Ndërron jete vlonjati Fisnik, Petrit Velaj, ish i burgosur politik

Kultura

Ndërron jete vlonjati Fisnik, Petrit Velaj, ish i burgosur politik

Nga: Austin Mirakaj Më: 11 shtator 2017 Në ora: 19:30
Petrit Velaj

Mysafir në Shtëpinë e Bardhë Në pranverën e vitit 1991 udhëtova për herë të parë matanë Atlantikut. Fillimisht qëndrova disa ditë në Itali e Francë. Pastaj mbërrita në Nju Xhersi, ku më priste i përmalluar vëllai. Ditët kur isha mysafir tek ai ishin fantastike.

Një jetë tjetër, në një planet tjetër. Diçka e paimagjinueshme. Ca më tepër në rrethanat që gjendesha në këtë mrekulli, pas atij kalvari në qelitë e tmerrshme. Në të papriturat e atyre ditëve, ishte një ftesë krejt e veçantë, këtë herë jo për vizitë familjare, si mjaft syresh që kisha marrë gjatë qëndrimit aty. Pikërisht në ditët e para të majit, vetë Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, më ftoi për të vizituar Shtëpinë e Bardhë. Në orën e caktuar mbërrita te hyrja qendrore. Para portës së madhe kishte shumë njerëz nga vende e kontinente të ndryshme. Me ftesën në dorë bëra përpara për të zënë radhë.

Pa u afruar mirë te kangjellat, një personalitet francez më vërejti dhe, si më pa me kartëvizitën në dorë, m’u afrua duke thënë: “Zotëri, jeni i lirë të kaloni brenda!” Me sa duket, më kishte parë që komunikoja frëngjisht dhe m’u drejtua me gjuhën e vet. Frëngjishtja e tij më solli një ndjenjë gëzimi. Te porta e hekurt, administratori i Shtëpisë së Bardhë i bëri shenjë një djaloshi elegant, i cili u afrua gjithë mirësjellje. Pasi m’u prezantua me emër, Roland L’Fransua, më zgjati dorën, më përshëndeti dhe më përcolli për t’u futur brenda.

Ai na shoqëroi një copë udhë mes kopshteve të bukura të “Mbretëreshës Semiramidë”. Teksa shikoja i hutuar mrekullitë rreth e qark, një çast L’Fransua më kapi për krahu dhe nisi të më tregojë me dorë dikë. Hodha sytë. Ishte vetë Presidenti Bush me të shoqen, Barbara Bush, veshur me rroba sportive. Me sa duket kishin dalë për të pritur mysafirët e ftuar. Na përshëndetën nga larg dhe aty për aty Bushi porositi Roland L’Fransuan të më shoqëronte te zyra e tij. Ishte kjo një mrekulli e vërtetë, ca më tepër për mua, një banor i vjetër i burgjeve famëkeqe të Enverit, ku u rrita, u burrërova dhe u plaka në skëterrat e tmerrshme të tyre.

Në pritjen e jashtëzakonshme ishte i pranishëm sekretari i Shtetit, bashkë me sekretarin personal të kreut të Shtëpisë së Bardhë. “Mirëserdhët zoti Velaj Hamet Petrit!”, më përshëndeti Presidenti me një zë të ngrohtë. “Mirë se ju gjeta!”, ia ktheva unë me ritin shqiptar. Pastaj u ulëm e folëm lirshëm. Fjalë për fjalë nuk e mbaj mend bisedën e atyre çasteve, por më kujtohet që një moment, duke përfituar nga një pauzë e shkurtër, iu drejtova si pa vetëdije: Cila është arsyeja e kësaj ftese të papritur? “Po ja, si thoni ju?!, u shpreh Bushi duke më parë në sy. “Më ke thirrur për të parë çfarë gjallese ka dalë nga ‘kopshti zoologjik’ i Enverit, apo për të mësuar tragjedinë e Shqipërisë në 40 vitet e flamës së komunizmit bolshevik?”, ia ktheva me një lloj emocioni gati të papërmbajtshëm.

“Për të dyja, për të dyja bashkë”, ia bëri i zoti i shtëpisë që më ndiqte sy e vesh. Pastaj i fola gjerë e gjatë për tmerret dhe bëmat e regjimit, i shpjegova me qetësi ato që kisha parë e përjetuar në skëterrat e qelive çnjerëzore. “Kam dëgjuar për krimet e Hitlerit e Stalinit, më ndërpreu një moment Presidenti Bush, duke u kthyer nga të pranishmit e tjerë, por këto të ‘Neronit të Shqipërisë’ nuk mund t’i përfytyrojë as imagjinata më e guximshme”. “I tillë ka qenë, si Neroni, madje më i keq”, shtova unë dhe pashë orën për të qenë korrekt me kohën e caktuar nga protokolli. “Ashtu vërtet”, ndërhyri i zoti i shtëpisë dhe i ngacmuar me sa duket nga krahasimi i goditur, shqiptoi aty për aty një lloj dileme, që në kontekstin e përdorur tingëllonte mjaft domethënëse.

“Si është e mundur, u shpreh ai, që Sokrati i madh ka një bust prej balte, kurse Neroni një shtatore prej bronzi?!”. Pjesa tjetër e bisedës, me sa mbaj mend, u përqendrua në prioritetet e së nesërmes që e prisnin një vend si Shqipëria, që pora kishte dalë nga burgu i komunizmit. Kështu kaluan pa u ndjerë plot 10 minuta në takimin ballë përballë me kreun e SHBA-ve. Aty nga orët e vona të pasdites, pasi kisha përfunduar vizitën në Shtëpinë e Bardhë, shkova të vizitoj Senatin Amerikan. Qysh në hyrje më bëri përshtypje monumenti madhështor i autorit të Kushtetutës amerikane, Abraham Linkoln. Një mrekulli tjetër kjo që më ka lënë gjurmë në kujtesë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat