike që ia mësyjnë çdo çast, pritje-përcjelljet e përditshme të miqve të zemrës, dashuria e pafundme ndaj njerëzores…”, ka thënë krijuesi dhe Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Tropoja” në Bajracurri, Lulzim Logu.

Kur e bukura skalitet dhe përjetësohet në vargje

Ndërsa, shkrimtari, Muharrem Kurti, për veprën dhe krijimtarinë e Sejdi Berishës, shprehet: “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, tej mase më la një përshtypje të thellë, duke më bërë për veti që ta lexoj herë pas here, e duke gjetur gjithnjë në të kënaqësinë e bukurisë  artistike, ndijimin e thellë shpirtëror, mesazhin edhe historik por edhe lartësitë e të shkruarit.

Në “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston“, e hasë mesazhin që në titull dhe kudo, në tërë poezinë. Në të gjënë vargun e latuar më së miri, me figura të përzgjedhura dhe adekuate, siç janë metafora dhe krahasimi, e ndonjë figurë tjetër letrare. Gjënë skofiaritetin dhe muzikalitetin e vargut, nga të cilët nuk largohesh dot, as shpejt, apo edhe asnjëherë. Sepse, veç tjerash, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, prezanton jetën, si ka qenë dikur e sa mungon sot ajo jetë:

Ka mbi një gjysmë shekulli  

Dritaret e vogla si etje drite

Duart e nënës m’u kujtuan

Bukë duke gatuar

Edhe plisi e kamishi prej qelibari

Edhe tirqit me gajtanë dymbëdhjetë fijesh

Në shtëpinë që nuk ekziston

Vetëm hëna

Një cep të trapazanit e ndriçonte...

U ktheva tek dhoma e çerepit

Çdo gjë dukej bosh

Edhe ajri që përftonte andejpari...

Në kullë vetëm veriu frynte...

Prandaj, pa hamendje mund të thuhet, se “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, është një vepër e thellë, me peshë dhe e rrallë poetike, një ndijim i fortë i dalë nga zemra, dhe po ashtu një poetizim i shquar artistikisht për jetën që ka shkuar dhe që nuk kthehet kurrë më.

“Kthim në shtëpinë që nuk ekziston“, përjetohet thellësisht, dhe po ta lexosh edhe disa herë, në të gjen çdo herë jetën dhe gjurmët e saj si histori, ka veçuar, krijuesi dhe romansieri, Muharrem Kurti.

Krijimtaria e S. Berishës është nderuar me shumë çmime dhe mirënjohje në Kosovë dhe Shqipëri

Ndryshe, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, është laureat i shumë mirënjohjeve dhe i shpërblimeve. Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, në vitin 2011, u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar i vitit”.

Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë në gusht  të vitit 2012, u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë.

Është nderuar me Çmimin “Din Mehmeti”, në Mitingun e 50-të të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi, “Gjethet e hirta të zemërimit”, si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve(09 maj 2014). Ky krijues me krijimet e veta është i përfshirë në shumë antologji. Ndërsa, Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pwgasi”-Albania, shkrimtarin dhe publicistin Sejdi Berisha, e shpalli “Poeti i vitit 2016” (Për Kosovë). Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat