Veprimtaria artistike e ShKA Agimit, përkohësisht në hapësirën e kinemasë Lumbardhi - Bota Sot
Veprimtaria artistike e ShKA Agimit, përkohësisht në hapësirën e kinemasë Lumbardhi

Kultura

Veprimtaria artistike e ShKA Agimit, përkohësisht në hapësirën e kinemasë Lumbardhi

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 13:06
Në këtë kinema sot u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për shfrytëzimin e hapësirës së kinemasë Lumbardhi në Prizren për nevojat e seksioneve artistike të ShKA Agimit

Hapësira e kinemasë Lumbardhi nga sot do të jetë shtëpi e përkohshme e veprimtarisë artistike të ShKA Agimit. Në këtë kinema sot u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për shfrytëzimin e hapësirës së kinemasë Lumbardhi në Prizren për nevojat e seksioneve artistike të ShKA Agimit. Në praninë e anëtarëve të Kryesisë dhe Bordit të të dyja organizatave, memorandumin e nënshkruan Besim Berisha, drejtor artistik i ShKA Agimit dhe Ares Shporta, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Lumbardhi.

Objektiv themelor i këtij bashkëpunimi është mbështetja që Fondacioni Lumbardhi u ofron përpjekjeve të anëtarëve të ShKA Agimit për të aktivizuar veprimtarinë artistike të shoqatës. Për shkak të pamundësisë për të ushtruar veprimtarinë artistike në objektin e ShKA Agimit, anëtarët e shoqatës, anëtarët aktivë të seksioneve artistike, udhëheqësit e seksioneve artistike, Drejtori Artistik dhe Kryesia e shoqatës janë mobilizuar për të mbajtur gjallë veprimtarinë. Hapësira e kinemasë Lumbardhi do të shfrytëzohet për një periudhë të përkohshme, derisa të krijohen kushtet për t’u kthyer në objektin e shoqatës. Aktivizimi i veprimtarisë artistike të ShKA Agimit po bëhet paralelisht me përpjekjet për të vendosur rend në shoqatë përmes rrugëve ligjore dhe institucionale.

Ky bashkëpunim, për Ares Shportën nga Fondacioni Lumbardhi është dëshmia e radhës e hapjes dhe mikpritjes së Lumbardhit ndaj të gjithëve, ndërsa njoftoi se në fund të këtij muaji përfundojnë edhe punimet për funksionalizimin e sallës së mbyllur të kësaj hapësire kulturore. Në anën tjetër, Besim Berisha nga ShKA Agimi ofroi detaje rreth orgnizimit të komponentës artistike. Kryesia e ShKA Agimit, me propozimin e drejtorit artistik ka vendosur të aktivizojë gjashtë seksione artistike, ndërsa janë caktuar edhe udhëheqësit e këtyre seksioneve: Fikrim Emra (kori), Kastriot Marku (orkestri), Mazllum Karamani (veteranët), Xhevdet Doda (drama) dhe Besim Berisha (okteti). Udhëheqësi i seksionit të folklorit do të caktohet ditëve në vijim, pas përfundimit të diskutimeve që drejtori artistik i ShKA Agimit po i zhvillon me disa nga profesionistët e kësaj dege.

Para disa ditësh, ShKA Agimi ka publikuar thirrjen për anëtarësim në seksionet artistike. Anëtarësimi është i hapur për të gjithë, ndërsa të interesuarit për të qenë pjesë aktive e seksioneve duhet të shkruajnë në email adresën zyrtare [email protected] Afati për shprehjen e interesimit për të qenë pjesë e seksioneve të ShKA Agimit për aktivitetin e sivjetëm artistik mbetet i hapur deri më 20 Gusht 2017, ndërsa provat e seksioneve do të nisin nga java e parë e Shtatorit 2017 në hapësirën e kinemasë Lumbardhi.

Gjatë këtij viti, sipas drejtorit artistik të ShKA Agimit, do të realizohet një ngjarje e madhe koncertale më 28 Nëntor, për të shënuar 73 vjetorin e themelimit të ShKA Agimit dhe Ditën e Flamurit. Gjatë vitit 2017 do të organizohen edhe ngjarje të tjera artistike të seksioneve të veçanta artistike.

Përveç përkrahjes nga Fondacioni Lumbardhi për shfrytëzimin e hapësirës, ShKA Agimi ka siguruar përkrahje edhe nga organizata, biznese, institucione e individë të shumtë, të cilët po solidarizohen në forma të ndryshme, përfshi pajisje, hapësirë, instrumente, financim, shërbime dhe të tjera. ShKA Agimi i fton edhe një herë të gjithë dashamirët e kulturës dhe të ShKA Agimit që të vazhdojnë përkrahjen në forma të ndryshme varësisht nga vullneti dhe mundësitë e tyre për të siguruar vazhdimësinë e traditës artistike mbi 70 vjeçare dhe kthimin përfundimtar të të gjitha seksioneve, artistëve dhe anëtarëve në objektin e shoqatës, i cili vazhdon të mbahet i uzurpuar nga një grup individësh të papërgjegjshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat