UNESCO falënderon Eda Zarin

Kultura

UNESCO falënderon Eda Zarin

Më: 28 korrik 2017 Në ora: 23:45
Eda Zari

Ambasadori i UNESCO-s për dialog ndërkulturor, Herbie Hancock, në emër të UNESCO-s, Institutit të Xhazit ‘Thelonius Monk’ dhe Ditës Ndërkombëtare të Xhazit, i ka dërguar artistes shqiptare Eda Zari një letër falënderimi për kontributin e saj në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Xhazit në vitin 2017.

‘Falë përpjekjeve në të cilat edhe ju keni marrë pjesë shënimi dhe festimi i kësaj dite me 30 prill ishte një sukses i jashtëzakonshëm’, thuhet në letrën e falënderimit.

‘Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë partnerë si ju për të përdorur Ditën e Xhazit për të promovuar aktivitete bamirëse dhe të bazuara në shërbime që ndihmojnë të bëjnë një ndryshim pozitiv në botë. Është me të vërtetë e përshtatshme që muzika e xhazit, veçanërisht më 30 prill, duhet të përdoret si një mjet për të bashkuar dhe fuqizuar të prekurit në shoqërinë tonë’, ka shkruar Herbie Hancock.

Artistja ftohet sërish të marrë pjesë në organizimin e kësaj dite, vitin 2018.

‘Dita Ndërkombëtare e Xhazit, nuk mund të ndodhte pa partnerë si ju. Ne ju kemi borxh për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe presim me kënaqësi të punojmë sërish me ju edhe vitin tjetër, thuhet krejt në fund të letrës falënderuese drejtuar artistes shqiptare të muzikës xhaz, Eda Zari.

Në nëntor të vitit 2011, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO zyrtarisht caktoi 30 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, për të promovuar muzikën xhaz dhe rolin diplomatik që ka në bashkimin të njerëzve në të gjitha anët e globit, KultPlus.

Dita Ndërkombëtare e Xhazit, udhëhiqet nga Irina Bokova, Drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s.

Dita Ndërkombëtare e Xhazit bashkon, shkollat, artistët, historianët, akademikët dhe të gjithë atë që pëlqejnë muzikën xhaz, në të gjithë botën për të festuar dhe mësuar rreth xhazit dhe ndikimit të kësaj muzike.

Aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Xhazit organizohen në 190 shtetet anëtare të UNESCO-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat