Durrës: Panair ndërkombëtar i librit shqip “Durrës Script”

Kultura

Durrës: Panair ndërkombëtar i librit shqip “Durrës Script”

Më: 4 gusht 2017 Në ora: 11:07
Arkiv

Për 4 ditë me radhë, nga 3 deri në 6 gusht, qyteti i Durrësit do të ketë vëmendje letrare mbarëkombëtare, pasi është zgjedhur sërish për të zhvilluar “Panairin Ndërkombëtar të librit shqip”.

Është viti i dytë që ky panair organizohet në Durrës duke u kthyer tashmë në një aktivitet tradicionalpër qytetin bregdetar. Ky aktivitet organizohet nga shoqata kulturore artistike “Durana” në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Vangjush Dako.

Në ceremoninë e hapjes së këtij eventi letrar mjaft të rëndësishëm merrte pjesë prefekti i Durrësit Emiljan Jani, drejtues të tjerë lokalë, shkrimtarë dhe qytetarë të Durrësit. Prefekti Emiljan Jani ka deklaruar se Panairi i Librit është një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Durrës dhe ai po kthehet në një traditë për qytetitn bregdetar, ndërsa ka ftuar qytetarët që të afrohen sa më shumë me librin.

Në këtë panair që zhvillohet në shëtitoren Taulantia, buzë detit në sheshin e sfinksit marrin pjesë rreth 50 shtëpi botuese nga vendi dhe disa shtete të tjera. Ky është një event që i shërben zhvillimit të turizmit kulturor të Durrësit i cili nuk ofron vetëm plazhet, detin dhe arkeologjinë, por tashmë çdo vit kthehet edhe në qendrën letrare mbarëkombëtare.

E veçanta e këtij panairi është se libri shqip vjen jo vetëm nga Shqipëria e Kosova por edhe nga Greqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia etj ku botohen në shqip vepra të shkrimtarëve shqiptarë.

Drejtuesi i këtij eventi njëkohësisht përfaqësues i shoqatës “Durana”, poeti Aqif Hysa deklaroi se ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur ngushtësisht librin me turizmin përmes një panairi tematik, i vetmi i këtij lloji për këtë qytet.

“Pas suksesit të panairit vitin e kaluar tashmë nisëm edicionin e dytë që mendojmë se do të jetë edhe më shumë i suksesshëm. Janë rreth 50 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe 5 vende të tjera ku botohen libra shqip, që janë bërë pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Librit, i cili mbahet nga data 3 deri më 6 gusht, përgjatë Shëtitores “Taulantia”. Jemi të entuziazmuar nga përgjigja pozitive e menjëhershme që kanë treguar shtëpitë botuese që botojnë në shqip kudo ku ato operojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Synimi i këtij Panairi është ruajtja dhe përhapja e gjuhës së bukur shqipe në trevat shqipfolëse nëpërmjet librit dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ky panair i shërben shkëmbimit të vlerave. Ftojmë të gjithë pushuesit, vizitorët, qytetarët, që do të jenë përgjatë këtyre ditëve në Durrës që të afrohen me librin”, tha ai.

Po kështu në këtë panair do të ketë një risi pasi shumë shtëpi botuese kanë botuar vepra letrare posaçërisht për këtë panair dhe këta tituj të rinj do të dalin për herë të parë për lexuesit durrsakë dhe pushuesit që ndodhen në Durrës. Ky panair ka bashkuar të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë.

Panairi do të qëndrojë i hapur për 4 ditë nga ora 18:00 deri në orët e vona të natës , në shëtitoren “Taulantia” në sheshin e sfinksit. Gjatë ditëve të panairit do të zhvillohen edhe promovime të librave më të rinj të autorëve të njohur si Bashkim Hoxha, Ndriçim Kulla, Mimoza Leskaj, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat