Në Prizren filloi edicioni i 16-të i "DokuFest"

Kultura

Në Prizren filloi edicioni i 16-të i "DokuFest"

Më: 4 gusht 2017 Në ora: 22:05
Dokufest

 Edicioni i 16-të i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest filloi sot në qytetin e Prizrenit të Kosovës dhe do të zgjasë deri më 12 gusht, në të cilin pritet të shfaqen 253 filma, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto ditë qyteti i Prizrenit është më i mbushur se çdo herë tjetër ku qytetarë kosovarë e turistë të shumtë kanë vijuar për të marrë pjesë në DokuFest.

Dokufest i cili konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha evropianë të filmit dokumentar të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, për edicionin e sivjemë do të shfaq filma dhe aktivitete të ndryshme me temën “Future- E ardhmja”. Lidhur me temën edhe Ura e Gurit, e cila ndodhet në qendër të qytetit është dekoruar me gjelbërime dhe me tabela me mbishkrime "E ardhmja është e ndritshme, e ardhmja është e gjelbër, eja të fluturojmë në të ardhmen".

Drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari në një deklaratë për AA-në bëri të ditur se pritet që DokuFesti i sivjemë të ketë rreth 40 deri në 50 mijë pjesëmarrës, ndërsa tha se kanë të akredituar rreth 200 mysafirë nga mbarë bota.

“Në DokuFest do të shfaqen gjithsej 253 filma që përfaqësojnë 50 shtete të ndryshme. 102 filma do të garojnë në gjashtë kategori, si në kategorinë e dokumentarëve ballkanik të filmave të shkurtër dhe dokumentarëve kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe në kategoritë e filmave për të drejtat e njeriut dhe të dokumentarëve ambientaliste, që kuptohet se do të ketë çmime për fituesit po ashtu edhe 150 filma të tjerë do të shfaqen në 15 kategori jashtë konkurrencës”, tha Nurkollari.

Nurkollari duke folur për aktivitetet jashtë shfaqjes së filmave tha se do të ketë një numër të madh të aktiviteteve si punëtori dhe ligjërata prej filmbërësve, ndërsa bëri të ditur se në programin për fotografi të Dokufestit, DokuFoto këtë edicion së bashku me Muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” nga Shkodra (Shqipëri) do të organizojnë punëtori dhe ekspozita të ndryshme në hapësirat e qytetit.

“Do të kemi aktivitete dhe disa punëtori me fëmijë, klasa të baletit, punëtori specifike për filmbërje. Në Dokunights kemi një festival të gjerë të muzikës çdo natë gjatë festivalit. Ndërsa në kej-in e lumbardhit do të instalohet një kinema e veçantë që quhet “Virtual Reality- VR” që mund të shihen filmat me syze në 360 shkallë. Po ashtu do të ketë panele të ndryshme me tema interesante”, tha ai.

Nurkollari njoftoi se filmat do të shfaqen nga ora 12.00 deri në mesnatë gjatë festivalit në dhjetë kinema të shtrira prej qendrës së qytetit të Prizrenit deri në Kalanë e qytetit dhe në “Parkun e Marashit” si dhe në kinemanë e vogël të hapur afër lumbardhit.

Ai po ashtu foli edhe për temën e këtij edicioni të Dokufest-it i cili është “Future-E ardhmja” ku tha se janë përcaktuar “në një temë të gjallë ndoshta paksa optimiste edhe pse bota është duke kaluar në sfida të mëdha por ne deshëm që ta adresojmë të ardhmen edhe me përzgjedhjen e filmave”.

Po ashtu Nurkollari shtoi se gjatë edicionit do të ketë disa biseda, diskutime të ndryshme për energjinë e ripërtëritshme, që sipas tij, është një temë që i takon të ardhmes dhe që i duhet njerëzimit.

DokuFest do të zgjasë deri më 12 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat