Neza ynë

Kultura

Neza ynë

Nga: Hamza Halabaku Më: 31 gusht 2017 Në ora: 08:48
Hamza Halabaku

Në mesditën e së shtunës së fundit të prillit të atij viti, kishte vendosur të shkonte  për vizitë te prindërit e tij në fshatin Rrafshinë. Rrugës, që, nga Kryeqyteti, shpinte në drejtim të jugut, edhe pse ishte mesditë me diell, nuk kishte shumë lëvizje veturash. Atëherë në vendlindjen e Shpendit veturat mund të numëroheshin në gishta dore!

Në të dy anët e rrugës, tek rrëshqiste vetura, shiheshin bujq që kishin filluar rregullimin e hullive nëpër arat e tyre në mënyrë që të ruheshin nga ndonjë shi që do t’i vërshonte të mbjellat. Bukurinë e arave e shtonte gjelbëria e radhëve të misrit, që ishte rritur më shumë se një  pëllëmbë mbi tokë. Tani edhe më bukur dukeshin këto ara të mbjella me misër, meqë bujqit e zellshëm u kishin bërë shatin e parë. Shfaqej një mozaik ngjyrash, asaj pranvere, në atë fushë të rrafshët e të punuar për mrekulli. Jo rrallë dukej si ylber e verdha e lulediellit, pastaj e gjelbra e grurit dhe ato radhët me të njëjtën ngjyrë të misrit e të fasules, që rriteshin përditë e më shumë. Ishte edhe ajo e lulëkuqeve, që shumë rrallë mungonin asaj pranvere.  Aty-këtu, nëpër arat e pambjella dhe livadhet e gjelbëruara, shiheshin tufa dhensh, tek kullosnin të ruajtura nga barinj të zellshëm. Secili i rrinte përpara tufës së vet. Shumica e barinjve, përveç shkopit që mbanin nën sqetull, në dorë kishin edhe libra.

Vetura e Shpendit rrëshqiste asfaltit, e ai meditonte, a thua barinjtë, që tanimë kishin mbetur mbrapa shpinës së tij, ishin duke përgatitur ndonjë nga provimet e fakultetit apo ishin duke lexuar “Urën me tri harqe” të Kadaresë, ndonjë varg të Esad Mekulit a të ndonjë poeti tjetër?

Te ura e Ferizajt, aty ku kryqëzoheshin rrugët Prishtinë - Shkup dhe Ferizaj–Gjilan, pa hamendje u kthye në drejtim të Gjilanit, andej nga rruga e çonte në drejtim të fshatit të tij të lindjes. Sa më shumë që i afrohej Rrafshinës, aq më tepër i shtohej edhe gëzimi për takimin me prindërit dhe me të afërmit e tjerë. Kur erdhi në tatëpjetën e fshatit, në livadhet e të cilit, në pranverë, kishte shumë lule dremiqare, e ngadalësoi makinën. Meqë aty ishte vend i banuar, e tërhoqi këmbën e djathtë nga pedali i gazit  për të ngadalësuar shpejtësinë. Ishte shumë i kujdesshëm në drejtimin e veturës, meqë ishte shofer i ri dhe pa përvojë të mjaftueshme. Në fund të tatëpjetës, në largësi, në anën e djathtë të rrugës, pa një njeri të ngarkuar me krande të thata në shpinë. I ngjante shumë Nezës, por nuk besonte se ishte ai.

Ç’i është dashur Nezës të ikë aq larg fshatit tonë!?

Edhe pse ende ishte larg, i bëhej se ishte pikërisht ai, ndonëse nuk u besonte syve të vet. Sa më shumë që i afrohej njeriut të ngarkuar me krande të thata, gjithnjë e më tepër bindej se ai ishte vetë Neza ynë.

Nezës - i thoshin Neza ynë, se ishte i tërë fshatit!

Shkonte në dasmën e secilit që martohej në fshat! Ulej në vendin, ku e gjente të lirë. Sodiste kënaqësitë e të tjerëve, duke vallëzuar e duke kënduar, duke luajtur e duke biseduar! Po qe se i linin hapësirë, po edhe kur e lusnin pak, ai mund t’i këndonte dy-tri vargje të një kënge, që i përsëriste në secilën dasmë. Hante, kur i thoshin të afrohej në sofër. Neza ynë nuk zgjidhte sofrën ku do të ulej. Ulej aty ku i thoshin të tjerët.

Ai ishte edhe në vdekjen e secilit, që ikte nga jeta në fshat. Nuk shkonte në asnjë varrim, po shkonte në secilën të pame! Neza ynë ishte i miri, i sinqerti, i urti! Nuk të ngiste, po s’e ngave, nuk të shante, po s’e shave! Edhe po ta ngiste ndonjë i ri i pakujdesshëm, Neza u thoshte “Ikni, bre sherra, ikni”. Por, më shumë ikte ai nga belaja, se ata që e ngisnin! Nuk mund të ishte ndryshe jeta në fshat, kur në mënyrë të prerë përcaktohej koha me punë toke dhe punë kurbeti, punë të çdo lloji që mund të shfaqeshin, të vogla ose të mëdha, ndaj mbretëronte një lidhshmëri mes njerëzve. Edhe Neza ynë shikonte punët e veta. Ruante bagëtinë e fshatit, natyrisht me kë e kontraktonte xhaxhai i tij. Kur e pyesnin të tjerët, sa do të merrte për punën që bënte, Neza përgjigjej: “Nuk e di unë, e di axha”! E dinte se do t’i ruante bagëtinë nga Shëngjergji deri në Shëmitër ose nga Shëmitri deri në Shëngjergj, të tjerat i dinin axha dhe pronari i bagëtisë. Neza nuk ishte as dinak e as sherrak. Nuk ishte djallëzor e as i mbrapsht. Ishte e mira e shtëpisë ku qëllonte. I padëme ishte, në fushë e në shtëpi! Dukej pa halle, edhe kur ndoshta i kishte ato! Nuk shfaqte as shqetësim as trishtim edhe kur, ndoshta, ishte i shqetësuar apo i trishtuar! Edhe kur e kishte ngushtë, tërë fusha ishte e tij! Nuk kishte dhembje koke, edhe kur ndoshta i çahej koka! Nuk e kishte dëgjuar njeri asnjëherë të thoshte se i dhembte gjëkund!

Po, i tillë ishte Neza ynë.

Fliste me të gjithë ata që i flisnin, me të vegjlit e me të mëdhenjtë. Edhe me fëmijët ishte i afërt, kur ata nuk e ngisnin. Megjithatë, koha në vendlindje dhe vendbanime të tjera përcaktohej edhe me marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Edhe Neza ynë përbënte një segment, midis të tërave, sepse ishte mjaft i pranishëm në secilin çast të këtyre kohëve.

Atë kohë, të asaj të shtune të fundit të prillit, sapo kishte filluar pasditja. Ishte ditë e ngrohtë pranvere. Livadhet, të mbushura me lule dremiqare, i ndante rruga e asfaltuar, që të çonte në drejtim të qytetit kryesor të Anamoravës. Shpendi sa kishte arritur te Livadhet e Sojevës, kur iu afrua njeriut të ngarkuar me barrën e krandeve të thata, të mbledhura në zabelet afër shtëpive të fshatit që sapo e kishte kaluar, u bind se ai ishte vetë Neza!

Lulet, që kishin mbushur livadhet, ua kishin shtuar bukurinë atyre. Përmes livadheve kalonte një lumth i vogël. Në të vetëm në pranverë rridhte i qetë një ujë i kthjellët si loti. Kodërzat, jo shumë të larta, të cilat nga të dyja anët rrethonin livadhet, dukej se u bënin rojë luleve. Ato ishin me gjethe të bardha e në mes me një fushë të vockël me ngjyrë të verdhë të çelur, me aromë shumë të mirë, që, po i vendose në gotë të mbushur përgjysmë me ujë, e ruanin gjatë aromën e tyre të këndshme, e cila ua kalonte edhe parfumeve më të mira të Parisit!

E ndali veturën Renault 4 dhe e përshëndeti Njeriun me krande të thata në shpinë. U habit që Nezën po e shihte në një fushë që nuk e kishte parë asnjëherë më parë, edhe pse kishte kaluar gati për çdo fundjavë asaj rruge. Gjithnjë kishte menduar se Neza asnjëherë nuk do të ikte aq larg fshatit ose të merrte rrugë, për Nezën, aq të gjata. Kishte qenë i bindur se ai sillej vetëm në fushën e fshatit ku jetonte. Në fshat Neza ynë shihej paradite herët, kur i tubonte bagëtinë për t’i çuar në fushë, ose vonë në mbrëmje, kur i kthente ato nga fusha.

Nezës i ofroi shoqërim, në veturë, deri në fshatin e lindjes!

- Do të vish bashkë me mua në veturë?

 Ai u pajtua pa fjalë!

I ndihmoi që barrën e tij me krande të thata, që Neza i kishte mbledhur për nevojat e veta, ta vendosnin mbrapa karrigeve të veturës. I ndihmoi që ai të ulej në ndenjëse, në anën e tij të djathtë. E udhëzoi që të lidhej me rripin e sigurisë. Veturën e ngiste me një shpejtësi normale, në mënyrë që tani bashkudhëtari i tij të mos frikësohej, meqë Shpendi e dinte se ai për herë të parë ishte ulur në veturë.

- Ke udhëtuar ndonjëherë me veturë? Të ka marrë kush me makinë, kur ke udhëtuar kësaj rruge të asfaltuar? - e pyeti.

- Asnjëherë, - u përgjigj shkurt ai!

Pastaj e pyeti, ku kishte qenë dhe nga vinte?

- Te dajat, në fshatin Sojevë, – iu përgjigj shkurt.

Ai gjatë rrugës sikur po shihte një ndrydhje në shijen e tij për jetën. I dukej sikur nuk po e shijonte natyrën dhe kjo po vërehej lehtë nga Shpendi. Tani, me gjithë barrën e mbledhur të krandeve të thata, donte të kthehej në shtëpinë e tij. Neza përgjigjej vetëm nëse dikush e pyeste, përndryshe heshtte. Njësoj po sillej edhe sot. Po shikonte si i linin, me shpejtësinë e ngadalshme, plepat, që ishin në të dy anët e rrugës.

- Punë nuk ka, - tha Neza, - pasi e kishte pyetur Shpendi - te kush ishte duke u kujdesur për bagëtinë? - Të gjithë njerëzit e katundit tonë i kanë shitur bagëtinë. Njeri i gjallë nuk mban asnjë nga kafshët. Asnjeri nuk mban as bagëti të trashë e as bagëti të imët. Tani kam mbetur pa punë, - vazhdoi t’i ankohej Shpendit. Tërë jetën e tij e kishte kaluar me bagëtinë e fshatit, nuk kishte bërë asnjëherë punë tjetër, pos ruajtjes së bagëtisë së trashë dhe mbledhjes së krandeve të thata nëpër fushë. Lule, ndërkaq, nuk e kishte parë njeri të ketë mbledhur!

Bagëti të veten nuk kishte. Herë ishte me bagëtinë e halabakëve, herë me të pirajve e të bajrajve, ose të ndokujt tjetër. Kush e zinte i pari, ai ishte aty. Neza tha se nuk dinte shumë, por se kishte mësuar që kishte lopë të katundit dhe lopë të shehrit, ani pse në shehër nuk kishte qenë kurrë.

- Po ku është dallimi i lopëve të fshatit dhe të atyre të qytetit, more Nezë? - e  pyeti Shpendi? Lopë në katund e lopë në qytet, njësoj janë, apo jo! - foli prapë Shpendi!

- Jo, - u përgjigj Neza Ynë! Lopët e katundit kanë livadhet e tyre, shumë të mira, me barin më të mirë jeshil e me plot lule të llojeve e të ngjyrave të ndryshme. Ato edhe hanë, aty, në livadhet e tyre, pra! Janë shumë të dobishme për njeriun. Edhe qumështin e kanë të dobishëm për tërë familjen, duke filluar nga foshnjat e deri të pleqtë e shtëpisë. Ndërsa lopët e shehrit, vazhdonte Neza, s‘kanë livadhe, prandaj shëtisin nëpër lagjet periferike të qytetit, aty ku u lejohet dhe fusin kokën nëpër kontejnerët e plehrave, për të gjetur copa të mykura buke. Këto lopë janë të dëmshme për familjet që i mbajnë, por edhe për rrethin, sepse familjet të shumtën e shesin qumështin e tyre.

Sado në dukje ishte fjala për një gjë të lehtë e të parëndësishme, ai po fliste me shumë seriozitet për ato që mbase kishte medituar dhe më herët. Ishte një gëzim që në mënyrën e tij po tregonte impulse jete. Madje, kur po fliste, po ndihej i lehtësuar. Kështu edhe donte ta kalonte kohën në mënyrën e tij. Shihej qartë që nuk po ndihej rehat as në veturë.

Vetura rrëshqiste asfaltit e Shpendi me Nezën arritën në fshatin Dardani!

Neza kishte lëvizur nga vendi dhe ishte përpjekur ta hape derën e djathtë të makinës. Drejtuesi i saj me kujdesin më të madh frenoi me frikën se Neza do të dilte nga vetura!

O Zot, çka më gjeti, mendoi me vete Shpendi!

- Ç’bënë kështu, more Nezë!? – e pyeti.

- Dua të zbres. Dua të dal nga këtu! – foli ai!

- Po pse? Rri këtu, – i tha Shpendi. Për dhjetë minuta do të jemi në Rrafshinë!

- Jo, dua të zbres. Dua të eci në këmbë!

Shpendi e skajoi veturën, për të zbritur Neza. E ndihmoi që të lirohej nga rripi i sigurisë. Ia dha edhe barrën e krandeve të thata, të mbledhura me dorën e tij! Me djersën e vet i kishte fituar ato ...

Neza, në drejtim të Sllatinës, rrugës së shkelur nga bagëtia, me barrën e ngarkuar të krandeve të thata në shpinë, të mbledhura për nevojat e tij, u nis për në fshatin e vet të lindjes, e Shpendi vazhdoi me veturë rrugës së asfaltuar.

Kur arriti në fshatin e tij, u takua me njërin nga kolegët e brezit, që së bashku kishin bërë studimet. I tregoi fill e për pe për ndodhinë me Nezën. Kolegu i studimeve u habit me modestinë dhe guximin e tij që e kishte marrë Nezën në veturë.

- E po, - i tha mikut të studimeve, - ai vërtet është i tillë siç e njohim ne, ka një horizont sa i ka dhënë jeta, porse ai ka shumë virtyte njerëzore, ndërsa për natyrën dhe lopët e shehrit dhe ato të katundit kishte një opinion shumë të logjikshëm, me përmbajtje tejet të arsyeshme...!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat