Në bindjet e mia artistike, patjetër se ekziston gjeografia e Atdheut

Kultura

Në bindjet e mia artistike, patjetër se ekziston gjeografia e Atdheut

Nga: Sevdail Hyseni Më: 5 shtator 2017 Në ora: 08:22
Xhevat Limani, aktor, regjisor nga Amerika

Mendoj se autoritetet në Kosovë, duhet të sakrifikojnë pak më tepër nga “luksi” i tyre dhe të investojnë më shumë në subvencionimin e projekteve me dimensione kombëtare në Luginë. E njëjta gjë vlen edhe për Shtetin amë, i cili ndonjëherë  vjen e ndan çokollata e karamele sa për t’i gënjyer fëmijët.

Zoti Limani, me çfarë përshtypjesh jeni ndarë nga manifestimi “Ditët e Diasporës”, në Bujanoc, ku keni marrë pjesë aktive me një monolog, i cili u përcoll me duartrokitje frenetike?

-  Në Ditët e Diasporës në Bujanoc  erdha me ftesë të veprimtarit dhe biznesmenit shqiptar në Zvicër z. Haqif Haziri edhe pse një dëshirë të tillë e kam pasur moti kohë. Unë jam artist shqiptar dhe në bindjet e mia artistike patjetër se ekziston gjeografia e Atdheut. Gjatë kohë nuk e kisha vizituar Luginën, këtë pjesë të lënë pas dore nga paaftësia e prijësve rraha-gjoksash shqiptarë, të cilët japin deklarata spektakulare sa për t’u hedhur hi syve aspiratave dhe ëndërrimtarëve të Bashkimit shqiptar. Mendoj dhe jam i bindur se populli shqiptar meriton prijës më të denjë dhe jo ngatërrestarë oratorish boshe, stilesh, zhanresh dhe platformash të huaja që, para-zhbëjnë Ëndrrën tonë. Përshtypjet e mia përputhen me bindjet e mia kombëtare. Falënderoj publikun dhe miqtë për duartrokitjet e gjata ndaj fjalës së bukur shqipe me ngjyrime atdhetarie të dishepujve të të menduarit dhe vepruarit Shqipërisht Naim Frashërit dhe Fan Nolit. Ndonëse në parandejet njerëzit m’u dukën pak të frikësuar, pas programit vërejtja një hapërim drejt procesit për të mundur frikën. Ky proces kërkon veprime dhe hapësirë konkrete. Ka përfunduar platforma e gjenocidale serbe, që kjo pjesë shqiptare të jetë oaza e fundit e modelit të skllavërisë serbosllave. Ata, pra, populli shqiptar i Luginës, janë pjesë e pashkëputur e kombit shqiptar si etni dhe si territor. Herët apo vonë, ky proces do të përmbyllet mu për hir të aspiratave dhe ëndërrimit shqipërisht.

Ju edhe më herët keni qenë në këto troje etnike shqiptare, me të cilat, me siguri, keni ndonjë lidhje të veçantë?

-  Kam qenë vite më pare në Preshevë kur udhëhiqja Festivalin e recitatorëve mbarëshqiptarë. Dhe ishte një veprimtari që nxiste gjakimin shqiptar dhe ngrinte lart tingullin e të menduarit dhe deklarimit shqip e Shqipërisht. Mendoj se autoritetet në Kosovë, duhet të sakrifikojnë pak më tepër nga “luksi” i tyre dhe të investojnë më shumë në subvencionimin e projekteve me dimensione kombëtare në Luginë. E njëjta gjë vlen edhe për Shtetin amë, i cili ndonjëherë vjen e ndan çokollata e karamele sa për t’i gënjyer fëmijët.

Po, me Haqif Hazirin, afaristin e shquar të Malësisë së Bujanocit, në Zvicër, si u njohët?

-  Jam njohur nga vitet 1989/90, kur kriza e Kosovës dhe shqiptarëve tjerë nën ish-Jugosllavi, po lëvizte nga gjendja status-quosë, në vendnumërim duke pranuar robërinë si kompromis të një lirie imagjinare, me Qeveri e Kushtetuta imagjinare dhe në Ekzil. Haqifi është biznesmen i suksesshëm, që ka mbajtur me punë shumë familje nga Lugina, Kosova dhe Ilirida dhe i ka ndihmuar shkollat në Gjilan me ndihma për mësuesit. Në çastet më të vështira kur pushtetet sllavomaqedonase me kolaboracionistët shqiptar më luftonin për të më lënë si peshku në zall, duke më eliminuar nga veprimtari dhe projekte artistike, Haqifi më ndihmoi duke më ofruar punë që unë mund ta bëja dhe unë i jam mirënjohës.  

Artisti duhet të veproj konkretisht

Publiku preshevar dhe ai më i gjerë shqiptar, të njohin si aktor, regjisor dhe dramaturg me nam në fushën e kinematografisë. Nga të lindi një motiv kaq i madh të merresh me këtë fushë të artit?

-  Teatri , Filmi, Televizioni , Radio dhe prezantimet publike, janë fushat tona që i mësojmë në fakultet dhe natyrisht pas diplomimit duhet zbatuar në praktikë. Diplomat nuk flasin në skenë. Artisti duhet të veproj konkretisht dhe jo të kapardiset me llafe nëpër kafe. Motivimi për të ndjekur rrugëtimin artistik është mbjellë që në fëmijërinë time në Strugë. Mbaj mend kur erdhi Teatri Krahinor aso kohe me dramën Halili dhe Hajria në Strugë, unë isha 8 vjeç. Pasi mbaroi shfaqja të gjithë duartrokisnin ndërsa mua më mbetën sytë tek kostumet e bukura dhe të veçanta plotë shkëlqim të aktorëve kolosë si Istref  Begolli, Ragip  Loxha, Krist Berisha, Melihate Ajeti, Xhevat Qoraj, Xhevat Qena etj. Disi me turp hipa në skenë dhe isha shumë i lumtur që më lejuan t’i prek kostumet. Në ndërdijen time sikur atë mbrëmje magjike perënditë vendosën për rrugëtimin tim të ardhshëm artistik.

Cilët nga rolet më të njohura, që i keni realizuar, deri më tani, do t’i veçoni?

-  Kam luajtur mbi 100 role dhe është vështirë t’i veçosh fëmijët. Megjithatë dua të tingëlloj mbi ato role që shënuan një epokë teatri si Lulashi tek Gof i Anton Pashkut, Hamidi i Verdhë tek Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi të Teki Dervishit, Klaudi tek Hamleti, Milosi tek Varrezë automobilash i Fernando Arrabal, Argani tek I Ligu për mend tek Molieri, Kreroni tek Antogona e Sofokliut, Mbreti Gent tek Sherif Delvina, Eminenca Gri tek Nebi Islami, Profesor Lako dhe Laokonti tek Ismail Kadare, Babazoti tek Anatema e Xhevat Limanit dhe së fundi kryekulmi Gjergj Kastrioti Skënderbeu në autorësi komplete të Lartmadhërisë së tij Xhevat Limani.

Jeta kulturore në Amerikë, çka të ofron më shumë se ajo në Evropë, apo në Maqedoni?

-  Në SHBA, njoha një publik tjetër që i mungonte shijes dhe kriterit tim artistik siç ishte nëpër skenat në Iliridë, Kosovë , Shqipëri dhe Festivalet evropiane dhe më gjerë. Atje u ballafaqova me një publik të ri që po ecte drejt rigjetjes së identitetit teatror në aspekt të shijimit dhe përjetimit. Këtë akt arrita ta realizoj me themelimin e institucionit të pare ne SHBA, Teatri shqiptar në Amerikë.

Teatri është jeta ime

Cila më shumë të fle në shpirt: jeta në teatër, film, apo në ndonjë fushë tjetër alternative?

- Teatri është jeta ime. Filmi na ka munguar meqë nuk kishim suport shtetëror. Ne kemi qenë jetimë në hapësirat ish-jugosllave. Angazhoheshin ata të cilët ushtronin buzëqeshjen e vëllazërim-bashkimit Titist. Kishte dhe përjashtime të aktorëve të mirëfilltë.

Gjatë karrierës suaj, keni  fituar një varg çmimesh dhe mirënjohjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, njëra nga to është edhe ajo e dekorimit me titullin “Ikonë e Aktrimit Shqiptar”, apo jo?,

-  Çmimet janë impuls dhe motivim për të shkuar më tej. Në bindjet e mia unë pranoj çdo çmim artistik, por jo edhe shpërblime shtetërore të cilat të nëpërkëmbin dinjitetin artistik. Artisti është opozitë dhe vetëm opozitë e shtetit dhe pushtetit. Të gjithë ata që po ulen kolltuqeve kinse për të shpëtuar institucionet janë të paaftë si artistë ose janë të komprometuar dhe të sëmurë. Këta kolltukofagë janë mjerimi i institucioneve tona që për fat të keq notojnë turbullirave pa platformë të qartë artistike dhe kombëtare.

Kinematografia shqiptare, ku gjendet sot dhe cili do të jetë misioni i saj në atë ardhmen?

-  Kinematografia shqiptare sot realisht nuk ekziston si Institucion. Ka improvizime të vogla që eksperimentojnë. Duken edhe do xixa suksesesh. Merreni me mend sikur të gjithë këta krijues të talentuar të kishin një Institucion relevant, që do t’i mbështeste projektet e tyre, ku do të arrinin. Është koha e artit shqiptar. Ne s’mund të krenohemi as me ekonomi e as me arritje në armatim. Të vetmet suksese e i kemi në art she në sport. Dhe po më vjen çudi me këtë banda kryeministrash që nuk kanë sy në ballë të shohin se ku duhet investuar. Kjo flet për zgjedhje të personave të gabuar dhe pa meritë nëpër poste. Tagrin e paguan populli shqiptar.

Skënderbeu është krye-heroi ynë kombëtar

Roli i Skënderbeut, nga ky frymëzim, për një personazh mitik, jo vetëm në shqip, madje edhe në anglisht?

-  Gjergj Kastrioti –Skënderbeu, është krye-heroi ynë kombëtar. Gjëmat dhe bëmat e tij janë të dimensioneve universale. Ai, është ideatori i krijimit të një ushtrie shumëkombëshe, duke marrë në mbrojtje popujt e vegjël. Në ushtrinë e tij kishte venedikas, austriakë, gjermanë, frank, holandezë, belgë, flamanë, dalmatë dhe të tjerë, për t’iu kundërvënë  Imperatorisë osmane. Gjithashtu, Ai, është nga mbretërit e rrallë që mori princeshë, mbretëreshë shqiptare, Andronikën e Arianitasve, duke bashkuar jugun me veriu si dhe ushtritë e pasuritë me principatën e fuqishme të Arianitasve. Në Kuvendin e Lezhës vuri gur-themelin e parë shtet-formues dhe dëshmoi veten si burrështetasi më i denjë i gjakut të Arbrit. Skënderbeu, fliste pa përkthyes në shtatë gjuhë me ujkonjat diplomatik gjë që sot askush nga diplomatët apo prijësat tanë ordinerë nuk i afrohet as tek gjunjët e mos të flasim për aftësitë dhe mjeshtërinë e tij ushtarake. Strategjia e mbrojtjes me shkëputje kur ke ushtri disa here më të vogël përballë armikut zhurmëmadh edhe sot e kësaj dite mësohet në West Poin, Akademinë ushtarake amerikane si lëndë. Dua që vitin që vjen ta luaj edhe në anglisht dhe po punoj me përkthyesin tim dhe profesorin e nderuar Michael Chugg. Ideja për të ofruar kryeheroin tonë si informacion artistik, historik, poliedrik dhe ontologjik me mbi 100 prezantime në Brodway mendoj se do të jetë një akt mirënjohje dhe falënderimi ndaj Atij Burri të madh, që kohëve të fundit kanë dale ca kalamucër dhe duan të hedhin baltë mbi supet e tij, natyrisht të paguar nga agjenturat e fqinjëve të ulkonjave ballkanike

Qyteti i Bujanocit, kryesisht sheshi i tij, në një të ardhme do ta mbaj me krenari emrin e Skënderbeut, do të kishit ardhur, në përurimin e tij, për ta shfaqur një skenë skënderbegiane?

- Do vij me gjithë Teatrin Shqiptar në Amerikë, për ta luajtur shfaqjen Shqipërisht.  Do t’ish nder e privilegj për teatrin tim ta nderoj këtë Shesh të gjakimit shqiptar. Meqë unë jam dhe shtetas amerikan, prezenca e Institucionit të Teatrit shqiptaro- amerikan do të tingëllojë Shqipërisht mes këtij Sheshi dhe merr domethënie me dimensione të veçanta.

Për fund, ndonjë mesazh për artistët e rinj shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe më gjerë?

- Uroj që të studiojnë sa më shumë. Cilësia do të vij gjithsesi. I madhi erudite Sami Frashri thotë: “Nëse do të korrësh për një vit, mbill misër e grurë, por nëse do të korrësh 100 vjet, mbill arsim e kulturë”. Le të jetë kjo një Porosi konkrete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat