Kritika si vetëdije artistike - Bota Sot
Kritika si vetëdije artistike

Kultura

Kritika si vetëdije artistike

Nga: Bislim Aliu Më: 30 korrik 2017 Në ora: 09:57
Bislim Aliu

Secili krijues e ka botën e vet artistike. Këtë botë artistike, krijuesi e sheh nga këndvështrimi i vet i vrojtimit; e në anën tjetër, edhe kritiku, poashtu, këtë botë  kreative të krijuesit, e shikon nga këndvështrimi i vet kritik.

Këto dy botëra, mund të komunikojnë drejtë në mes vete, por në anën tjetër, mund të mos mirren “vesh” dhe bota e tyre mund të jetë edhe kundërthënëse. Mirëpo, sido që të jetë, kritika e shënuar nga kritiku është gjithsesi e mirëseardhur për krijuesin dhe për veprimtarinë e tij artistike në përgjithësi.

Krijuesi krijon me gjuhën e vet artistike, e kritiku shkruan (shënon) me gjuhën e vet kritike. Krijuesi e krijon veprën artistike, kur e rrokë drithërima prekëse, pra ajo katarzë e cila nuk e lë të qetë. E, në anën tjetër, kritiku medoemos, duhet ta ketë drithërimën e vet shpirtërore për ta kuptuar shprehjen artistike të krijuesit. Nëse po, atëherë do të gjenden, në një intuitë me krijuesin; e nëse jo, atëherë kritika nuk do ta ketë atë vlerën reale të komunikimit dhe atë të rrëfimit të lartë kritik!...

Nëse kritika nuk bie në realitetin objektiv dhe intuitivë të kreativitetit të krijuesit, dhe, që në masë të duhur nuk angazhohet që ta kuptoj shpirtërorën dhe ndiesimin e lartë të krijuesit, atëherë si do ta kuptonim domethënien e veprave; “Elegji për Kosovën” të Tahir Emrës, “Hamalli” të Muslim Mulliqit, “Medaljonet e Prizrenit” të Engjëll Berishës, “Hasianja” të Fatmir Krypës apo “Autobiografi” të Xhevdet Xhafës?

Kritika e mirëfilltë artistike

Shpeshherë është dëgjuar nëpër kuluare, kafene, besa edhe në Galeri të Artit, duke biseduar shtruar për kritikën tonë artistike. Dhe, në këtë rrafsh shkohet edhe aq larg, saqë e dëgjojmë edhe këtë; se ne në Kosovë nuk kemi kritikë të mirëfilltë për arte pamore! Gjithësesi jam i vetëdijshëm, se ne në Kosovë akoma nuk e kemi atë vetëdijen e lartë kritike, megjithatë, ne e kemi kritikën tonë, e cila vazhdimisht po përpiqet aq sa mundet të jetë sa më objektive dhe  konkrete.

Sigurisht ajo, ndoshta nuk qëndron në nivelin e dëshiruar, ama, mendoj se qëndron në nivelin e vendeve të rajonit. Megjithatë, mendoj se ne e kemi kritikë tonë e cila është më tepër kritikë realiste, e më pak ndoshta intelektuale apo filozofike.

Pa dyshim, mendoj se ne në Kosovë kemi kritik të denjë të cilët vazhdimisht shkruajnë dhe mjaft mirë na tregojnë krijimtarinë e krijuesve pamorë, të cilët te ne nuk janë të paktë. E kemi p.sh. Nebih Muriqin, Mustafa Ferizin e (ndjer), Bislim Aliun, Skënder Boshnjakun, Hivzi Muharremin, Ilir Muharremin… të cilët gjer më tani kanë treguar denjësisht shpërfaqje kritike, të cilët vazhdimisht janë në rrjedha artistike dhe njohës të mirë të analizave dhe të shkrimeve kritike.

Megjithatë, në anën tjetër, për këtë shpërfaqje, ekziston bindja te disa krijues, se kritika e jonë nuk është e aftë të depërtojë në thelbin e krijimtarisë artistike të krijuesve tanë, të cilët disa prej tyre ndoshta gjenden në një nivel më të lartë se sa kritika e jonë pamore. Tani ndonjëherë, ndoshta është edhe një bindje tjetër te disa krijues, se për krijuesit me përvojë, patjetër po dashka që për ta të shkruhet kritika pozitive, e për të tjerët dhe sidomos për ata që nuk janë të afirmuar, sikur për ta nuk shkruhet kritikë reale dhe favorizuese për krijimtarinë dhe për shprehjen e tyre pamore!

Gjithsesi, mendoj se vetëm kritika objektive, e cila problemeve artistike, i qaset objektivisht, do ta ketë atë vlerën e vet  si vetëdije e lartë kritike. Ndaj për këte, duhet të dihet dhe secili duhet ta ketë të qartë se edhe puna e kritikut është një punë kreative, ndiesore, sensitive dhe, mbase, tejet e vështirë.

S’do mend se kritika intelektuale dhe sidomos ajo shkencore, e zbulon rrënjësisht vlerën e veprave artistike, brendinë dhe shprehjen artistike, i zbulon fshehtësitë kuptimore dhe e zbulon idenë e veprës artistike. Kuptohet se pa këto  elemente të shpërfaqura, është shumë vështirë, që kritika e shprehur të jetë e mirëfilltë dhe objektive. Andaj mendoj se pa këto elemente kuptimore, edhe kritika nuk do të jetë e nivelit të lartë dhe ndonjëherë mu për këte, po na shfaqet edhe kritika formale dhe që nuk e përfillë objektivitetin kreativ të krijuesit pamorë.

Kritika favorizuese është e dëmshme për krijuesin

Ekziston bindja se kohëve të fundit, në shtypin tonë të përditshëm, po na shfaqet kritika e matur, megjithatë, shpeshherë, në disa raste, po na shfaqet kritika favorizuese, e cila sipas mendimit tim, kjo kritikë, nuk është e mirëseardhur dhe se i bën shumë dëm krijuesit dhe shprehjes së tij kreative. Pa mëdyshje, kritika joobjektive dhe joshkencore nuk i duhet kulturës dhe artit tonë në përgjithësi.

Është vërejtur qe sa kohë, se në shtypin tonë të përditshëm, vazhdimisht po shkruhen kritika për disa krijues,sidomos nëpër qendra, e për krijuesit në periferi, fare pak shkruhet dhe as që i dihet veprimtaria e tij artistike. Mendoj se edhe në periferi ka krijues të mirëfilltë dhe se për ta patjetër duhet të shkruhen kritika objektive.

Sigurisht se vetëm kritika realiste dhe objektive, është e dobishme dhe se vetëm kjo shpërfaqje reale do ta qojë përpara krijimtarinë figurative të krijuesve artistik. Në të kundërten, kritika favorizuese dhe joobjektive, do të jetë kritikë artificiale, opurtuniste dhe joprofesionale.

Kjo sigurisht është dobësi e kritikës sonë në përgjithësi, e për kulturën dhe për shprehjes figurative në veçanti…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat