Fillon edicioni i shtatë i EtnoFest

Kultura

Fillon edicioni i shtatë i EtnoFest

Më: 11 gusht 2017 Në ora: 20:45
Festivali tradicional EtnoFest

Festivali tradicional EtnoFest, sot ka filluar me programin e tij, në fshatin Kukaj të Prishtinës. EtnoFest këtë vit shënon edicionin e 7-të dhe sikur se çdo vit, programi i festivalit në thelb ka kulturën tradicionale të trojeve shqiptare.

Ashtu si vitet e kaluara edhe këtë vit, qëllimi i Etno Fest mbetet që t’i shpalos publikut shqiptar, vlera nga më të ndryshme, si të reja ashtu edhe të vjetra nga të gjitha fushat e artit dhe kulturës.

Fadil Hysaj, drejtor i Festivalit, u shpreh se këtë vit programi është më i ngjeshur se vitet e kaluara. Ai tha se në festival do të shpalosen programe që në baze kanë kulturën, por janë të karakterit modern. Hysaj tha se vëmendje e madhe i kushtohet muzikës, riteve dhe arkitekturave tradicionale, të cilat janë në rrezik për zhdukje.

Hysaj: Këtu ka shumë programe tjera që e kanë bazë traditën

“Përveç etnokulturës, këtu ka shumë programe tjera që e kanë bazë traditën, por janë të karakterit modern. Ka shfaqje teatrale, ka ekspozita, ka koncerte muzikore moderne dhe shumë çka që lidhet me traditën, ushqehet nga tradita dhe shumë çka që është shumë e vjetër, që ne jemi munduar me sjell këtu, duke përfshirë etnogrupe që kultivojnë këtë lloj, qoftë ajo muzikë, rite, deri te arkitektura tradicionale që është në zhdukje”, tha ai

Në festival do të ketë shfaqje të ndryshme, dhe njëra prej shfaqjeve që u prezantua sot ishte nga gratë e Shoqërisë Kulturore “Katarina Jusipi”, nga Hasi, Njëra prej pjesëmarrësve në shfaqjen ë përgatitur nga kjo shoqëri është Roza Xhevëlekaj. Ajo tha se qëllimi i tyre si shoqëri është, që te mos shuhen traditat dhe të mos mbesin mbrapa.

Roza Xhevëlekaj: Po mundohemi t’i tregojmë traditat e moçme

“Po mundohemi t’i tregojmë traditat e moçme, veshjet e moçme, rendet e moçme. Po kemi dëshirë mos t’i lëmë pas, mos me u shuajt, mos me mbet mbrapa, me ju lënë mësimet edhe rinisë për të ardhmen, që janë duke u rrit, e janë duke u frymëzuar”, u shpreh ajo.

Në kuadër të festivalit kishte edhe prezantim të ushqimit tradicional të trojeve të Kosovës, ushqimi ishte sjellë nga organizata “Ëomen for Ëomen”. Drejtoresha e kësaj organizate tha për Kp se ky është viti i parë që marrin pjesë në EtnoFest, dhe gratë të cilat janë përfituese nga organizata, janë ato të cilat kanë bërë gatimin e ushqimit tradicional në festival.

Duke marr parasysh që stina verës është sezona kur bashkatdhetarët të cilët jetojnë jashtë trojeve shqiptare, kthehen në vendlindje, kjo është edhe arsyeja pse EtnoFest mbahet në muajt korrik dhe gusht. Në radhët e spektatorëve ka shumë bashkë atdhetar, e njëri prej tyre është edhe Shaip Ademaj, i cili tha se ishte kthyer në Kosovë enkas për mbajtjen e festivalit, sepse sipas tij ky festival është një iniciativë shumë e bukur, dhe me vlerë të madhe. Ademaj tha se për te rinjtë ka mesazh, që ata t’i ruajnë vlerat e vendit të tyre, t’i ruajnë traditat dhe të mos shkojmë gjithmonë vetëm kah modernia

Ilaz Hysaj, drejtori artistik i festivalit, tha se duke bërë të ditur vëllimin e madh të festivalit, buxheti të cilin kanë nuk mjafton dhe se buxheti me të cilin organizohet ky festival është nga buxheti personal. Ai gjithashtu ceku se Ministria e Kulturës kishte premtuar një buxhet prej 7500 eurosh, mirëpo është klasa politike ajo e cila duhet ta rris vetëdijen kundrejt kulturës dhe artit të vendit tonë.

Hysaj: Ky buxhet mjafton për një festival të thjeshtë 2-3 ditësh

“Nuk jemi të kënaqur me buxhetin aspak, sepse ky buxhet është shumë i vogël në krahasim me vëllimin e festivalit. I kemi 12 ditë program, kemi gjithë këto ansamble, ky buxhet mjafton për një festival të thjeshtë 2-3 ditësh, e jo kaq shumë. Janë 7500 euro që i ka premtuar Ministria e Kulturës, e shpresojmë që kjo klasë politike do të vetedukohet dhe duhet ta kuptojë që kultura nuk është luks”, tha Hysaj.

Edicioni i shtatë i festivalit këtë vit mbahet nga data 11 gusht deri më 3 shtator dhe do të mbahet vetëm gjatë fundjavave, në fshatin Kukaj të Prishtinës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat