Veprat artistike dhe komunikimi i tyre me shikuesin

Kultura

Veprat artistike dhe komunikimi i tyre me shikuesin

Nga: Bislim Aliu Më: 9 gusht 2017 Në ora: 12:33
Bislim Aliu

Gjithmonë para shikuesve, e kemi borxh, që të prezantohemi ashtu siç duhet dhe siç e meriton seriozisht shikuesi. Pra, të ekspozohen vepra të mirëfillta me domethënie, ndiesore e sensitive dhe me kreativitet të lartë artistik. Ndaj, nuk mundemi të dalim para shikuesve dosido!   Dhe,për këtë, krijuesi, duhet ta ketë të qartë; çka po ekspozon dhe vepra e tij, a thua, çfarë mesazhi na paraqet? Në të kundërten, do të vazhdojë, edhe më tej, kjo amulli, e paqartësive dhe e pakuptimësive, në mes krijuesve dhe të shikuesve!...

Nëpër galeritë tona, ku ekspozohen veprat e krijuesve, por edhe nëpër ndeja të ndryshme, nuk bëhet që të mos bisedohet dhe të mos preket, problemi  i qartësisë dhe i mosqartësisë në veprat artistike. Ky problem  bisedohet gjithnjë, në çdo vend, kur paraqitet momenti  për të diskutuar për këtë problem artistik. Dhe, sigurisht, ky problem madhor, ndonjëherë, ka qitur në shesh, edhe reagime serioze, besa, edhe kundërthënie të “zjarrta”, në mes krijuesit dhe masës së gjerë të shikuesve!

Megjithatë, edhe kritika e jonë, shpeshherë është deklaruar, për këtë “mosmarrëveshje” në mes krijuesve dhe shikuesve, duke i përdorur slloganët: “të kuptueshme për masën”, “jo të qarta e patetike”, “vepra pa domethënie”. . . Zatën këto shprehje dhe këto mendime të kritikëve tanë,  gjithsesi të shtjejnë të mendosh, se për çfarë veprash bëhet fjalë, dhe cilat vepra, na qenkan më të mirëseardhura për t’i ekspozuar dhe më të qarta për shikuesin.

Krijimi i veprave të qarta

Eshtë fare e qartë, se “veprat e qarta dhe të kuptueshme”për shikuesin, janë vepra të dedikuara për masën e gjërë të shikuesve.  Gjithsesi, këto vepra, i takonin drejtimit realist, kur çdo gjë kuptohej me lehtësi. Dihet mirëfilli, se ky drejtim realist,  në artet pamore;  është i mirëseardhur për shikuesit, meqë janë të qarta dhe kuptohen me lehtësi. Në anën tjetër, këto vepra, paraqitnin “vertetësinë jetësore” të vendit apo të ndonjë krahine. Ato, zatën, shprehnin bukur, “heroin”, “trimin”, “burrin e malësisë”, pra me një fjalë paraqitnin trimërinë e burrit kombëtar dhe heroizmin e tij.

Megjithatë, dalëngadalë, disa krijues, përpiqeshin që sado pak të lëviznin, dhe në krijimtarinë e tyre, të paraqitnin, edhe disa elemente dhe shenja, që filluan ta ngacmojnë shikuesin dhe veprën artistike t’a analizojnë më tepër. Këto elemente (shenja), e detyrojnë krijuesin, që të krijojë  më tepër, vepra për “ art për elitën”. Pra, të krijojnë vepra, për një shtresë më të lartë intelektualësh, dhe duke mos u angazhuar më, për vepra  të “qarta dhe të kuptueshme”.

Vepra për një kategori njerëzish

Gëtja, thoshte se veprat e veta, i shkruante, për një kategori njerëzish, që kanë një kulturë të lartë artistike;  “ Veprat e mia, nuk mund të fitojnë popullaritet – kush mendon dhe synon të kundërten gabon. Ato nuk janë shkruar për masën, por për disa njerëz, të cilët dëshirojnë dhe kërkojnë, përafërsisht atë çka kërkoj unë dhe që kanë synime të ngjashme me të miat”.

Andaj, pra, është fare e kuptueshme, se tani, është kohë tjetër e krijimtarisë. Kohë e momenteve shprehëse, kur krijuesit tanë, janë të lirë ta shprehin botën e vet shpirtërore. Ata këtë botë shpirtërore, e shprehin, me shenja të tjera, që gjithsesi e shtjejnë shikuesin që më tepër ta analizojnë veprën e krijuar. Dhe, në këtë drejtim, tani, lindin opcionet  “ E paqartë” dhe “Asgjë nuk po kuptoj nga kjo vepër”! Ja këtu, me të vërtetë, na lindin problemet e shikuesve me veprën artistike. Piktori Kandinski thotë:  “Shikuesi, e ka bërë zakon, të kërkoj “kuptimin”, domethënë lidhjen e jashtme të pjesëve të shëmbëlltyrës.  C’është e vërteta, vetë periudha materialiste, si në të gjitha aspektet e jetës, po ashtu edhe në vetë artin, ka formuar një shikues të paaftë”. Në këtë rast, mendoj, se faji ndoshta, është i dyanshëm; shikuesi, që fare nuk përpiqet, që ta deshifroj veprën artistike, dhe, në anën tjetër, krijuesi, që nuk i ka të qarta, shenjat dhe kuptimet e tyre të shpërfaqjes, në veprën artistike.

Në këtë drejtim, është e domosdoshme, që të krijohet një hamonizim më i drejtpërdrejtë, në mes shikuesit dhe të krijuesit. Mendoj gjithnjë, në shikuesin që nuk ka kulturë të lartë artistike. Kjo sigurisht ndodh me mjetet e reja shprehëse, si p.sh. mardhëniet e artit modern dhe të abstraksionit. Kështu, më së tepërmi bie në dilemë shikuesi, që t’i deshifroj elementet dhe shenjat, që janë paraqitur në veprën artistike.

Qartësia dhe paqartësia e veprave

Zatën, për problemin e “qartësisë” dhe të “paqartësisë” ka debatuar edhe Eqrem Cabej në një debat, që zhvillohej për këtë çështje, e që lidhej me poezinë e Lazgush Poradecit, dhe për këtë shprehej: “Po moskuptimi i lehtë, errësia e disa vjershave të tija, nuk është një e metë, përkundrazi, është një element i të gjitha shkrimeve të thella në botë. Fundi i fundit, çdo thellësi, është e errët. Dhe, faji s’është aq i gjeniut, sa i publikut mendjeshkurtër”.

Domosdoshmërisht krijuesi duhet ta ketë të qartë, se çka po ekspozon (boton), për kend po e krijon dhe çfarë mesazhi ajo vepër po e pëcjell te shikuesi. Pra, këtë duhet krijuesi ta ketë gjithmonë parasysh. Dhe, le të më lejohet që t’ju përkujtoj, që në një ekspozitë të organizuar para do vitesh në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ishte ekspozuar, edhe një vepër, delja me mbeturina (fekalje) dhe kashtë! Dhe, a thua edhe këtë mund ta quajmë vepër artistike? E, pra, kjo shpërfaqje, a thua, çfarë bukurie ka dhe, a thua, çfarë mesazhi artistik na tregoi?!

Ndaj, gjithmonë  mendoj, dhe përherë e kemi borxh, që para shikuesve, të dalim ashtu siç duhet dhe siç e meriton  seriozisht shikuesi.  Pra, të ekspozohen vepra të mirëfillta me domethënie ndiesore e sensitive dhe me kreativitet të lartë artistik. Dhe, për këtë, jam edhe më i vendosur, se në prezantimin e veprave artistike, nuk mundemi të dalim dhe të bëhet prezantimi dosido! Për këtë, krijuesi duhet ta ketë të qartë, çka po ekspozon dhe vepra e tij, çfarë domethëni ka dhe çfarë mesazhi na paraqet.  Në të kundërtën, nëse vazhdon kjo amulli, e paqartësive  dhe e pakuptimësisë, në veprat artistike, vaj halli për artin dhe pë kulturën tonë në përgjithësi!!!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat