Të përmasave globale, ngase i kanë kaluar kufijtë kombëtar

Kultura

Të përmasave globale, ngase i kanë kaluar kufijtë kombëtar

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 12 shtator 2017 Në ora: 09:06
Kopertina e librit

Vetëm ata që kanë aftësinë të bashkëbisedojnë me vargjet e poetit Agim Deskut, mund ta  vlerësojnë nivelin e poezive të tij, në të kundërtën ata që nuk dinë të nxjerrin kuptimin e vargut poetik, nuk arrijnë të shohin realitetin e kohës që jetojnë

Poeti i mirënjohur i botes shqiptare Agim Desku si autori i njëmbëdhjetë veprave letrare dhe shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve që iu kanë nda në Kosovë, Shqipëri dhe Itali e vende të tjera këto ditë para lexuesve doli me përmbledhja më të re me poezi  me titullin  “Anatemë  e pathënë"-   e cila është dhurata më e çmuar për lexuesit e vargut poetik. Në recesionin e Florim Zaqes  në mes tjerash thuhet: “ Vetë titulli i këtij libri, përcjell mesazhin e fjalës së dhënë, shenjtërinë e fjalës dhe të besës shqiptare, të përcjellë ndër shekuj, brez pas brezi deri në ditët e sotme. Fjala poezi vjen nga greqishtja e vjetër “poezisë” që do të thotë : bëj, krijoj, thur. Ata që e shkruajnë poezinë quhen poetë. Secili nga poetët i përket kohës dhe shekullit kur jeton. Agim Desku me vëllimet e para poetike i preku perlat kombëtare të poezisë me një gjuhë të pastër shqipe, të bukur dhe cilësore. Vargjet e poetit Agim Desku të prezantuara në këtë vepër janë të veçanta, janë dhunti hyjnore, janë si një diagnozë mjekësore, që arrin t’i caktojë "medikamentin" e duhur një sistemi ose një fenomeni shoqëror. Ky poet ka një energji të veçantë shpirtërore, që e bënë të dallohet prej poetëve të kohës sonë. Frymëzimin e gjen kudo, inspirimin e merr nga njerëzit, nga fenomenet natyrore, komunikon me diellin, me hënën dhe yjet në qiell, të cilët së bashku përbëjnë koloritin më të veçantë dhe më të begatë të vargjeve të  tij. 

Poezia mbretëresha e të gjitha arteve tjera

Vetëm ata që kanë aftësinë të bashkëbisedojnë me vargjet e poetit, mund ta  vlerësojnë nivelin e poezive të tij, në të kundërtën ata që nuk dinë të nxjerrin kuptimin e vargut poetik, nuk arrijnë të shohin realitetin e kohës që jetojnë. E bekuara poezi ngjason me ligjin për drejtësinë kur një diktaturë burgos dhe torturon qytetarët, kur mungon liria e mendimit dhe liria e të shprehurit. Poezia e Agimit është një shprehje e një shpirti fisnik. Përmes vargjeve të tij shpalosë epokat historike, prandaj nuk është thënë kot: "Atë që e harron historia e thotë poezia".  Në vargjet e tij, ky poet shkruan për  dashurinë, për paqen, për lirinë, për shpresën, për  besën, për  pabesinë, për natyrën, për  stinët, për ajrin, për ujin, për  hënën dhe diellin dhe për gjithçka që na rrethon. 

Tek poezia e Agim Deskut preken kultet, mitet, legjendat, ëndrrat, zanat, shtojzovallet e të tjera, që personifikojnë zhvillimet e sotme shoqërore, si fenomene të paqena në traditën dhe kulturën e lashtë ilire-dardane të shqiptarëve. Vargjet e Agim Deskut bëjnë kapërcimin kohor nga e kaluara në të sotmen, duke projektuar të nesërmen e ndritshme me plot shpresë për ardhmëri. Plagët e të sotmes dëshiron t'ia lë të kaluarës, të nesërmes i  ofron ngrohtësinë e shpirtit dhe dashurinë njerëzore. Në secilën strofë, në secilin varg apo fjalë të poezive të Agimit, lexuesi e ka të lehtë të kuptojë identitetin poetik të tij, të formësuar në intuitën dhe shkathtësitë artistike të shprehjes së vargut poetik. Lëvizjet që i bënë poeti përmes shkallëzimit të vargjeve nga një planet në tjetrin, nga një etapë historike në tjetrën dhe analogjia e fenomeneve natyrore bënë të veçohet nga poetët e tjerë. Fati, sfidat dhe sakrificat e kohës që kalon kombi ynë sot, janë brengë dhe shqetësime të secilit varg të poetit Agim. Nderimi deri në përulje që ju bënë dëshmorëve të lirisë, është shprehje kulmore e dashurisë ndaj atdheut dhe bashkëkombësve të tij.

Poezia është një kombinim i mendjes me zemrën

Kreativiteti, energjia e pozitive dhe frymëzimet e poetit Agim Desku  janë burime të pashtershme të cilat  shpërthejnë si vullkan nga shpirti fisnik kushtua fjalës së bukur shqipe. Fjala e pa thënë për poetin mbetët "borxh" i pashlyer për lexuesin. Agim Desku i cili premton edhe shumë vëllime të tjera poetike, siç e shprehë në poezinë "Jetoj për fjalën e pathënë"”.  Edhe Musa Jupolli duke folur për derdhjen  poetike, estetike në filozofin e artit në vargjet e vëllimit me titull “ Anathemë  e pathënë” të autorit Agim Deskut ne mes tjerash tha se  Hipoteza  e shekullit tonë, liria e fjalës, në betejë me “dekadencën”, penë në vallëzim të dheut që e lindi, dhe na del si kalorës i memoareve në një kohë ku arti dhe filozofia, arti dhe politika kërkojnë mirënjohje, përputhje me jetën e njeriut tonë, me gjendjen  shpirtërore të shoqërisë sonë. “ Syri i qetësisë”, poet i  jetës në 'adhurim të paqes dhe shkrimit, vlerat më të larta të  njeriut, mjeshtër stili, vargje “të gabuara” me një veshje të bukur poetike. Vargjet e poetit, kronologji imagjinare, me ngjyra të refuzimit psike-dialektik, lirizëm  i  kërkuar. Historia  e vargut të poeti, Agim Desku, është kuptimi i jetës me mesazh kombëtar, i  angazhuar, ironi elokuente në' udhëtim që ta njohim vetveten, po edhe vargje  debati  padyshim.

Vargjet e Deskut janë me zë e ngjyra të qiellit tonë, aty ku në maje mali takohen historitë  e legjendave arbërore, arbëror që është ai vetë. Poeti Desku është edhe dedikues i cili në poezitë e tija zgjedh figurat që ndritën çështjen kombëtare, penave të arta merr guxim t'u thotë fjalë që burojnë nga shpirti .Jo rrallëherë u shpërblye me çmime të larta, modestia e të cilit veç sa i dha edhe më  elan dhe elegancë, martesa më e bukur e një krijuesi të vyer , ku penë e ide ndahen  këndshëm. Agim Desku, “në fajësi pene” quhet poet !  Askush nuk lindë poet, po dashuria për njeriun, dheun e vet, artin, e bënë atë Poet !  Diellit dhe Penës nuk i zihet drita, ndaj Poeti dhe Dielli urtësojnë mendje, e veshin Atdheun ma t'arta, dhe  lexuesit i dhënë ide e frymëzim ndërgjegjësim, respekt dhe  mirëkuptim me një shoqëri në idealin e së cilit edhe natyra i buzëqeshet . Vargjet janë lumenj që burojnë dhe nuk shterin, janë valë deti që formojnë nota  jete, janë dashuri që rinojnë lexuesin, janë shtojzovalle që ushqejnë shpirt .

Në këto valë-rrjedhash notojnë dhe udhëtojnë edhe vargjet e poetit Agim Desku, me to udhëton edhe lexuesi ! Kur shkruan vargje, një kafe me një gotë raki, një verë rrushi të ardhur në gjenezë nga  Iliria dehjet janë veç se poetike, janë “gabime” të dashura arti ! Poeti, Agim Desku, me xhelozi mbron kulturën, trashëgiminë e saj në kujdes që të  vazhdohet deri majat e maleve tona ku flitet me qiellin e dëgjohet zëri i ëmbël i  shqiponjave.  Me gjuhën e hyjnive mërgimtarëve ky poet mundohet t'u fshijë lotët e mallit  për tokën mëmë.  Ata që kuptojnë gjuhën  e poetit kuptojnë gjuhën e Zotit! Fjala e dhënë për poetin Agim Desku, është fjalë e shenjtë, atij që i mungon ajo fjalë i mungon jeta dinjitoze në këtë botë, apo siç e shpreh në një poezi; "Ju betova jetës, të vdes për fjalën dhe besën e Zotit". ..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat